Ftesë për Shenjtëri

Nov 3 • Këndvështrime

 

Nga Don Lush GJERGJI

Nderimi i shenjtërve, sidomos i martirëve, është pothuaj nga zanafillja e vetë  krishtërimit. Qysh nga gjysma e shekullit të parë pas Krishtit, kur përndjekjet romake ishin gati të vazhdueshme dhe tejet të rrebta, të krishterët i nderonin   martirët si dëshmitarë të guximshëm të fesë,  të pavdekësisë, dhe si  flijimtarë të dashurisë me Jezu Krishtin, ”Martirin e Parë”. Mbi varrezat e tyre tuboheshin  të krishterët  për t’i përkujtuar dhe për t’iu lutur atyre, për të marrë fuqi dhe frymëzim për jetën fetare, për sprova dhe sfida të ndryshme në vuajtje, përndjekje dhe martirizime. Kulti ndaj tyre nuk ishte më vetëm çështje familjare, lidhje gjaku, si ndër paganët, por e shprehte bindshëm fenë e bashkësisë së krishterë në jetën e pasosur si dhe në ndërmjetësinë e shenjtërve.

Qysh atëherë dies natalisditëlindja për qiell dhe amshim, ishte dita e vdekjes dhe martirizimit, traditë kjo që ka vazhduar gjatë shekujve dhe jetësohet gjithnjë në Kishë.

Mbi varrezat e martirëve, më vonë edhe të shenjtërve jomartirë, populli i krishterë shtegtonte gjithnjë, lutej, paraqiste dhurata, ndezte qirinj, bile kremtohej shpesh edhe vetë eukaristia, mesha e shenjtë. Kjo traditë pas Ediktit të Milanos (v. 313)  dhe lirisë fetare së shpejti qe begatuar edhe me ndërtimin e kapelave, kishave, më vonë edhe të bazilikave, kështu që kujtimi dhe përshpirtëria ndaj shenjtërve të mbeste gjithnjë e gjallë dhe e pranishme në jetën e krishterë.

Përse ndodhi kjo dhe çfarë kuptimi ka?

Sepse nëpërmjet martirëve, më vonë edhe shenjtërve tjerë, dëshmohej së pari prania, fuqia, mirësia e Zotit, mbi të gjitha fitorja e Jezusit të ngjallur mbi Djallin, mëkatin dhe vdekjen, misteri i shëlbimit, si dhe bashkëpunimi i tyre me hirin dhe ndërmjetësia e tyre  para Zotit për Kishën (khs. LG 41). Prandaj në përkujtimin dhe kremtimin e të Gjithë Shenjtërve Kisha edhe një herë  kremton, falënderon, lavdëron Hyjin për dhurata, karizma dhe hire të ndryshme, si dhe na jep shemullin, modelin e shenjtërisë konkrete gjatë shekujve. Në këtë ditë përkujtojmë dhe nderojmë apostujt dhe nxënësit e Jezusit, martirët e të gjitha vendeve dhe kohëve, virgjërat, fëmijtë, rininë, buarrat dhe grate, meshtarët, rregulltarët dhe rregulltaret, të gjithë  ata që kanë jetuar si ne në këtë botë, dhe janë shenjtëruar, e kanë arritur qëllimin kryesor të krijimit – shëlbimin – nëpërmjet jetës së krishterë të mbështeur në fe, shpresë dhe dashuri.

Festa e të Gjithë Shenjtërve në një mënyrë na mundëson “shijimin” e parrizit, jetës në lumturi me Zotin dhe me vëllazërit dhe motrat tona të lumturuara. Dikur kjo festë ishte më 13 maj për çdo vit (nga shënimet e Tertulianit, Gërgurit të Madh dhe Efremit). Papa Bonifaci IV Panteonin e Romës ia kishte kushtuar Virgjërës Mari  dhe të Gjithë Shenjtërve (13 maj 609). Më vonë festa ishte caktuar më 1 nëntor për t’i mbuluar disa kremtime të bestytnive pagane (në vitin 835).

Kjo Ditë së bashku me Ditën e Purgatorëve, kujtimin e të gjithë të vdekurve, na fton edhe një herë ta përforcojmë të vërtetën themelore të fesë së krishterë, që Hyji na ka krijuar për pavdekësi, amshim dhe lumturi. Ai këtë na ka mundësuar me mundimin, vdekjen dhe ngjalljen e Jezu Krishtit, nëpërmjet Kishës dhe jetës sakramentale. Vetëm atëherë do të arrihet ajo çka Zoti ka thadruar në zemrat tona, nevoja dhe dëshira për jetë, për lumturi dhe për dashuri-pavdekësi, sepse përfundimisht do të takohemi me Shëlbuesin tonë dhe “kur të shfaqet do të bëhemi të ngjashëm me Të, sepse do ta shohim ashtu siç është” (1 Gjn 3 ,2).                                                             

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »