Si sillem me momentet e papritura të jetës?

Nov 15 • Meditimi i ditës

15 nëntor 2016 – E marte,  MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Zb 3,1-6.14-22; Ps 15,2-5; Lk 19,1-10)

 

Prania e Hyjit

Duke filluar këtë tërheqje të shkurtër shpirtërore pusho një moment duke i lënë anash shpërqendrimet, brengat vetjake.

Merr frymë mirë, thellë dhe njihe se je në praninë e dashur të Zotit.

 

Liria

Në realizimin e lirisë së brendshme më së shpeshti më bllokon prirja ime
që të lejoj të robërohem me frikën dhe pritjet se çfarë nevojitet apo çfarë do të duhej të jem.
Reagimet e mia të zakonshme më pengojnë që t`i kërkoj fusha të ndryshme të zhvillimit dhe të pjekurisë sime në vazhdim e sipër.
Do të lus për një ndjenjë më të lartë të lirisë së brendshme
dhe që të mund të arrij diçka të re prej asaj çfarë Hyji kërkon prej meje.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Hyjit që më do
e vështroj gjithë atë që më ka ndodhur ditën e kaluar,
prej këtij momenti në mënyrë retroaktive, hap për hap.
E kujtoj gjithë atë që ka qenë e mirë dhe e bukur, dhe falënderoj për këtë.
I vërej edhe hijet (gabimet) dhe pyes se çfarë më flasin; lus për shërim, guxim, falje.

 

Fjala

Kaloje këtë kohë duke e përqendruar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 

Lk 19,1-10

 

1 Jezusi hyri në Jeriho dhe po kalonte nëpër qytet.

2 Dhe, ja, një njeri që quhej Zake. Ky ishte kryetagrambledhës dhe pasanik. 3 Dëshironte të shihte kush është Jezusi, por nuk mundte prej popullit, sepse ishte me shtat i vogël. 4 U lëshua vrap përpara, shkoi e hipi në një fik për ta parë sepse andej do të kalonte.

5 Kur Jezusi erdhi në atë vend, shikoi përpjetë dhe i tha: “Zake, zbrit shpejt! Sot do të vij të rri në shtëpinë tënde!” 6 Ai zbriti me nxitim dhe e pranoi plot gëzim. 7 Të gjithë ata që panë, filluan të murmurisin:

“Ktheu të rrijë te një mëkatar!”

8 Zakeu u ngrit në këmbë dhe i tha Zotërisë:

“Ja, Zotëri, gjysmën e pasurisë po ua jap skamnorëve, e, nëse ia kam bërë ndokujt ndonjë të padrejtë, ia kthej katërfish!”

9 Atëherë Jezusi i tha:

“Sot i erdhi kësaj shtëpie shëlbimi, sepse edhe ky është bir i Abrahamit! 10 Pai, Biri i njeriut erdhi ta kërkojë e ta shëlbojë atë që pati humbur.”

 

Çka dëshiron të më thuash, Zotëri? 

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezusi po kalonte nëpër qytetin e Jerihoni Dukej sikur ai s`kishte ndërmend të qëndronte aty. Megjithatë, e ndryshoi planin e vet dhe u kthye për të qenë mysafir te Zakeu. O Zot, më mëso të mos jem i/e ngurtë si druri apo si guri, por t’iu përgjigjem momenteve të papritura të hirit.
  • O Zot, bëj ta dëgjoj sesi më flet: “Sot do të vij të rri në shtëpinë tënde!” Eja e rri, të lutem, çdo ditë! Përndryshe, jam i/e humbur.

 

Bashkëbisedimi

Zot i dashur, të faleminderit që më do dhe që më fton në një marrëdhënie gjithnjë e më të thellë me ty.

Dashuria ima u përhaptë dhe i prektë të tjerët.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe të lutjes sime mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »