Dialog ndërfetarë, pa sinkretizëm!

Nov 4 • Kisha në botë

 

Papa Françesku u takua sot paradite, në Sallën Clementina në Vatikan (3 nëntor 2016), me përfaqësues të feve të ndryshme, ndërmjet të cilëve, të krishterë, hebrenj, myslimanë, budistë e hinduistë, të angazhuar në fushën e veprave të mëshirës. Audienca u  mbajtë në atmosferën e Vitit Jubilar të Mëshirës. Po japim fjalimin e plotë të Papa Françeskut, pasi është një fjalim plotë tema të ngjeshura, që mund të zgjojnë interesim për të medituar dhe reflekuar në takimet ndërfetare dhe ekumenike në vendet tona.

 

Të dashur miq,

Me gjithë zemrë ju tham mirë se keni ardhë. Gëzohem që ju takoj dhe ju falënderoj që keni pranuar ftesën për të reflektuar së bashku për temën e mëshirës.

Siç jeni në dijeni, po shkojmë drejt përfundimit të Vitit të Shenjtë, në të cilën Kisha Kaotolike ka kundruar zemrën e mesazhit të krishterë nga perspektiva e mëshirës. Për ne, mëshira e zbulon emrin e Hyjit; ajo është “themeli që e mban jetën e Kishës” (Misericordiae Vultus, 10) dhe çelsi për të kuptuar misterin e njeriut, i cili sot ka një nevojë të madhe për mëshirë dhe paqe.

Megjithatë, misteri i mëshirës nuk kremtohet vetëm me fjalë, por, para së gjithash, me vepra, me një stil të jetës realisht të mëshirshëm, i përbërë nga dashuria e pakusht, shërbimi vëllazëror dhe bashkëndarja e sinqertë. Këtë stil kisha dëshiron ta bën të vetin, si pjesë të “detytës së saj për të promovuar unitetin dhe dashurinëmes njerëzve.”(Nostra aetate, 1). Edhe religjionet janë të ftuara për ta përqafuar këtë stil, posaqërisht në ditët tona, që të mund të jenë kasnecë të paqes e ndërtues të bashkimit, dhe të kumtojnë, të kundërtën e atyre që ushqejnë konflikte, ndarje e jotolerancë, që sot është kohë vëllazërie. Ja pse është e rëndësishme për ne që të kërkojmë raste për t’u takuar së bashku, një takim që duke shmangur sinkretizmin sipërfaqësor, “na bëftë më të hapur ndaj dialogut për të njohur dhe për të kuptuar më mirë njëri-tjetrin; eliminoftë çdo lloj mbylljeje e përçmimi dhe përjashtoftë çdo lloj dhune e diskriminimi.” (Misericordiae Vultus, 23). Kjo është një dëshirë e Hyjit dhe një vepër urgjente, duke mos qenë vetëm një nevojë e ditëve tona, por një thirrje për dashuri, shpirt ky e çdo religjioni autentik.

Tema e mëshirës është familjare në shumë tradita religjioze dhe kulturore, në të cilat dhembshuria dhe jodhuna janë thelbësore për ta dhe tregojnë udhën e jetës: “I ngurti e i rrepti i përkasin vdekjes, i buti e i ëmbli, jetës”, thotë një fjalë e urtë e vjetër (Tao-Te-Ching, 76). Të përkulesh me një dashuri prekse ndaj njeriut të ligshtë e atij që ka nevojë, kjo vërtetë bën pjesë në shpirtin e besimit autentik, që e flak tundimin për të përdorë forcën, e refuzon tregtimin e qenies njerëzore dhe sheh tek të tjerët vëllezër dhe motra, jo vetëm statistika.  Në çdo traditë të mirëfilltë fetare gjejmë thirrjen për të qenë të afërmit e atyre që jetojnë në situata të vështira, ata që kanë më shumë nevojë për kujdes, që janë të sëmurë, të gjymtuar, të varfër, viktima të padrejtësisë, të konflikteve, të emigracionit. Është jehona e zërit hyjnor që i flet ndërgjegjes së secilit, duke e ftuar ta kapërcejë vetjakësinë e ta hapë zemrën. T’ia hap zemrën Tjetrit, që është përmbi ne, që na troket në portën e zemrës dhe t’ia hapë zemrën atij, që kemi pranë, që na troket tek porta e shtëpisë, duke na kërkuar vëmendje e ndihmë.

Vetë kuptimi i fjalës “mëshirë” na fton të kemi një zemër të hapur që rrah për tjetrin. Rrënja e saj nga gjuha latine (misericodria), na kujton një zemër (cor) të ndjeshme ndaj vuajtjeve, posaqërisht ndaj personit që vuan, një zemër që ngadhënjen mbi indiferencën dhe bashkëndan vujtjen me tjetrin.  Në gjuhët semitike, siç janë arabishtja dhe hebraishtja, rrënja RHM [r(a)h(a)m], e cila e shpreh edhe mëshirën e Hyjit, e njëjta nënkupton edhe kraharorin e nënës, dashurinë më të thellë të qenies njerëzore, ndjenjat e nënës për fëmijën që do ta lind.  

Në këtë aspket, Isaia profet, na bartë një mesazh të shkëlqyer të Zotit për njeriun, i cili është njëkohësisht një premtim dashurie dhe një lloj sfide: “E harron ‑ thua ‑ gruaja foshnjën e vet, që të mos ketë dhimbje për bamin e barkut të vet? Po edhe nëse ndonjëra do të harronte, unë ty kurrë nuk të harroj! (Is 19, 15). Fatkeqësisht, njeriu shpesh e harron Zotin e largohet nga i afërmi e nga kujtesa e së kaluarës, e kështu përsërit, në formë edhe më mizore, gabimet e kryera në kohë të tjera.

Kjo është drama e së keqes, e thellësive të errëta në të cilat liria jonë mund të zhytet kur tundohet nga e keqja, e gjithëpranishme në heshtje, që pret të na godas e t’na shtrij përdhé. Pikërisht përballë fshehtësisë së madhe të së keqes, që e vë në provë çdo përvojë religjioze, e gjejmë aspektin më të mrekullueshëm të dashurisë s’mëshirshme. Kjo dashuri nuk e lenë njeriun të bëhet pre e së keqes apo e dobësisë sonë; “ajo nuk braktis, por e ka përzemre” duke u përkul te çdo mizerie njerëzore për ta ngritur. Ashtu siç bënë një nënë, që përball çdo të keqeje që bënë fëmija i saj, ajo gjithmonë e sheh, matan mëaktit, atë fytyrë që e ka bartur në kraharor.

Në botën e sotme të trazuar e me kujtesë të dobët, që rend ankthshëm, duke e lënë pas shumëkënd e pa u kujtuar fare se mbetet pa frymë e pa qëllim, kemi nevojë sot, si për oksigjenin, për dashurinë e dhuruar, që e përtërin jetën. Njeriu ka etje për mëshirë e nuk është teknologjia ajo, që mund t’ia shuajë këtë etje. Njeriu kërkon dashurinë, që shkon përtej ngushëllimit të çastit, një port të sigurt ku ta kryejë lundrimin e tij të shqetësuar, një përqafim pa fund, që fal e pajton.

Kjo është shumë e rëndësishme përballë një frike, e shpërndarë gjithandej, që mendon se nuk është e mundur të jemi të falur, të rehabilituar dhe të shpëtuar nga brishtësia jonë. Për ne Katolikët, njëra ndër ritet më të plotëkuptimta gjatë Vitit Jubilar është kalimi i përvuajtur dhe bestar nëpër derë – derën e shenjtë – për të fituar pajtimin nga mëshira hyjnore, që na i fal fajet dhe mëkatet tona. Por kjo na kërkon që edhe ne t’i falim fajtorët tanë (khs. Mt 6, 12), vëllezërit dhe motrat që na kanë ofenduar. Ne e pranojmë faljen prej Zotit me qëllim për ta bashkëndarë me të tjerët. Falja është dhurata më e madhe që mund t’iu bëjmë të tjerëve, sepse kushton më së shumti, por e cila, në të njëjtën kohë, na bënë më së tepërmi të ngjashëm me Hyjin.

Mëshira shtrihet edhe në botën përreth nesh, në shtëpinë tonë të përbashktë, për të cilën jemi të thirrur ta ruajmë dhe ta mbrojmë nga konsumi i egër dhe grabitqar. Ëshë i nevojshëm angazhimi ynë për të edukuar për vetëpërmbajtje dhe për respekt, për një mënyrë të jetës më të thjeshtë e më të rregulltë, ku do të përdoreshin rezervat e krijimit me urti e maturi, të kujdesshëm për mbarë njerëzimin dhe brezat që do të vijnë, e mos të ndalemi në interesat e grupeve dhe përfitimin vetëm për kohën tonë. Sot, në mënyrë të veçantë “pesha e krizës ekologjike kërkon prej nesh ta kemi parasysh të mirën e përbashkët dhe të zgjedhim rrugën e dialogut, në të cilën duhet të kihet durim, përkormëri dhe zemërgjërësi.” (Laudato Si’, 201).

Le të jetë kjo rruga jonë, të refuzohen udhët pa cak, udhët e kundërvënies e të mbylljes. Të mos ndodhë kurrë më që fetë, për shkak të sjelljes së disa ndjekësve të tyre, të transmetojnë një mesazh që stonon, që ta vret veshin, që ndryshon krejt nga ai i mëshirës. Për fat të keq nuk kalon ditë që të mos dëgjoj të flitet për dhunë, konflikte, rrëmbime, sulme terroriste, viktima e shkatërrime. Është e tmerrshme që, për të përligjur barbari të tilla, përdoret nganjëherë emri i ndonjë feje e deri i vetë Zotit. Të dënohen në mënyrë të qartë këto sjellje të padrejta, që e tjetërsojnë emrin e Zotit dhe e mbrapshtojnë kërkimin fetar të njeriut. Lidhur me këtë, përgjegjësia jonë përballë Zotit, njerëzimit dhe ardhmërisë është e madhe dhe kërkon çdo përpjekje të mundshme, pa falsitet e oportunizëm. Është një ftesë për të gjithë ne, për të ecur me shpesë së bashku për të mirën e të gjithëve. Le të jenë religjionet kraharorë të jetës, që bartin dashurinë e mëshirshme të Hyjit për njerëzimin e lënduar dhe nevojtar; le të jenë dyer të shpresës, që ndihmojnë të kapërcejnë muret e ndërtuar nga krenaria dhe frika. Falëminderit.

@Përkthimi: Revista “DRITA”

Shpërndaje

Comments are closed.

« »