A ka harmoni mes asaj që beson, thua dhe bën?

Oct 14 • Meditimi i ditës

14 tetor 2016 – E premte, MOMENI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Ef 1,11-14; Ps 33,1-2.4-5.12-13; Lk 12,1-7)

 

Prania e Hyjit

Fillo duke marrë frymë thellë, duke pranuar dashurinë e Zotit, dritën e Krishtit, urtinë e Shpirtit të Shenjtë. Nxjerri jashtë të gjitha shqetësimet e tua, sfidat e tua dhe frikën tënde. Gjatë këtyre momenteve reflektoj se çka mund të bëj për t’u përgatitur për Zotin.

 

Liria

 Janë pak vetë që e kuptojnë

se çka do të mund të bënte Hyji me ta

po të dorëzoheshin në duart e tij

dhe t`i lejonin që t`i formojë hiri i tij. (Shën Injaci)

Lus për hirin shenjtë t`i dorëzohem plotësisht dashurisë së Hyjit.

 

Ndërgjegjësimi 

Jetoj në një rrjetën të gërshetuar me shumë marrëdhënie – lidhje me natyrën, me njerëz, me Hyjin.

I vërej këto marrëdhënie dhe falënderoj për jetën që rrjedh nëpër to.

Disa prej këtyre marrëdhënieve janë shtrembëruar, disa janë ndërprerë, disa janë prishur:

Ndoshta për këtë arsye ndjehem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.

Lus për dhuratën e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

Kaloje këtë kohë duke e përqendruar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

  

Lk 12, 1-7

 

Ndërkaq u mblodh një turmë e madhe e popullit ‑ mijëra e mijëra ‑ aq sa shkelnin njëri‑tjetrin. Jezusi më së pari u drejtua nxënësve të vet:

“Ruajuni prej tharmit të farisenjve d. m. th. hipokrizisë! 2 S’ka gjë të mbuluar që nuk do të zbulohet, as të fshehur që nuk do të merret vesh. 3 Prandaj, çdo gjë që ju thatë në errësirë, do të dëgjohet në dritë dhe çdo gjë që pëshpëritet në vesh ndër skuta, do të predikohet prej pullazeve.” 

4 “Po ju them juve, miq të dashur: mos jua kini drojën atyre që mbysin trupin e pastaj s’mund të bëjnë gjë tjetër! 5 Po ju tregoj kujt duhet t’ia keni frikën: druani nga ai që, pasi t’jua ketë marrë jetën, ka pushtet t’ju hedhë në ferr. Po, unë po ju them: atij kijani frikën! 6 Po, a nuk shiten pesë trumcakë për dy qindarë? E pra, asnjërin prej tyre nuk e qet në harresë Hyji. 7 Kurse juve deri edhe fijet e flokëve të kresë i keni të numëruara! Mos kini frikë! Ju vleni më shumë se një mori trumcakësh!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri? 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Unë jam një anëtar i asaj turme të madhe që vjen për të dëgjuar fjalën e Zotit. Unë jam pjesë e bashkësisë të Momentit të Shenjtë – Lutjes së përditshme. Lus një moment për anëtarët e tjerë të kësaj bashkësie, që të mund të vazhdojë së rrituri në mbarë botën.
  • Veprat e hipokritëve nuk përputhen me fjalët e tyre. Jezusi na thërret në integritet personal – në koherencë, për të ndërtuar harmoni mes asaj që ne besojmë, themi dhe bëjmë.
  • Jezusi u thotë fjalë inkurajuese ndjekësve të vet, me gjithë kundërshtimet – u flet për sigurinë e dashurisë besnike, kujdesin dhe mbështetjen e Hyjit. Hyji kujdeset për më të vegjlit dhe më të pambrojturit e krijesave të tij. Sa afër është Hyji për të gjithë ata që i besojnë dhe i dorëzohen atij?

 

Bashkëbisedimi

Ç`po ndodh në mua kur lus?

A jam i/e ngushëlluar, i/e shqetësuar, apo indiferent/e?

E paramendoj Jezusin se si është duke ndenjur apo ulur pranë meje

dhe flas me të për gjithçka ndiej.

 

Përmbyllja

Faleminderit o Zot për këto pak momente që i kalova vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »