Memento mori – kujto vdekjen!

Nov 2 • Këndvështrime

Me rastin e përkujtimi i të gjithë besimtarëve të vdekur, 2 nëntor

Kalendari liturgjik i Kishës katolike me 2 nëntor përkujton Ditën e besimtarëve të vdekur, Ditën e shpirtrave të Purgatorit apo edhe Ditën e të Shumëve. Në mënyrë e veçantë kjo ditë i bashkon të gjallët në vendpushimin e të vdekurve (varret), “eshtrat” e të cilëve në qetësi presin për t’u shndërruar në jetën e re, për t’u ringjallur në Zotënin e tyre, Jezu Krishtin. 
Besimtarët i vizitojnë varret, i dekorojnë, sjellin atje buqeta lulesh, krizantema e qirinj për t’i ndezur. Kështu, të përqendruar në kujtimin e të dashurve të tyre, e lusin për ta Zotin, që ai të jetë i mëshirshëm e t’i pranojë në Mbretërinë e tij në qiell. 
Varret këto ditë i bashkojnë të gjallët, besimtarë e jo besimtarë, të pasur e të varfër, pushtetarë e njerëz të thjeshtë. Sikur të vdekurit i bashkojnë të gjallët; sikur fakti i përkohësisë i bashkon për një çast të gjithë dhe i liron nga intrigat e pakuptimta, armiqësitë, ndarjet e përçarjet. Aty pranë varreve, të heshtur, të gjithë e shijojnë faktin e të mosqenit të përjetshëm në botë. 
Dita e Purgatorit na vetëdijëson për vdekësinë tonë, tejkalon iluzionin e njeriut për përjetshmërinë në tokë. Njashtu është thirrje për ta kuptuar jetën në tërësinë e saj, që ajo të planifikohet me urti. Është i urtë ai që vdekja nuk e befason. Ai që rron duke e pranuar ligjin e vdekjes, ai vërtet jeton. Sepse, të jetosh do të thotë edhe të vdesësh. Për të përkujtuar këtë njëmendësi njerëzore, rregulltarët trapistë morën si përshëndetje të përditshme thënien: Memento mori – kujto vdekjen!

Historia
Dita e Purgatorit si përkujtim në Kishë, lidhet ngusht me festën e të Gjithë Shenjtërve. Në traditën e krishterë që në shek. IV kremtohet Dita në kujtim të martirëve të shenjtë. Papa Gregori IV, në vitin 835 e caktoi 1 nëntorin Ditë e të Gjithë Shenjtërve për të gjithë Kishën Katolike. Pasi Kisha i kremton me një ditë të gjithë shenjtërit, ata që e gëzojnë praninë e Zotit në qiell, ajo po ashtu do t’i kujtojë edhe ata që nuk janë të shpallur shenjtër, ata që ende nuk e gëzojnë lumninë e Hyjit, përkatësisht ata që mund të jenë në Purgator, në gjendjen e pritjes për të fituar jetën e pasosur. Kisha si Nënë e mirë, dëshiron t’i dalë në ndihmesë asaj kishe në Purgator, kishës në pritje për shëlbim. 
Shën Odili, abat benediktin nga Cluny, më 998 kishte caktuar që 2 nëntori të jetë në abacinë e vet ditë përkujtimi për të gjithë besimtarët e vdekur. Kjo u vendos edhe në të gjitha abacitë benediktine të Europës, që ishin në ndikimin të madh të abacisë së Cluny-it. Kjo do nënkuptuar shtrirjen në një pjesë të madhe të Europës, ku ishin abacitë benediktine. Pas një praktike të tillë që u tregua shumë e dobishme për kishën, në vitin 1311 pranohet edhe nga Selia e Shenjtë për të qenë ditë e shënjuar në kalendarin liturgjik të Kishës, si ditë e posaçme kur përkujtohen të gjithë besimtarët që kanë kaluar nga kjo jetë “në shenjë të fesë”. Që atëherë besimtarët e krishterë, një ditë pas Të Gjithë Shenjtërve, i përkujtojnë të dashurit e tyre të vdekur, në lutje, në takime eukaristike për të përgjëruar tek Zoti për shpirtrat e tyre. 
Kjo ditë, me plotë kuptimin e fjalës, mund të thuhet se është edhe një ditë e fesë së besimtarëve në Ringjallje, se jeta nuk mbaron me vdekjen, por ajo shndërrohet, ashtu si na ka premtuar Zoti ynë Jezu Krishti. 
Nderimin e të vdekurve dhe lutjen për shpirtrat e tyre e gjejmë qysh në Besëlidhjen e Vjetër te Libri i Makabejve, kur Juda Makabé kushtoi fli për shpirtrat e të vrarëve: “E si i mblodhi nga secili burrë dy mijë drahma të argjendta, i dërgoi në Jerusalem të kushtohet flija për mëkate duke vepruar kështu shumë mirë e bujarisht, i shtyrë nga mendimi i ringjalljes. E, njëmend, po të mos kishte shpresuar se do të ngjallen ata që u vranë, do të kishte qenë e tepërt dhe e kotë të luteshin për të vdekur. Pastaj ai e kishte parasysh se një shpërblim tepër i bukur i priste ata që vdesin në hirin e Zotit: mendim ky i shenjtë e i përshpirtshëm. Ja, pra, dha të kushtohet fli shpërblimi, që të çlirohen nga mëkati.” (2 Mak 12, 43).

Të gjithë besimtarëve të ty, o Zot, për mëshirën tënde të madhe e të pakufijshme, jepju pushimin e pasosur. Paçin dritë të përhershme e gëzofshin me Ty në lumininë e përjetshme. Amen.

Përgatiti: Don Fatmiri Koliqi

Shpërndaje

Comments are closed.

« »