A rrezikoj për Hyjin?

Nov 16 • Meditimi i ditës

16 nëntor 2016 – E mërkure, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Zb 4,1-11; Ps 150,1-6; Lk 19,11-28)

 

Prania e Hyjit

Për të përgatitur veten për këtë kohë të çmueshme, qetësohu dhe bëhu i/e vetëdijshëm/e për ajrin që po e merr, që është duke lëvizur nëpër ty.

Relaksohu, vetëm për një moment të shkurtër.

 

Liria

I kërkoj Hyjit të të gjitha mirësive
Dhe Atit të të gjithë përdëllimeve,
Ta dërgojë Shpirtin Shenjt.
Për të më liruar që të shohë të gjitha të mirat që më janë dhënë e që më rrethojnë.
Për të më çuar në liri Hyji dëshiron që unë të gëzohem.

 

Ndërgjegjësimi

Ndërsa i kthehem detyrave të mia të përditshme,
ma përkujto, o Zot,
se gjithmonë je pranë meje.
Kurrë nuk duhet të dëshpërohem.

 

Fjala

Hyji i flet secilit prej nesh personalisht.
Çfarë jam duke dëgjuar?
Lexoje tekstin disa herë.

 

Lk 19,11-28

 

11 Ndërsa ata po e dëgjonin, ai shtoi shëmbëlltyrën për arsye se mendonin se do të vinte Mbretëria e Hyjit aty për aty, pse Jezusi ishte afër Jerusalemit. 12 Tha, pra:

“Një njeriu prej familjes bujare iu desh të shkojë në një vend të largët për të marrë në dorëzim mbretërinë e vet e pastaj të kthehej. 13 I thirri dhjetë shërbëtorët e vet, u dha dhjetë mna dhe u tha: ‘Tregtoni derisa të kthehem!’

14 Por bashkëqytetarët e tij e urrenin dhe dërguan pas tij përfaqësues për të thënë: ‘Nuk duam që ky të mbretërojë mbi ne.’

15 Kur ai u kthye, pasi e mori në dorëzim mbretërinë, urdhëroi t’ia sjellin shërbëtorët, të cilëve u kishte dhënë të hollat, për të parë sa kishin fituar.

16 Doli i pari dhe tha: ‘Zotëri, mnaja jote dha dhjetë mna.’ 17 Ai iu përgjigj: ‘Të lumtë, shërbëtor i mirë! Pasi qe besnik në një gjë kaq të vogël, sundo mbi dhjetë qytete!’

18 Erdhi edhe i dyti e tha: ‘Zotëri, mnaja jote dha edhe pesë mna.’ 19 ‘Sundo ‑ i tha edhe këtij ‑ edhe ti mbi pesë qytete!’

20 Atëherë erdhi një tjetër e tha: ‘Zotëri, qe mnaja jote! E ruajta të mbështjellë në rizë. 21 U frikësova prej teje sepse je njeri i rreptë: merr çka nuk depozitove, korr çka nuk mbolle.’

22 Ai iu përgjigj: ‘Të dënoj pikërisht prej fjalëve të tua, shërbëtor i keq! E dite se jam njeri i rreptë, që marr çka nuk depozitova, korr çka nuk mbolla! 23 Pse nuk e depozitove paranë time në bankë që, kur të kthehesha, ta merrja bashkë me kamatë?’ 24 Atëherë u tha të pranishmëve: ‘Merrjani mnanë e jepjani atij që ka dhjetë!’ [25 Ata i thanë: ‘Zotëri, ai i ka dhjetë mna!’] 26 Unë po ju them se atij që ka, do t’i jepet edhe më shumë e atij që s’ka, do t’i merret edhe ajo pakicë që ka. 27 Ndërkaq armiqtë e mi ‑ ata që nuk më deshën për mbret ‑ sillni këtu dhe vritni para syve të mi!”

28 Si i tha këto, vazhdoi rrugën përpara duke u ngjitur në Jerusalem.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Hyji rrezikon për ne, për këtë arsye të rrezikojmë edhe ne për Hyjin. Duke marrë rreziqe përsipër, ne arrijmë siguri, besueshmëri, përvojë dhe produktivitet. Zot, jepmë guximin dhe shpirtin e iniciativës në të gjitha fushat e jetës. Le të thuhet për mua se jam përpjekur për të bërë gjëra të mëdha për ty.
  • Mbretëria në ne nuk duket menjëherë. Rritja në marrëdhënien me Hyjin kërkon një kultivim të gjatë dhe të ngadalshëm. Më ndihmo që të jem i/e durueshëm në moshën që ndodhem. Prania ime në Momentin e Shenjtë më transformoftë gjatë viteve, në mënyrë që të të përngjaj ty gjithnjë e më shumë.  

 

Bashkëbisedimi

O Zot i mëshirshëm, ma përkujto që kurrë nuk jam vetëm.

Nëpërmjet hirit tënd rrite vetëdijen time që ti dhe rruga jote është krejt çka kam nevojë.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të lutjes në bazë të Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen

Shpërndaje

Comments are closed.

« »