Kardinali i ri shqiptar, Hirësia e Tij Ernest Simoni Troshani

Nov 20 • Kisha ndër Shqiptarë

Sot, më 19 nëntor 2016, në orën 11:00 në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa Françesku kryesoi Konzistorin e Rregulltë Publik, në të cilën i krijoi 17 kardinaj të rinj, të cilët vijnë nga vende të ndryshme të botës. Në mesin e tyre ishte edhe meshtari shqiptar Don Ernest S. Troshani, i cili do të jetë kardinali i dytë shqiptar, pas Kardinal Mikel Koliqit.

Kush është Kardinali Ernest Troshani?

Ernest Simoni Troshani lindi më 18 tetor 1928 në Troshan, fshat pak kilometra larg Shkodrës, në një familje thellësisht fetare. Në moshën dhjetë vjeçare hyri në kolegjin e françeskanëve, në Troshan, duke nisur kështu, udhën e studimeve, që do ta formonte si meshtar. Në vitin 1948, në kulmin e persekutimit nga ana e regjimit komunist të Enver Hoxhës, edhe kuvendi i fretërve u plaçkit dhe u shndërrua në vend torturash për të burgosurit, ndërmjet të cilëve, pothuajse të gjithë vëllezërit e vegjël shqiptarë të Shën Françeskut. Ishte 20 vjeç kur, duke dalë prej kuvendit, u caktua nga regjimi si mësues në fshtara të humbura mes malesh, ku  nisi ta shndërrojë detyrën e mësuesit, në vepër misionare dhe ungjillëzuese. Atëhere e morën ushtar: pas dy vjet shërbimi të rëndë (1953-55), përfundoi fshehurazi studimet e teologjisë  e, më 7 prill 1956, u shugurua meshtar në Shkodër. Për t’iu bindur  Ipeshkvit, u inkardinua në dioqezë, ndonëse zemra e tij mbeti për gjithë jetën françeskane.

Më 24 dhjetor, pas Meshës së Krishtlindjes, u arrestua e u mbyll në një birucë, në burgun e Shkodrës. Si u dënua me vdekje, dënimi iu kthye në 25 vjet punë të detyruar. Nësa kryente dënimin, u bë atë shpirtëror e pikë referimi për  bashkëvuajtësit. Më 22 maj 1973 u dënua përsëri me vdekje, me akuzën se po përgatiste kryengritjen për rrëzimin e regjimit. Dëshmitë në favor të  tij e shpëtuan nga plumbi, por jo nga puna e detyrar. Punoi kështu 18 vjet me radhë, nga të cilat, 12 në minerë. U lirua më 1981, por vijoi të shikohej si armik i popullit  e, si i tillë, u detyrua të merrej, për bukën e gojës, me pastrimin e gjirizeve të qytetit.

Ditën, pastrues i gjirizve, natën pastrues i shpirtrave, ai vijonte shërbimin shpirtëror, atje ku ndërronte një jetë a ku lindte një jetë e re. E kështu, deri në rrëzimin e regjimit, më 1991. Që asokohe vijoi të shërbejë si meshtar në një mori fshatrash, duke punuar për pajtimin e gjaqeve e duke vijuar dëshminë ungjillore. Dëshmi, që e preku thellësisht Papën Françesku, kur vizitoi Tiranën, më 21 shtator 2014. Ky është kardinali i dytë i shqiptarëve. (nga Jetëshkrimi i Kardinalit i lexuar pas lutjes së Engjëllit të Tënzot të datës 09. 10. 2016. RV)

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »