Bija Shqiptare – Nëna e Botës – tani shenjtëresha e dashurisë, Nënë Tereza (1910 – 1997)

Oct 16 • Këndvështrime

 

Nga Don Lush GJERGJI

 

 

“E lumja ti që  besove  se do të plotësohet çka të qe thenë prej Zotit” (Lk 1, 45).

SHEKUJT E PRITEN DHE PËRGATITEN, NE E PËRJETUAM

Për ta kuptuar njeriun si qenie personale, familjare, shoqërore, kombëtare, fetare, kulturore lypset njohur rrethin, ambientin, kontekstin jetësor, sepse pa këto tipare dalluese njeriu humb disi tërësinë, rrënjet, mbetet në “ajër”, pa identitet dhe personalitet bazor. Nënën Tereze Bojaxhiu e kam takuar shumë herë gjatë njohjes, shoqërimit dhe bashkëpunimit me të, në meridianët  të ndryshme të botës, që nga takimi im i parë personal në vjeshtë në Romë në vitit 1968. Unë atëherë isha student i vitit të dytë të filozofisë në Universitetin “Urabanian”. Atë e kam shoqëruar në pesë vizitat e saja në Kosovë: 1970, 1978, 1980, 1982 dhe 1986; isha me të gjatë Çmimit Nobel për Paqe (Oslo, 1979); në shumë vende të Evropës Lindore;  sidomos në Kalkutë dhe në rrethinë (1989)… Çdo takim ishte si i pari dhe  i fundit, që më bënte përshtypje thjeshtësia, çiltëria, mirësia, bujaria, duresa, kujdesi dhe dashuria për të varfër ndër më të varfër, të gërbulur, ata që askush nuk i donte, sidomos malli për Atdhe, lidhja e ngushtë shpirtërore me Popullin dhe Kishën ndër Shqiptarë,  por edhe vuajtja me ne dhe për ne, por edhe  për njerëzit e mbarë botës.

Gjithnjë kam studiuar dhe hulumtuar për rrënjët, burimin, zanafillën e këtij përkushtime dhe dashurie kaq prekëse dhe tërheqëse për mbarë botën. Përfundimi im është ky: janë dy burime unike që e kanë përgatitur dhe dhuruar atë gjithë botës: tradita dhe përvoja familjare, kombëtare shqiptare, që mbështetet në këto parime të shenjta dhe domethënëse: “Bukë, krip dhe zemër”, dhe: “Shtëpia është e Zotit dhe mysafirit”, si dhe përvoja dhe jeta dashurisë së krishterë në familje dhe në bashkësi famullitare, porosia e Jezusit që identifikohet me çdo njeri: “Çka do bëtë për njërin ndër këta vëllezër të mi më të vegjël, e  bëtë për mua” (Mt 25, 40). Ajo ishte Dashuria në veprim, siç e kam definuar unë. Me 16 libra kushtuar Nënës Tereze, të përkthyera në shumë gjuhë botërore, jam munduar t’i dokumentoj dhe argumentoj këto dy burime të pashterrshme për Nënën Tereze: Zotin – Dashuri dhe vëllaun apo motrën Njeri.

KUSH ISHTE GONXHE BOJAXHIU?

Bija e Kolë Bojaxhiut, me prejardhje nga Prizreni, dhe Drane lindur Bernaj – Bojaxhiu, nga Novosella e Gjakovës, por edhe më tepër bija e krishtërimit tonë dymijëvjeçar , e  traditës, kulturës dhe martirizimit të popullit shqiptar.

PËRSE AJO LINDI NË SHKUP?

Familja e Gonxhe Bojaxhiut u shpërngul nga Prizreni në Shkup për shkaqe të përndjekjeve dhe masakrimeve turke kundër shqiptarëve, veçmas shqiptarëve katolikë; për shkaqe të epidemisë, sidomos të kolerës, që e përgjysmojë popullatën e Prizrenit gjatë viteve 1850 – 1855, si dhe për shkaqe të kërkimit të tregjeve më të mëdha.

KUSH ISHIN PRINDËRIT E SAJ?

Kolë Bojaxhiu (1872-1919) ishte tregtar i njohur, ndërtimtar, muzikant, poliglot, patriot i shquar, por mbi të gjitha bamirës dhe babë i shumë të varfërve të Shkupit dhe të rrethinës. Angazhimin e tij për drejtësi dhe barazi e pagoi edhe me jetë, si duket qe helmuar në Beograd, sepse i mbronte të drejtat themelore të njerëzve të pambrojtur, sidomos të shqiptarëve.

Drane Bojaxhiu (1889-1972) ishte grua e mirë, shtëpiake e kujdesshme, nënë e zellshme dhe shumë e përshpirtshme, shpirt dhe zemër për çdo nevojtar, edukatorja e parë e Gonxhe Bojaxhiut.

 Familja Bojaxhiu pati edhe dy fëmijë të tjerë: Lazër Bojaxhiu (1905-1981) dhe Age Bojaxhiu (1908-1973).

NË ÇFARË RRETHANA LINDI, QE EDUKUAR GONXHE BOJAXHIU?

Ajo lindi  në Shkup më 27 gusht 1910. (disa pohojnë më 26 gusht), gjatë sundimit turko-otoman, në një ambient të përzier etnikisht dhe fetarisht. Katër vitet e para të shkollës fillore i kreu pranë shkollës katolike të “Zemrës së Krishtit” në Shkup, katër vitet tjera dhe gjimnazin në shkollë publike, shtetërore, po ashtu në Shkup. Së pari familja, pastaj famullia, atë e edukuan për dashuri flijuese dhe dhuruese, për vëllazëri të gjithmbarshme, për shërbim ndaj Zotit dhe të afërmit, sidomos ndaj atyre që vuanin në trup apo në shpirt

SI ERDHI DERI TE THIRRJA RREGULLTARE?

Gjashtë vite “luftoi me Zotin”, prej moshës 12 deri në atë 18 vjeçare, dhe pas shumë këshillimeve, lutjeve, shtektimeve të rregullta në Letnicë, së fundi vendosi: “DUA TË BËHEM MOTËR MISIONARE PËR T’I  NDIHMUAR TË VARFËRIT E BOTËS”. (Letnicë, 14 gusht 1928).

PSE SHKOI NË KALKUTË, NË INDI?

Sepse si e re kishte  lexuar dhe dëgjuar  në Shkup prej etërve jezuitë, që kishini misonarë në Kalkutë dhe më gjerë në Bengali (Indi), mbi mjerimin, varfërinë, gërbulën si dhe mbi ndasitë fetare, kastore, gjinore, racore, dhe më s’ mund të ishte e qetë, por dëshironte të jetonte me ta dhe të vepronte në mesin e tyre.

SI UDHËTOI DERI NË KALKUTË DHE KUR MBËRRIJTI ATJE?

Udhëtimi për Kalkutë u zhvillua në tri faza : me tren Shkup – Zagreb (26 shtator 1928), prapë me tren Zagreb –Dublin (13 tetor 1928) dhe së fundi me anije Dublin – Kalkutë

(prej 1 dhjetorit deri më 6 janar 1929). Në një mënyrë ky udhëtim simbolizon dhe parajalmëron tri fazat e saja jetësore, si Gonxhe Bojaxhiu (1910-1928), Motra Tereze e Loretos (1929-1950), dhe Nëna Tereze – Misionare e Dashurisë (1950-1997).

Këto tri përiudha jetësore përputhën me tri virtyte hyjnore: FEJA, SHPRESA dhe DASHURIA.

Faza e pare 18-vjeçare karakterizohet me KËRKIME. Gonxhja së pari në gjirin familjar gjithnjë kërkonte prej prindërve babës Kolë dhe nënës Drane kuptimin e jetës dhe domethënien e veprimit. Më vonë këtë kërkim e kishte vazhduar edhe në bashkësinë famullitare të “Zemrës së Krishtit” në Shkup, së bashku me rininë katolike, por edhe me të gjithë të tjerët. Kërkonte në brendi dhe në thellësi psehin e shumëçkahit, nuk ndalej vetëm në vrojtime dhe konstatime, por gjithnjë hulumtonte, gjurmonte, analizonte…

Edhe pasi ishte vendosur për thirrjen rregulltare si motër e Loretos, ajo nuk ndalej me kaq. Kërkonte vullnetin e Zotit, Zotin, nëpërmjet njeriut, dhe në njeriun Vëlla – Motër – ZOTIN. Gjithnjë kërkonte dhe gjithnjë gjente Zotin në çdo njeri, dhe mu për këtë ishte aq e lumtur, më e lumtura në botë “sepse 24 orë në ditë jetoj dhe veproj me Zotin, për Zotin, me njeriun, për njeriun”.

Kërkimi i saj vazhdoi gjatë tërë jetës, në çdo hap dhe kënd të botës, në çdo mënyrç dhe rrethanë jetësore, me çdo mjet dhe mundësi, me një qëllim të vetëm: Që njeriu – njerëzimi mos të pësojë, por të jetojë, mos të urrejë, por të dashurojë, mos të vdes por të jetojë tani dhe në amshim. Syri, mendja dhe zemra e saj e madhe ishte gjithnjë në kërkim.

Për Nënën Tereze të besosh domethënë të kërkosh. Kërkoi dhe mjekoi të ligat e mbarë botës, si të varfërve, ashtu edhe të pasurve, duke dashuruar dhe dhuruar Dashuri – Zotin çdo njeriut.

Pas përgatitjes për jetën rregulltare, noviciatit apo rishtarisë në Darjeeling (1929-1937), ajo për pak kohë punoi si infermjere, kreu studimet universitare histori dhe gjeografi dhe punoi si profesoreshë, më vonë edhe si drejtoreshë e shkollës së mesme të Motrave të Loretos St. Mary në Kalkutë.

PSE QUHEJ MOTRA TEREZE E LORETOS?

Sepse atëherë ishte tradita  dhe ligji kishtar i ndërrimit të emrit të pagëzimit me ndonjë emër të ri në rregulltari. Gonxhe Bojaxhiu e ndërroi emrin e pagëzimit në atë të Motra Tereze e Loretos, sepse ishte anëtare e bashkëpsisë rregulltare të motrave që quheshin “Motrat e Loretos”. E ndërroi emrin për ta ndërruar së pari vetveten, jetën dhe veprimtarinë e saj, pastaj Kalkutën, Indinë, botën mbarë.

Afro 20 vite e mësonte rinë e Klakutës, e edukonte me fjalë, mësime, shembull, jetë gjithnjë e udhëhequr nga fuqia e fesë dhe frymëzimi i dashuirisë. Mirëpo as kjo nuk e kënaqte. Të gjithë e donin dhe nderonin, e admironin, mrekulloheshin me jetën dhe me veprimtarinë e saj, ndërsa ajo gjithnjë kërkonte, vepronte dhe e pyeste veten para Zotit dhe para ndërgjegjjes: Kush jam unë? Çka kërkon dhe prêt Zoti prej meje? Çka duhet të bëj unë këtu dhe tani për këta njerëz, për mbarë Kalkut]ën, Indinë, për mbarë njerëzimin?

Nga kjo FE – KËRKIM – shqetësim kreativ, nga ky VEPRIM –Angazhim që ishte Shpresa e saj e madhe dhe e pathyeshme, lindi faza e tretë: NËNA TEREZE MISIONARE E DASHURISË, dhurimi dhe flijimi si shprehje e vazhdueshme dhe e plotë e DASHURISË.

Kërkim (feja), angazhimi apo veprimi (shpresa) dhe dhurimi apo flijimi (dashuria) ishin dhe mbesin shtyllat në të cilat ajo mbështeti mbarë jetën dhe tërë veprimin – flijimin për ta mahnitur njerëzimin si Nëna e Dashurisë.

SA KOHË JETOI DHE VEPROI SI MOTËR E LORETOS NË KALKUTË?

Prej vitit 1929 deri në vitin 1950, kur përfundimisht mori lejen e themelimit të bashkësisë së re rregulltare “MISIONARET E DASHURISË”. Këto tri faza jetësore janë konteksti jetësor i saj, dhe pa këtë ajo s’ mund të kuptohet, edhe më pak të imitohet.

ÇKA BËRI NËNA TEREZE PËR KALKUTËN, INDINË, BOTËN?

Asgjë dhe gjithçka. Me fuqinë e fesë dhe me frymëzimin e dashurisë, vërtetoi dhe dëshmoi se i vetmi mjekim për trup dhe shpirt, për varfëri, sëmundje, gërbulë, vetmi, për pleq, fëmijë dhe rini, për të këqiat e botës së pasur dhe të varfër, për  të gjithë është DASHURIA VEPRUESE ose NË VEPRIM.

Ajo së pari i përballoi të ligat e Kalkutës, më vonë edhe të Indisë, së fundi edhe të  mbarë botës, dhe ia doli, i tejkaloi të gjitha ndasitë, dallimet, përkufizimet kombëtare, fetare, gjinore, racore, kastore… duke e pasur si pikënisje dhe si përfundim të çdo veprimtarie binomin ZOTI dhe NJERIU. Për të Zoti dhe njeriu ishin të pandarë, sepse ajo ishte mbi të gjithë që të jetë dhe të mbesë NËNA E TË GJITHËVE.

Për të bërë të gjitha këto vepra bamirësie Nëna Tereze ka themeluar: MISIONARET E DASHURISË (1950), VËLLEZËRIT MISIONSRËT E DASHURISË (1963), BASHKËPUNËTORËT E NËNËS TEREZE (1969), MISIONARET E DASHURISË –DEGA KONTEMPLATIVE (1976) dhe VËLLEZËRIT E FJALËS – REGULL MESHTARAK  (1984).

ÇKA KEMI NE PREJ SAJ?

Me Nënën Tereze edhe një herë ndriçoi dhe lulëzoi krishtërimi ynë 2000 vjeçar martir, dialogu ndërfetar shqiptar krishtëro-mysliman, dialogu ndërkishtar katoliko-ortodoks, tradita bujare e mikpritjes dhe e bamirësisë, ndihmës ndaj të varfërve, strategjia paqesore jodhunore, me pak fjalë vlerat tona shekullore të fisnikëruara dhe të begatuara me përvojën madhore të Nënës Tereze. Jeta e kushtuar Zotit, Kishës, njeriut dha fryte të mrekullueshme sidomos për krijimin e kulturës së jetës dhe qytetërimin e dashurisë. Ajo në vitiun 1979 na ngriti në piedestalin e Nobelismit për Paqe, na paraqiti dhe nderoi anekënd botës si ambasadorja  e popullit shqiptar, ndërhyri vendosmërisht për mbrojtjen dhe shpëtimin e Kosovës te Papa Gjon-Pali II, Bill Clintoni dhe shumë perosnalitete tjera botërore.

Me rastin e Shpërblimit Nobel për paqe, së pari gojarisht, pastaj edhe më shkrim para mijëra gazetarëve ma dha këtë porosi në gjuhën tonë shqipe:

 Oslo, 10/ 12/ 79

“Une gjithmon e kam në zemër popullin tem Shqiptar. Shum luti Zotin qi Pagja e Tij të vijn në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjith botën. Lutnu shum për fukarat e mij – dhe për mua dhe motrat e mija.

Une lutem për juve”.

Teresa Bojaxhiu

Me rastin e pajtimeve të gjaqeve në Kosovë dhe në diasporë gjatë vitit 1990 me dorë e shkrojti ndër të tjera këtë porosi në gjuhën shqipe:

“Gjithmonë shpirtnisht jam e lidhun në uratë dhe dashni me popullin tem Shqiptar, sidomos në kohë të vështira. Mbas shumë hjekave dhe rreziqeve, me gëzon pamase lajmi i pajtimeve. Urime rinisë Shqiptare kosovare që e nisi kët vepër, si dhe të gjithë atyne që marrin pjesë në këtë punë të madhe dhe shenjte….”

    3 Maj 1990

   Në Krishtin

Teresa MC

ÇKA KEMI NE ME BEATIFIKIMIN, SHENJTËRIMIT TË NËNËS TEREZE?

Shumë, sepse do të jetë Shenjtëresha e parë Shqiptare edhe zyrtarisht e pranuar dhe e shpallur nga ana e Selisë Shenjte, ajo që bota e shpalli NËNË UNIVERSALE dhe SHENJTËRESHË E GJALLË e mbarë njerëzimit. BIJA SHQIPTARE, NËNA E BOTËS, TANI EDHE SHENJTËRESHA E DASHURISË, ja NËNA JONË TEREZE. Ajo do të lutet dhe do të ndërmjetësojë për ne para Zotit, ndërsa ne do të mundohemi të jemi bijtë dhe bijat e saja në jetë dhe në veprim.

POROSIA APO TESTAMENTI SHPIRTËROR I NËNËS TEREZE PËR NE?

“Pa dashuri dhe flijim jeta s’ ka kuptim” dhe “Vetëm dashuria do ta shpëtojë botën”.

Duke i përngjarë Nënës së madhe, atë do ta nderojmë më së shumti, veten do ta ndihmojmë, botës do t’ ia dëshmojmë se ajo ishte dhe mbetet Nëna jonë, simboli dhe ideali ynë, ndërsa ne tashmë e kemi gjetur rrugën e paqes, të pajtimit, të faljes, të vëllazërisë, të bashkëpunimit dhe bashkëjetesës me të gjithë duke krijuar kështu  me të

 dhe si ajo bashkimin në dallime. Nga goja dhe zemra e plotë lind urata spontane: SHËN NËNA TEREZE LUTU PËR POPULLIN SHQIPTAR, PËR KISHËN TONË, PËR BOTËN MBARË! Amen.

 (Kumtesa në Bibliotekën e Kongresit Amerikan kushtuar Shën Nënës Tereze, e premte, 14 tetor 2016)      

                                                                                                     

Veprat e Don Lush Gjergjit mbi Nënën Tereze:

  1. Nëna jonë Tereze, shqip, 1980; 1990; kroatisht, 1982; 1990; sllovenisht , 1983; italisht, 1983; 1985, 1988; frëngjisht, 1985; spanjollisht, 1988; hungarisht, 1990; anglisht, 1992.
  2. Lule për Nënën, shqip, 1986; italisht, 1987.
  3. Dashuria në vepër: Nëna Tereze, shqip, 1992; kroatisht, 1995.
  4. Gonxhja jonë – Nëna e botës, 1998.
  5. Madre della carità, italisht, 1990, ribotohet për çdo vit; anglisht, 1991; frëngjisht, 1993; spanjollisht, 1993; polakisht, 1994, gjermanisht, 1995; shqip, 2000, kroatisht, 2007, sllovenisht 2009.
  6. Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza, Poezi dhe Uratë, zgjodhi: Dr. don Lush Gjergji, 1998; 2000.
  7. Vivere amare testimoniare, La spiritualità di Madre Teresa, dy vëllime, italisht, 1995, ribotohet për çdo vit;  anglisht, 1998; polakisht, 1999.
  8. Živjeti s Kristom, kroatisht, 1997.
  9. Ljubiti s Marijom, kroatisht, 1997.
  10. Svjedočiti s Crkvom, kroatisht, 1998.
  11. Zraka Božje Ljubavi, kroatisht, 1998.
  12. L’amore in azione. Madre Teresa, italisht, 2002; 2003, 2007; 2009; polakisht, 2002; 2003; litvuanisht, 2003.
  13. Bog ljubi danas preko nas, kroatisht, 2003.
  14. Jedna Majka za sve: Majka Terezija, kroatisht,
  15. Nëna Tereze, Shenjtëresha e Dashurisë, 2010; italisht, 2010, 2015; anglisht,

2010; rumanisht, 2010; polonisht, 2016.

  1. Jeta, dashuria, dëshmia, Përshpirtëria e Nënës Tereze, 2016.                                                                                                

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »