Dom Simon Jubani, misionar i ringjalljes së vlerave të besimit

Nov 4 • Kisha ndër Shqiptarë

Nga Dom Fran Sopi

Data e 4 nëntorit 1990, do të mbahet mend dhe do të shënohet si Dita e Dom Simon Jubanit, kur ai e celebroi meshën e parë e që i parapriu shembjes së regjimit komunist në Shqipëri.

Dom Simon Jubani ishte një prift i guximshëm që kishte vuajtur burgje të rënda dhe po merrte guximin për ta tubuar popullin në vorret e Rrmajit në Shkodër. Tashmë po bëhet një çerek shekulli nga ajo ditë që shënoi shembjen e ateizmit shtetëror në Shqipëri.

 

Dom Gjergj Simoni dëshmon:

“Duhet ditur një gjë, mbarë një popull ka vuajtur. Këto vuajtje i kanë bërë nganjëherë të dalin nga vetvetja pra me humb edhe arsyen. Një javë përpara se t’u thote mesha e parë e 4 nëntorit 1990, në universitetin Luigj Gurakuqi kishte ardh kryeministri i atëhershëm Adil Çarçani. Duke biseduar me ato universitarët dhe profesorat e kishte lëshu një fjalë që në popull u duk çudi se mund të  hapen edhe kishat. Ato ditë, pas kësaj që u përhap edhe në popull kanë shkuar disa të rinj tek dom Simon Jubani. I kanë thënë a e kremtojmë një meshë tek varrezat?! Dom Simoni i ka thënë po. I guximshëm, i papritueshëm ka qenë gati për të bërë këtë veprim. Ashtu shpejt e shpejt, kanë improvizuar një tavolinë e një altar bashkë me gjërat e tjera që kanë qenë të nevojshme për të mbajtur meshë. Arritën që ta mbanin meshën e 4 nëntorit dhe thonë se kanë marrë pjesë jo më shumë se 300-400 vetë. U hap fjala në Shkodër se edhe me 11 nëntor do të kremtohet meshë tek varrezat e Rrmajit.  Populli i entuziazmuar nga kjo jo vetëm mbushi vendet e shenjta te varrezat por edhe përmbi mure e kudo në rrugë shumë njerëz erdhën. Prej qytetit po se po por edhe nga fshatrat, jo vetëm të krishterë por edhe musliman… Gjatë meshës dhe pas meshës unë kam parë njerëz duke qarë me lot në sy”.

Ja si e kujton në librin e tij “ Mesha e parë” shërbimin e meshës së parë vetë dom Simon Jubani:

“Bana gadi shpejt çka kishte shpëtue kontrolleve dhe sekuestrimeve në shtëpinë time gjatë 26 vjetëve: Mesharin latinisht, nji stolë, nji kelk, nji purifikues, nji corporal dhe nji kryq. Kur mbërrijta nder vorre, Marku që kishte shtëpinë aty afër solli nji tavolinë të zakonshme e nji shtroje mbi të cilën vendosa çka nevojitej për Meshë të improvizueme… Fjalën e mora para Meshe tue falenderue Markun dhe praninë e nja 300 vetve të ndodhun nder varreza për nji Meshë të pasigurtë, ma tepër për lutje e divocjon personal tue pasture barnat e tue perkdhelë banesen prej dheut nga ku do të ngjallemi një ditë me të dashtunit dhe të parët tonë…”

 

E pra, dëshmohet se ishin mbi 50 mijë vetë më 11 nëntor 1990, në qytetin e Shkodrës. U rihapën objektet e kultit, për herë të parë pas vitit 1967, fillimisht për besimtarët e krishterë e mandej edhe për ata të besimit mysliman. Dëshmitarët e kohës gjendjen e përshkruajnë të acaruar, të ashpërsuar, gati për një shpërthim popullor. Por populli, megjithatë, shpërtheu, ishte i pandalshëm. Sado që i marrin në hetursi meshtarët Padër Aleks Bashlin, monsinjor Zef Simonin, Leon Kabashin, Gjergj Vatën e shumë të tjerë, mesha e 4 nëntorit mbahet. Predikimin e mban dom Simon Jubani, përballë regjimit më të tmerrshëm në Europë, ku kishte muze ateist e me ksuhtetutë kishte shpallur ideologji të vetën ateizmin.

Dom Simon Jubani u lind në Shkodër, më 8 mars 1927 nga prindërit Zef e Çile. Këta prindër i dhanë kishës dy meshtarë: Dom Lazër Jubanin, të cilin  e kishin helmuar me arsenik policia sekrete komuniste më 1982, dhe dom Simon Jubanin. I kishte 16 vjet, kur hyri në Shkollën

Apostolike (Kolegjin Saverian) në Shkodër për t’u bë rregulltar jezuit. Ishte marsi i vitit 1946, kur regjimi komunist me tërbim pos shkatërronte gjithçka nga trashëgimia katolike: po mbyllte shkollat katolike tradicionale, prandaj Dom Simonit iu desh që të regjistrohej në gjimnazin shtetëror. Kryen kurs radiologjie, punon në Spitalin ushtarak në Tiranë, punon në radiologjinë e

Sanatoriumit të Shkodrës, angazhohet në sporte, në atletikën e lehtë dhe në futboll në ekipin e Vllaznisë. Kur më 4 maj 1958 shugurohet meshtar nga Imzot Ernest Çoba dhe dërgohet të shërbej në Abacinë e Mirditës, ai do të arrestohet në vitin 1963 dhe vuan 26 vite burg. Dom Simoni karakterizohet si personalitet militant, i guximshëm përballë xhelatëve e spiunëve të sigurimit dhe të burgut tç Burrelit dhe lirohet më 13 prill 1989 bashke me klerikë të tjerë.

Mirëpo, më mirë se çdo shkrim tjetër për të, flet e vërteta personale për jetën e tij në librin e tij “Burgjet e Mia” (Biblioteka Shkodra, 2, Shkodër 2001), ku ai shkruan:

Në moshën 16-vjeçare, i thirrun prej Zotit, hyna në Shkollën Apostolike për t’u ba jezuit. Në marc të vjetës 1946, kur komunistët shqiptarë, nga frika e një përmbysje të shpejtë, suprimuen, sekuestruen e shkatërruen të gjitha shkollat katolike tradicionale, prej të cilave ka mësue me shkrue e me lexue mbarë Kombi, m’u desht mendërrue vend e bankë. U ula, pa dashtë, në bankat e Gjimnazit të Shtetit… Mbas tri vjet vuejtjesh në ushtri, që në kujtesën time mbeten njëlloj të tmerrshme, si ato të burgut, ktheva rishtas në Shkodër, ku u paraqita menjëherë te Imzot Ernest Çoba, të cilit iu luta me më shugurue meshtar. Ipeshkvi shenjt e martir më këshilloj të pres…. Në vjetën 1957- 1958 mora urdhnat e meshtarisë dhe u nisa në Mirditë si famullitar, për të mbajtë gjallë e në kambë fenë dhe kishat e dhetueme nga ateizmi. Tue pasë kenë gjithmonë arrë gungçe, iu kushtova apostullimit të hapun, sepse nuk më ka pëlqye kurrë me luejtë rolet e mbas kuinatve. Por çka më pëlqente mue, nuk i pëlqente komunistëve, të cilët më vunë prangat e më banë me u nisë për një rrugë të gjatë e të mundimshme, tue e lanë Mirditën me katër meshtarë. Në këtë rrugë do të përshkohesha për 26 vjet me radhë, tue lanë kudo gjurmë gjaku…U ktheva përsëri gjallë. Në shtëpinë teme të vjetër, rranzë mureve të Rrëmajit, nën hijen e çinarëve e të selvive. Kjo shtëpi u ba menjëherë Kishë, ashtu si ishin ba edhe banesat e 27 meshtarëve, teprue prej shpatës gjithnjë të mprehun të Enverit…Me 11 nandor… në kapelën e Rrëmajit…në mjedis të terrorit komunist, kur dihej e s’dihej ç’ka po ndodhte e, sidomos, çka mund të ndodhte, kremtova Meshën e dytë publike, mbas asaj të 4 nandorit 1990; këtë herë me një fjalim të mirëpërgatitun, programatik, që thente heshtjen 23 vjeçare të katakombeve…Jam i pari shqiptar i mbas perestrojkës, që asht thirrë në audiencë nga Papa Gjon Pali II. I pari klerik pa kurrfarë gradet, që ftohet dy herë nga administrata amerikane në Washington, një herë nga parlamenti Rus, shumë herë nga Franca, Italia, Belgjika, Gjermania, një herë nga Spanja, Izraeli, Egjipti, Turqia…Më 4 nëntor 1990, gjatë meshës që thente heshtjen 23 vjeçare të katakombeve… Më ka pëlqye gjithmonë apostullimi i rrezikshëm, atje ku ateizmi ka hedhë ma shumë farë të së keqes e ku, si pasojë, ka mbi egërsia, mënia, padija, krimi…Baj pjesë në partinë e të vorfënve, të masakruemve, të viktimave të së djeshmes e të së sotmes. Kam lé shkodranë, po plakem mirditor. Po mundohem të ndërtoj, çka ka shkatërrue e vijon të shkatërrojë klasa politike…Kam krye universitetin e burgut komunist, ku vijova të mësoj çka deshten me më ba me harrue kur më dëbuen prej jezuitëve. Mësova, pra, me folë e me shkrue latinisht, greqisht, italisht, frëngjisht, anglisht… Falënderoj edhe kosovarët, që kanë ardhë me punue në vneshtën e shpartallueme të Krishtit në Shqipni…

Dom Simon Jubani shkoi në amshim më 2 korrik 2011. Me rastin e shkuarjes në amshim, Arqipeshkëvi Metropolitan i Dioqezit Shkodër-Pult Imzot Angjelo Massafra thotë: “Dom Simon Jubani dhe vepra e tij si klerik i kushtuar ndaj Zotit janë shembull për brezat:… Kam humbur një meshtar që ka qenë shembull i devocionit dhe i përkushtimit ndaj Krishtit dhe besimit tek ai. Gjatë vuajtjeve në burgjet e komunizmit tregoi qëndrueshmërinë e tij dhe asnjëherë nuk u përkul. Ai gjithmonë ka punuar nëpër zona të thella malore që ka qenë vështirë të arrish.”

Duhet theksuar se për Dom Simon Jubanin nuk ekziston asgjë tjetër në këtë botë përpos këtyre qëllimeve:

  1. që t’i mbetej besnik Hyjit dhe atdheut të vet,
  2. ai as nën diktaturën komuniste asnjëherë nuk ua ka fshehur as vetes, as njerëzve e as popullit të tij këto vlera të mëdha.

Së këndejmi, diktatura komuniste e Enver Hoxhës i ka humbur betejat me fajin e vet kundruall këtyre vlerave që i kishte Dom Simon Jubani; i ka humbur betejën për ta zhdukur Perëndinë, betejën për të vërtetën që e afirmonte dom Simon Jubani dhe betejën për të vërtetën e atdheut shqiptar, për ta zhdukur identitetin tonë kombëtar. Pleqtë tanë të urtë thoshin: “Goja që rren, të shpërlan por edhe të mbyt.”

Dom Simoni kishte mendjen dhe zemrën në shërbim të Zotit dhe në shërbim të atdheut të tij dhe ky qëllim i lartë jete atë e ka sjellë jo rastësisht në datën 4 nëntor 1990, që ta shërbejë meshën në Shkodër. Vetë ai thoshte:

“Kultura asht njohuni. Kultura e vërtetë buron nga feja. Çdo kulturë e vërtetë, po s’pat për bazë morale fenë, nuk asht kulturë. Por edhe liria ekonomike, po nuk pat bazë morale, nuk asht liri ekonomike. Edhe liritë kulturore nuk janë liri të vërteta nëse nuk kanë bazë morale. E moralin ta mëson feja

Dhe në mbrojtje të këtyre vlerave kulturore e të besimit, ai u shndërrua në simbol  qëndrese dhe simbol të guximit, simbol të mbrojtjes së vlerave fetare e atdhetare dhe, gjithsesi, në simbol universal të mbrojtjes së vlerave të lirive njerëzore. Atë nuk e trembën  burgjet, qelitë as persekutimet, për t’i qëndruar besnik besimit të tij tek Zoti, tek Krishti Mbret dhe tek vlerat universale siç është Liria e, mbi të gjitha, tek vlerat e së vërtetës për vendin e tij, siç është besnikëria e tij e dashurisë ndaj atdheut.

Mesha e kremtuar dhe hapja e kishave shënon edhe hapin e parë drejt Perëndimit. Ajo ditë e 4 nëntorit mbetet datë historike që bëri jehonë kudo në botë. Shkodra rikthen besimin në Zot, besim i mohuar nga diktatura.

Universiteti amerikan i San Franciskos në Kaliforni në vitin 1991 i akordoi diplomën “Doctor Honoris Causa” në shkenca humane me motivacionin: “Protagonist i një epoke të re në Shqipni”.

Gjatë viteve ’90 rikthehet pas shumë dekadash në shërbim në malet e Mirditës. Ndërkaq, në vitet e fundit të jetës së tij, ai shërbeu me besnikëri e i kushtohet me zell të madh në përvujtërinë e rrëfystores së Katedrales së Shkodrës.

Ai mbetet misionar jo vetëm në ruajtjen e vlerave të besimit dhe vlerave të vërteta të atdheut, por edhe misionar i ringjalljes së këtyre vlerave e virtyteve njerëzore. I dashur e i respektuar nga ata që e kanë njohur a që dinë për jetën e tij, për shkak të guximit në mbrojtjen e vlerave të besimit e të lirive njerëzore edhe nën diktaturën komuniste, ai edhe vetë pranon persekutime deri në vetëflijim e vetëmohim nëpër burgjet komuniste. Ai qëndron në Panteonin e Lirisë së Kombit Shqiptar e të vlerave të besimit, siç janë shprehur shumë personalitete kombëtare e botërore.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »