Ç`më mban të qëndrueshëm në kohë krize?

Nov 22 • Meditimi i ditës

22 nëntor 2016 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës:  Zb 14,14-19; Ps 96,10-13; Lk 21,5-11)

 

Prania e Hyjit

Për ta përgatitur veten për këtë kohë të çmueshme, qetësohu dhe bëhu i/e vetëdijshëm/e për ajrin që po e merr, që është duke lëvizur nëpër ty.

Relaksohu, vetëm për një moment të shkurtë.

 

Liria

Zoti e njeh lirinë time, ajo për të nuk është e huaj.

Shpirti i Zotit është ai që u jep jetë dëshirave më të thella të zemrës sime,

që më udhëheq në mënyrën pa rënë në sy drejt të gjitha të mirave.

Lus për hirin e shenjtë që të lejoj të bëhem njeri i lirë nëpërmjet Shpirtit të Zotit.

 

Ndërgjegjësimi

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e dhe mirënjohës/e

për të gjitha bamirësitë që mi ke dhënë.

Këtë bekim e ndafsha gjithmonë me të tjerët.

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Lk 21, 5-11

 

5 Kur disa po flisnin për Tempullin se si është i stolisur me gurë të bukur e me dhurata kushtimore, Jezusi tha:

6 “Do të vijë dita, kur, ndër të gjitha këto që po shikoni nuk do të mbetet as gur mbi gur pa u rrënuar.”

7 E pyetën:

“Mësues, kur do të ndodhë kjo dhe cila do të jetë shenja se këto po fillojnë të ngjajnë?”

8 “Ruajuni ‑ iu përgjigj ‑ të mos ju gënjejnë! Sepse shumë do të vijnë në emrin tim e do t’ju thonë: ‘Unë jam!’ dhe: ‘U afrua koha!’ Mos shkoni pas tyre! 9 E kur të dëgjoni të flitet për luftëra e për kryengritje, mos u frikësoni! Sepse të gjitha këto do të ndodhin më parë, por as atëherë nuk është menjëherë mbarimi.”

10 Atëherë u tha:

“Do të ngrihet një komb kundër një kombi tjetër, një mbretëri kundër një mbretërie tjetër, 11 do të ndodhin tërmete të mëdha, në vende të ndryshme uri e murtaja, do të ngjajnë dukuri të frikshme dhe shenja të mëdha nga qielli.

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit të Shenjt:

 

  •  Unë mund të humbas diçka që është më e çmueshmja për mua: marrëdhënien, familjen, shëndetin, miqësinë, sigurinë, punën, pronën. Ç`më mban të qëndrueshëm në këtë kohë krize? Në vështirësitë e mia, a ia drejtoj zemrën time Hyjit në mënyrë që të rritem në forcë?
  • Në kohët tona, shkatërrimi i mjedisit na sjell vuajtje. A krijon kjo vetëm pikëllim, mbyllje në vetvete apo nxit dhembshuri dhe përgjigje praktike? Dhe a besojmë se natyra mund të ripërtërihet nga Hyji i cili edhe e krijoi i pari atë?

 

Bashkëbisedimi

O Zot i dashur, më ndihmo çdo ditë

që edhe më shumë të kërkoj.

Ma mbush zemrën time me dashuri ndaj teje.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »