A lejoj që shikimi i butë i Jezusit të bie edhe mbi mua?

Nov 17 • Meditimi i ditës

17 nëntor 2016 – E enjte, Shën Elizabeta e Hungarisë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
(Leximet e ditës: Zb 5,1-10; Ps 149,1-6a.9b; Lk 19,41-44)

 

Prania e Hyjit

O Zot i dashur, më ndihmo që të hapem krejtësisht ndaj teje,
sepse tani po i lë anash të gjitha brengat e mia.
Mbushi mendimet e mia me paqe, me dashurinë tënde.

 

Liria

Zoti e njeh lirinë time, ajo për të nuk është e huaj.

Shpirti i Zotit është ai që u jep jetë dëshirave më të thella të zemrës sime,

që më udhëheq në mënyrën pa rënë në sy drejt të gjitha të mirave.

Lus për hirin e shenjtë që të lejoj të çlirohem nëpërmjet Shpirtit të Zotit.

 

Ndërgjegjësimi

Kur i kthehem detyrave të mia të përditshme,
ma përkujto, o Zot,
se gjithmonë je pranë meje.
Kurrë nuk duhet të dëshpërohem.

 

Fjala

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Lk 19,41-44

 

41 Kur u afrua dhe e pa qytetin, qau mbi të 42 e tha:

“O po ta kuptoje edhe ti në këtë ditë çka ta sjell ty paqen! Por tashti është e fshehur për sytë e tu! 43 E do të vijë dita, kur armiqtë e tu do të të rrethojnë me llogore, do të bëjnë rrethim e do të të shtrëngojnë nga çdo anë. 44 Do të të përplasin për tokë ty e fëmijët e tu në ty dhe s’do të lënë në ty as gur mbi gur, sepse nuk e bëre për gjë kohën kur Hyji erdhi të të ndihmojë.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjtë:

 

  • E di si e ndjen njeriu veten kur miqtë nuk e shohin çka ua sjell të mirën. Teksa e dëgjoj sesi Jezusi ngashërehet për Jerusalemin do të lejoj që shikimi i tij i but të bie edhe mbi mua. Çka do të më thoshte?
  • Lutja ime është praktikë-kërkim i vullnesës së Zotit, mënyrë e dëgjimit të zërit të tij të cilin përndryshe do të mund ta lëshoja pa e vërejtur. Ndoshta mund ta vërej se sa kam arritur të rritem dhe sa pak i kushtoj vëmendje gjithë asaj është e fshehur prej syve të mi.

 

Bashkëbisedimi

Cilat ndjenja zgjohen në mua

kur lus dhe e meditoj Fjalën e Hyjit?

E paramendoj Jezusin se si është duke qëndruar apo ulur pranë meje

dhe ia hapi zemrën.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma ke dhënë gjatë kësaj kohe të lutjes mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen

Shpërndaje

Comments are closed.

« »