Si e përdori autoritetin dhe pushtetin?

Oct 19 • Meditimi i ditës

19 tetor 2016 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Ef 3,2-12; Ps: Is 12,2-3.4b-6; Lk 12,39-48)

 

Prania e Hyjit

Për të hyrë në praninë e dikujt nevojitet që me sinqeritet t`i afrohem i tillë siç jam.

Në këtë moment, Hyji është këtu dhe më pret.

Zoti gjithmonë më afrohet i pari, dëshiron të më njohë më shumë se miku im më i mirë.

Do të ndalem një moment dhe do ta përshëndes Hyjin që më do.

 

Liria

Do ta lus Hyjin që të më ndihmojë

që të lirohem nga ankthet dhe brengat e mia,

që t`i çelem nëpërmjet kësaj kohe të lutjes,

në mënyrë që edhe më shumë ta dua dhe t`i shërbej.

 

Ndërgjegjësimi

Në çka momentalisht në jetën time po e gjej shpresën, guximin dhe rritjen?

Duke u kthyer në mendime disa muaj prapa,

a jam i/e aftë ta vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryte të mira?

Nëse kam vërejtur lëmi të tilla,

do të vendosi që edhe në të ardhmen t`u siguroj hapësirë dhe kohë.

 

Fjala

Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është i parashikuar për sot.

Lexoj pa u ngutur

dhe ia vë mendjen fjalisë apo ngjarjes që më flet diçka.

 

Lk 12, 39-48

 

39 E mos e harroni këtë gjë: po ta dinte i zoti i shtëpisë në cilën orë i vjen vjedhësi, nuk do të linte t’i thyehej shtëpia. 40 Edhe ju, pra, jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë çast kur s’jua merr mendja.”

41 Atëherë Pjetri tha:

“Zotëri, a po e thua këtë shëmbëlltyrë vetëm për ne, apo për të gjithë?”

42 Zotëria iu përgjigj:

“Cili, vallë, është ai mbarështues besnik e i mençur që do ta vërë zotëria përmbi shërbëtorët e tjerë për t’u dhënë në kohën e duhur pjesën e ushqimit? 43 I lumi ai shërbëtor, të cilin, kur kthehet zotëria i tij, e gjen duke vepruar kështu. 44 Përnjëmend po ju them: do ta vërë mbi të gjithë pasurinë e vet.

45 Porse, po bëri e mendoi shërbëtori në zemrën e vet: ‘Zotëria im do të vonojë të kthehet’ dhe fillon të rrahë shërbëtorët e shërbëtoret, të hajë e të pijë e të dehet, 46 zotëria i tij do të vijë atë ditë kur nuk e pret, atë orë që nuk ia merr mendja dhe do ta ndëshkojë rëndë e do t’ia japë fatin e të pafeve.

47 Shërbëtori që e diti vullnetin e zotërisë e nuk u bë gati dhe nuk e kreu vullnetin e tij, do të marrë shumë të rëna. 48 Ndërsa ai që nuk e diti, por bëri punë që duhet të ndëshkohen, do të rrihet më pak. Kujt iu dha shumë, prej tij do të kërkohet shumë; kujt iu besua shumë, prej tij do të kërkohet më shumë.”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Parabola (krahasimi) tregon se Jezusi është i vetëdijshëm që autoriteti dhe pushteti mund të keqpërdoren. Hyji e dëgjon britmën e të varfërve që janë të shtypur. Ai s`do t`i ndëshkojë rënd, t`i bëjë copë-copë njerëz të tillë (ata që kanë autoritet dhe fuqi), por zemrat e tyre do të jenë të grisura, copë-copë, derisa të kërkojnë falje prej viktimave të tyre dhe të pajtohen me ta.
  • Bekoje punën time, o Zot. Së bashku me të gjithë anëtarët e Momentit të Shenjtë qofsha i/e drejtë në marrëdhëniet e mia të përditshme me njerëz dhe mos i fyefsha kurrë

  

Bashkëbisedimi 

Si e kam përjetuar Fjalën e Hyjit? A më ka lënë të ftohtë?

A më ka ngushëlluar apo nxitur që të veproj më ndryshe?

E paramendoj Jezusin se si është duke qëndruar apo ulur pranë meje,

i drejtohem dhe i tregoj për të gjitha çfarë ndjej.

 

Përmbyllja 

Të falënderoj, o Zot, për këto pak momente që i kalova vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »