A e ndiej nevojën për t`u ndryshuar?

Oct 22 • Meditimi i ditës

22 tetor 2016 – E shtune, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Ef 4,7-16; Ps 122,1-5; Lk 13,1-9)

 

Prania e Hyjit

Në heshtjen e qenies sime më intime,

në fragmentet e unitetit tim shumë të dëshiruar,

a mund ta ndiej pëshpëritjen e pranisë së Hyjit?

A mund të më bie ndër mend kur e kam ndjerë praninë e Hyjit;

kur kemi ecur së bashku, duke i lejuar vetes që të jem i/e përqafuar me dashurinë e Hyjit?

 

Liria

O Zot, Hyj, po të falënderoj për dhuratën e lirisë.

Më ndihmo që këtë dhuratë ta përdori në mënyrë të përgjegjshme. Jam i lirë të përzgjedh.

Më ndihmo që të përzgjedh që të ndjek ty,

që të jetoj një jetë të krishterë duke u kujdesur për të tjerët.

Më ndihmo që t`i kujtoj ata që janë të palumtur, të nëpërkëmbur;

ata në burg, ata që nuk janë të lirë ta shprehin publikisht fenë e tyre.

Më udhëheq që gjithmonë dhe në gjithçka ta kërkoj vullnetin tënd, në të gjitha sendet që ndodhin në jetën time.

 

Ndërgjegjësimi

Duke e ditur që Hyji më do pa kushte,

a mund t`i lejoj vetes të jem i sinqertë se çfarë jam.

Si kaloi dita e djeshme? Si po e ndiej veten tani?

Krejt hapur, do t`i ndaj ndjenjat e mia me Hyjin.

 

Fjala

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Lk 13, 1-9

 

1 Pikërisht atëherë ia behën disa dhe i treguan çka u kishte ndodhur disa galileasve, gjakun e të cilëve Pilati e kishte përzier me gjakun e flive të tyre. 2 Jezusi iu përgjigj:

“A mendoni se këta galileas, që sharruan kështu, qenë mëkatarë më të mëdhenj se të gjithë galileasit e tjerë? 3 Unë po ju them: jo! Por, nëse ju nuk ktheheni kah Hyji, të gjithë do të sharroni si ata! 4 A kujtoni se ata të tetëmbëdhjetët, mbi të cilët ra kulla e Siloesë dhe i mbyti, qenë më të mëdhenjtë mëkatarë ndër të gjithë banorët e Jerusalemit? 5 Unë po ju them: jo! Por, nëse ju nuk ktheheni kah Hyji, të gjithë do të sharroni si ata!”

6 Atëherë u tregoi këtë shëmbëlltyrë:

“Një njeri kishte një fik të mbjellë në vreshtin e vet. Shkoi, kërkoi fryte në të, por nuk gjeti. 7 Atëherë i tha vreshtarit: ‘Ja, tash tri vjet po vij e po kërkoj frytin e këtij fiku e nuk po e gjej. Preje! Pse ta shfrytëzojë kot tokën?’ 8 Ai iu përgjigj: “‘Zotëri, lëre edhe këtë vit që ta mih përreth e t’i qes pleh. 9 Ndoshta në të ardhmen do të japë fryte… Po qe se jo, atëherë do ta presësh!’“

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Hebrenjtë besonin se e keqja që iu ndodh njerëzve është një dënim për shkak se kanë mëkatuar. Sa më shumë një person të ketë vuajtur, aq më i madh konsiderohej të ketë qenë mëkati. Jezusi refuzon një mendësi të tillë të thjeshtëzuar. Në vend të kësaj ai thekson pendimin, që do të thotë kthimin te Hyji dhe i afërmi.
  • Kultivimi dhe plehërimi i fikut simbolizon mëshirën e Hyjit në veprim. O Zot, ti i di pikat e forta dhe dobësitë e mia më mirë se unë. Ti je i durueshëm dhe i sjellshëm, dhe në zemrën time e ke mbjellë farën e ndryshimit. Tani është koha që ajo farë të japë fryt.

 

Bashkëbisedimi

O Zot, emrin tim e ke shkruar në pëllëmbët e duarve të tua.

Nëse edhe më harrojnë të tjerët, ti këtë nuk do ta bësh kurrë.

 

Përmbyllja

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »