Lumnia qiellore fillon në tokë

Nov 1 • Meditimi i ditës

1 nëntor 2016 – E marte, TË GJITHË SHENJTËRIT, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Zb 7,2-4.9-14; Ps 24,1-6; 1Iv 3,1-3; Mt 5,1-12a)

 

Prania e Hyjit

Mendoj një çast për praninë e Hyjit rreth meje dhe në mua.

Krijuesi i gjithësisë, i diellit dhe hënës, i tokës,

i çdo molekule dhe atomi, i çdo gjëje që ekziston, çdo gjëje që është:

Hyji është në çdo rrahje të zemrës time. Ai është në mua, tani.

 

Liria

Vdekja jote në kryq më ka liruar.

Mund të jetoj lirisht dhe gëzueshëm, pa frikë nga vdekja.

Mëshira jote nuk njeh kufij.

 

Ndërgjegjësimi

Në këtë moment, o Zot, po i drejtoj mendimet e mia kah Ti.

Do t`i lë mënjanë punët dhe preokupimet e mia.
Do të pushoj dhe rifreskohem në praninë tënde, o Zot.

 

Fjala

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.

Duhet ashtu ta dëgjoj në mënyrë që ta ndjej çfarë dëshiron të më thotë.

Do ta lexoj tekstin ngadalë, disa herë, pastaj do të dëgjoj…

 

Mt 5, 1-12a

 

1 Jezusi, kur pa turmën, u ngjit në mal. Kur u ul, iu afruan nxënësit e tij. 2 Atëherë mori fjalën dhe i mësoi duke thënë:

3 “Lum skamnorët në shpirt

sepse e tyre është Mbretëria e qiejve!

4 Lum ata që qajnë

sepse do të ngushëllohen!

5 Lum ata që janë të butë

sepse do ta trashëgojnë tokën!

6 Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi

sepse do të ngihen!

7 Lum të mëshirshmit

sepse do të gjejnë mëshirë!

8 Lum ata që janë të pastër në zemër

sepse do ta shohin Hyjin.

9 Lum pajtuesit

sepse do të quhen bijtë e Hyjit.

10 Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon

sepse e tyre është Mbretëria e qiejve.

11 Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkakun tim, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë! 12 Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell! Jo po, kështu i salvuan edhe profetët para jush!”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Sot dhe përgjithmonë Jezusi “ulet” në Hapësirën, Momentin e shenjtë të zemrës sime. E dëgjoj atë dhe fjalët e tij të jetës. Cila prej lumnive më flet më së fuqishmi? Cila më jep më së shumti zemër për udhëtimin tim të jetës?
  • Cila prej lumnive për mua paraqet sfidën më të madhe? Cila më tërheq më së shumti dhe shënon hapin vijues në udhëtimin tim të jetës?

 

Bashkëbisedimi

Zot, ti më njeh më mirë se unë e njoh veten time.
Shpirti yt e përshkon çdo moment të jetës sime.
Faleminderit për hirin dhe dashurinë që e ndikon mbi mua.
Faleminderit për ftesën tënde të vazhdueshme, të butë për të lejuar të hysh në jetën time.
Më fal për momentet kur e kam refuzuar atë ftesë, dhe e kam mbyllur veten para teje.
Më ndihmo që gjatë ditës të vij, ta njoh praninë tënde në jetën time, të ta çel zemrën, që të lejoj të veprosh në mua, për lavdinë tënde më të madhe.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe të lutjes sime mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »