Në Luzern të Zvicrës u kremtua meshë falënderimi për Lumnimin e Martirëve shqiptarë

Nov 21 • Kisha ndër Shqiptarë

E kremtja e Krishtit Mbret në Luzern u shënua në shenjë falënderimi Zotit për Lumnimin e Martirëve të Komunizmit në Shqipëri. Shumë nga martirët, fjalët e fundit i kishin: “Rroftë Krishti Mbret!” Një përputhje e bukur për të kujtuar martirët.

Në përgatitjen e këtij kremtimi, ishin të angazhuar besimtarë të moshave të ndryshme, të cilët morën pjesë me shumë nderim ndaj atyre që dhanë jetën për “Atme e Fe”. Mesha u kremtua në kishën e Shën Mihillit në Luzern, me pjesëmarrje të madhe dhe aktive të besimtarëve. Po këtë ditë u pagëzuan dy fëmijë, dhe, lidhur me këtë, pagëzimi i tyre na i rikujtoi fjalët e Tertulianit: “Gjaku i martirëve, fara e të krishterëve”.

Nga fjala e rastit në pretkun e tij, Don Agimi theksoi: “Ngjarja e Lumturimit të Martirëve, i ka mbushur me gëzim zemrat e të gjithë neve, pastaj, në vazhdën e dëshmive të shumta të martirizimit të popullit tonë, na inkurajon që të jemi të qëndrushëm në të gjitha vështirësitë e jetës, sipas shembullit të Krishtit, Mbretit tonë. “Imzot Vinçenc Prenushi me 37-shokët martirë”, heroikisht i përngjanë Krishtit në vuajtje. Përjetuan torturat më çnjerëzore, por nuk u thyen në idealin që kishin, se Krishti është Mbreti i tyre, prandaj, gëzojnë dhe ndërmjetësojnë për ne, nga Mbretëria e tij.

Ky Vit ishte vit hiri e bekimi për mbarë Kishën ndër Shqiptarë. Shenjtërimi i Nënë Terezës, pastaj, Lumturimi i Martirëve, na bëjnë krenar për krishterimin tonë të martirizuar që nga kohët e apostujve. Pastaj, prej ditës së djeshme, e kemi Kardinal, priftin dom Ernest Troshanin. Bazuar në mësimin e Krishtit dhe flijimin e tij për ne, Papa Françesku e porositi atë duke i thënë: “I dashur vëlla, ji i aftë të falësh, gjithnjë!

Popullin tonë e karakterizon martirizimi që nga fillimi i krishterimit ndër ne, që nga martirizimi i Shën Florit e Shën Laurit në Ulpianë afër Prishtinës, pastaj nëpër shekuj me plotë martirë të tjerë që dëshmuan dashurinë ndaj Krishtit, deri të periudha e komunizmit në Shqipëri. Sidomos periudha nën pushtimin otoman, duhet thënë se na e ndali kohën e zhvillimit të mbarë, pastaj, komunizmi, kulmi i të këqijave për Kishën tonë.

Ajo që na bën të meditojmë sot, është fakti se asnjëherë nuk ka qenë e lehtë të jesh i krishterë i mirë. “Porosia e Krishtit: “Kush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohoj vetveten, ta merr kryqin e vet e të me ndjekë”, është thirrje në kushtim të plotë, në flijim të pa kursyer për Krishtin dhe vëllain njeri.

Këta njerëz, tani martirë, që veçohen për heroizmin fetar e kombëtar, sikur t’i kishin mallkuar njerëzit që i torturuan, nuk do të mund të shpalleshin martirë. Prandaj, ky heroizëm i tyre, përveç vuajtjes fizike e shpirtërore, qëndron në falje. Sa fuqishëm tingëllojnë fjalët e tyre sipas shembullit të Krishtit e shenjtërve martirë të shumtë:

Fjalët e fundit të Atë Giovanni Faustit ishin: “Rroftë Krishti Mbret, i fal persekutuesit!”.

Fjalët e fundit të Atë Gjon Shllakut ishin: “Rroftë Krishti Mbret, i falim armiqtë tanë!”.

Fjalët e fundit të Atë Mati Prendushi ishin: “Rroftë Krishti Mbret! Rroftë Papa! Rrofshin katolikët! Rroftë Shqipnia! Ua bajmë hallall gjyqit dhe atyne që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!”

Fjalët e fundit të martirit Qerim Sadiku ishin: “I fali ata që kanë mundur të më bëjnë keq, më kanë dënuar me vdekje, e ata që do të më pushkatojnë”. Lavdi Krishtit Mbret! Rroftë Shqipëria!

Vëllezër e motra, sot, në të Kremten e Krishtit Mbret, mund të flasim për dy mbretëri që dallojnë qenësisht njëra prej tjetrës. Mbretëritë e kësaj bote i karakterizon pushteti tokësor, fuqia ushtarake, që pushton dhe sundon të tjerët. Në anën tjetër, që nga momenti i pagëzimit tonë, jemi bërë pjestarë të një Mbretërie, Mbreti i së cilës kërkon prej nesh të shërbejmë me dashuri dhe filijim. Mbretërit e kësaj bote ndërtojnë pallate dhe  përforcojnë me mburoja të shumta fronet e tyre. Froni i Krishtit ishte Kryqi, dhe prej aty, Ai do ta sundoj botën me dashuri dhe falje.

Me të kremten e Krishtit Mbret, po përmbyllim jo vetëm këtë vit kishtar, por ciklin trevjeçar liturgjik, për ta filluar të dielën e ardhshme kohën e shenjtë të Ardhjes. Lutemi që me ndërmjetësinë e Shën Nënë Terezës dhe Martirëve të Lumtur, të përtërihemi në Fe dhe me gëzim e falënderim ndaj Zotit, të përgatitemi mirë për të Kremtet e ardhshme.”

Pas meshës, Forumi “Nëna e Këshillit të Mirë”, e kishte gati drekën në të cilën morën pjesë shumë besimtarë. Ishte kjo një drekë në shoqërim vëllazëror gjatë së cilës patëm rastin të mësojmë më shumë nga jeta e Martirëve, pastaj, përveç kësaj, të ardhurat nga dreka u dedikohen njerëzve të varfër.

Ishte bukur të përmbyllet kështu Viti Jubilar i Mëshirës, duke u angazhuar me aktivitete për njerëzit nevojtarë, si dhe duke lutur ndërmjetësinë e Martirëve tanë, që përherë “të jemi të mëshirshëm porsi Ati.” (MKSH)

[wonderplugin_gallery id=”29″]

Shpërndaje

Comments are closed.

« »