Kur jam lutur herën e fundit para se të marr ndonjë vendim?

Oct 28 • Meditimi i ditës

28 tetor 2016 – E premte, Shën Simoni dhe Judë Tadeu, Ap., MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Ef 2,19-22; Ps 19,2-5; Lk 6,12-19)

 

Prania e Hyjit

Për ta përgatitur veten për këtë kohë të çmueshme, qetësohu dhe bëhu i/e vetëdijshëm/e për ajrin që po e merr, që është duke lëvizur nëpër ty.

Qetësohu, vetëm për një moment të shkurtë.

 

Liria

Lehtë është të bihet në grackën e pasurive të kësaj bote.

Ma jep hirin, o Zot, që të mund të jem i lirë nga lakmia, grykësia dhe egoizmi.

Ma përkujto se gjërat më të mira në jetë janë të pableshme – falas.

Dashuria, buzëqeshja, përkujdesja dhe shoqërimi.

 

Ndërgjegjësimi

Më ndihmo, o Zot, të jem edhe më i/e vetëdijshëm/e për afërsinë tënde.

Më mëso se si të të njoh në të tjerët.

Ma mbush zemrën me falënderim për të gjitha ato momente

kur nëpërmjet njerëzve të tjerë e ke shfaqur përkujdesjen tënde ndaj meje.

 

Fjala e Zotit 

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Lk 6, 12-16

 

12 Ndër ato ditë Jezusi shkoi në një mal për t’u lutur. Natën e kaloi duke iu lutur Hyjit. 13 Kur zbardhi drita, i thirri nxënësit e vet e prej tyre zgjodhi dymbëdhjetë, të cilët edhe i quajti apostuj: 14 Simonin, të cilin e quajti edhe Pjetër, Andreun, vëllanë e tij, Jakobin e Gjonin, Filipin e Bartolomeun, 15 Mateun, e Tomën, Jakobin e Alfeut, Simonin që quhej Zelltar, 16 Judën e Jakobit edhe Judën Iskariot, i cili u bë tradhtar.

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezusi e mori vendimin pas një nate të kaluar në lutje. Kur jam lutur herën e fundit para se të marr ndonjë vendim? A ia besoj Zotit të gjitha vendimet e mia si një prindi të mençur dhe të dashur?
  • O Zot, më ke gdhendur në pëllëmbët e duarve të tua. Ti gjithmonë më ke në mendje dhe në zemër. Në këtë “Moment të Shenjtë” të lutjes po e kërkoj ndihmën dhe udhëheqjen tënde te të gjitha ato gjëra që përpiqem t`i bëj, pa marrë parasysh se sa të parëndësishme mund të duken. Më ruaj edhe në vazhdim.

 

Bashkëbisedimi

Jezus, ti na thërret që të shkojmë pas teje dhe ta kompletojmë veprën tënde mbi tokë. Më ndihmo të shkoj përtej zonës sime të rehatisë dhe të jap fryt në shërbimin tënd.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kohës së lutjes sime mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim, ashtu tash

e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »