VATIKAN: Papa Françesku do të firmos letrën e re apostolike “Misericordia et Misera”

Nov 19 • Kisha në botë

 

“Misericordia et Misera” është tituli i letrës apostolike të Papa Françeskut, e cila do të firmoset këtë të diele, pas mbylljës së Derës së Shenjtë në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan.

Ashtu si e parashikon praktika në Kishën Katolike, me këtë dokumnet Papa do të tregojë mbarë Kishës frytet e Jubileut të Jashtëzakonshëm të Mëshirës, e gjithashtu, edhe rrugën e ungjillizimit që duhet ta bëjë ajo në vitet që po vijnë. Një praktikë të këtillë e kishte bërë edhe Papa Gjon Pali II në vitin 2001, në përfundim të Jubileut të 2000 vjeçarit të krishterimit me letrën apostolike “Novo millennio ineunte.”

Kjo letër do të prezantohet për publikun të hënën, më 21 nëntor, nga Imzot Rino Fisichella, kryetar i Këshillit Papnor për Promovimin e Ungjillizimit të Ri, pranë Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë.

Është një dokumnet që nga vetë titulli le të kuptohet pak a shumë edhe përmbajtja që do të jetë: frytet e Jubileut, përvoja e një rrugëtimi të përbashkët kishtar i mbushur me kthim shpirtëror, që forcon Kishën për të patur sy të ri në shikimin e të ardhmes, sy që reflektojnë mëshirën e Atit, dashurinë autentike për tjetrin që e pret ndihmën tonë. Janë tema të dashura dhe të theksuara nga vetë Papa gjatë këtij viti. Në fakt, ky ishte edhe qëllimi i këtij Jubileu të Jashtëzakonshëm, që të ecim bashkërisht të ripërtrirë drejt Atit të Mëshirshëm, që na pret përherë duarhapur dhe me dashuri.

Të krishterët, në përfundim të këtij Jubileu të Mëshirës, kanë mësuar më shumë të shohin e të sodisin fytyrën e dashur të Hyjit që jep jetën e dhuron shpresën për të jetuar.  (Rev. Drita)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »