Rritemi para syve të Zotit aq sa përvujtërohemi!

Oct 22 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela e XXX gjatë vitit C

Leximi parë  Sir 35,12-14.16-18

Lexim prej Librit të Siracidit

Dhuroji të Tejetlartit, siç të ka dhuruar Ai ty dhe bëje me sy të mirë sipas kamjes sate, sepse Zoti s’lë pa shpërblyer, madje shtatëfish aq Ai do ë kthejë. Mos u mundo ta thyesh me dhurata, sepse nuk do t‘i pranojë assesi; nuk ia mban kujt krhaun në dëm të skamnorit dhe e dëgjon uratën e të nëpërkëmburit. Nuk e përbuz uratën e bonjakut as të vejushës, kur zbraz mjerimin e vet. Vallë, a nuk zbresin lotëtt e vejusheës npër faqe, a nuk bie britma e saj mbi ata që i shkaktoi.

Fjala e Zotit

 

Psalmi 34 (33)

Ref: Dëgjoni, o të përvuajtur, e gëzohuni në Zotin.

____________________________________

Përherë do ta bekoj Zotin,

në gojën time përherë lavdi i tij.

Shpirti im mburret në Zotin:

le të dëgjojnë të përvuajturit e le të gëzohen.

__________________________________________

Fytyra e Zotit është kundër keqbërësve

për ta zhdukur prej dheut kujtimin e tyre.

Klithin të drejtët, Zoti i dëgjon,

i liron prej të gjitha vështirësive të tyre.

__________________________________________

Zoti i ruan eshtrat e tyre:

asnjë prej tyre nuk do t’u thyhet.

E keqja e vet do ta vrasë keqbërësin,

e do ta paguajnë ata që e urrejnë të drejtin.

Zoti e shpaguan shpirtin e shërbëtorëve të vet,

nuk do të ndëshkohen ata që shpresojnë në të.

_____________________________________

 

Leximi dytë 2 Tim 4,6-8.16-18

Lexim prej letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Timotetu

Fort i dashur, sa për mua – gjaku im tashmë po derdhet në nder të Hyjit dhe koha të nisem për atë jetë arriti!  Luftën e mirë e luftova, vrapimin e kreva, fenë e ruajta. Që tani më pret gati kurora e drejtësisë, që atë Ditë do të ma japë Zoti, Gjykatësi i drejtë; dhe jo vetëm mua, por të gjithë atyre që do ta presin me dashuri Ardhjen e tij.

Në mbrojen time të parën në gjyq askush nuk qe me mua: të gjithë më lanë në baltë: mos iu marrtë askujt për të keq! Por Zoti qe me mua. Ai më dha fuqi që predikimi i Ungjillit të kumtohej plotësisht dhe ta dëgjonin të gjithë paganët. Hyji më shpëtoi nga goja e luanëve. Vetë Zoti do të më shpëtojë nga çdo vepër e keqe dhe do të më shëlbojë për Mbretërinë e vet qiellore. Lavdi Atij në shekuj të shekujve! Amen!

 

Aleluja!

Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut,

që të vegjëlve ua zbulove misteret e Mbretërisë qiellore.

Aleluja!

 

Ungjilli Lk 18,9-14

Lexim i Ungjillit shenjt sipas Lukes

Në atë kohë, Jezusi u tregoi edhe këtë shëmbëlltyrë për disa që e mbanin veten të drejtë e i përbuznin tjerët:

“Dy njerëz u ngjitën në Tempull për t’u lutur: njëri farise e tjetri tagrambledhës. Fariseu, qiri në këmbë, lutej në vetvete kështu: ‘Të falënderoj, o Hyj, që nuk jam porsi njerëzit e tjerë: cuba, të padrejtë, kurorëshkelës, ose ‑ si ky tagrambledhës.  Agjëroj dy herë në javë, jap të dhjetën e krejt fitesës.’  Kurse tagrambledhësi zuri vend në fund, nuk i bëhej as sytë t’i ngrejë drejtë qiellit, por rrihte kraharorin e vet e thoshte: ‘O Hyj, ki mëshirë për mua mëkatarin!’

Unë po ju them: ky u kthye në shtëpinë e vet i shfajësuar e jo ai, sepse: kushdo krenohet, do të përvujtërohet ndërsa kush përvujtërohet, do të lartësohet.”

Fjala e Zotit

 

POROSIA

Këtë të diele, sikurse edhe të dielen e kaluar, liturgjia e fjalës vazhdon me porosinë mbi lutjen. Deri sa të dielen e kaluar bëhej fjalë për lutjen e cila duhet të jetë e qëndrueshme, sot ungjilli na flet që lutja duhet të jetë e një disponimi të mirë shpirtëror.

Leximi parë në këto pak rreshta i kushton vëmendje shtreses së ulët të njerëzve, që ishin të nëpërkëmbur, të varfër, të veja… Zoti nuk i harron njerëzit që vuajnë dhe do t‘u del në ndihmë, por edhe do të ndëshkoj ata që ju krijojnë të këqija kësaj shtrese të njerëzve.

Leximi dytë ëshë një vazhdimësi e javës së kaluar, ku shën Pali i drejtohet Timoteut duke i rrëfyer jeten e vet. Pali është i vetëdijshëm që po i afrohet fundit të jetës, sepse ishte një përndjekje e madhe e të krishterëve në Romë, dhe ky që tani është i burgosur, do të martirizohet së shpejti për Krishtin. Neroni perandor i akuzonte të krishterët si shkaktar të djegjes së Romës, prandaj edhe armiqë të mëdhenj të Perandorisë. Ne e dimë, se një gjë e tillë nuk ishte e vërtetë, por kjo ishte si alibi që të mund t‘ i padiste dhe t‘ i vriste të krishterët.

Pali pastaj shkruan: “luftën e mirë e luftova, vrapimin e kreva, fenë e ruajta. Që tani më pret gati kurora e drejtësisë, që atë Ditë do të ma japë Zoti, Gjykatësi i drejtë; dhe jo vetëm mua, por të gjithë atyre që do ta presin me dashuri Ardhjen e tij.“

Zoti të gjithë atyre që i qëndrojnë besnik ju dhuron jetën e pasosur.

Ungjilli: Të urtet dhe të thjeshtit kanë vlerë para Zotit. Shembulli i dy njerëzve që ishin ngjitur në Tempull për t‘ u lutur mund të jetë frytëdhënës për secilin nga ne. Sepse edhe sot e gjithmonë do të ketë njerëz që mendojnë se janë të drejtë duke u bazuar në vetveten me krenari dhe duke shfajësuar veten me ndonjë ndihmë, sakrfiicë apo vepër të mirë.

I tillë ishte fariseu, i cili qiri në këmbë, lëvdohej dhe krenohej për veprat e veta, falënderonte Zotin që nuk është sikurse ai tagrambledhësi, por jep dhuratë në Tempull, agjëron…. Çka është qëndrimi i tij veç se shpresë në vetveten, lavdërim? Nuk është fare një takim personal me Zotin, por është takim me vetveten, nuk i jep lavdi Zotit, por vetvetes. Fariseu ishte krenar dhe asgjë tjetër. Ky njeri sipas Krishtit nuk u shfajësua.

Kjo sjellje e fariseut nuk është e mjaftueshme para Zotit dhe nuk ka vlerë. Njeriu duhet të jetë i mirë dhe të sillet mirë e Hyji të gjykojë sjelljen dhe veprat e tij.

Jemi të shfajësuar në saje të Jezu Krishtit që erdhi në botë, u mundua, vdiq dhe u ngjall; sepse ai që krenohet do të përvujtërohet, ndersa ai që përvujtërohet do të lartësohet, thotë Krishti.

Targambledhësi, ishte njeri që qëndronte në fund të Tempullit, nuk ndihej i denjë të qëndroj atje përpara ku ishte fariseu duke u lutur, por në përvujtëri rrahte kraharorin dhe pshërëtiste: ‘O Hyj, ki mëshirë për mua mëkatarin!’

Ne rritemi para syve të Hyjit aq sa përvujtërohemi. I tillë ishte tagrambledhësi që në përvujtëri lutej dhe Zoti e dëgjon dhe natyrisht e shfajëson.

Të gjithë ne jemi mëkatar dhe kur dalim para Zotit dhe lutemi duhet të jemi të përvujtë dhe të kërkojmë mëshirë, të gjykojmë vetveten dhe të mundohemi që të përmirësojmë jetën tonë. Sepse hiri i Zotit ndikon në ne dhe na jep fuqi të dalim nga Tempulli, Kisha, vendi ku e takojmë në lutje Zotin, të shfajësuar e të lumtur.

 

Lutjet e besimtarëve

Vëllezër dhe motra, duhet pranuar para Zotit që jemi mëkatar dhe të ligësht, prandaj i lutemi të na forcojë në fe dhe të ketë mëshirë për ne.

Të themi së bashku:

Atë i mëshrshëm, ki mëshirë për ne!

  • Që Kisha jote në thjeshtësi dhe përvujtëri të veprojë për të mirën e të gjithë atyre që janë në nevojë, të lutemi.
  • Që përgjegjësit e Kishës, të jenë të vëmendshëm ndaj atyre që i kanë në kujdes, duke u kujdesur në shpalljen Fjalën dhe t‘ua dëshmojnë Hyjin Dashuri dhe Mëshirë, të lutemi.
  • Që pëgjegjësit e shoqërive të jenë ndërtues të palodhshëm të një jetë më të mirë dhe me të begatshme për të gjithë, të lutemi.
  • Që të gjithë ata që janë të ngarkuar me mëkat të përjetojnë mëshiren e Hyjit Atë, të lutemi.
  • Që bashkësia jonë këtu e pranishme të fitojë dhuraten e paqes dhe të pajtimit, të lutemi.
  • Që vëllezërit e motrat tona të vdekura, sipas mëshires së Hyjit, të jetojnë në gëzimet e amshuara, të lutemi.

Hyj i gjithëpushtetshëm, dëgjoj lutjet e bashësisë sate, na ndihmo që të jemi të lirë nga krenaria dhe vehtjakësia, të jetojmë me ty dhe në mes vete në paqe dhe në të vërtetë. Ti që jeton e mbretëron në shekujt e shekujve. Amen!

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »