Në tryezë ulesh me pasanikun apo/dhe me të varfrin?

Oct 31 • Meditimi i ditës

31 tetor 2016 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Fil 2,1-4; Ps 131,1-3; Lk 14,12-14)

 

Prania e Hyjit

Me të filluar këtë kohë lutjeje të qetë, gjeje një vend të rehatshëm për t’u ulur me shpinë drejt dhe këmbët lëshoji në tokë. Lejoji vetes ta vësh re frymëmarrjen tënde ndërsa vazhdon të marrësh frymë normalisht. Merr frymë. Qite frymën jashtë.

 

Liria

Hyji sillej me mu ashtu siç bën një mësues shkolle me një fëmijë:

më mësonte. (Shën Injaci)
Do ta kujtoj se ekzistojnë edhe shumë gjëra për të cilat Hyji duhet të më mësojë,
dhe do të lus për hirin që t`i vërej
dhe t`i lejoj që nëpërmjet tyre të më ndryshojë.

 

Ndërgjegjësimi

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm dhe mirënjohës/e

për të gjitha bamirësitë që mi ke dhuruar.

Këtë bekim ta ndaj me të tjerët.

 

Fjala e Zotit

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Lk 14, 12-14

 

12 Atëherë iu drejtua edhe atij që e kishte grishur:

“Kur shtron drekë ose darkë, mos i thirr miqtë e tu, as vëllezërit e tu, as farefisin tënd, as fqinjët e pasur, sepse mund të ndodhë që edhe ata të thërrasin ty për ta kthyer nderën e kështu ta shpërblejnë. 13 Por, kur të bësh gosti, grish skamnorë, të gjymtë, të çalë e të verbër. 14 Atëherë do të jesh i lum, sepse këta nuk kanë me çka ta kthejnë dhe do të shpërblehet në të ngjallur të të drejtave.”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jam i/e lumtur që jam në tryezë me Jezusin. Por a më pëlqen të jem në tryezë bashkë me lypësin, të varfrin, sakatin, të çalin, të verbrin? Apo preferoj të zë një vend tjetër pranë krenarëve, mendjemëdhenjve dhe atyre që e mbajnë veten për të drejtë?
    • Çka do të ndodhte po të kishte qenë edhe Jezusi mysafir? Te cila tryezë do të ulej? Nëse do të ulej te tryeza e të varfërve, a do të kisha ndryshuar vendin që edhe unë të ulem atje?

 

Bashkëbisedimi

Si e kam përjetuar Fjalën e Hyjit? A më ka lënë të ftohtë?

A më ka ngushëlluar apo nxitur që të veproj më ndryshe?

E paramendoj Jezusin sesi është duke qëndruar apo ulur pranë meje,

i drejtohem dhe ia tregoj të gjitha çfarë ndjej.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove sa u luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »