Zoti është i pranishëm në durimin tonë të qetë

Nov 10 • Meditimi i ditës

10 nëntor 2016 – E enjte, Shën Leoni i Madh, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Flm 7-20; Ps 146,6c-10; Lk 17,20-25)

 

Prania e Hyjit

Para se të fillosh tërheqjen tënde shpirtërore, pusho një moment duke i lënë mënjanë shpërqendrimet.

Relaksohu dhe fokusoje mendjen dhe zemrën tënde në praninë e dashur të Zotit,

i cili është me ty ndërsa po nisesh në këtë rrugëtim.

 

Liria

O Zot, Hyj, po të falënderoj për dhuratën e lirisë.

Më ndihmo që këtë dhuratë ta përdori me përgjegjësi. Jam njeri i/e lirë të zgjedh.

Më ndihmo që të zgjedh që të mund të shkoj pas teje,

që të jetoj një jetë të krishterë duke u kujdesur për të tjerët.

Më ndihmo që t`i kujtoj ata që nuk janë të lumtur, ata që janë të nëpërkëmbur;

ata në burg, ata që nuk janë të lirë publikisht ta shprehin besimin e tyre.

Më udhëheq që gjithmonë dhe në gjithçka ta kërkoj vullnetin tënd, në të gjithat që më ndodhë në jetën time.

 

Ndërgjegjësimi

O Zot, ma ke dhënë natën për pushim dhe fjetje.

Në momentet e mia zgjuar kurrë mos e harrofsha mirësinë tënde.

Më mëso që bekimin tënd ta ndaj me të tjerët.

 

Fjala

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Lk 17, 20-25

 

20 I pyetur prej farisenjve: “Kur do të vijë Mbretëria e Hyjit?” ai iu përgjigj:

“Mbretëria e Hyjit nuk vjen në mënyrë të dukshme, 21 as nuk do të mund të thuhet: ‘Qe këtu!’ Ose ‘Qe atje! ‘Porse, ja, Mbretëria e Hyjit është mes jush!”

22 Atëherë u tha nxënësve të vet:

“Do të vijë koha, kur do të dëshironi të shihni një ditë të vetme të Birit të njeriut, por nuk do ta shihni. 23 Do t’ju thonë: ‘Qe, këtu është! Ja, atje!’ Mos shkoni as mos i ndiqni! 24 Sepse, sikurse vetëtima që vetëton në njërin skaj e ndrit deri në skajin tjetër të qiellit, ashtu do të jetë edhe Biri i Njeriut [Ditën e tij]. 25 Por, më parë i duhet të vuajë shumë e të përbuzet prej kësaj breznie.

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Mbretëria e Hyjit” nënkupton praninë, dashurinë dhe mirësinë e Hyjit. Si e kam përjetuar Hyjin në jetën time sot? A jam duke i lejuar Hyjit që të më përshkojë gjithnjë e më shumë? Nëse i lejoj Mbretëria e Zotit do të lulëzojë në zemrën time.
  • Ne shpesh kërkojmë shenja emergjente, të jashtëzakonshme për të qenë të sigurt se Hyji është i pranishëm në situatën tonë momentale. Megjithatë, Hyji shumë më shpesh mund të gjehet në heshtje; në durimin e qetë, gëzimin e qetë, mirësinë dhe dashamirësinë e qetë. O Zot, bëj që të jem i/e qetë në mënyrë që kështu të mund të të gjej

 

Bashkëbisedimi

O Zot i dashur, më ndihmo që çdo ditë

gjithnjë e më shumë të të kërkoj.

Ma mbush zemrën time me dashuri ndaj teje.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe të lutjes sime në bazë të tekstit të Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen

Shpërndaje

Comments are closed.

« »