Durimi – cilësi e zemrës dhe e njeriut të urtë

Nov 1 • Opinion

Nga M. Franciska (Suzana) Lekaj

 

Jetojmë në një kohë me një ritëm të shpejtë, gjithçka e duam menjëherë e nuk jemi në gjendje të presim askënd e asgjë dhe nuk i japim  kohë vetes dhe tjetrit, të mendojё  apo të arsyetojё rreth çështjeve që e kanë tё domosdoshme marrjen e kohës. Mjaftohemi e kërkojmë përgjigje e veprime të shpejta, sepse nuk kemi durim. Gjithnjё  e mё  shumё  fjala durim, dëgjohet e praktikohet rrallë, megjithatë pavarёsisht kёsaj, durimi mbetet i çmuar për një marrëdhënie e për një jetë më të mirë me veten dhe tjetrin.

Durimi është baza e suksesit në jetë. Kuptohet, nuk është aq i lehtë për t’u praktikuar e nuk ka qenë asnjëherë, por sot më shumë se kurrë, edhe pse bëhet më e vështirë, ёshtё njёkohёsisht i domosdoshёm. Klione një njeri i mençur i Greqisë thoshte: “tri gjëra janë të vështira; të mbash në heshtje një sekret, ta shfrytëzosh mirë kohёn dhe të durosh me qetësi, kundërshtimet dhe provat”. Tё trija këto gjёra, në kohën tonë duket se janë në rrezik më shumë se asnjëherë tjetër, duke qenё  se sot shoqëria vuan të gjejë një njeri që di të mbajë një sekret, një njeri të besueshëm, një njeri që di ta shfrytëzojё  kohën e ta shenjtërojë atë. Ajo çka vërehet dukshëm është se shoqëria sot has vështirësi të gjejё  njerëz të durueshëm. Kjo gjё vjen si pasojё  e mungesës së vullnetit të vetë njeriut për të formuar një personalitet të shëndoshë, pasi njeriu po zgjedh të shkojё  me turmën e jo të merret me veten e të ndërtojё  një personalitet të shëndoshё. Arsyetimi që bёhet është, se të gjithë bëjnë kështu, të gjithë janë kështu, duke shprehur nga ana tjetёr frikën pёr tё  qenë ndryshe e sidomos kur bëhet fjalë për një ndryshim pozitiv.

Kur flasim për cilësinë e durimit, kërkohet të kemi parasysh se kemi të bëjmë me një nga elementet themelore të një personaliteti të shëndoshё. Në psikologji, një personalitet i shëndoshё, i pjekur dhe i formuar ёshtё  ai që di të durojё, sepse të dish të durosh do të thotë të dish të presësh si veten  ashtu dhe tjetrin. Jemi të prirur të bëjmë shumë gjёra në të njëjtёn kohë, por që mos t’i çojmë deri në fund e kështu jemi të paqëndrueshëm.“Nëse durojmë në qëndresë, bashkë me Të do të mbretërojmë.” (2 Tim 2, 12.) Për të ndërtuar, ndryshuar e për të bërë diçka kërkohet që të dimë të durojmë, e të jemi të qëndrueshëm. Por qё  të jemi të qëndrueshëm, do të thotë se është e nevojshme ta praktikojmë atë disa herë, pa u lodhur e pa u dëshpëruar. Filozofi Salvatore Natoli ka thënë: “Durimi është një virtyt aktiv”.

Gjithashtu cilësia e durimit qëndron në të qenurit gjithmonë në harmoni me vetveten, ose në organizimin moralisht dhe praktikisht të vetë ekzistencës tonë në mënyrë që çdo veprim, çdo fjalë çdo mendim të përputhet me qëllimin që kemi përcaktuar të arrijmë. Nё  kёtё  mёnyrё  cilësia e durimit e ndihmon qëllimin për t’u bërë një person paqësor dhe i dashur, e jo një person që ka një shpirt luftarak e shkatërrues. Kёshtu, që të mos dominojё  kjo e fundit kërkohet që ta edukojmë e ta praktikojmë këtë cilësi durimi për të arritur qetësinё  e brendshme, karakteristikё  kjo e fundit e personit tё formuar, paqësor e të dashur, duke qenё  se është cilësi e zemrës dhe si e tillë, mund të dalë lehtësisht në pah duke e praktikuar me maturi, edhe sipas S. Frashëri: “Durimi është më e madhja trimëri”.

Durimi, është cilësia e nevojshme për të jetuar tani dhe këtu. Është një virtyt që kultivohet çdo ditë. Është një cilësi e brendshme që reflektohet nga qetësia, tё  kontrolluarit apo tё  administruarit  tё  emocioneve dhe këmbëngulja. Kur flasim për këmbënguljen kemi parasysh këmbënguljen pozitive, dhe jo atë këmbënguljen e kotё  duke pretenduar se jeta, situata, tjetri, duhet të jenë ashtu si duam ne. Me fjalё  tё  tjera,  kërkohet ta pranojmë ashtu si është, sepse nëse nuk praktikojmë cilësinë e durimit jeta dhe gjërat në duken dhe na bëhen shumë acaruese. Durimi është ai që të krijon një dimension qetësie dhe miratimi në jetë. Ai është një ushtrim shpirtëror,është një cilësi themelore që nuk është e lindur por edukohet e zhvillohet nga vullneti i përditshëm.

Çfarë do të thotë të jesh i durueshëm?!

Mjerisht, në ditët e sotme nga shumica e njerëzve mendohet apo vlerësohet se të jesh i durueshëm,do të thotë të jesh një person që nuk “di,”një person që nuk kupton, një person që nuk “ndjen”, një person që nuk “percepton”, një person që nuk “arsyeton”, një person “pasiv”, një person i “dobët”një person i “druajtur”… thjeshtë një person pa personalitet! Mirё po të jesh i durueshëm, në fakt do të thotë mё  shumё  sesa ajo çka perceptojnё  njerëzit.

Të jesh i durueshëm ose të bëhesh i durueshëm, do të thotë ta hapësh zemrën në çdo moment të së tashmes, edhe pse nuk të pëlqen. Do të thotë të jesh i kënaqur me vlerat dhe të dish ta pranosh të tashmen. Nuk kërkon që të jesh kurajoz, por  që të dish t’i shohësh gjërat me qetësi e me maturi. Shpesh dëgjohet se durimi është arti i të diturit, i të urtit, që shfaqet me një qetësi dhe me një siguri në vetvete dhe e sheh botën me shumë ndjenja e mirëkuptim.Gjithashtu të jesh i durueshëm, do të thotë të dish të ruash perspektivën për veten edhe kur gjendemi përballё  situatave të vështira. Maeterlinck ka shkruar: “Nuk ka kurrë asnjë tragjedi në jetën e një njeriu të duruar e të mençur”. Jo vetëm nuk ka  tragjedi në jetën e tij, por as edhe në jetën e tjerëve që e rrethojnë, sepse njeriu i duruar mendon edhe për të mirën e tjetrit, pra do të thotë se nuk është asnjë herë fatkeq, edhe pse mund të gjykohet kështu nga opinioni.

Të jesh i durueshëm, duhet tё  jesh nё  gjendje  tё largosh veten  nga dëshpërimi dhe paniku, ta ndalosh gjuhёn nga ankimet dhe t’i ndalësh duart nga goditjet. Do të thotë të dish të marrësh vendime me urtësi dhe të kesh miq. Të jesh i durueshëm do të thotë të dish se nuk duhet të bëhen kërcënime por thjesht hapa,  të jesh fleksibël dhe të jesh i fortë për të mos e parë veten si viktimë. Të jesh i durueshëm nuk do të thotë se nuk di, nuk ndjen, nuk percepton, nuk arsyeton, se je i dobët, pasiv apo nuk kupton, por do të thotë të jesh një person që arsyeton që di, që  ndjen, që percepton, pra njё person i fortë, i urtë e i formuar. Edmund Bureke shprehet: “Durimi arrin më shumë se fuqia”.

Të jesh i durueshëm do të thotë të  dish të presësh, por jo sa kohë të presësh, por sesa mirë sillesh ndërkohë që je duke pritur. Nuk do të thotë se sa duron, por si duron. Sepse ndodh ta gënjejmë veten dhe tjetrin se jam i\e durueshё m/e por kur më duhet të pres apo të përballem me dikë apo me diçka që nuk më pëlqen, reagimi imë është i kundërt. Si rrjedhojë, fjalori im mund të bëhet i padurueshëm e gjithashtu edhe gjestet. Pra, të jesh i durueshëm  do të thotë ta pranosh realitetin. Do të thotë t’i japësh vetes dhe tjetrit një mundësi të dytë për të ndryshuar, e për të zbuluar e shfaqur më të mirën që ka brenda vetes. Kjo e mirë nuk i mungon askujt, sepse Zoti secilit njeri ia ka dhuruar të mirën. Por kërkohet nga njeriu, që me durim të dijё  ta zbulojё  e ta praktikojё  këtë të mirё . A. Baricco thotë: “Ju mësoni shumë gjёra nëse e keni durimin për t’i bërë ato”.

Durimi është forca që di të mirё administrojё  situatat e ndryshme pa humbur qetësinё. Një akt i një vullneti të fortë, që kontrollon mendimet, veprimet dhe emocionet e realizimit të qëllimeve.Njё cilësi mjaftë dobiprurëse për njeriun. Benjamin Franklin shkruan: “Kush ka durim mund të marrë atë që do”.Durimi, është të kesh një forcë të brendshme, brenda sё  cilёs  përfshihet dhe aftёsia për të parë motivet e sinqerta tek të tjerët. Por, që të shohësh motive të sinqerta tek të tjerët kërkohet të shikosh më në brendësi e jo thjesht e vetëm në sipërfaqe. Duke vepruar kështu bëhesh personi më i duruar, më paqësor më mirënjohës e më i ndjeshëm.

Richard Carlson thotë: “Jeta në vetvete është një shkollë, dhe kurrikulumi i saj është DURIMI.”

REFERENCA:

Carlson Richard, Don’t Sweat the small’ stuff…and it’s all small stuff (1997), New York

Box Harry, Sekretet që ju bëjnë të lumtur (1994), Tiranë

Shpërndaje

Comments are closed.

« »