TË GJITHË SHENJTËRIT: Shenjtërit janë burra e gra t’lumnum

Oct 31 • LEXIMET E SË DIELËS

Festa e të gjithë shenjtërve

 

Leximi  i parë Zb 7, 2-4.9-14

Lexim prej Zbulesës së shën Gjonit apostull

Unë Gjoni, pashë edhe një engjëll tjetër që ngritej nga lindja. Ai kishte vulën e Hyjit të gjallë. Ai i thirri me sa zë kishte katër engjëjt që kishin marrë pushtetin të dëmtojnë tokën dhe detin: “Mos i bëni dëm as tokës, as detit, as lëndëve deri që t’i vulosim në ballë shërbëtorët e Hyjit tonë!” Atëherë dëgjova numrin e atyre që ishin vulosur, njëqind dyzet e katër mijë nga të gjitha fiset e bijve të Izraelit. Pastaj pashë: një shumicë të madhe që askush s’mund e numëronte, prej çdo kombi, çdo fisi, populli dhe gjuhe! Qëndronin në këmbë para fronit dhe para Qengjit të veshur me petka të bardha e me palma në dorë. Ata shpallnin me zë të lartë: “Shëlbimi i përket Hyjit tonë që rri në fron dhe Qengjit!”

Të gjithë engjëjt që ishin në këmbë rreth fronit, rreth udhëheqësve dhe rreth katër gjallorëve, ranë përmbys dhe adhuruan Hyjin. Thoshin: “Amen! Bekim e lavdi, dije e falënderim, nder, pushtet dhe fuqi Hyjit tonë në shekuj të shekujve! Amen!”

Atëherë njëri nga udhëheqësit mori fjalën dhe më pyeti: “Këta që janë të veshur me petka të bardha, kush janë dhe nga kanë ardhur?” Unë u përgjigja: “Imzot, ti e di!” Dhe ai më tha: “Këta janë ata që erdhën nga prova e madhe; i lanë petkat dhe i zbardhuan në gjakun e Qengjit.”

Fjala e Zotit

 

Psalmi 24

Ref. Lum ata që janë të pastër më zemër,

sepse ata do ta shohin Hyjin

———————————————————

E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka,

rruzulli mbarë e të gjithë banorët e tij.

Ai vetë e themeloi mbi dete,

dhe e bëri të qëndrueshme mbi lumenj.

———————————————————

Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit,

e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë? 

Ai që ka duart e pafajshme e zemrën e pastër,

ai që nuk e drejtoi shpirtin e vet në kotësi,

ai që nuk përbehet në rrenë.

———————————————————

Ky do ta marrë bekimin prej Zotit,

shfajësimin e Hyjit, Shëlbuesit të vet.

E tillë është breznia e atyre që kërkojnë Zotin,

e atyre që kërkojnë fytyrën e Hyjit të Jakobit.

———————————————————-

Leximi i dytë 1 Gjn 3,1-3

 

Lexim prej Letrës së parë të shën Gjonit apostull

Fort të dashur, shikoni ç’dashuri të madhe na dhuroi Ati sa që quhemi bijtë e Hyjit edhe jemi! Bota nuk na njeh sepse nuk e njeh Atë. Të dashur, tani jemi fëmijët e Hyjit, por çka do të jemi ende nuk u zbulua. Kaq dimë: kur të shfaqet do të bëhemi të ngjashëm me Të, sepse do ta shohim ashtu siç është. Kush e ka këtë shpresë në Të, bëhet i pastër siç është Ai i pastër.

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur

prej barrës së rëndë, e unë do t’ju çlodh, thotë Zoti.

Aleluja!

 

Ungjilli   Mt 5, 1-12

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Jezusi, kur pa turmën, u ngjit në mal. Kur u ul, iu afruan nxënësit e tij. Atëherë mori fjalën dhe i mësoi duke thënë:

“Lum skamnorët në shpirt, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve!

Lum ata që qajnë, sepse do të ngushëllohen!

Lum ata që janë të butë, sepse do ta trashëgojnë tokën!

Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi, sepse do të ngihen!

Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë!

Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse do ta shohin Hyjin!

Lum pajtuesit, sepse do të quhen bijtë e Hyjit!

Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve!

Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkak timin, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë! Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell! Ja po, kështu i salvuan edhe profetët para jush!”

Fjala e Zotit

 

POROSIA

Engjëlli i Zotit trokiti në deren e një njeriu. Urdhëroni hyni u dëgjua zëri nga brenda. Të kam pritur, përgjigji njeriu. Nuk kam ardhë të flas edhe aq shumë me ty, ia ktheji engjëlli, por kam ardh që të të sjell tek Hyji, kam ardhë të ta marr jetën.

E çka do të mundesh të më marresh më tepër se jetën?

Nuk di i përgjigji engjëlli. E di një gjë, kur shkoj tek njerëzit për t’i marrë nga kjo jetë, duan të japin krejt çka kanë, vetëm e vetëm të qëndrojnë ende në tokë. Po ta dish çfarë oferta ofrojnë!

Unë –  tha njeriu – nuk jap kurrëfarë oferte. Nuk kam asgjë që të mund të të jap. Gëzimin që dikur e kisha më nuk e kam, sepse e kam shpenzuar. Vështirësitë ia lëshova erës e ajo i barti, dyshimet dhe shqetësimet i hedha në zjarr, që në flakën e shpresës të ngrohëm. Të mira tokësore nuk kam, iu kam rënë mohit kah moti.

Buzëqeshjën ju kam dhuruar atyre që kishin nevojë. Zemrën ju kam dhën atyre që i kam dashur dhe me kanë dashur. Shpirtin tim ia kam besuar Hyjit.

Merre ti jetën time – i tha njeriu – sepse tjetër gjë nuk kam të të jap.

Engjëlli e mori mbi supat e veta njeriun dhe ju duk i lehtë sikurse ndonjë penel, e po ashtu edhe përqafimi i njeriut iu duk shumë miqësor dhe i ëmbël. Hyji hapi derën e parajsës, sepse në të hyri një shenjtë i ri.

Sot, festojmë ditën e të gjithë shenjtërve, kujtojmë një shumicë të madhe njerëzish që kanë jetuar në tokë sikurse ne, por derisa jetonin në tokë, mendja dhe sytë e tyre, ishin të lartësuar kah qielli nga edhe pritnin shëlbimin.

Kush janë këta njerëz?

Janë njerëzit e lumtur, janë ata që ishin në shpirt të varfër, që qanin, ata që ishin të butë, që kishin uri, që ishin të mëshirshëm dhe që e ruanin zemrën të pastër, për takimin e tyre me Hyjin.

Hyji është i shenjtë dhe ai fton që edhe njerëzit të shenjtërohen. Shembull i kemi shumë shenjtër që mund të ndermjetësojnë dhe të ndriçojnë mendjen dhe zemrën tonë për ta ndjekur rrugën e tyre.

Festa e sotme ka edhe një qëllim të na bëj të vetëdijshëm përcaktimin tonë për jetë me Zotin, i cili na shenjtëron çdo ditë. Prandaj Kisha nuk dëshiron të na kthen në të kaluaren për të parë jeten e shenjtërve, e as në të ardhmen t’i shikojmë dhe mendojmë për shenjtërit, por të mendojmë për vetveten dhe thirrjen tonë për shenjtëri. Dëshiron të na thotë se çdo i krishterë është i ftuar të jetë i shenjtë dhe se kjo mund të realizohet në jetë tonë. Është detyrë e çdo njërit prej nesh, është mundësi dhe tendecë për jetën e plot me Zotin.

Naytrisht që ne njerëzit jemi me të meta, por Hyji përkujdeset për ne që të marrim ilaçin e shërimit, në sakramentin e rrëfimit dhe të Kungimit, që na ndihmojnë të përparojmë në përshpirtëri dhe shenjtëri.

Jezusi na thotë: “Jini të shenjtë sikurse Ati im është i shenjtë”!

Të jemi të shenjtë do të thotë të kujdesemi për jetën që të jetë në disponim të së mirës së përbashkët.

Të jemi të gatshëm në kryerjen e përgjegjësive me nderë dhe dashuri. Sepse në punë dhe veprime të mira dhe të ndershme ne realizojmë thirrjen e të qenurit të krishterë i mirë.

Shenjtrit nuk janë vetëm shembull për ne, por janë edhe ndërmjetës, janë ata të cilët nëse ju lutemi i paraqesin lutjet tona para Zotit Atë që të realizohen.

Le të na nxjerrin shenjtërit e Hyjit shumë hire, për një jetë sa më të mirë, që çdo ditë të shejtërohemi në të vërteten. Amen.

 

LUTJET E BESIMTARËVE

Vëllezër dhe motra, të rrethuar me shumë vëllezër dhe motra, të cilët Hyji Atë i kurorëzoi me lavdinë qiellore, duke  falenderuar Zotin, t’ i lutemi që të na shenjtëroi edhe neve:

Na shenjtëro në të vërteten tënde, o Zot!

  • Për Kishën shenjte në krye me Papa Françeskun, ipeshkëvijt tanë, meshtarë, rregulltarë dhe rregulltare, që të shenjtërohen çdo ditë në të vërtetën tënde, të lutemi:
  • Për ne këtu të pranishëm, që të dimë të nxjerrim hire nga burimi i jetës së krishterë dhe çdo ditë të përparojmë në vepra të mira, të cilat janë dëshmi shenjtërie dhe dashurie, të lutemi:
  • Për të gjithë njerëzit në botë, që të kuptojnë jetën si dhuratë të Zotit dhe të përparojnë në vlera shpirtërore, të cilat e ndihmojnë shenjtërimin e tyre, të lutemi:
  • Për të gjithë ata që vuajnë, janë të nëpërkëmbur, të sëmurë, mëkatar dhe të humbur në errësirat e botës, që Shpirti i Hyjit të qendrojë në jeten e tyre, për t’ i ndihmuar, aftësuar dhe begatuar me hire të veta, të lutemi:
  • Për të gjithë të dashurit tanë që kaluan nga kjo jetë, që Hyji i shenjtë t’i shenjtërojë duke i pranuar në bashkësinë e shenjtërve, të lutemi:

O Hyj, Ti je i shenjtë, na ndihmo që edhe ne dita-ditës të shenjtërohemi duke kryer vullnetin tënd e duke jetuar sipas dhuratave tua. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

 

Përgatiti: Don Marjan Demaj

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »