Vendimtare, të kesh një zemër që dashuron dhe fal

Oct 26 • Meditimi i ditës

26 tetor 2016 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Ef 6,1-9; Ps 145,10-14; Lk 13,22-30)

 

Prania e Hyjit

Teksa jam duke qëndruar pranë kompjuterit, Hyji është këtu i pranishëm,

Ai i jep jetë jetës sime dhe gjithë asaj që më rrethon.

Disa minuta do të qëndroj në heshtje,

dhe do të bëhem i vetëdijshëm për praninë e Hyjit.

 

Liria

Do të mundohem që bile pak t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet

që ndoshta më mundojnë në këtë moment.

Të gjitha shqetësimet e mia i vë në dorën e Hyjit – së paku disa minuta sa të zgjatë kjo lutje.

 

Ndërgjegjësimi

Në çka jam duke e gjetur momentalisht në jetën time shpresën, guximin dhe zhvillimin?

Duke i reflektuar disa muaj të mëparshëm,

a jam i/e aftë t`i vërej cilat janë ato aktivitete të mia që kanë dhënë fryt të mirë?

Nëse i kam vërejtur fusha të tilla,

do të vendosi që edhe në të ardhmen tu siguroj hapësirë dhe kohë.

 

Fjala

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet ashtu ta dëgjoj në mënyrë që ta ndjej çfarë dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

 

Lk 13, 22-30

 

22 Në udhëtim për Jerusalem kalonte duke mësuar nëpër qytete e fshatra. 23 Një njeri e pyeti:

“Zotëri, a janë pak ata që shëlbohen?”

Ai u tha:

24 “Mundohuni të hyni nëpër derë të ngushtë, sepse, unë po ju them: shumë do të kërkojnë të hyjnë, por nuk do të munden.

25 Kur i zoti i shtëpisë do të çohet e do ta mbyllë derën, ju, po mbetët përjashta, do të filloni të trokitni në derë e të thoni: ‘Zotëri, na e hap derën!’ e ai do t’ju përgjigjet: ‘S’di nga jeni!’ 26 Atëherë do të vijoni të thoni: ‘Po ne hëngrëm e pimë me ty e ti mësove ndër sheshet tona!’ 27 Por ai do të përgjigjet: ‘Unë nuk di nga jeni [ju]! M’u hiqnu sysh të gjithë ju që bëni paudhësi!’

28 Atje do të jetë vaj e kërcëllim dhëmbësh, kur t’i shihni Abrahamin, Izakun, Jakobin dhe të gjithë profetët në Mbretërinë e Hyjit e veten të hedhur përjashta. 29 E do të vijnë nga lindja e nga perëndimi, nga veriu e nga jugu dhe do të ulen në tryezë në Mbretërinë e Hyjit. 30 Po se, ka të prapëm që do të jenë të parët e të parë që do të jenë të prapëm!”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezusi na paralajmëron për shpresën e rreme, mendjemadhësinë në lidhje me shpëtimin – që të mos ndodhë që të arrijmë me vonesë në dyert e qiellit! Për mua kjo mund të jetë një përvojë e dhimbshme: që ta kuptoj se nuk qenkam aq i/e përsosur sa besoj, ose sa më pëlqen të jem. Më e rëndësishmja është që të kem një zemër që dashuron dhe fal dhe që i përqafon të gjithë mëkatarët e tjerë.
  • O Zot, ti s`po thua se në fund shumë do të jenë të humbur. Por po na paralajmëron që t`i thellojmë marrëdhëniet tona me ty dhe t`i pranojmë të tjerët. Bëj që ta luaj rolin tim të vogël, por esencial për të siguruar që të gjithë të mund të mblidhemi në mënyrë të sigurt në Mbretërinë tënde.

 

Bashkëbisedimi

Ku ndodhen ato fjalë kryesore që po mundohen të më tregojnë dashurinë e Hyjit?
Ku jam i/e thirrur për të falur, për të kuptuar, për të kërkuar falje, për tu përmirësuar?
Ku kam qenë i/e lëvizur nga dashuria apo nga frika?
Ndaji ndjenjat e tua me Jezusin.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe të lutjes sime mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »