Katedralja Nënë Tereza: 38 trandofila për martirët shqiptarë dhe emnimi i monsinjorit të ri

Nov 15 • Kisha në Kosovë

Kisha Katolike në Kosovë kremtoi Meshën e falënderimit ndaj Hyjit për dhuratën e jashtëzakonshme e tejet të çmueshme të Lumnimit të 38 Martirëve të Kishës katolike shqiptare.

Delegati Apostolik për Kosovë, Imzot Juliusz Januzs, i ftuar nga ipeshkvi i vendit, Imzot Dodë Gjergji, kremtoi së bashku Meshën solemne të falënderimit, të shtunën e kaluar (12 nëntor 2016) në Katedralen e Prishtinës,  gjatë së cilës nderoi Vikarin e Përgjithshëm të Kishës së Kosovës, dom Lush Gjergji, me titullin Kapelan i Shenjtërisë së Tij Papa Françeskut, duke i dorëzuar titullin e Monsinjorit.  

 

Pas kremtimit në Shqipëri, edhe në Kosovë të dielën që kaloi në të gjitha famullitë kishtare të Kosovës, u kremtuan Meshë falënderim për Lumnimin e 38 martirëve shqiptarë të shpallur zyrtarisht nga Kisha katolike, me vendimin e Papës Françesku, të shtunën më 5 nëntor 2016. Për ta madhëruar këtë të kremte, në Prishtinë erdhi Delegati Apostolik për Kosovën, Nunci Apostolik  Imzot Juliusz Januzs. 

Imzot Januzs,  udhëhoqi kremtimin Eukaristik në Kishën Katedrale “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë, në bashkëmeshim me Imzot Dodë Gjergjin dhe një numër meshtarësh. Ai veç tjerash foli për vuajtjet e popullit  shqiptar në  kohën e komunizmit dhe ateizmit neë Shqipëri, përfshirë edhe martirizimin e klerikëve dhe të qytetarëve tjerë. Me pas përmendi ardhjen  e demokracisë e ringjalljen e Kishës atje dhe shpërblimet që Zoti i dha Kishës Katolike me në krye me Papa Françeskun, në këtë Vit të Mëshirës Hyjnore, në mënyrë të veçantë dhuratat që mori populli shqiptar në përgjithësi.  E kam fjalën këtu, tha ai për Shenjtërimin e Nënës Terezë, Lumninin  e 38 Martirëve, shpalljen Kardinal të priftit Dom Ernest Troshanit dhe se fundmi në ketë Meshë solemne, Vikarin e Përgjithshëm të Kishës së Kosovës, Dom Lush Gjergjin, po e shpallim Kapelan  të Shenjtërisë së Tij, Papa Françeskut, i cili zyrtarisht i ka dhënë  atij titullin Monsinjor dhe tani e tutje siç tha, Monsinjori ri Lush Gjergji i përket Familjes Papnore. 

“Dëshirojmë t’i  njohim meritat e tij që i ka fituar duke i shërbyer Kishës dhe shoqërisë së Kosovës. Janë të njohura veprat e tij në fushën shoqërore, kontributin për civilizimin e këtyre trevave dhe për kultivimin e krishterimit në Ballkan. E keni njohur Krishtin si Zot dhe drejtues. Ju besoni në forcën e Krishtit të ringjallur që është bërë njeri dhe e ka shpëtuar njerëzimin” tha Delegati Apostolik. 

Ju monsinojor Lush, vazhdoi ai, jeni formuar në shkollën e Nënë Terezës, të Papa Gjon Palit te Dytë, e të Martirëve Shqiptarë, viktima të komunizmit e ateizmit. Urimet, pra më të mira  për ju që të keni mundësinë të qëndroni gjithmonë besnik mësuesit tuaj Jezu Krishtit, Birit të Zotit që është i pasur me mëshirë, tha Imzot Juliusz Januzs, duke dhënë porosinë e tij: “Me këtë fe dëshirojmë të ndërtojmë shoqërinë, familjen, të formojmë gjenerata të  reja për ti ruajtur ata nga ateizmi e liberalizmi i egër prej disa forcave të botës  që dëshirojnë të na  imponojnë. Nëse burokratet e pushtetit dëshirojnë të jetojnë pa Zot, ne i lëmë ata të lirë, por mos te jene ata ti  imponojnë idetë e tyre si bie fjala për eutanazinë, abortin etj. Feja nuk eshët siç mendojnë disa, çështje apo pune private, por ëshët një bindje qe përcakton stilin e jetës dhe të moralit të secilit”, përfundoi fjalën e tij, Imzot Juliuz Januzs.

Tashmë Monsinjor Lush Gjergji, duke u falënderuar, me thjeshtësinë e tij, tha: “Këtë titull nuk e kam kërkuar, e as që e meritoj,  sepse  unë jam i lumtur ta shërbej Zotin, Kishën Katolike dhe popullin tim.  E, dhurata me e madhe për mua është të besoj dhe të jetoj me Krishtin dhe për Krishtin duke u munduar që këtë besim të përkushtuar t’ua dhuroj edhe të tjerëve” tha Imzot Lush Gjergji.  Ai nënvizoi se me Shenjtërimin e Nënës Terezë, bota mbarë gjenë një model apo një Ungjill të gjallë, që do të thotë të besosh  e të jetosh me Zotin e për Zotin dhe me njeriun, e për njeriun.  “E kam thënë sa herë, se Krishti shikon shumë më larg, më mirë, më thellë, e më vërtetësisht dhe kjo u dëshmua edhe me Lumnimin e 38 martirëve. Ndërsa,  Shenjtorja jone, Nëna  Terezë me se miri e ka dëshmuar se çka do të thotë  vuajtja e motivuar dhe e dhuruar.  Ajo ka vuajt me trup e shpirt, personalisht e familjarisht, me Kishën tonë dhe popullin tonë, ajo ka vuajt me popullin mbarë, sepse ajo preku,  dëgjoi e vrojtoi si askush tjetër. Ajo gjithçka bëri për Krishtin dhe me Krishtin, dhe të çdo njeri e ka njohur,  e ka dashur dhe e ka shërbyer Krishtin, Shëlbuesin tone” theksoi Mons. Lush Gjergji. Prandaj, vazhdoi ai,  mos te vuajmë kot, mos të vuajmë keq e të pamotivuar.  Nëse duam të vuajmë, të vuajmë në përngjasim të Krishtit, Shëlbuesit tonë, të Shën Terezës tonë, të Martirëve tanë.  E thash edhe njëherë, se Zoti na e ka dhënë  përgjigjen, na i ka  dhënë vuajtjet, e lotët, ndërsa gjakun tonë e ka pranuar e  shpërblyer  dhe prej tash do të jetë amshimi i lumtur.

Më pas, afër elterit te reliktet e martirëve, u formua një tufë e madhe lulesh të freskëta, që u  vendosën 38 trëndafila nga besimtarët me prani të Imzot Juliusz Januzs e Imzot Dodë Gjergji dhe e gjithë kjo shoqërohej me lutje e këngë nga kori i kishës dhe numri i madh i besimtarëve. 

Teksti: Rabie Ibraj – RV

Fotografitë: Besim Ndau  

[wonderplugin_gallery id=”27″]

Comments are closed.

« »