Jezusi është qëndresa e të krishterëve përballë sprovave të kësaj bote

Nov 12 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela e XXXIII gjatë vitit C

 

Leximi parë Mal 3,19-20

Lexim prej Librit të Malakisë profet

Kështu thotë Zoti: Ja, po vjen dita e ndezur flakë porsi furra! Të gjithë krenarët dhe ata që bëjnë prapësi do të jenë kashtë. Do t’i djegë Dita që po vjen ‑ thotë Zoti i Ushtrive ‑ e s’do t’u lërë as rrënjë as gem!  Kurse për ju që e keni frikën e Emrit tim do t’ju lindë dielli i drejtësisë me rreze shëndetsjellëse e do të dilni e do të kërceni porsi viçat në kullosë!

Fjala e Zotit

 

Psalmi 98 (97)

Ref. Eja, o Zot, për të gjykuar botën.

————————————————

Këndoni Zotit një këngë të re,

sepse bëri vepra të mrekullueshme!

Ngadhënjeu me fuqi të së djathtës së vet,

me fuqi të krahut të vet të shenjtë.

————————————————

Le të buçasë deti me ç‘ ka në të,

rruzulli me banuesit e tij;

lumenjtë le të duartrokasin

e malet le të gërthasin me hare.

————————————————

Le të gërthasin me hare

para Zotit që po vjen për të gjykuar dheun.

Ai do ta gjykojë botën me drejtësi

e popujt me maturi

————————————————

 

Leximi dytë (2 Sel 3,7-12)

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Selanikasve

Vëllezër, ju vetë mirë e dini se e keni për detyrë ta ndiqni shembullin tonë. Ne, kur jetuam ndër ju, nuk jetuam në përtaci: bukën askujt nuk ia lypëm dhuratë, por punuam natë e ditë me mund e lodhje që të mos i bëheshim ndokujt prej jush barrë.  Jo sikur të mos kishim pasur të drejtë në ndihmën tuaj, por vetveten ju dhamë për shembull ‑ që të na përngjani.  Këndej, kur ishim ndër ju, ju patëm dhënë këtë urdhër: “Kush nuk do të punojë, as mos të hajë!”  Tani po dëgjojmë se disa ndër ju jetojnë në papunësi: nuk punojnë asgjë dhe e humbin kot kohën. Të tillëve u urdhërojmë dhe u bëjmë be Zotin Jezu Krisht, le të punojnë në paqe dhe le ta hanë bukën që e fitojnë vetë!

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Rrini zgjuar, sepse nuk e dini se në ç‘ditë do të vijë Zotëria juaj.

Aleluja!

 

Ungjilli (Lk 21,5-19)

Lexim i Ungjillit shenjtë sipas Lukës

Në atë kohë kur disa po flisnin për Tempullin se si është i stolisur me gurë të bukur e me dhurata kushtimore, Jezusi tha:

“Do të vijë dita, kur, ndër të gjitha këto që po shikoni nuk do të mbetet as gur mbi gur pa u rrënuar.”

E pyetën: “Mësues, kur do të ndodhë kjo dhe cila do të jetë shenja se këto po fillojnë të ngjajnë?”

“Ruajuni ‑ iu përgjigj ‑ të mos ju gënjejnë! Sepse shumë do të vijnë në emrin tim e do t’ju thonë: ‘Unë jam!’ dhe: ‘U afrua koha!’ Mos shkoni pas tyre! E kur të dëgjoni të flitet për luftëra e për kryengritje, mos u frikësoni! Sepse të gjitha këto do të ndodhin më parë, por as atëherë nuk është menjëherë mbarimi.”

Atëherë u tha:

“Do të ngrihet një komb kundër një kombi tjetër, një mbretëri kundër një mbretërie tjetër, do të ndodhin tërmete të mëdha, në vende të ndryshme uri e murtaja, do të ngjajnë dukuri të frikshme dhe shenja të mëdha nga qielli.

Mirëpo, para se të ndodhin të gjitha këto, do të vënë dorë në ju e do t’ju salvojnë; do t’ju dorëzojnë në sinagoga e në burgje, do t’ju qesin para mbretërve e para qeveritarëve për shkak të emrit tim.  Kjo do t’ju japë rast të jepni dëshmi.

Mbani mend: s’keni nevojë që më parë ta përgatitni mbrojtjen tuaj, sepse unë do t’ju jap zotësinë e fjalës dhe urtinë, të cilën s’do të mund ta kundërshtojë as t’i bëjë ballë asnjë nga kundërshtarët tuaj.  Do t’ju padisin madje edhe prindërit, vëllezërit, farefisi e miqtë dhe disa prej jush do t’i vrasin.

Të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim. Porse, as një fije floku s’do t’ju bjerë prej kresë! Me qendresën tuaj do ta shpëtoni jetën tuaj.”

Fjala e Zotit

 

POROSIA

Njeriu në vetvete është kurreshtar për të pyetur me qëllim për të kap dije sa më shumë. Dituria s’ka të bëjë vetëm për gjërat e përditshme, ato të zakonshmet që shihen, por edhe ato të “lartat” që vazhdimisht e prekin kurreshtjen e njeriut, e që, në fakt, nuk do të mund të arrij t’i kap asnjëherë në plotni.

Pyetjet janë gjithnjë: Kur, pse, si, çka….?

Në veçanti atëherë kur jemi të sporvuar nga ngjarjet e ndryshme, sikurse janë luftrat dhe momentet e ndonjë vështirësie natyrore, sëmundjes, apo pritjes për një rezultat konkret; jemi të interesuar të dimë kur do të përfundojnë, si do të jetë gjendja, çka do të ndodhë e kështu me radhë.

Në leximin e parë të Malakisë profet, kthimi nga Babilonia, kishte lënë pasoja robërie te populli i zgjedhur; kjo si duket kishte krijuar një situatë të palakmueshme. Ata çuditëshin se si Zoti nuk i shpërblem për vuajtjet që kishin pësuar edhe më tepër për besnikërinë e tyre që kishin ndaj Tij! Ishte rrezik që këta që prisnin shpërblimin të bashkëpunojnë me pagan dhe t‘u nënshtroheshin dokeve të tyre, por Malakia i ngushëllon dhe ju thotë:  “Ja, po vjen dita e ndezur flakë porsi furra!  Flaka luan rol të rëndësishëm në përshkrimet e profetëve për Diten e Zotit, është mjet gjykimi. Të drejtet do të jenë shpirtërisht të pastruar, ndërsa mëkataret  do të digjen si kashta. Ata që kanë frikën e Zotit, do t‘u lind diell i drejtësisë, që do të thotë burim jete, gëzimi, lumturie, ngrohtësie.

Shën Pali tërheq vërejtjen Kishes së Selanikut dhe i këshillon të mos jenë përtac, kinse duke e pritur diten e Zotit. Në atë kohë mendohej se së shpejti do të jetë përfundimi i botës, prandaj nuk duhet të punohet. Shën Pali del kundër këtij mendimi dhe i thërret besimtarët e vetë që të punojnë, mos ta vrasin kohën kot.

Si shembull për këtë e merr veteveten. Edhe pse ai kishte të drejtë të jetë i ndihmuar nga besimtarët, nuk merrte nga ata, por vet fitonte me punë që mos t‘i bëhe kujt barr.

Njëjtë vlen edhe për ne. Nëse duam të realizojmë thirrjen tonë në atë pozitë që jemi duhet të punojmë dhe kjo arrihet vetëm nëpërmes punës, e cila na shenjtëron dhe aftëson të jemi më të mirë në përditshmëri. Kur nuk punon dhe humb kot kohën atëherë vijnë mendime, vijnë vepra, e sjellje të këqija që prishin jetën tonë dhe shkëpusim marrëdhëniet tona me Zotin.

Luka në Ungjillin e sotshëm na paraqet një fragement nga koha e Jezusit kur shumë njerëz mburreshin me Tempullin e Jerusalemit. Ishte ky një Tempull që dominonte dhe tërhiqte shumë njerëz, ishte krenaria e popullit, mburrja e tyre.

Por Jezusi qorton që mos ta mbështesim të ardhmen  e tyre në gurë e stolisje që bëhen prej dorës së njeriut, sepse ato nuk do të qëndrojnë gjatë; ato rrënohen e nuk do të jenë më.

Më mirë është të ndertohet jeta shpirtërore, tempulli shpirtëror, jeta me Zotin, që ka vlerë, ka bazë, ka ardhmëri të përhershme në Zotin. Për këtë arsye Jezusi ju thotë që të kenë kujdes nga profetë të rrejshëm, që do vijnë e do të thonë ‘unë jam’  dhe ‘erdhi koha’, e këta jo vetm se do të shkaktojnë krizen e fesë, por tek shumë prej tyre do të shkatërrojnë të mirën e fesë, do të përçudnojnë atë. Jezusi na thotë mos të shkojmë pas tyre, të besojmë në Zotin e vërtetë dhe të jemi të drejtë në veprime në jetën e përditshme.

Jezusi paralajmëron kohra të vështira: “Do të ngrihet një komb kundër një kombi tjetër, një mbretëri kundër një mbretërie tjetër, do të ndodhin tërmete të mëdha, në vende të ndryshme uri e murtaja, do të ngjajnë dukuri të frikshme dhe shenja të mëdha nga qielli.“

Krahas të gjitha vështirësive që mund të ndodhë Zoti nuk hjek dorë nga ne. Ai na këshilllon, Ai na forcon dhe ndihmon që të ngadhënjejmë. Krejt këto që mund të ndodhin na japin rast që të japim dëshmi: “Me qendresën tuaj do ta shpëtoni jetën tuaj.”

Fjalët e Jezusi në Ungjillin e sotëm sipas Lukës, reflektojnë optimizëm. Sepse besimtarët ngadhënjejnë në saje të qëndrueshmerisë në të Vërtetën. Jezusi nuk na ngushëllon me premtime që neve njerëzve do të na kujtojnë gjatë  dhe do të na bartin në zemër, skurse bëjnë njerëzit në botë, por Jezusi ngjallë shpresen në jetën e pasosur.

Mund të pyesim si do të vijë Dita e Zotit që e permend Ungjilli? Këtë nuk mund ta dimë ne, e di vetëm Ati qiellor, por e dimë që vjen papritur, sikurse vjedhësi. Për këtë duhet të jemi gjithmonë të përgatitur.

Koha mesianike, që quhet në terminologji kishtare, është qielli i ri dhe toka e re, zemra e re dhe shpirti i ri. Për këtë ne lutemi bashkë me Kishën: Maranatha, që do të thotë Eja o Zot Jezus.

Ne duhet të kuptojmë një gjë, jeta kalon sikurse po kalon edhe dita, java, muaji, viti, por të gjitha këto kalime duhet të na vetëdijesojnë që jemi sikurse para një provimi që duhet ta kryejmë. Jemi para provimit të matures, që të diplomohemi dhe kështu të arrijmë suksesin e dëshiruar. Ky sukses është jeta me Zotin tani dhe në amshim.

Pra, lutemi së bashku: eja o Zot na mbush me shpresë dhe gëzim, eja na mbaj në dashurinë tënde, eja dhe na ndihmo që të përparojmë në vepra të mira. Eja dhe qendro me ne, që një ditë të gjendemi në të djathten e Atit. Amen.

 

LUTJET E BESIMTARËVE

Vëllezër dhe motra, t‘ ia dejtojmë lutjet tona Hyjit, Atë që me ndihmën e vet të na jep fuqi t‘i qendrojmë besnik në jetë. Të themi së bashku:

Na ndihmo, o Zot, Hyj!

  • Ndihmoje Kishën tënde udhëtare mbi tokë, forcoje në fe, papën tonë Françeskun, ipeshkëvijt tanë, meshtarët, rregulltaret, bëj që të jenë prania jote e gjallë në tokë, të lutemi:
  • Për të gjithë ata që janë në vështirësi të ndryshme të jetës, për të sëmurë, të braktisur, në rreziqe të ndryshme të luftrave dhe kërcenimeve, bëj që të qëndrojnë besnik në sproven e jetës, të lutemi:
  • Për të gjithë përgjegjësit e shteteve dhe institucioneve, që me gatishmëri, dashuri dhe vullnet të mirë të angazhohen për të mirën e përbashkët, të lutemi:
  • Për ne këtu të pranishëm, që të ndertohemi shtëpi e gjallë në vepra dhe jetë të ndershme dhe kështu të dallohemi si bijë dhe bija tua, si vëllezër dhe motra në mes vete, të lutemi:
  • Për të gjithë prindërit, vëllazërit dhe motrat tona që kanë kaluar nga kjo botë, bëj që të jetojnë në bashkësinë e shenjtërve në jeten e pasosur, të lutemi:

Pranoj, o Zot Hy, lutjet tona për dashuri që ke ndaj nesh, Ti që jeton  e mbretëron në shekujt e shekujve. Amen!

 

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »