MARTIRËT SHQIPTARË/12: Dom Jak Bushati. Kryevepra e tij, është jeta e tij!

Oct 26 • Kisha ndër Shqiptarë

Dom Jak Bushatin (Shkodër, 07. 08.1890- Shkodër, 12. 09. 1949) e akuzuan se ndihmonte diversantët, se bënte agjitacion e propagandë: pretekste të cilat e çuan në pushkatimin pa gjyq më 12 shkurt 1949.

 Kur flet për dom Jak Bushatin, flet për Mirditën, ku e shkriu një pjesë të mirë të jetës e të veprimtarisë së tij meshtarake, nisur pas studimeve filozofike e teologjike  ndër françeskanë, një herë, në Seminarin Papnor të Shkodrës, pastaj. Derisa i kreu rregullisht e u ngjit në elter, për të kremtuar Meshën e parë, në Shkodër, më 29 maj 1915.

Bir i një familjeje të njohur shkodrane, e la menjëherë qytetin, për t’u kapur brinjave e gërxheve të Mirditës, thellësisht katolike. E nisi misionin si famullitar i Ndërfanës, e pastaj, i Gëziqit. Kishte një detyrë shumë të vështirë!

Nëse komunistët lavdëroheshin se më 29 nëntor 1944 e shtruan gjithë Shqipërinë, Mirditën mundën ta shtronin vetëm rreth vitit 1953. Deri në këtë vit malet e pyjet e Mirditës ishin plot mirditorë me pushkë për faqe, të drejtuar nga dera e Gjomarkajve, që kishte qitë kushtrimin për kryengritje të përgjithshme kundër bolshevizmit.

Mirdita u revoltua edhe më shumë, kur çetat komuniste, në përpjekjen për ta shtruar, kryen krime, të cilat s’ka pendë që mund t’i përshkruajë, as gojë, që mund t’i tregojë.  Vetëm njerëz pa ligj e pa kanun mund të kryejnë asisoj barbarish. Mjafton të përmendim rreshtin e gjatë të burrave e të grave, që u zhveshën lakuriq me dhunë, u fyen, u çnderuan, u vranë. Të gjithë të paarmatosur. Ndërsa ata që i kryen këto krime, vijojnë të kenë titullin «Heronj të Popullit! ».

Kështu Mirdita, e shkruar në analet bizantine e turke si simbol qëndrese, u bë sinonim i rezistencës edhe në analet e komunizmit.

Një nga raprezaljet më shtazarake u krye në Qafë të Valmirit ku, për t’i grumbulluar të gjithë ata, që ishin dënuar me vdekje, u organizua një mbledhje. Siç pati bërë sulltani në Manastir me krerët shqiptarë kryengritës. Iu drejtuan, pra, ftesa të posaçme të gjithëve dhe, si ishin mbledhur, i lidhën. Shtatë prej tyre i varën ndër lisa, 15 të tjerë i lidhën me tel dorë për dore pranë një grope të madhe dhe u shkrehën koburet në tëmth.

E ata u rrokullisën njëri mbi tjetrin, gjysmë gjallë e gjysmë vdekur. Pa pritur t’u delte shpirti, i mbuluan me dhe, ndërsa prej nëntoke ndiheshin zërat e llahtarshëm të burrave mirditorë, që nuk kërkonin falje, jo, sepse e dinin në duar të kujt kishin rënë! Kërkonin plumbin e fundit, para se dheu t’ua merrte frymën për gazep! Zërat e tyre i bënë të përqetheshiun deri drunjtë e pyllit, ku vareshin të tjerët, ndërsa kriminelët hidhnin vallen labërishte rreth e rreth gropës, shoqëruar nga «muzika makabre », që dilte nga nëndheu. Ishte brima më e hatashme që kishin dëgjuar ndonjëherë ato male, ku Kanuja  kërkon respekt të detyrueshëm për njeriun e vdekur. Binte, kështu, njëra nga kështjellat e fundit të antikomunizmit! Me gjithë famullitarët e saj!

Skena të tilla pa e jetoi famullitari i skërkave të Mirditës gjatë 24 vjet shërbimi në këto vise tejet të varfëra, tejet të vështira e tejet katolike. Për të zbritur pastaj, në Kallmet, më 1946. Nuk kishin kaluar as tri vjet, kur i vunë prangat. As ai vetë nuk e kuptoi se pse. Ishte i respektuar, i devotshëm, i zellshëm.

E ndoshta pikërisht për shkak të këtyre virtyteve të jetuara, që ndikojnë mbi besimtarët shumë më tepër se fjala e folur, iu shtrua torturave të papërballueshme.  Derisa vdiq, më 12 shtator 1949, pa dalë në gjyq. Me një shqetësim të vetëm: famullia e tij kishte mbetur pa meshtar, domethënë, pa shpirt. Me një forcë të vetme: atë të Ungjillit e të Kryqit. Me një bindje të vetme: ishte aty, sepse nuk e kishte gënjyer kurrë popullin, që i besonte në gjithçka e i tregonte gjëra, të cilat njeriu nuk ia thotë as vetvetes; ishte, sepse të hollat, që ia kishte besuar ai popull, hequr nga kafshata e gojës së fëmijëve, ia kishte kthyer përsëri, duke ia ndërtuar kishat me banka e me të gjitha pajisjet, që duhet të ketë një ngrehinë, e cila përbën zemrën e shpirtin e një katundi katolik.

Ishte aty, sepse nuk i kishte shkuar as nëpër mend të nxirrte sekretin e rrëfimit; ishte, sepse vlerësonte më fort betimin  e tij, se jetën e tij; ishte aty, sepse besonte në atë, që predikonte; se ishte gati, me vepra, jo me fjalë, të jipte edhe jetën për ngadhënjimin e Kryqit, domethënë të qytetërimit të krishtenë në ato male, që e donin e i donte. Kryevepra, që na lë trashëgim, është jeta e tij prej Shenjti, që për Krishtin ka më tepër vlerë, se të gjitha librat e shkruar, që kur zu fill bota. (www.radiovaticana.va)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »