Lumnimi i 38 martirëve Shqiptarë, fara e të krishterëve të rinj

Nov 7 • Kisha ndër Shqiptarë

Prej datës 5 nëntor 2016 janë shënuar zyrtarisht në kalendarin liturgjik të Kishës katolike 38 martirët e rinj të Shqipërisë, që u vranë gjatë regjimit komunist ateist midis viteve 1945 dhe 1976. Në mesin e këtyre martirëve kishte ipeshkvinj, meshtarë, rregulltarë dhe rregulltare, laikë, shkrimtarë, poetë, edukatorë, profesorë… që ishin edukuar nëpër qendrat më të ndritura evropiane edukativo-arsimore.

“Dje në Shkodër të Shqipërisë u lumturuan 38 martirë: dy peshkopë, priftërinj të shumtë, një seminariste e disa laikë, viktima të persekutimit të egër të regjimit ateist, që e dominoi gjatë atë vend shekullin e kaluar. Ata preferuan të vuanin burgun, torturat, e deri edhe vdekjen, vetëm që t’i mbeteshin besnikë Krishtit dhe Kishës. Shembulli i tyre na ndihmoftë të gjejmë te Zoti, forcën që ruan në momentet e vështirësisë e që frymëzon qëndrime mirësie, faljeje dhe paqeje”, tha Papa Françesku sot në lutjen e Engjëllit të Zotit.

Për gjithë Kishën në Europë dhe Kishën në Shqipëri në veçanti, këta martirë të shekullit XX janë një model i besnikërisë ndaj Krishtit dhe Kishës së Tij. Në kohë të vështira që karakterizuan periudhën e komunizmit ateist në Shqipëri, 37 burra dhe një grua besimtare, i qëndruan besnikë Krishtit përballë një regjimi që donte ta përjashtonte fenë nga jeta e qytetarëve. Me dëshminë e tyre të jetës, ipeshkëvi Prennushi me shokë bëri të pamundurën për të mbajtur gjallë besimin e popullit shqiptar duke treguar se si dashuria e Krishtit ishte modeli i dashurisë për atdheun, për dashurinë vëllazërore dhe për veten e tyre.

Dje si sot, Shqipëria është e vendosur në një rajon të kontinentit europian, ku takohen dhe jetojnë së bashku njerëz të cilët dëshmojnë fenë myslimane ose të krishterë që i përket Kishës Ortodokse apo Kishës Katolike. Dëshmia e atyre që e kanë ujitur me gjakun e tyre tokën e Shqipërisë mund të jetë model angazhimi dhe dëshmie sot dhe nesër për gjeneratat e ardhshme për të ndërtuar një Shqipëri që respekton vlerat dhe që fetë e ndryshme të kontribuojnë për të mirën e kombit. Popullin shqiptar e kanë shoqëruar gjatë gjithë shekujve errësira dhe drita. Ai tashmë e ka përvojën e asaj se çfarë do të thotë të jesh i lashtë, të sundosh por edhe të sundohesh nga të huajt. I përjetoi fazat historike të stuhive, sfidave dhe dështimeve të ideologjive të ndryshme. Ai e di se çka do të thotë të jesh i përulur, por dhe të ngritjesh në këmbë, të ngurrosh, por edhe të rifillosh. Shqiptarët e njohin tensionin ndërmjet tërheqjes në vetvete dhe daljes jashtë në jetë. E kanë përvojën e vdekjes dhe ringjalljes. Lumnimi i 38 martirëve në Shqipëri, padyshim është përvojë e re e një ripërtëritje dhe ringjallje shpirtërore për mbarë kombin. Një jetë e re që po fillon edhe për popullin shqiptar është si pranvera që nuk mund të ndalet. Ajo po shpërthen. Martirët e dhanë jetën e tyre duke bërë që ne qysh tani të çohemi nga vdekja në jetë. Kjo do të thotë: të çohemi nga varri i frikës, resignacionit, heqjes dorë, errësirës, depresionit, pengesave, arrogancës dhe bllokimeve të ndryshme. Kjo stinë e re për popullin shqiptar e ripërtëriftë dhe rifreskoftë çdo gjë të ngurtësuar apo të kalbur nga e kaluara, sepse është në natyrën e saj që Ringjallja të ripërtërijë çdo gjë të vjetër dhe të konsumuar në ne.

Të gjithë martirët e lumë shqiptarë, lutuni për ne!

Përgatiti: P. Shtjefën Dodes SJ

[wonderplugin_gallery id=”25″]

Shpërndaje

Comments are closed.

« »