Vetëm Hyji mjafton

Oct 20 • Meditimi i ditës

20 tetor 2016 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Ef 3,14-21; Ps 33,1-2.4-5.11-12.18-19; Lk 12,49-53)

 

Prania e Hyjit

Mendoj në moment për praninë e fshehur të Hyjit në sendet: në elemente duke u dhënë që të ekzistojnë;

Në bimë duke ua dhuruar jetën; në kafshë duke u dhënë që të ndiejnë;

dhe më në fund në mua, sepse mi jep të gjitha këto dhe më shumë,

më bën tempull, vendbanim të Shpirtit Shenjt.

 

Liria

Pak janë ata njerëz që e kuptojnë

se çfarë do të mund të bënte Hyji me ta

po të dorëzoheshin në duart e tij

dhe t`i lejonin që t`i formojë hiri i tij. (Shën Injaci)

Lus për hirin e dorëzimit të plotë në dashurinë e Hyjit.

 

Ndërgjegjësimi

E pyes veten, çfarë jam duke ndier sot në vete?

A jam ndoshta i/e lodhur, nën stres apo jashtë forme?

Nëse diçka nga kjo ekziston në mua,

a jam në gjendje të provoj t`i largoj këto brenga që më shqetësojnë?

 

Fjala

Lexoje pasazhin e Shkrimit Shenjt, pa u ngutur, disa herë, dhe shih a ka ndonjë fjalë a ngjarje që të flet në mënyrë të veçantë, dhe qëndro më atë rast aq gjatë sa të flet para se të vazhdosh më tutje.

 

Lk 12, 49-53

 

49 “Erdha të sjell zjarrin mbi tokë e sa dëshiroj të ishte tashmë i ndezur flakë! 50 E po, më duhet të pagëzohem me pagëzim, e sa ngushtë jam derisa të kryhet!

51 A kujtoni se erdha të sjell paqen mbi tokë? Jo, po ju them, por përçarjen! 52 Që tani, për të vërtetë, pesë anëtarë në një shtëpi, do të jenë të ndarë: tre kundër dyve e dy kundër treve:

53 babai do të zihet me djalin,

e djali me babain,

nëna me të bijën,

e bija me t’ëmën,

vjehrra me të renë

e reja me vjehrrën.”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

  

  • „Shalom“, fjalë hebraike për paqe, ka një gamë të gjerë kuptimesh që lidhen me integritetin, të mirën, harmoninë dhe unitetin. Kur njerëzve u dëshirojmë “shallom” për ta lusim plotësinë e jetës në paqe me Hyjin dhe veten e tyre.
  • Si jam duke e jetuar besimin tim fetar sot? A paraqet ajo sfidë për të tjerët? Për Jezusin kjo do të thotë të jesh “nën stres”. Edhe dishepujt e tij të parë u quajtën “prishës të paqes” (Vap 16,20). Por stresi jo i shëndoshë mund të vijë nga ankthi, kështu që do të lutem me Shën Terezën e Avilës: 

“Asgjë mos të shqetësojë,

asgjë mos të trembë;

Çdo gjë kalon,

vetëm Hyji s`ndryshon kurrë.

Me durim arrijmë çdo gjë.

Kushdo që ka Hyjin, s`i mungon asgjë;

Vetëm Hyji mjafton.”

 

Bashkëbisedimi

Nganjëherë s`e di çfarë do të thosha në takimin personal me ty.

Ndoshta do të mund të thosha faleminderit, o Zot, që je gjithmonë këtu.

E di me siguri se ka pasur momente kur më ke mbartur

Dhe me fuqinë tënde i kam tejkaluar dhe mbijetuar kohët e vështira në jetën time.

 

Përmbyllja

Faleminderit, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa lute në bazë të Fjalës së Zotit.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »