Lejoje Jezusin të të takojë!

Oct 29 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela e XXXI gjatë vitit C

 

Leximi parë Urt 11,22.12.2

Lexim prej Librit të Urtisë

O Zot, mbarë bota para teje është porsi pak pluhur në peshore dhe porsi një pikë vese agimi që bie në tokë. Por ti ke dhimbje për gjithçka pse gjithçka mundesh, ti bën kinse s‘ i sheh mëkatet e njerëzve që ata të pendohen. Vërtetë, ti do gjithçka është dhe s‘ urren asgjë që ke krijuar; sepse po ta kishe urryer ndonjë send, nuk e kishte krijuar. E si do të mbette në jetë ndonjë send, po të mos doje ti? Ose si do ta ruante jetën, po të mos e kishe thirrur ti në jetë?

Por ti i kursen të gjitha, sepse janë të tuat, o Zot jetëdashës, sepse shpirti yt i paprishëm ndodhet në gjithçka. Për këtë arsye pak nga pak i ndëshkon mëkataret, i ndëshkon dhe i qorton për mëkatet e tyre, që ta lënë paudhësinë e të besojnë në ty, o Zot.

Fjala e Zotit

 

Psalmi 145 (144)

Ref: Le të lavdërojnë, o Zot, të gjitha veprat e tua.

———————————————————————

Do të të lartësoj, o Mbret, Hyji im,

dhe do ta bekoj Emrin tënd

për gjithmonë e jetës.

Çdo ditë do të të bekoj

Dhe do ta lavdëroj Emrin tënd.

—————————————————–

Zoti është vetë butësia e mëshira,

i ngadalshëm në zemërim dhe plot dashuri.

Zoti është i mirë për të gjithë,

i dhimbshëm për të gjitha krijsat e veta.

————————————————————

Le të lavdërojnë, o Zot të gjitha veprat e tua

E le të bekojnë shenjtërit e tu.

Le ta tregojnë lavdinë e Mbretërisë sate,

le të kuvendin për pushtetin tënd.

————————————————————–

Për t‘ua shpallur njerëzve gjithëpushtetësinë tënde

Dhe lavdinë e madhërisë së mbretërisë sate.

Mbretëria jote është mbreëtri e amshueshme,

pushteti yt prej breznie në brezni.

———————————————————

 

Leximi dytë 2 Sel 1,11-12,2,1-2

Lexim prej letrës së dytë të shën Palit drejtuar Selanikasve

Prandaj edhe lutemi përherë për ju që Hyji ynë t’ju bëjë të denjë për thirrjen e vet dhe me fuqinë e vet t’ju bëjë të aftë të kryeni çdo të mirë që dëshironi dhe fenë tuaj ta bëjë vepruese.  Kështu Emri i Jezusit, Zotit tonë, do të madhërohet në ju po edhe ju në Të në saje të hirit të Hyjit tonë dhe të Jezu Krishtit Zot.

Në lidhje me Ardhjen e Zotit tonë Jezu Krishtit dhe me bashkimin tonë rreth tij, ju bëjmë lutje, vëllezër, mos lejoni të merreni mendsh dhe as mos u trazoni për shkak të ndonjë vegimi kinse profetik, ose të ndonjë fjale ose të ndonjë letre kinse të shkruar prej nesh, thua se ja, arriti Dita e Zotit! 

Fjala e Zotit.

 

Aleluja!

Shpirti Zotit është mbi mua.

Ai më dërgoi t‘ u kumtij të vobektëve Ungjillin

dhe t‘ u shpall robërve çlirimin.

Aleluja!

 

Ungjilli Lk 19.1-10

Lexim i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Jezusi hyri në Jerihon dhe po kalonte nëpër qytet.

Dhe, ja, një njeri që quhej Zake. Ky ishte kryetagrambledhës dhe pasanik. Dëshironte të shihte kush është Jezusi, por nuk mundte prej popullit, sepse ishte me shtat i vogël.  U lëshua vrap përpara, shkoi e hipi në një fik për ta parë sepse andej do të kalonte.

Kur Jezusi erdhi në atë vend, shikoi përpjetë dhe i tha: “Zake, zbrit shpejt! Sot do të vij të rri në shtëpinë tënde!” Ai zbriti me nxitim dhe e pranoi plot gëzim.  Të gjithë ata që panë, filluan të murmurisin:

“Ktheu të rrijë te një mëkatar!”

Zakeu u ngrit në këmbë dhe i tha Zotërisë:

“Ja, Zotëri, gjysmën e pasurisë po ua jap skamnorëve, e, nëse ia kam bërë ndokujt ndonjë të padrejtë, ia kthej katërfish!”

Atëherë Jezusi i tha:

“Sot i erdhi kësaj shtëpie shëlbimi, sepse edhe ky është bir i Abrahamit!  Biri i njeriut erdhi ta kërkojë e ta shëlbojë atë që pati humbur.”

Fjala e Zotit

 

POROSIA

E diela e sotme në porosinë e ka në mëshirë që Hyji ka ndaj nesh.

Në leximin e parë të Urtisë dëgjojmë se si Hyji jo vetëm që ka krijuar çdo gjë, por ai kujdeset për to, e sidomos për njeriun që dëshiron të jetë i pa mëkat, i pastër, duke jetuar në lidhshmëri me Të. Ndodhë që edhe të ndëshkohet, por ndëshkimi nuk është aq i rënd sa nuk mund të bartet, është qortim për kthim dhe bashkim me Hyjin.

Psalmisti thërret që të gjitha krijesat ta lavderojnë Hyjin, prandaj ndër krijesat me të bukura dhe të përsosura jemi ne, që duhet lavdëruar, madhëruar dhe falënderuar Zotin Hyj.

Shën Pali në letren e vet drejtuar selanikasve ju thotë që në lutje të jenë të bashkuar dhe të lavdërohet e dëshmohet emri i Zotit. Disa njerëz të asaj kohe flisnin për ardhjen e Zotit që do të jetë afër dhe njerëzit nuk punonin asgjë, rrinin kot. Prandaj, Shën Pali thotë, ai që nuk punon as mos të haj, ndërsa sot dëgjojmë se si i qorton të mos besojnë në profet të rrejeshëm që paralajmërojnë kinse ndonjë përfundim të botës, por të jetojmë në fe.

Sot Ungjilli na paraqet një njeri me emrin Zake.

Kush ishte Zekeu?

Ishte një jude me trup të shkurtër, që me siguri duhet të ketë qenë i kompleksuar për këtë… Ky dëshironte të jetë dikush dhe të ketë rol në jetë. Punësohet tek romaket, pushtues të Izarelit  dhe natyrisht edhe armiq të tyre. Zakeu me ketë hap që merr krijon pushtet dhe personalitet, sepse kishte pozitë, bëhet tagrambledhës dhe fitonte shumë. Por, në anën tjetër, i humb vlera edhe më tepër, sepse tani bënë padrejtësi ndaj taksapaguesve dhe konsiderohej të ishte tradhëtar i kombit, pasi punonte për pushtuesin.

Ky, tani nuk ka më komplekse për trupshkurtësinë e vet, por prap nuk është i lumtur, sepse ka krijuar autoritet nga lakmia dhe përmes një mënyre të padësiruar për kohën dhe vendin.

Kështu në Zakeun nuk kishte gëzim dhe lumturi, por peshë të përgjegjësisë që nuk e kishte kryer dhe nuk e kryente si duhet.

Dëgjon për Jezusin, që ishte në rrethin e Jerihonit; predikimet, mësimet, mrekullitë që bënte dhe mendon në vete ta shoh, ta njoh, kush është Ai.

Pasi ishte trupshkurtër dhe nuk kishte mundësi të afrohet e ta shoh Jezuson, nga masa e madhe e njerëzve që shkon pas tij, ai po shkon hyp në një fik, aty ku do të kalonte Jezusi e nga aty do ta shihte, kush është Ai.

Ndërsa ky tentonte ta shihte Jezusin, Jezusi e pa i pari, tek ai pa vullnetin, zemrën, qëllimin e tij. Jezusi iu afrua dhe i tha: “Zake, zbrit poshtë, sot dua të jam në shëpinë tënde.”

Zakeu zbrit poshtë plot gëzim. Kjo fjali e ungjillit “zbriti poshtë” do të thotë se zbrit nga krenaria dhe vetjakësia, nga një personalitet dhe karrierë e ndërtuar gabim. Takimi me Jezusin Zakenun e zbrit posht, mu në zemrën, në shpirt për ta zbuluar veteveten, për ta parë dhe kuptuar kush është!

A nuk ngjanë me secilin prej nesh e njëjta gjë; takimi me Jezusin na ka zbritur nga krenaria e të qenit lartë, mbi të tjerët, me ego të fortë e të ngurtë, e prirë për lakimi pasje materiale e poste? Nëse ende nuk e ke taku Jezusin, atëherë mos hezito ta takosh, Ai është gjithnjë i shoqëruar nga një mase e madhe që e do, e dëgjon dhe jeton me të. Gjeje atë momentin për ta takuar në një bashkësi katolike, famullitare… Kjo do të të ndihmojë të mos jetosh në sipërfaqe- sa për sy e faqe –  por në thellësi të asaj që të bënë të lumtur, e ky është Zoti.

Zakeu i lumtur e pranoi Jezusin në shtëpi. Farisenjt nynykasnin, sikurse më parë thoshnin që pranon mëkataret dhe rri me ta.

Por Jezusi erdhi për mëkatar, sespe mjeku u duhet të sëmurëve. Dhe nder ta ishte edhe Zakeu, i sëmurë shpirtërisht. Zakeu duke parë vetveten dhe ndërgjegjën duke parë mëkatet e veta ndanë pasurinë e vet, jep edhe më tepër si dëmëshpërblim për padrejtësi që ka bërë dhe dëshiron të shfajësohet para Zotit.

Jezusi, kur e sheh një pendim e një kthim rrënjësor të këtij njeriu të sinqertë, thotë:

“Sot i erdhi kësaj shtëpie shëlbimi, sepse edhe ky është bir i Abrahamit!  Biri i njeriut erdhi ta kërkojë e ta shëlbojë atë që pati humbur.”

Nga shembulli i Zakeut mësojmë edhe ne që ta pranojmë Jezusin në zemra dhe shtëpi tona, të jetojmë sipas mësimit dhe shembullit të Tij. Të përulemi, të hyjmë në thellësi të shpirtit tonë për të zbuluar risinë e dashurisë që duhet të kemi ndaj Hyjit.

Me Jezusin nuk do të jemi inferior, nuk do të jemi kurr të kompleksuar, por do të gjejmë qetësinë e shpirtit.

Jezusi na do ashtu si jemi, do të na duaj edhe më tepër nëse jemi të sinqertë, jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me Të, jemi të aftë për të pranuar mëkatet tona, që në liri të shpirtit, të ecim rrugës së Tij dhe të shëlbojmë shpirtin tonë. Amen.

 

LUTJET E BESIMTARËVE

Hyjit Atë që në Birin e tij Jezu Krishtin na paraqitet si dashamirë i njerëzimit, t‘ ia drejtojmë lutjet tona duke thënë:

Shpëtoje, o Zot, popullin tënd!

  • Për Kishën tënde, që mbarë botës t‘ua shpallë lajmin e gëzueshëm si dhuratë shëlbimi nëpër Jezusin, Zot, të lutemi:
  • Për të gjithë njerëzit që janë viktimë e së keqes, që Jezusi t‘u ndihmojë për të tejkaluar krizat me të cilat ballafaqohen, të lutemi:
  • Për familjet tona, që të gjëjnë gëzimin e jetës duke jetuar në harmoni dhe dashuri në mes vete dhe me të tjerët, të lutemi:
  • Për të gjithë ata që për shkaqe të ndryshme kanë humbur kuptimin e jetës, që Jezusi të jetë Rruga, e Vërteta dhe Jeta, të lutemi:
  • Për ne këtu të pranishëm, që të kuptojmë dhe pranojmë dashurinë që Hyji ka për ne, të lutemi:
  • Për të gjithë të vdekurit tanë, që sipas mëshirës së Hyjit të fitojnë falje dhe paqe dhe të gëzojnë jetën e amshuar, të lutemi:

O Hyj i gjithëpushtetshëm, ti nëpër Birin tënde Jezu Krishtin na dhurove mundësinë e shëlbimit. Na ndihmo që të jetojmë sikurse na mëson Ti e një ditë të gëzojmë në lumturinë tënde, Ti që jeton e mbretëron në shekujt e shekujve. Amen.

 

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »