Dita e Misioneve: Kisha Katolike jeton për të shpallur Dashurinë për njerëzimin

Oct 23 • Këndvështrime

Sikurse më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju.” (Gjn 20, 21)

“Misionarja duhet të vdes çdo ditë, nëse dëshiron që shpirtrat t’i sjellë te Zoti. Duhet të jetë e gatshme ta paguajë çmimin që Ai e ka paguar për shprita, për t’i ndjekë rrugët që Ai i ka kaluar. Feja jonë e shenjtë nuk është asgjë tjetër përpos Ungjilli i dashurisë: t’ua zbulojmë njerëzve dashurinë e Zotit”. (Nëna Tereze)

Nga Don Lush GJERGJI

 

Kisha, për kah natyra e saj ishte, është dhe do të jetë gjithmonë misionare, për urdhër dhe dërgim, vullnet të Jezu Krishtit. Si e kishte dërguar Atë Ati, ashtu ka dërguar apostujt për ta shpallur Ungjillin e shëlbimit, paqes dhe dashurisë të gjithëve. Misionare domethënë para të gjithave të jesh i zgjedhur, dërguar dhe angazhuar për ndonjë porosi. Kishën e ka dërguar vetë Jezusi për t’ia sjellë botës shëlbimin.

Misionari i parë dhe i vërtetë ishte Jezu Krishti, i dëgjueshëm ndaj Atit, për fuqi të Shpirtit Shenjt. Kisha së shpejti ishte përhapur jashtë Jerusalemit, në Antioki, në Cilici, në Romë, në Macedoni, në Greqi, në Ilirik.

Misionari i shquar dhe dalluar ishte Shën Pali, i cili, pati një vegim dhe thirrje dramatike: “Kalo në Maqedoni e na ndihmo!”. Pas këtij vegimi u munduam që menjëherë të kalojmë në Maqedoni, të bindur se Hyji na thërret që t’u predikojmë Ungjillin.” (Vap 16, 9-10)

Arriti në Neapoli, pastaj në Filippe, qyteti i parë i Maqedonisë. Së pari iu drejtua grave, ndër të cilat përmendet Lidia, “grua që besonte në Hyjin, shitëse shtofsh të purpurt prej qytetit të Tiatritit. Kësaj Zoti ia hapi zemrën dhe pranoi çka thoshte Pali. Kur e mori pagëzimin ajo dhe familja e saj, ajo edhe na u lut: “Nëse më çmoni se jam besimtare e vërtetë e Zotit, ejani e banoni në shtëpinë time.” Na u desh të shkojmë.” (Vap 16, 14-15)

Mirëpo, nuk është gjithmonë lehtë të gjenden miq dhe bashkëpunëtorë të Ungjillit. Misioni, shpesh kërkon mund, frikë, kërcënime, vuajtje, mosmarrëveshje, sfida, disa herë edhe mundime, deri te vdekja martire.

Shën Pali pati përvoja të tilla: së bashku me Silën, ishin të burgosur, të munduar, mirëpo së fundi, mrekullisht ishin të liruar. (Vap 16, 19-40)

Ja, në mënyrë sintetetike veprimtaria misionare: “Po pse po qani e po ma copëtoni zemrën? Unë jam gati, jo vetëm që të më lidhin, por edhe të vdes në Jerusalem për shkak të Emrit të Jezusit Zot.” (Vap 21, 13)

Bota misionare për Shën Palin ishte e tërë bota, njerëzimi. “Por, Zoti më tha: Shko, unë po të dërgoj larg, në mes të paganëve!” (Vap 22, 21)

Kudo e shpallte Ungjillin me guxim, fe dhe dashuri, zell dhe frymëzim; kishte themeluar shumë bashkësi dhe Kisha vendore. Së fundi që burgosur në Romë (krhs. Vap 28, 30-31), dhe qe vrarë në vitin 67 pas Krishtit.

Çdo misionar niset nga fjala e Jezu Krishtit: “Prandaj, shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt. Mësoni të zbatojnë gjithçka ju kam urdhëruar! Dhe, ja, unë jam me ju gjithmonë – deri në të sosur të botës!” (Mt 28, 19-20)

Ftesa dërguar apostujve, nëpërmjet tyre Kishës, çdo të krishteri, që të jemi dëshmitarë të Krishtit, prandaj misionarë, duke shpallur kështu me jetë e me fjalë shëlbimin. (khs. AA 3)

Shën Pali shkruan kështu: “Sepse të shpall Ungjillin nuk është një arsye krenie për mua, është detyrë që më duhet ta kryej: i mjeri unë nëse nuk e predikoj Ungjillin! Nëse e bëj këtë me iniciativën time, atëherë më takon paga, por, nëse jo prej iniciativës sime – është detyrë që më është besuar.” (1 Kor 9, 16-17)

Gjatë tre shekujve të parë të krishterimit pati shumë vështirësi, përndjekje, martirë. Perandoria Romake, luftoi me të gjitha fuqitë kundër Krishtit dhe Kishës, por kot. Madje,  në përndjekje dhe besnikëri të nxënësve të Krishtit, fuqia e Shpirtit Shenjt ishte dëshmuar edhe një herë vendimtare. Dashuria, feja është më e fortë se vdekja dhe urrejtja!

Kështu ishte dhe është gjithnjë në vise të ndryshme të botës, ku Kisha gjakon, dëshmon, jeton dhe shpallë Krishtin.

Dekreti i Koncilit të Dytë të Vatikanit mbi misionet “Ad gentes” (AG) qysh në fillim shkruan: “Kisha, gjatë shtegtimit të vet në tokë është për nga natyra e vet misionare, pasi pikërisht prej misionit të Birit dhe prej misionit të Shpirtit Shenjt ajo, sipas planit të Hyjit Atë, e ka zanafillën e vet.” (AG, 2) Ky mision dhe dërgim bënë që të  edhe shekullarët, pra, të gjithë të pagëzuarit “i bënë dëshmitarë të vet duke i pajisur me kuptimin e fesë dhe të hirit të fjalës (khs. Vap 2, 17-18; Zb 19, 10), që forca e Ungjillit të shndrisë në jetën e përditshme, familjare dhe shoqërore.” (LG, 35)

Çka domethënë të jesh misionar sot? Thjeshtë kjo: të jemi të krishterë gjithkund, me bindje, përcaktim, jetë, shembull, atje ku na fton dhe dërgon Zoti, në jetë dhe punë të përditshme: me përgjegjësi, vetëdije, fe dhe dashuri.

“Nga ana tjetër, se si janë punët në situatën aktuale, në të cilën shkon duke u përvijuar një gjendje e re për njerëzimin, Kisha, kripa e tokës e drita e botës, e ndien në mënyrë më nxitëse thirrjen e vet për të shpëtuar e për të përtërirë çdo krijesë, që gjithçka të rimëkëmbet në Krishtin dhe njerëzit të përbëjnë në të një familje të vetme dhe një popull të vetëm të Hyjit.” (AG, 1)

Misionarieteti, domethënë përtëritja shpirtërore e vazhdueshme për çdo besimtar, që me vetëdije të plotë dhe angazhim të lirë, të jetë në shërbim të Ungjillit (khs. AG, 35).

Në historinë e Kishës kemi pasur shumë misionarë të dalluar në viset e ndryshme të botës. T’i përkujtojmë disa: Shën Augustinin e Canterbury-it për Angli; Shën Cirilin dhe Metodin për botën sllave; bartolomeo Las Casas për Amerikën Latine; Shën Françesko Saverio për Indi dhe Japoni, Daniele Comboni për Afrikë…

Sot, misionarja më e njohur në botë është e Lumja Nëna Tereze Bojaxhiu, e cila, me jetë dhe shembull ka dëshmuar dashurinë e Krishtit për çdo njeri.

Qëllimi i veçantë i Kongregatës tonë është kthimi dhe shenjtërimi i të varfërve  që jetojnë në lagje të mjera, dmth. të përkujdesemi për të sëmurë dhe ata që janë në buzë të vdekjes, t’i bashkojmë dhe shkollojmë fëmijët e braktisur nëpër rrugë, t’i vizitojmë lypset… Të punojmë për kthimin dhe shëlbimin e të varfërve… kthimi dhe shenjtërimi është punë e Zotit… të bartim dritën e Krishtit në kasollet e errëta të të pastrehëve. Duhet ta bartim Zotin tonë atje kua Ai nuk ka ardhur kurrë më parë…

Mjeti më i sigurt për të predikuar paganëve krishterimin është gëzimi ynë, lumturia jonë. Ja një shembull nga jeta ime: një herë hyri një njeri në Kalighat. Aty isha edhe unë. Pas pak kohe u kthye mbrapa dhe më tha: “Erdha këtu me shumë urrejtje për Zotin dhe për njerëz. Erdha këtu i zbraztë, pa fe, i hidhëruar, dhe kur i pashë një motër duke bërë shërbime me aq kujdes, vëmendje ndaj një të sëmuri, dhe e bënte me gëzim, kam hetuar që Zoti ka ende dashuri për ne. Po kthehem i ndryshuar plotësisht. Besoj që ka Zot dhe që Ai ende na do…

Në hapje të Baroda-s, një grup indu, erdhi tek unë dhe më tha: A ke ardhur të na kthesh? I shikova, u buzëqesha dhe thashë: Natyrisht, ky është thesari që unë kam: do të më pëlqente që të gjithë ju të jeni të krishterë lirisht, mirëpo nuk kam as pushtet as vullnet për ta detyruar dikë. As Zoti nuk mund t’i imponohet dikujt kush nuk e do…

Mirësia ka kthye më shumë njerëz se zelli, shkenca, gojëtaria… Nëse duam që të varfëritë ta shohin Krishtin në ne, duhet më parë ne ta shohim në ata Krishtin.” (Nëna Tereze)

Shumë misionarë dhe misionare janë nisur në vise të ndryshme të botës për t’i kthye njerëzit në fenë e krishterë, kanë themeluar institute, shkolla, spitale katolike, strehimore, me shumë veprimtari bamirëse… Nëna Tereze është nisur prej një këndvështrimi tjetër: t’i ofrojë shërbim, kujdes, dhe dashuri çdo njeriu në emër të Zotit.

Shi për këtë, asnjë institut i Nënës Tereze nuk është katolikë, por, për të gjithë, sepse vetëm nëpërmjet dëshmisë mund ta ndërrojmë zemrën e njeriut. Kjo strategji ungjillore, është një risi e thellë misionare, ku njeriu është sfida e fesë, dashurisë dhe shërbimit.

Nëna Tereze dëshmon: “Është shumë vështirë, edhe e pamundshme,  t’ua japim të tjerëve Jezusin, nëse nuk e kemi Atë në zemrën tonë…” Kthimi – domethënë ta sjellësh te Zoti. Kthimi dhe shenjtërimi janë vepra të Zotit. Puna jonë është dashuria, dëshmia e Zotit dashuri…Mos të kërkojmë ta detyrojmë dikë për ta pranuar fenë tonë. Të kërkojmë vetëm që drita dhe jeta e Krishtit të jetë dhe të kalojë nëpërmjet nesh në botën e mjerimit… Nacionalizmat nuk kanë kuptim me rregullat e kushtetutave tona…Kështu që nuk duhet kurrë të kemi ndonjë qëndrim nënçmues apo përjashtues ndaj atyre që nuk janë të kombit apo të fesë tonë.”

Ungjillëzimi është në shërbim të Zotit dhe të njeriut në tërësi. Kisha, gjithmonë ka nderuar çdo popull: gjuhë, kulturë, traditë, fe. Edhe Shën Pali shërbehet me shumë tradita, kultura, gjuhë për t’i afruar paganët te Krishti. Kjo metodologji është e vlefshme gjithnjë, sepse është e Krishtit, që mishërohet në një rreth, kulturë, gjuhë, popull. Ai ka jetuar dhe vepruar për shëlbimin e të gjithëve.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »