Mëshira dhe shërimi i Zotit s`njohin kufizime kohe dhe hapësirë

Oct 24 • Meditimi i ditës

24 tetor 2016 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Ef 4,32 – 5,8; Ps 1,1-4.6; Lk 13,10-17)

 

Prania e Hyjit

Jezusin mund ta kërkojmë në çdo kohë të ditës apo të natës.

Ai gjithmonë pret, duke përgjuar thirrjen tonë.

Çfarë bekimi i mrekullueshëm!

Nuk kam nevojë për telefon apo e-mail, vetëm një pëshpëritje.

 

Liria

Lehtë është të bihet në grackën e pasurive të kësaj bote.

Ma jep hirin, o Zot, që të mund të jem i/e lirë nga lakmia, grykësia dhe egoizmi.

Ma përkujto se gjërat më të mira në jetë s`mund të blihen – ato janë falas.

Dashuria, buzëqeshja, përkujdesja dhe shoqërimi.

 

Ndërgjegjësimi

Më ndihmo, o Zot, të jem edhe më i/e vetëdijshëm/e për afërsinë tënde.

Më mëso se si të të identifikoj në të tjerët.

Ma mbush zemrën time me falënderim për të gjitha ato momente

kur përmes njerëzve të tjerë ma ke shfaqur përkujdesjen tënde.

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

  

Lk 13, 10-17

 

10 Një të shtunë Jezusi po mësonte në një sinagogë. 11 Dhe, ja, një grua që kishte tash tetëmbëdhjetë vjet në trup djallin ‑ shkaktarin e sëmundjes: ishte e kërrusur dhe s’mund të drejtohej drejt assesi. 12 Kur Jezusi e pa, e thirri afër vetes dhe i tha:

“Fisnike, ja, u shërove prej sëmundjes sate!”

13 I vuri duart mbi të, ajo përnjëherë u drejtua dhe zuri të lavdërojë Hyjin.

14 Kryetari i sinagogës, i zemëruar pse Jezusi e shëroi ditën e shtunë, i tha popullit:

“Janë gjashtë ditë, në të cilat duhet të punohet. Pra, në ato ditë ejani të shëroheni e jo të shtunave!”

15 “Shtiracakë! ‑ iu përgjigj Zotëria ‑ A nuk e zgjidh secili nga ju prej grazhdit kaun e gomarin e vet të shtunave e nuk e çon në ujë? 16 E kjo bijë e Abrahamit, të cilën Satani e mbajti lidhur që tetëmbëdhjetë vjet, a nuk duhej të zgjidhej nga këto pranga ditën e shtunë?!”

17 Si tha kështu, të gjithë kundërshtarëve të tij u ra hije e zezë, ndërsa mbarë populli gufonte prej gëzimit, për të gjitha mrekullitë që bëri.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Pamja e kësaj gruaje flet vetvetiu. Ajo ishte krejt e kërrusur dhe nuk arrinte dot t`i drejtonte gjymtyrët, të qëndronte drejtë. Një situatë e tillë ia grabiste dinjitetin dhe vendin e saj të drejtë në komunitet: ajo nuk ishte në gjendje të “drejtohej” dhe të përballej me botën. Edhe njëherë ndërhyrja e Jezusit ndryshoi gjithçka. Menjëherë ajo u ngrit duke qëndruar drejtë dhe filloi një mënyrë të re të ekzistencës dhe jetesës. Si person fetar i jepte lavdi Zotit, që ia ktheu lirinë përsëri.
  • Udhëheqësi i sinagogës pohonte se e shtuna nuk është një kohë e përshtatshme për Hyjin për të treguar mëshirën dhe mirësinë e tij. Jezusi, në anën tjetër, pretendon se veprimet e Zotit nuk mund të diktohen/përcaktohen nga njerëzit as që ato mund të kufizohen nga koha dhe vendi. Mëshira dhe shërimi i Zotit nuk njohin kufizime kohe dhe hapësire, nëse ne i drejtohemi Zotit me besim.

 

Bashkëbisedimi

E filloj bisedën me Jezusin lidhur me tekstin e Shkrimit Shenjt që pikërisht e kam lexuar.

Çka më ka nxitur më së shumti të mendoj?

Ndoshta nëpërmjet atij rreshti të tekstit në sipërfaqen e vetëdijes sime

ngadalë nga kujtesa më dalin fjalët e mikut, ose ndonjë tregim që e kam dëgjuar më parë.

Nëse është ashtu, a e ndriçon tregimi atë çfarë teksti i Shkrimit Shenjtë provon të më thotë?

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kohës së lutjes sime mbi tekstin e Shkrimit Shenjt. 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »