Lumnitë – karta e identitetit të krishterë

Nov 2 • Këndvështrime, Kisha në botë

Nga Papa Françesku

Me gjithë Kishën kremtojmë sot solemnitetin e Gjithë Shenjtorëve. Kujtojmë, kështu, jo vetëm ata, që u shpallën shenjtorë në rrjedhë të historisë, por edhe shumë prej vëllezërve tanë, që e jetuan jetën e tyre të krishterë plot me fe e dashuri, përmes një jetese të thjeshtë, të fshehur nga syri i botës. Sigurisht ndërmjet tyre janë shumë nga familjarët tanë, miqtë, dashamirët.

Po kremtojmë, pra, festën e shenjtërisë. Asaj shenjtërie që nganjëherë nuk  shprehet me punë të mëdha e vepra të jashtëzakonshme, por di t’i jetojë besnikërisht e përditësisht kërkesat e Pagëzimit. Shenjtëri, që gatuhet me dashuri për Zotin e për vëllezërit. Dashuri besnike, deri në vetmohim, deri  në dhurimin e plotë për të  tjerët, si jeta e atyre nënave dhe etërve që flijohen për familjet e tyre, duke ditur të heqin dorë vullnetarisht nga shumë gjëra, nga shumë plane e programe, ndonëse kjo nuk është gjithnjë e lehtë.

Por, nëse ka diçka, që i dallon shenjtorët, është se janë vërtet të lum. Kanë zbuluar sekretin e lumturisë së vërtetë, që banon në fund të shpirtit e buron nga dashuria e Zotit. Prandaj shenjtorët quhen të Lumtur. Lumnitë janë udha e tyre, caku i tyre, atdheu i tyre. Lumnitë janë udha e jetës, të cilën na  e tregon vetë Zoti, që të mund t’i ndjekim gjurmët e Tij. Në Ungjillin e sotëm dëgjuam sesi Jezusi i shpalli para një turme pa fund, mbi një mal, pranë liqenit të Galilesë.

Lumnitë janë profili i Krishtit e, për pasojë, edhe i të krishterit. Ndërmjet tyre, dëshiroj të vë në dukje një: “Lum ata, që janë të butë”. Jezusi thotë për vetveten: “Mësoni nga unë, që jam zemërbutë e i përvujtë (Mt 11, 29). Ky është portreti i Tij shpirtëror, që na zbulon pasuritë e dashurisë së Tij.  Butësia është një mënyrë e të qenit, e të jetuarit, që na afron tek Jezusi  e na bën të bashkohemi ndërmjet nesh; na mëson ta lëmë mënjanë gjithçka  që na ndan e që na kundërvihet e të kërkojmë mënyra gjithnjë të reja për të përparuar në udhën e unitetit, siç  bënë bijtë e bijat e kësaj toke, ndërmjet të cilëve, shën Elizabeta Heselblad, shenjtëruar kohët e fundit dhe Shën Brigjida, Brigitta Vadstena, bashkëpajtore e Evropës. Ata u lutën e punuan për t’i shtrënguar sa më shumë lidhjet, unitetin dhe bashkimin ndërmjet gjithë të krishterëve. Një shenjë shumë shprehëse është se pikërisht këtu, në vendin e tyre, ku jetojnë popullsi shumë të ndryshme, ne sot po e kremtojmë së bashku 500-vjetorin e Reformës. Shenjtorët përftojnë ndryshime, falë butësisë së zemrës së tyre. E kështu kuptojmë madhështinë e Zotit dhe e adhurojmë me sinqeritet; e ky është edhe qëndrimi i njeriut, që nuk ka asgjë për të humbur, sepse pasuria e tij e vetme është Zoti.

Lumnitë janë, në një farë mënyre, karta e identitetit e të krishterit, që tregon  se është ndjekës i Krishtit. Zoti na thërret të jemi të lum, ndjekës të Krishtit. Na fton t’i përballojmë dhimbjet e ankthet e kohës sonë me shpirtin e dashurisë së Jezusit. Kështu mund t’i jetojmë edhe situatat e reja, me shpirtin e përtërirë e gjithnjë aktual: lum ata që i durojnë me fe të këqijat e shkaktuara nga të tjerët e dinë të falin me gjithë zemër; lum ata, që i shikojnë në dritë të syrit të flakurit e të harruarit, duke iu bërë të afërm; lum ata, që e pranojnë Zotin në çdo njeri e luftojnë që edhe të tjerët ta zbulojnë; lum ata, që e mbrojnë dhe e kujdesin shtëpinë e përbashkët; lum ata, që heqin dorë nga mirëqenia e tyre, për të mirën e të tjerëve; lum ata që luten e punojnë për bashkimin e plotë të të krishterëve… Të gjithë këta janë mbartës të mëshirës dhe të dashurisë së Zotit e, pa dyshim, do të marrin prej Tij shpërblimin e merituar.

Të dashur vëllezër e motra, të gjithë janë të thirrur për shenjtëri e këtë shenjtëri duhet ta marrim nga Zoti me shpirtin e fesë. Shenjtorët na inkurajojnë me jetën e tyre e me ndërmjetësimin e tyre pranë Zotit, e ne kemi nevojë njëri për tjetrin, për t’u bërë shenjtorë. Së bashku, të kërkojmë hirin për ta pritur me gëzim këtë thirrje e për të punuar të bashkuar, që ta  çojmë deri në fund.

Nënës sonë të Qiellit, Mbretëreshës së Gjithë Shenjtorëve, ia besojmë ndjetet tona dhe dialogun për kërkimin e bashkimit të plotë të të gjithë të krishterëve, që të bekohemi në përpjekjet tona e të arrijmë shenjtërinë dhe unitetin.

(Homelia e mbajtur në Malmö – Suedi, më 1 nëntor 2016, në Festën e të Gjithë Shenjtërve. Përkthimi: Radio Vatikani)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »