Krishti, Mbreti i mëshirshëm

Nov 19 • LEXIMET E SË DIELËS

Festa e Krishtit Mbret (C)

 

Leximi parë (2 Sam 5,1-3)

Lexim prej Librit të dytë të Samuelit

Në atë ditë erdhën të gjitha fiset e Izraelit te Davidi në Hebron dhe i thanë: “Ja, ne jemi ashti yt dhe mishi yt.  Po edhe më parë, kur Sauli ishte mbreti ynë, ishe ti ai që i drejtoje të gjitha lëvizjet e Izraelit. Edhe Zoti të ka thënë: ‘Ti do ta kullotësh popullin tim Izraelin dhe ti do të jesh prijës mbi Izraelin’.”

Po ashtu erdhën edhe të gjithë pleqtë e Izraelit te mbreti në Hebron, dhe Davidi mbret lidhi besëlidhje me ta në Hebron në praninë e Zotit. Ata e lyen Davidin mbret përmbi Izraelin. 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 122

Ref: Ku është Zoti, aty mbretëron paqja.

————————————————

Sa u gëzova kur më thanë:

“Eja të shkojmë në Shtëpinë e Zotit!”

Ja, tashmë këmbët tona shkelën

në dyert e tua, o Jerusalem!

————————————————

O Jerusalem, qytet i ndërtuar me mjeshtëri,

thuaj se i tëri një cope e vetme je!

Atje ngjiten fiset, fiset e Zotit,

sipas rregullores në Izrael

për të kremtuar Emrin e Zotit.

————————————————

Atje janë selitë e gjykatores së drejtësisë,

selitë e shtëpisë së Davidit!

Lutuni për paqen e Izraelit:

“U priftë e mbara atyre që të duan ty!

————————————————

 

Leximi dytë (Kol 1,12- 20)

Lxim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Kolosianëve

Vëllezër, ta falënderoni Atin, i cili ju bëri të aftë të keni pjesë në trashëgimin e shenjtërve në dritë.

Ai na nxori nga pushteti i errësirës dhe na kaloi në Mbretërinë e Birit të vet të dashur, në të cilin kemi shpërblimin ‑ faljen e mëkateve.

Ai është shëmbëllesa e Hyjit të papashëm, i Parëlinduri ‑ para çdo krijese.

Sepse në Të u krijua çdo gjë në qiell e në dhe, çka shihet e çka nuk shihet:

qoftë Fronet, qoftë Zotërimet, qoftë Principatat, qoftë Pushtetet

‑ gjithçka u krijua nëpër Të dhe për Të.

Ai është para çdo gjëje dhe çdo gjë qëndron në Të.

Ai është Kryet e Trupit ‑ Kishës;

Ai është Fillimi, i Parëlinduri ndër të vdekurit ‑ që të jetë në gjithçka i Pari.

Sepse Hyjit i pëlqeu të banojë në Të e tërë Plotësia

dhe, me anë të Tij, ‑ duke vendosur paqen me anë të gjakut të kryqit të Tij ‑ të pajtojë me vete gjithçka qoftë në tokë qoftë në qiell.

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Qoftë bekuar Ai që vjen në emër të Zotit!

Qoftë bekuar Mbretëria e Tij që po vjen.

Aleluja!

 

Ungjilli (Lk 23, 35-43)

Lexim i Ungjillit shenjtë sipas Lukës

Në atë kohë populli rrinte aty e ‘kundronte’. Anëtarët e Këshillit të Lartë e ‘përqeshnin’ duke thënë:

“Të tjerët i shpëtoi, le ta shpëtojë vetveten, nëse është Mesia i Hyjit ‑‘I zgjedhuri’!”

Edhe ushtarët e vinin në lojë. Iu afruan për t’i dhënë uthull dhe i thanë: “Nëse je ti mbreti i judenjve, shpëto vetveten!”

Mbi të ishte edhe mbishkrimi: “Ky është mbreti i judenjve.”

Njëri nga kriminelët e kryqëzuar e fyente:

“Po a nuk je ti Mesia?! Shpëto veten edhe ne!”

Por ai tjetri e qortoi shokun:

“As ti nuk e druan Hyjin që po vuan të njëjtin dënim si ai?  Sa për ne kjo është drejtësi: po marrim ndëshkimin e merituar për veprat tona! Por ky ‑ ky s’bëri asnjë të keqe!”

Dhe tha:

“Të të bjerë ndër mend për mua, o Jezus, kur të arrish në Mbretërinë tënde!” E Jezusi i tha: “Për të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë.”

Fjala e Zotit

 

POROSIA

Kjo e diele e fundit gjatë vitit, në kalendarin liturgjik bie festa e Krishtit Mbret. Ishte Papa Pio XI ai që në vitin 1925 e kishte shpallur të jetë festë për mbarë Kishën, me qëllim që të tregojë botës, që harmonia dhe bashkimi në mes njerëzve arrihet jo me luftë dhe me armatim, por me dashuri.

Po ashut, kjo e diele, në një mënyrë, përmbyll edhe vitin e mëshirës, një Jubile i Jashtëzakonshëm i shpallur nga Papa Françesku, që na ka ftuar të gjatëve të meditojmë mbi fytyrën e mëshirshme të Hyjit, për dashurinë që Ai ka për ne dhe për kujdesin që tregon ndaj nesh. Nëpër shumë kisha të botës kanë qenë dyert e hapura – dyert e shenjta – për të kërkuar e për të gjetur hirin e Zotit dhe faljen e mëkateve.

Për të kuptuar festën e sotme, pse Kishtin e quajmë Mbret dhe cila e çfarë është mbretëria e tij më së miri na flasin leximet e sotme.

Leximi parë na flet për shugurimin e Davdit për mbret të Izarelit, duke bashkuar fiset jugore dhe veriore, Izraelin dhe Judenë. Davidi është prototip i Jezu Krishtit, që në mbretërinë e tij do të bashkojë të gjithë njerëzit nga të gjitha fiset duke arritë shpëtimin përfundimtar.

Leximi dytë sjell himinin e mbretërisë së amshuar të Krishtit, që është fillimi i të gjithave dhe mbarimi. Çdo gjë u krijua nëpër të dhe për të. Krishti është kryet e Kishës, çdo gjë plotësohet nëpër të. Krishti ka çdo fuqi dhe pushtet. Është mbret i shpirtërave dhe i botës.

Ungjilli na paraqet si shpallet, si vjen në shprehje mbretëria e Tij dhe Ai si Mbret i tokës dhe i qiellit. Kjo arrihet nëpërmes Kryqit, sepse kryqi është froni i Tij. Këtë e vërteton edhe mbishkrimi: Ky është mbreti judenjëve.

Jezusi në kryq është fli për të gjithë, edhe për armiq, sepse të gjithëve ju ofron shpëtimin, ju ofron faljen.

Kjo ofertë e Jezusit falas duhet të arrije te zemrat e hapura, te ato që janë të gatshme të pranojnë këtë shpëtim, pa u mbyllur në vetvete. Në këtë rast, cubi i penduar që qëndronte në të djathten e tij, i kryqëzuar bashkë me Krishtin, ju lut ta kujtojë kur të mbërrijë në mbretërinë e tij, e Jezusi i premton që qysh sot do të jetë me të në parajsë.

Shën Gjon Gojarti në një pretk të tij për festen e sotme thoshte: “Sa shumë vlenë rrëfimi për shpëtim të shpirtit. Cubi i mbërthyer në kryq, posa u pendua, kërkoj ndihmën e Zotit, që të shëlbohet. Dhe vazhdoi, shih sa shumë të mira na sjell kryqi, nëse ti e kërkon mbretërinë? Çka sheh? Para syve të tu ke gozhdat dhe kryqin, e në realitet kryqi është shenjë e mbretërimit. Mbreti vdesë për të vetet, sepse Bariu e jep jeten e vet për delet e veta (khs. Gjn 10,11.).“

Pra, Mbretëria e Krishtit është falje e mëkateve dhe shëlbim i amshuar, është Mbretëri e mëshires, e jo pushtet tokësor.

Festa e Krishtit mbret na nxitë të kuptojmë një gjë të vetme: nuk jemi të ftuar në ndonjë marrsh ushtarak, nuk jemi të ftuar të pushtojmë vende, toka, njerëz, por në përvujtëri të trokasim në deren-zemrën e Jezusit, që na dhuron shpëtimin. Është thirrje në dashuri. Dhe dashuria e pushton dhe duhet ta pushtonte botën. Kjo Mbretëri, për të cilën flasim, është Mbretëri e paqes, është Mbretëri e dashurisë. Aty ku është paqja, aty ku është dashuria, është Zoti i pranishëm, është Mbretëria e Tij.

 

LUTJET E BESIMTARËVE

T‘ia drejtojmë lutjet tona Krishtit, Mbretit të të gjitha krijesave duke thënë së bashku:

O Krisht, na dëgjo.

  • Për Kishën që e dërgove të shpallë Lajmin e gëzueshëm të shëlbimit, bëj që kurrë të mos ndahet prej Teje, të lutemi:
  • Për Papën tonë Françeskun, ipeshkvin tonë Dodën, të gjithë ipeshkëvijtë, meshtarët dhe rregulltarët, që të kryejnë dërgimin e tyre në shërbim të plot, të lutemi:
  • Për udhëheqës të popujve dhe sheteve, që me përkushtim të plotë të punojnë për të mirën e të gjithëve, të lutemi:
  • Për të gjithë ata që u janë nënshtruar vështirësive të ndryshme, që në mundimet e tua të gjëjnë forcë dhe ngushëllim, të lutemi:
  • Për ne këtu të bashkuar në këtë gosti, që të na forcosh për shpresë të re më realizimin e mbretërisë sate, të lutemi:
  • Për të gjithë të vdekurit tanë, që nëpërmes mundimeve dhe vdekjes sate, t‘u prijsh në shtëpinë e Atit, të lutemi:

Zot, Jezu Krisht, Mbret i gjithësisë, ti je alfa dhe omega, fillimi dhe mbarimi. Pranojë po të lutemi lutjet tona dhe për mëshiren tënde nëpërmes Shpirtit Shenjt, të kemi fuqi të veprojmë në ndërtimin e Mbretërisë, që na e shpalle, dhe një ditë të gjendemi me shenjtërit tu në lumturinë e parrizit. Që jeton e mbretëron në shekujt e shekujve. Amen.

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »