Presidenti Nishani dekoron 38 Martirët e Kishës Katolike me dekoratën e “Flamurit Kombëtar”:  Kisha Katolike nuk ka zhgënjyer kurrë!  

Nov 12 • Kisha ndër Shqiptarë

 

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani vlerësoi me një ceremoni solemne 38 Martirët e Kishës Katolike shqiptare, të cilët u lumnuan pak ditë më parë nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku.

Në fjalën e Tij para të ftuarve sonte në Pallatin e Brigadave ku ishin të pranishëm autoritetet më të larta të shtetit, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, Kryetari i Opozitës, Lulzim Basha, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, familjarët e 38 Martirëve, Ambasadorë dhe përfaqësues të Trupit Diplomatik të akredituar nëvendin tonë, klerikë dhe drejtues të Kishës Katolike shqiptare, përfaqësues të bashkësive fetare, etj., Presidenti Nishani u shpreh: “Pranimi me përunjësi i krimeve, jo i gabimeve, siç mund t’i quajë ndokush me dinakëri apo mendjelehtësi – dhe këtë e theksoj fort duke ju shikuar të gjithëve në sy, – të regjimit komunist, pendesa e vërtetë dhe kokëulur, por mbi të gjitha, kërkesa e sinqertë për falje, drejtuar para të gjithëve familjarëve të viktimave të pafajshme për ato krime që janë kryer në ‘emër të popullit’, na ndihmon të gjithë si shoqëri shqiptare të shtrëngojmë radhët vëllazërisht e të ecim përpara pa pasur kurrë më frikë nga fantazmat e së kaluarës së errët diktatoriale.

Në cilësinë e Kryetarit të Shtetit e ndiej të domosdoshme, sepse në radhë të parë ma kërkon ndërgjegjja ime si qytetar, që me shumë përunjësi, t’u kërkoj një falje të sinqertë, në emër të shtetit që më ka zgjedhur të shërbej e të jem me devotshmëri simboli i unitetit të popullit: familjarëve dhe pasardhësve të viktimave të panumërta të diktaturës komuniste, edhe atyre që ende nuk u janë gjetur as eshtrat, t’i kërkoj falje edhe Kishës Katolike shqiptare, por edhe kujdo tjetër, që u prek deri në palcë nga djepi e deri në varr, që u vra pafajësisht, u përndoq deri në tri breza, u internua padrejtësisht, që u dëmtua fizikisht, materialisht, por më tepër shpirtërisht, që u cenua rëndë në dinjitetin e vet njerëzor dhe që u privua nga të drejtat thelbësore dhe universale të njeriut, dhe që ndoshta vazhdon ende sot e kësaj dite të vuajë pasojat e tmerrshme e gati-gati të pariparueshme të atyre krimeve makabre, të cilave iu vesh përsipër padrejtësisht petku se po kryheshin në emër të shtetit dhe të ashquajturës ‘luftë klasash!’

Shteti shqiptar sot, ju kërkon sinqerisht dhe përunjësisht: Ndjesë! Ju kërkon falje dhe ju shpreh pendesë!”

Me  Dekoratën e lartë të “Flamurit Kombëtar” u çmuan nga Kreu i Shtetit shqiptar: “Imzot Vinçenc Prennushi, OFM; Imzot Frano Gjini; Imzot Jul Bonati; Atë Mati Prendushi, OFM; Atë Serafin Koda, OFM; Atë Karl Serreqi, OFM; Atë Gjon Shllaku, OFM; Atë Gaspër Sumës, OFM; Atë Çiprian Nikaj, OFM; Atë Giovanni Fausti, SJ; Atë Bernardin Palaj, OFM; Atë Daniel Dajani, SJ; Dom Alfons Tracki; Dom Anton Muzaj; Dom Anton Zogaj; Dom Dedë Malaj; Dom Dedë Plani; Dom Dedë Maçaj; Dom Ejëll Deda; Dom Jak Bushati; Dom Lazër Shantoja; Dom Lekë Sirdani; Dom Luigj Prendushi; Dom Mark Xhani; Dom Mikel Beltoja; Dom Ndre Zadeja; Dom Pjetër Çuni; Dom Shtjefën Kurti; Dom Marin Shkurti; Dom Ndoc Suma; Dom Josef Markseni; Dom Josif Papamihali; Vëlla Gjon Pantalia, SJ; Marije Nikollë Tuci; Fran Mirakaj; Gjelosh Lulashi; Mark Çuni; Qerim Sadiku.”

Fjala e plotë e Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani në ceremoninë e dekorimit të 38 Martirëve të Kishës Katolike shqiptare:

“Kisha Katolike dhe klerikët e saj të rrënjosur në këtë tokë prej dhjetëra shekujsh janë kudo në indet e këtij kombi qysh në ngjizjen e tij. Historia e këtij institucioni milenar në Shqipëri është sa histori ngadhnjimi, po aq edhe martirizimi, sa histori besimi, po aq edhe patriotizmi, sa histori fetare, aq edhe kulture, sa histori meshe, po aq edhe histori shkrimi, sa histori katoliçizmi, aq edhe harmonie e bashkëjetese, sa histori shqiptare, po aq edhe evropiane e universale. Ajo është një trashëgimi e lavdishme e Shqipërisë, një realitet i vyer i saj.

Koha, ngjarjet, pushtimet, ideologjitë nuk e kanë kursyer së vëni në provë të rëndë, në provë ekzistence me mjetet e dhunës antike e ato të tiranisë moderne. Kjo Kishë, rregulltarët dhe besimtarët e saj nuk kanë zhgënjyer kurrë. Ata e kanë shprehur shumë herë të vërteten e tyre me martirizim duke ndezur dritën e Zotit, atë të gjuhës dhe kulturës shqiptare, të vetë idesë kombëtare sa herë ajo shuhej, duke mos iu frikur vdekjes aq sa ofronin jetën e tyre si dëshminë më të epërme të shpirtit dhe lirisë.

Nga Pal Engjëlli i Skënderbeut deri tek Hirësia e Tij Kardinal Ernest Troshani, lista është e gjatë, e gdhendur librave, mungadave, kuvendeve, betejave për pavarësi dhe shtetformim, hetuesive, gjyqeve dhe plojës së Komunizmit, por mbi të gjitha në vetë kujtesën e kombit mbi të cilën mbahet thagma shqiptare. E thënë me fjalët e Atë Gjergj Fishtës ajo rri si përmendore që nuk e dërrmon as rrufeja e as moti. Tridhjetë e tetë të kësaj liste, të cilët gjithë jetën kishin jetuar dhe ushtruar vokacionin e tyre brenda formulës së shenjtë ‘Atdhe e fe’ teksa ndaheshin nga jeta tokësore pyesnin ‘Çfarë duhej të bënim më tepër për të qenë shqiptarë?!’ Pasi kishin qëndruar heroikisht përballë torturave dhe vendimit që i denonte me vdekje, iknin këso bote në sintoni me mësimet e shenjta duke falur ekzekutorët e tyre duke lënë mbi dhé amanetin e fundit ‘Rrnoftë Shqipnia edhe pa ne’. Nuk është e lehtë t’i përkufizosh e t’i ndash veç e veç, por mund të themi se ishin klerikë e intelektualë, mendimtarë e shkrimtarë të shquar të këtij vendi, pjesëmarrës vendimtarë në të gjitha ngjarjet e rëndësishme të Shqipërisë duke filluar me Rilindjen Kombëtare, për të vazhduar me konsolidimin e shtetit të pavarur pas vitit 1912 dhe institucioneve akademike e pedagogjike. Duhet thënë se brenda këtij grupimi rri edhe redaksia e revistës ‘Hylli i Dritës’.

Ata qysh në vitet ’30-të paralajmëruan rrezikun që do të sillte bolshevizmi në Shqipëri. Po, të parët u përballen me hakmarrjen e tij duke krijuar modelin e qëndresës, të përballjes dhe të triumfit të njeriut të lirë ndaj tiranisë ideologjike që i kishte shpallur luftë Zotit dhe bijve të tij. Shkuan të vetëdijshëm drejt martirizimit, drejt qiellit. Me gjakun e tyre u shkrua himni i lirisë dhe demokracisë shqiptare. Papa Françesku, ky mik i madh i vendit tonë i shpalli ata të lumë duke i bërë pjesë së historisë së përbotshme e duke emancipuar kësisoj qëndrimin tonë mbi historinë kombëtare, duke na ftuar të ndahemi nga dogmat totalitare, duke na ftuar të refuzojmë versionet ideologjike që tentojnë të relativizojnë krimet makabre të diktaturës. Ata s’kanë nevojë për asgjë. Ndërgjegjia jonë ka nevojë për ta. Kjo ndërgjegje ka nevojë të kërkojë falje, ka nevojë të identifikohet me ta, ka nevojë t’i nderojë ata, ka nevojë t’u rrëfejë fëmijëve për ta, ka nevojë t’i përcjellë nga e ardhmja brez pas brezi.

Të dashur bashkëqytetarë!

Pranimi me përunjësi i krimeve, jo i gabimeve, siç mund t’i quajë ndokush me dinakëri apo mendjelehtësi – dhe këtë e theksoj fort duke ju shikuar të gjithëve në sy, – të regjimit komunist, pendesa e vërtetë dhe kokëulur, por mbi të gjitha, kërkesa e sinqertë për falje, drejtuar para të gjithëve familjarëve të viktimave të pafajshme për ato krime që janë kryer në ‘emër të popullit’, na ndihmon të gjithë si shoqëri shqiptare të shtrëngojmë radhët vëllazërisht e të ecim përpara pa pasur kurrë më frikë nga fantazmat e së kaluarës së errët diktatoriale.

Prandaj, në cilësinë e Kryetarit të Shtetit e ndiej të domosdoshme, sepse në radhë të parë ma kërkon ndërgjegjja ime si qytetar, që me shumë përunjësi, t’u kërkoj një falje të sinqertë, në emër të shtetit që më ka zgjedhur të shërbej e të jem me devotshmëri simboli i unitetit të popullit: familjarëve dhe pasardhësve të viktimave të panumërta të diktaturës komuniste, edhe atyre që ende nuk u janë gjetur as eshtrat, t’i kërkoj falje edhe Kishës Katolike shqiptare, por edhe kujdo tjetër, që u prek deri në palcë nga djepi e deri në varr, që u vra pafajësisht, u përndoq deri në tri breza, u internua padrejtësisht, që u dëmtua fizikisht, materialisht, por më tepër shpirtërisht, që u cenua rëndë në dinjitetin e vet njerëzor dhe që u privua nga të drejtat thelbësore dhe universale të njeriut, dhe që ndoshta vazhdon ende sot e kësaj dite të vuajë pasojat e tmerrshme e gati-gati të pariparueshme të atyre krimeve makabre, të cilave iu vesh përsipër padrejtësisht petku se po kryheshin në emër të shtetit dhe të ashquajturës ‘luftë klasash!’

Shteti shqiptar sot, ju kërkon sinqerisht dhe përunjësisht: Ndjesë!

Ju kërkon falje dhe ju shpreh pendesë!

Të nderuar të pranishëm!

Sonte nga kjo sallë historike le t’i shqiptojmë emrat e tyre një nga një duke u përkulur me mirënjohje të thellë e përunjësi para kujtimit të tyre: Imzot Vinçenc Prennushi, OFM; Imzot Frano Gjini; Imzot Jul Bonati; Atë Mati Prendushi, OFM; Atë Serafin Koda, OFM; Atë Karl Serreqi, OFM; Atë Gjon Shllaku, OFM; Atë Gaspër Sumës, OFM; Atë Çiprian Nikaj, OFM; Atë Giovanni Fausti, SJ; Atë Bernardin Palaj, OFM; Atë Daniel Dajani, SJ; Dom Alfons Tracki; Dom Anton Muzaj; Dom Anton Zogaj; Dom Dedë Malaj; Dom Dedë Plani; Dom Dedë Maçaj; Dom Ejëll Deda; Dom Jak Bushati; Dom Lazër Shantoja; Dom Lekë Sirdani; Dom Luigj Prendushi; Dom Mark Xhani; Dom Mikel Beltoja; Dom Ndre Zadeja; Dom Pjetër Çuni; Dom Shtjefën Kurti; Dom Marin Shkurti; Dom Ndoc Suma; Dom Josef Markseni; Dom Josif Papamihali; Vëlla Gjon Pantalia, SJ; Marije Nikollë Tuci; Fran Mirakaj; Gjelosh Lulashi; Mark Çuni; Qerim Sadiku.

Të dashur miq,

Sonte jemi mbledhur në këtë ceremoni disi të vonuar solemne jo për t’u dhënë 38 Martirëve të Kishës katolike dhe të popullit shqiptar, atë çfarë u takon. Ata janë vetëdekoruar në altarin e sacrificës sublime. Në fakt lavdia e tyre s’ka nevojë për asgjë teksa dinjiteti ynë dhe standardet etike kanë nevojë për të. Më shoqëron një brengë teksa komunikoj me ju, sepse edhe në këtë moment që flasim shteti shqiptar nuk ka gjetur ende udhën të shfuqizohen të gjitha aktet e fajësisë politike me, të cilat gjykonte padrejtësia e diktaturës dhe t’i shpallë ata pafajshëm.

Sigurisht tejet më të lehtësuar e ballëlartë do të ndihemi nëse një proces sa moral e aq gjyqësor do të funksionojë për të gjykuar xhelatët e tyre si një tentim për të rikthyer të drejtën mes nesh. Fatkeqësisht sado të çmeritur, shumë prej nesh jemi dëshmitarë të rikthimit të nostalgjive enveriste dhe të krenarisë kriminale për figurat e regjimit që u përmbys në vitin 1990.

Paradoksalisht vjet ndodhi më e padëshirueshmja gjë. U vlerësuan me medalje shumë prej veglave më kriminale të diktaturës, njëri prej tyre ishte edhe hetuesi i At Zef Pllumit dhe Sami Repishtit. Deri këtu s’duhej të arrinim! Dukuria e estetizmit të krimit me emra tingëllues si ‘bunk art’ apo ‘shtëpi me gjethe’ po shndërrohet në një tendencë preokupuese ndërkohe që asnjë burg famëkeq apo kamp internimi nuk është pjesë e planeve muzeale të kujtesës. Tendenca e shndërrimit të historisë në legjendë popullore ka për qëllim manipulimin dhe relativizmin e krimit. Martirët mund të na falin shumëçka, por nuk do të na e falin kurrë harresën dhe fshehjen e së keqes, së cilës iu kundërvunë me çmimin e jetës. Në vend të banaliteteve të realizmit socialist fëmijët tanë duhet të nxënë librat e tyre të dijes e të memories. Ata duhet të zënë vend në kurrikulat shkollore.

Dua të flas hapur me ju! Presidenti i Republikes nuk disponon asnjë mundësi ligjore veç aktit të faljes kur në fakt shpresojmë që ata që u martirizuan të na falin ne, dhe jo e kundërta. Ndaj propozoj sonte që Parlamenti shqiptar të hartojë një ligj të posaçëm për Gjykatën Speciale, duke ngarkuar Ministrinë e Drejtësisë, të iniciojë procesin e vonuar, por të domosdoshëm të rigjykimit me kërkesë dhënien e pafajësisë duke fillur me 38 Martirët si një masë e domosdoshme si dallim esencial të lirisë nga tirania, si reflektim i shoqërisë mbi të mirën dhe të keqen, si ndarje e saj me të kaluarën duke shëruar plagët e saj. Le të ushtrojmë për këtë qëllim të shenjtë çdo të drejtë qytetare që na jep Kushtetuta e vendit.

Të nderuar klerikë, të nderuar ambasadorë, të nderuar të pranishëm!

Ndihem i privilegjuar që më takoi mua si President i Republikës që t’i atashoj kujtimit të 38 Martirëve më të lartin Urdhër shtetëror, atë të Flamurit Kombëtar, për të cilin ata dhanë jetën. Ata pyesnin çfarë duhet të bëjmë më tepër për të qenë shqiptarë? Ne iu themi sonte çfarë duhet të bëjmë më tepër për t’ju merituar, për të marrë faljen dhe bekimin tuaj? Falë burrave si ju, iu drejtohem pikërisht Martirve se besoj në jetën e tyre të përtejme, mund të përsërisim moton: ‘Ti Shqipëri na jep nder, na jep emrin shqiptar.’

Ju qoftë e lehtë lëndina nën hijen e Flamurit Kombëtar!

Ju faleminderit!”

(Nga faqja zyrtare e Presidencës së Shqipërisë: http://president.al/?p=37388)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »