Ma pastro, o Zot, zemrën nga çdo gjurmë lakmie dhe ligësie

Oct 11 • Meditimi i ditës

11 tetor 2016 – E martë, MOMENI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Gal 5,1-6; Ps 119,41.43-45.47-48; Lk 11,37-41)

 

Prania e Hyjit

Ajo që është pranë meje është diçka që do të më formojë dhe udhëheq.

E marr me mend praninë e Zotit: në mua, ai është gjithmonë këtu, gjithmonë me dashuri,

në mesin e shumë ndikimeve që më rrethojnë dhe prekin.

Ndalem dhe lus që Zoti

të më formojë dhe udhëheq, tani në këtë moment.

 

Liria

O Zot, ma ke dhënë jetën dhe dhuratën e lirisë.

Unë ekzistoj në këtë botë falë dashurisë sate.

Më ndihmo që gjithmonë të di ta çmoj këtë dhuratë të jetës dhe gjithmonë ta respektoj të drejtën e tjetrit për të jetuar.

 

Ndërgjegjësimi

Duke iu kthyer detyrave të mia të përditshme,

më përkujto, o Zot,

se je gjithmonë pranë meje.

Kurrë nuk duhet të dëshpërohem.

 

Fjala

Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është i parashikuar për sot.

Lexoj pa u ngutur

dhe ia vë mendjen fjalisë apo ngjarjes që më flet diçka.

 

Lk 11, 37-41

 

37 Ndërsa ai ende po fliste, një farise iu lut të shkonte tek ai për drekë. Ai hyri dhe u ul në tryezë. 38 Fariseu, kur pa se Jezusi nuk u la para buke, u çudit. 39 Zotëria i tha:

“Po! Ju farisenjtë lani përjashta gotën dhe kupëzën, ndërsa brendinë tuaj e keni plot rrëmbime e prapësi. 40 Të marrë! A thua se ai që përftoi përjashtësinë, nuk e përftoi edhe brendësinë? 41 Jepni, pra, për lëmoshë ç’është brenda gotës e kupës e do të jetë gjithçka e pastër për ju.

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri? 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjtë:

 

  • A je çuditur ndonjëherë kur të tjerët s`janë sjellë ritualisht si “të kurdisur”? A i refuzoj ata për shkak kësaj? Jezusi edhe një herë bën vend dhe e vë dashurinë dhe mirësinë mbi urdhërimet e ligjit. Cilat dhe çfarë lloj dhuratash të brendshme mund t`i ndaj me të tjerët? A besoj se edhe më të voglën lutje time për botën Zoti e bekon?
  • O Zot, ti më shqyrton dhe më njeh më mirë se unë veten time. Ma pastro zemrën nga çdo gjurmë “lakmie dhe ligësie” dhe mbill në mua farën e shpirtit tënd të zemërgjerësisë.

 

Bashkëbisedimi

 Ç` ndjenja lindin brenda meje

kur lus dhe meditoj me Fjalën e Zotit?

E paramendoj Jezusin se si është duke ndenjur apo është ulur pranë meje

dhe ia çeli zemrën.

 

Përmbyllja 

Të falënderoj, o Zot, për këto momente që i kalova vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »