Letra Apostolike “Misericordia et misera” – teksti i plotë në shqip

Nov 25 • Kisha në botë

Letra Apostolike

MISERICORDIA ET MISERA

E Atit të Shenjtë

FRANÇESKUT

Në përfundim të Jubileut të Jashtëzakonshëm

të Mëshirës

 

Françesku

të gjithë atyre që do ta lexojnë këtë letër apostolike

mëshirë dhe paqe

 

Misericordia et misera (mëshira dhe mëkatarja) janë dy fjalët që Shën Augustini përdor për të treguar takimin midis Jezusit dhe gruas kurorëshkelëse (khs. Gjn 8,1-11). Nuk mund të gjente një shprehje më të bukur dhe më koherente se sa kjo, për ta bërë të kuptueshëm misterin e dashurisë së Hyjit kur takohet me mëkatarin: “Mbetën vetëm ata të dy: mëkatarja dhe mëshira[1]. Sa shumë mëshirë dhe drejtësi hyjnore në këtë tregim! Mësimi i tij vjen e i jep dritë mbylljes së Jubileut të Jashtëzakonshëm të Mëshirës, e ndërkohë na dëfton rrugën nëpër të cilën jemi të thirrur të ecim në të ardhmen.

1. Kjo faqe e Ungjillit me të drejtë mund të merret si ikona e asaj çka kemi kremtuar në Vitin e Shenjtë, një kohë plot me mëshirë e cila kërkon ende të kremtohet e të jetohet në bashkësinë tonë. Mëshira në fakt nuk mund të jetë vetëm për një kohë të caktuar në jetën e Kishës, por përbën vetë ekzistencën e saj, që e bën të dukshme dhe të prekshme të vërtetën e thellë të Ungjillit. Gjithçka zbulohet nëpërmjet mëshirës; gjithçka zgjidhet në dashurinë e mëshirshme të Atit.

Një grua dhe Jezusi janë takuar. Ajo ka tradhëtuar bashkëshortin e saj e sipas ligjit duhet të gjykohet me vrasjen me gur; Ai, që me predikimin e tij dhe me dhurimin tërësor të vetëvetes, që do ta çojë drejt kryqit, e ka risjellë ligjin e Moisiut në qëllimin e tij gjenuin të zanafillës. Në qendër nuk është ligji dhe drejtësia ligjore, por dashuria e Hyjit që di të lexojë në zemrën e  çdo njeriu, për të kuptuar dëshirën më të thellë që duhet të jetë para gjithçkaje. Në këtë tregim ungjillor megjithatë nuk takohen mëkati dhe gjykimi në mënyrë abstrakte, por një mëkatare dhe Shpëtimtari. Jezusi e ka parë në sy atë grua dhe ka lexuar në zemrën e saj: ka gjetur aty dëshirën për t’u kuptuar, falur dhe çliruar. Mjerimi i mëkatit është veshur me mëshirën e dashurisë. [Nuk ka] asnjë gjykim nga ana e Jezusit që të mos jetë i shenjuar prej mëshirës dhe dhembshurisë për gjendjen e mëkatares. Atij që donte ta gjykonte dhe ta dënonte me vdekje, Jezusi i përgjigjet me një heshtje të gjatë, që ka për qëllim të bëjë të dëgjohet zëri i Hyjit brenda ndërgjegjes, qoftë të gruas e qoftë të akuzuesve të saj. Ata i lëshojnë të bien gurët prej duarsh dhe largohen një e nga një (khs. Gjn 8,9). E pas asaj heshtjeje Jezusi thotë: “Grua ku janë? Askush nuk të ka dënuar? … As unë nuk po të dënoj; shko e pas tashit mos mëkato më” (10-11). Në këtë mënyrë e ndihmon të shikojë drejt së ardhmes me shpresë dhe të jetë gati ta vërë në lëvizje përsëri jetën e saj; pas tashit, nëse ajo do ta dojë ka mundësi të “ecë në dashuri” (khs. Ef 5,2). Një herë që ajo është veshur me dashuri, edhe pse mbetet gjëndja e brishtësisë për mëkatin, ajo është e tejmbushur prej dashurisë që lejon të shikohet përtej e të jetohet ndryshe.

2. Nga ana tjetër Jezusi kishte mësuar me shumë qartësi kur, i ftuar në drekë nga një farize, i ishte afruar një grua e njohur prej të gjithëve si një mëkatare (khs. Lk 7,36-50). Ajo i kishte lyer me parfum këmbët e Jezusit, i kishte njomur mr lotët e saj dhe tharë me flokët e saj (khs. v 37-38). Reagimit të shkandulluar të farizeut Jezusi i përgjigjet: “I’u falën mëkatet e shumta, sepse tregoi dashuri të madhe. Ai, të cilit i falen më pak, më pak dashuri tregon” (v.47).

Falja është shenja më e dukshme e dashurisë së Atit që Jezusi ka dashur ta zbulojë në krejt jetën e tij. Nuk ka një faqe të Ungjillit që të mund t’i ikë këtij detyrimi të dashurisë që shkon deri në falje. Përderi edhe në çastin e fundit të ekzistencës së tij tokësore, ndërsa gozhdohet në kryq, Jezusi ka fjalë dashurie: “Atë fali ata, sepse nuk e dijnë se çfarë po bëjnë” (Lk 23, 34).

Asgjë, prej asaj çka një mëkatar i penduar vendos përpara mëshirës së Hyjit, mund të mbesë pa përqafimin e faljes së tij. Pikërisht kjo është arësyeja që askush prej nesh nuk mund t’i vendosë kushte mëshirës; ajo mbetet gjithmonë një veprim falas i Atit qiellor, një dashuri e pakushtëzuar dhe e pamerituar. Nuk mund të shkojmë drejt rrezikut të kundërvënies ndaj lirisë së plotë të dashurisë me anë të së cilës Hyji hyn në jetën e çdo njeriu.

Mëshira është pikërisht ky veprim konkret i dashurisë që, duke falur, e shndërron dhe e ndryshon jetën. Kështu shfaqet misteri hyjnor. Hyji është i mëshirshëm (khs. Dal 34,6), mëshira e tij është e amshuar (khs. Ps 136) nga breznia në brezni përqafon çdo njeri që ka besim te Ai dhe e shndërron duke i dhënë vetë jetën e tij.

3. Sa shumë gëzim është ngjallur në zemrat e këtyre dy grave, kurorëshkelësja dhe mëkatarja! Falja i ka bërë të ndihen më në fund të lira dhe të lumtura si kurrë më parë. Lotët e turpit dhe të dhembjes janë shndërruar në buzëqeshjen e dikujt që e din se është i dashur. Mëshira ngjall gëzim, sepse zemra hapet ndaj shpresës për një jetë të re. Gëzimi i faljes nuk mund të shprehet, por shfaqet çdo herë që ne e provojmë atë. Në fillim të saj gjendet dashuria me të cilën Hyji na del përpara, duke copëtuar kështu rrethin e egoizmit që na mbështjell, duke na bërë edhe ne instrumenta të mëshirës. Sa domethënëse janë edhe për ne ato fjalë të lashta që udhëhiqnin të krishterët e parë: “Vishu me gëzimin që gjithmonë i pëlqen Hyjit dhe prej tij pranohet. Në të Ai kënaqet. Çdo njeri i gëzuar vepron mirë, mendon mirë dhe përçmon trishtimin […] Do të jetojnë në Hyjin ata që largojnë trishtimin dhe vishen me çdo gëzim”[2]. Përjetimi i mëshirës jep gëzim. Mos të lejojmë që të na rrëmbehet [mëshira] nga pikëllimet dhe shqetësimet e ndryshme. Të mbesë e rrënjosur mirë në zemrat tona e të na bëjë të shikojmë gjithmonë me qetësi jetën e përditëshme.

Në një kulturë shpeshherë zotëruar nga teknika duken sikur shtohen format e trishimit dhe të vetmisë, në të cilat bien njerëzit, gjithashtu edhe shumë të rinj. E ardhmja në fakt duket sikur është peng i pasigurisë që nuk lejon qëndrueshmërinë. Kjo shkakton jo rrallëherë lindjen e ndjenjave të malinkonisë, trishtimit dhe mërzisë që dalëngadalë mund të çojnë drejt dëshpërimit. Janë të nevojshëm dëshimitarë të shpresës dhe të gëzimit të vërtetë, për të flakur tej utopitë që premtojnë një lumturi të lehtë dhe parajsa artificiale. Zbrazëtia e thellë e shumë njerëzve mund të mbushet vetëm nga shpresa që mbartim në zemer dhe nga gëzimi që rrjedh prej saj. Është shumë e nevojshme të njohim gëzimin që zbulohet në zemrën e prekur nga mëshira. Të vlerësojmë atëherë fjalët e Apostullit: “Jini gjithnjë të gëzuar në Zotin” (Fil 4,4; 1 Sel  5,16).

4. Kemi kremtuar një vit të dendur, gjatë të cilit na është dhuruar begatshëm hiri i mëshirës. Si një erë e fuqishme dhe e shëndetëshme, mirësia dhe mëshira e Zotit janë derdhur mbi botën mbarë. Dhe, përballë këtij shikimi dashurues të Hyjit, që në mënyrë të vazhdueshme është drejtuar mbi secilin prej nesh, nuk mund të qëndrojmë indiferentë, pasi Ai të ndryshon jetën.

Ndjejmë nevojën para së gjithash që të falenderojmë Zotin e për t’i thënë Atij: “Ke qënë i mirë o Zoti me tokën tënde […]. Ke falur fajin e popullit tënd” (Ps 85,2-3). Është pikërisht kështu: Hyji i ka shkelur fajet tona dhe i ka hedhur në fund të detit mëkatet tona (khs. Mik 7,19); nuk i bie ndërmend më për to, i ka hedhur pas shpine (khs. Is 38,17); sa është larg lindja nga perëndimi kaq janë larg mëkatet tona prej tij (khs. Ps 103,12).

Në këtë Vit të shenjtë, Kisha ka ditur të dëgjojë dhe ka sprovuar fuqishëm praninë dhe afërsine e Atit, që me anë të veprës së Shpirtit Shenjt e ka bërë më të dukshme dhuratën dhe mandatin e Jezu Krishtit në lidhje me faljen. Ka qënë me të vërtetë një ardhje e re e Zotit në mesin tonë. Kemi perceptuar frymën e tij jetësore të derdhur mbi Kishën dhe, sërisht fjalët e tij na kanë treguar misionin: “Merreni Shpirtin Shenjt: atyre të cilëve do t’ua falni mëkatet, do t’u falen; atyre që nuk do t’ua falni, nuk do t’u falen” (Gjn 20, 22-23).

5. Tani, pasi është mbyllur ky Jubile, është koha të shikojmë përpara dhe të kuptojmë se si të vazhdojmë me besnikëri, gëzim dhe entuziazëm që të sprovojmë pasurinë e mëshirës hyjnore. Bashkësitë tona, do të mund të mbeten të gjalla dhe dinamike në veprën e ungjillizimit të ri, në atë masë në të cilën “kthimi baritor”, që jemi të thirrur të jetojmë[3], do të marrë formë çdo ditë nga fuqia përtëritëse e mëshirës. Mos  t’i vëmë kufi veprimit të saj; të mos e trishotjmë shpirtin që tregon gjithnjë shtigje të reja për të ecur që t’u çojmë të gjithëve Ungjillin që shëlbon.

Në rradhë të parë jemi të thirrur që të kremtojmë mëshirën. Sa pasuri që gjendet në lutjen e Kishës, kur e thërret Hyjin si Atë i mëshirshëm? Në liturgji, mëshira, jo vetëm kërkohet në mënyrë të përsëritur, por realisht fitohet dhe jetohet. Nga fillimi deri në fund të kremtimit eukaristik, mëshira kthehet më shumë se një herë në bashkëbisedimin ndërmjet bashkësisë që lutet dhe zemrës se Atit, që gëzohet kur mund të dhurojë dashurinë e tij të mëshirshme. Pas kërkesës së faljes fillestare me thirrjen “O Zot ki mëshirë”, menjëherë na jepet një siguri: “Hyji i gjithpushtetshëm pastë mëshirë për ne, na i faltë mëkatet tona dhe na përcjelltë në jetën e pasosur”. Dhe me këtë besim bashkësia mblidhet në praninë e Hyjit, veçanërisht në ditën e shenjtë të ngjalljes. Në kohën e kreshmeve, përshembull, ne lutemi duke thënë: “O Hyj i mëshirshëm, burim i çdo të mire, ti na ke parashtruar si ilaç kundër mëkatit agjërimin, lutjen dhe veprat e dashurisë vllazërore; na shiko ne që e pranojmë mjerimin tonë dhe, pasi jemi të shtypur nën peshën e fajeve tona, na ngrittë mëshira jote”[4]. Në vazhdim kridhemi në lutjen e madhe eukaristike me prefacionin që shpall: “Në mëshirën tënde i ke dashur aq shumë njerëzit saqë ke dërguar Birin tënd si shëlbues që të ndajë në gjithçka, përveçse mëkatin, gjendjen tonë njerëzore”[5]. Lutja e katërt eukaristike, më tej është një himn i mëshirës së Hyjit: “Në mëshirën tënde ti u ke dalë të gjithëve përpara, në mënyrë që, ata që të kërkojnë, të mund të të gjejnë”. “Ki mëshirë për ne të gjithë”[6], është kërkesa këmbëngulëse që meshtari bën në lutjen eukaristike për të lypur pjesëmarrjen në jetën e amshuar. Pas lutjes Ati ynë, meshtari e zgjat lutjen duke kërkuar paqen dhe çlirimin nga mëkati, falë “ndihmës së mëshirës tënde”. Dhe përpara shenjës së paqes, që shkëmbehet si shprehje e vllazërisë dhe dashurisë së ndërsjellë në dritën e faljes së fituar, ai lutet përsëri: “Mos i shiko mëkatet tona, por fenë e Kishës tënde”[7]. Nëpërmjet këtyre fjalëve, me besim të përvujtë, kërkojmë dhuratën e bashkimit dhe të paqes për Shenjtën Nënën Kishë. Kremtimi i mëshirës hyjnore kulmon në flinë eukaristike, përkujtim i misterit të Pashkëve të Krishtit, nga i cili buron shëlbimi për çdo qenie njerëzore, për historinë dhe për krejt botën. Me një fjalë, çdo moment i kremtimit eukaristik i referohet mëshirës së Hyjit.

Në të gjithë jetën sakramentore mëshira na dhurohet me shumicë. Nuk është fare pa domethënie fakti që Kisha ka dashur shprehimisht t’i referohet mëshirës në formulën e dy sakramenteve të ashtuquajtura “të shërimit”, domethënë Rrëfimi dhe Vajimi i të sëmurëve. Formula e zgjidhjes thotë: “Hyji, Ati i mëshirës, që ka pajtuar me vetveten botën, në vdekjen dhe ngjallen e Birit te tij dhe ka derdhur Shpirtin Shenjt për faljen e mëkateve, të dhashtë nëpërmjet shërbesës së Kishës, faljen dhe paqen”[8] dhe ajo e Vajimit thotë: “Me anë të këtij Vajimi të shenjtë dhe mëshirës së tij të ndihmoftë Zoti me Hirin e Shpirtit Shenjt”[9]. Pra, në lutjen e Kishës referimi ndaj mëshirës larg qoftë të jetë vetëm parenetik është lartësisht performativ, do të thotë që, ndërkohë që e kërkojmë me besim, na jepet; ndërkohë që e shpallim të gjallë dhe reale, realisht na shndërron. Kjo është përmbajtja themelore e besimit tonë që duhet ta ruajmë në të gjithë origjinalitetin e saj: përpara zbulimit të mëkatit kemi zbulimin e dashurisë me të cilën Hyji ka krijuar botën dhe qënien njerëzore. Dashuria është akti i parë me anë të cilit Hyji bën që ta njohim dhe vjen drejt nesh. Ta mbajmë ndërkohë të hapur zemrën ndaj besimit se jemi të dashur prej Hyjit. Dashuria e tij na paraprin gjithmonë, na shoqëron dhe qëndron afër nesh, pavarësisht nga mëkati ynë.

6. Në një kontekst të tillë, merr një domethënie të vecantë edhe dëgjimi i Fjalës së Hyjit. Çdo të dielë Fjala e Hyjit kumtohet në bashkësinë e krishterë, në mënyrë që dita e Zotit të ndriçohet prej dritës që vjen nga misteri i Pashkës[10]. Në kremtimin eukaristik duket sikur jemi në një dialog të vërtetë ndërmjet Hyjit dhe popullit të tij. Në shpalljen e leximeve biblike, në fakt ripërshkohet historia e shëlbimit tonë, nëpërmjet veprës së pandërprerë të mëshirës që kumtohet. Hyu flet ende sot me ne sikurse me miqtë e tij, “ndalet” me ne[11]për të na dhuruar shoqërinë e tij dhe për të na treguar shtegun e jetës. Fjala e tij bëhet intepretuese e kërkesave dhe shqetësimeve tona dhe një përgjigje e frytshme, në mënyrë që ne të mund të provojmë konkretisht afërsinë e tij. Sa rëndësi që merr predikimi, ku “e vërteta na çon drejt bukurisë dhe të mirës”[12], që të fërgëllojnë zemrat e besimtarëve përballë madhështisë së mëshirës! E porosisë fort përgatitjen e homelisë dhe kujdesin për predikimin. Sa më shumë meshtari do të ketë provuar në veten e tij mirësinë dhe mëshirën e Zotit, aq më shumë do të jetë e frutshme homelia. T’u komunikosh të tjerëve sigurinë se Hyji na do nuk është një ushtrim teorik, por një kusht për besueshmërinë e meshtarisë. Përjetimi i mëshirës është atëherë rruga kryesore që ajo të bëhet një kumt i vërtetë ngushëllimi dhe kthimi në jetën baritore. Homelia, sikurse edhe katekeza, kanë nevojë të jenë të mbështetura gjithnjë nga kjo zemër pulsuese e jetës së krishterë.

7. Bibla është tregimi i madh që rrëfen mrekullitë e mëshirës së Hyjit. Çdo faqe është e mbushur plot me dashurinë e Atit, i cili qysh prej fillesës ka dashur të rravgojë në gjithësi shenjat e dashurisë së tij. Shpirti Shenjt, nëpërmjet fjalës së profetëve dhe shkrimeve të urtisë, i ka dhënë formë historisë së Izraelit në njohjen e butësisë dhe afërsisë së Hyjit, pavarësisht  tradhëtisë së popullit. Jeta e Jezusit dhe predikimi i tij e shenjojnë në mënyrë përcaktuese historinë e bashkësisë së krishterë, që e ka kuptuar misionin e saj mbi bazën e dërgimit nga ana e Krishtit, për të qenë vegël e përhershme e mëshirës dhe faljes së tij (khs. Gjn 20,23). Nëpërmjet Shkrimit të Shenjtë, që është i gjallë në fenë e Kishës, Zoti vazhdon t’i flasë nuses së tij dhe i dëfton asaj shtigjet që duhet të përshkojë, që Ungjilli i shëlbimit t’u shkojë të gjithëve. Është dëshira ime e gjallë që Fjala e Hyjit të kremtohet gjithnjë e më shumë, të njihet dhe të përhapet, në mënyrë që nëpërmjet saj të mund të kuptohet më mirë misteri dashurisë që rrjedh nga ai burim mëshire. Na e sjell ndërmend me qartësi Apostulli: “I tërë shkrimi, hyjnisht i frymëzuar, është i dobishëm për të mësuar, për të bindur, për të ndrequr, për të edukuar në drejtësi” (2 Tim 3,16).

Do të ishte diçka e volitshme që çdo bashkësi, në një të djelë të Vitit Liturgjik, të mund të përtërinte angazhimin për përhapjen, njohjen dhe thellimin e Shkrimit të Shenjtë: një e dielë që i kushtohet tërësisht Fjalës së Hyjit, për të kuptuar pasurinë e pashterrshme që vjen nga bashkëbisedimi i vazhdueshëm i Hyjit me popullin e tij. Nuk do të mungojë kijimtaria që këto momente të pasurohen me nisma që i nxisin besimtarët të jenë instumenta të gjallë të përçimit të Fjalës. Sigurisht, ndër këto nisma, është edhe përhapja më e madhe e Lectio divina-s, në mënyrë që nëpërmjet leximit në lutje të tekstit të shenjtë, jeta shpirtërore të gjejë mbështetje dhe rritje. Lectio divina mbi temën e mëshirës do të lejojë të preket me dorë se sa shumë fryt vjen prej tekstit të shenjtë, i lexuar nën dritën e tërë traditës shpirtërore të Kishës, që padyshim shpërthen në gjeste dhe vepra konkrete dashurie[13].

8. Kremtimi i mëshirës ndodh në mënyrë krejtësisht të veçantë me SakramentinPajtimit(Rrëfimit). Është ky çasti kur ndjejmë përqafimin e Atit që vjen drejt nesh për të na dhënë rishtas hirin që të bëhemi sërisht bijtë e tij. Ne jemi mëkatarë dhe mbartin me vete peshën e kundërshtisë, ndërmjet asaj çka do të kishim dëshirë të bënim e asaj çka ndërkohë bëjmë konkretisht (khs. Rom 7,14-21); hiri megjithatë na paraprin gjithmonë dhe merr fytyrën e mëshirës që bëhet efikase me anë pajtimt dhe faljes. Hyji na bën të kuptojmë dashurinë e tij të pamasë, pikërisht përpara të qenurit tonë mëkatarë. Hiri është më i fortë, dhe tejkalon çdo kundërshtim të mundshëm, pasi dashuria fiton mbi gjithçka (khs. 1 Kor 13,7).

Në Sakramentin e faljes Hyji na tregon rrugën e kthimit te Ai dhe na fton të sprovojmë përsëri afërsinë e tij. Është një falje që mund të fitohet duke filluar më së pari të jetohet dashuria. Na e sjell ndërmend edhe apostulli Pjetër kur shkruan që “Dashuria (Bamirësia) mbulon një shumësi mëkatesh” (1 Pt 4,8). Vetëm Hyji i fal mëkatet, por na kërkon që ne të jemi të gatshëm për falje ndaj të tjerëve, ashtu sikurse ai na fal ne: “Na i fal fajet tona si i falim ne fajtorët tanë” (Mt 6,12). Sa trishtim që është kur qëndrojmë të mbyllur në vetën tonë, të pazotë që të falim! Marrin epërsi inati, zemërimi, hakmarrja, duke e bërë jetën të palumtur dhe duke e bërë të kotë angazhimin e gëzueshëm për mëshirën.

9. Një përvojë e hirshme, që Kisha ka përjetuar me shumë efikasitet në Vitin jubilar, ka qenë sigurisht shërbimi i Misionarëve të Mëshirës. Veprimi i tyre baritor ka pasur si synim të nxjerrë në pah faktin që Hyji nuk vendos asnjë kufi për ata që e kërkojnë me zemër të penduar, sepse të gjithëve u del para si një Atë. Kam marrë shumë dëshmi gëzimi për takimin e përtërirë me Zotin në Sakramentin e Rrëfimit. Të mos e humbim mundësinë që të jetojmë besimin edhe si një përvojë pajtimi. “Pajtohuni me Hyjin” (2 Kor 5,20), është ende ftesa që në ditët tona Apostulli na drejton, që çdo besimtar të zbulojë fuqinë e dashurisë, që na bën “krijesa të reja” (2 Kor 5,17).

Shpreh mirënjohjen time për çdo Misionar të Mëshirës, për këtë shërbim të çmueshëm që është ofruar për ta bërë më frutshëm hirin e faljes. Kjo shërbesë e jashtëzakonshme, megjithatë, nuk përfundon me mbylljen e Derës së Mëshirës. Dëshiroj në fakt që të mbetet akoma, deri në përcaktime të reja, si një shenjë konkrete që hiri i Jubileut vazhdon të ekzistojë në pjesë të ndryshme të botës, i gjallë dhe i efektshëm. Do të kujdeset Këshilli Papnor për Promovimin e Ungjillizimit të Ri që të shoqërojë në këto kohë Misionarët e Mëshirës, si një shprehje e drejtëpërdrejtë e përkujdesjes dhe e afërsisë sime, që të gjenden forma më koherente për ushtrimin e kësaj shërbese të çmueshme.

10. Meshtarëve u përtërij ftesën që të përgatiten me kujdes të madh në shërbesën e rrëfimit, i cili është një mision i vërtetë meshtarak. Ju falenderoj shumë për shërbimin tuaj dhe ju kërkoj të jenë mikpritësme të gjithë; dëshmitarëtë butësisë atërore, pavarësisht nga pesha e rëndë e mëkateve; të vëmendshëm në ndihmën për të reflektuar mbi të keqen që është bërë; të qartë në paraqitjen e parimeve morale; të gatshëm për të shoqëruar besimtarët në një ecje pendestare, duke ecur me hapin e tyre me durim; largpamës në shoshitjen e çdo rasti të veçantë; bujarë në dhurimin e faljes së Hyjit. Sikurse Jezusi përballë gruas kurorëshkelëse, zgjodhi të rrijë në heshtje për ta shpëtuar nga dënimi me vdekje, kështu edhe meshtari në rrëfystore të jetë i madh në shpirt, duke e ditur që çdo i penduar i kujton atij gjëndjen e vet personale: mëkatar, por shërbestar i mëshirës.

11. Do të doja që të gjithë ne të meditonim fjalët e apostulli, të shkruara rreth fundit të jetës së tij, kur i rrëfen Timoteut se ka qenë i pari ndër mëkatarë, “por pikërisht për këtë arsye ka fituar mëshirën” (1 Tim 1,16). Fjalët e tij përmbajnë një fuqi shpërthyese që na ngacmon edhe ne të reflektojmë rreth ekzistencës tonë dhe për të shikuar në veprim e sipër mëshirën e Hyjit për ndryshimin, kthimin dhe shndërrimin e zemrës tonë: “E falenderoj atë që më dha fuqi – Krishtin Jezus Zotin tonë – pse më çmoi të besueshëm duke më thirrur në shërbesë mua, që më parë isha blasfemues, salvues, mujshar. Por gjeta mëshirë…(1 Tim 1,12-13).

Të na bien ndërmend me pasion të përtërirë baritor gjithmonë fjalët e Apostullit: “Hyji na ka pajtuar me vetveten me anë të Krishtit dhe na e ka besuar ne shërbesën e pajtimit” (2 Kor 5,18). Ne të parët jemi falur duke pasur si synim këtë shërbesë; jemi bërë dëshmitarë për vetveten i universalitetit të faljes. Nuk ka ligj apo urdhër që mund të pengojë Hyjin të përqafojë përsëri birin që kthet te Ai, duke pranuar se ka gabuar, por i vendosur të nisë gjithçka nga fillimi. Të ndalesh vetëm te ligji është njësoj sikur ta bësh të kotë besimin dhe mëshirën hyjnore. Ligji ka një vlerë fillestare (khs. Gal 3,24), që ka si qëllim të fundëm dashurinë (khs. 1 Tim 1,5). Megjithkëtë i krishteri është i thirrur të jetojë risinë e Ungjillit, “ligji i Shpirtit, që i jep jetën në Krishtin Jezus” (Rom 8,2). Edhe në rastet më të koklavitura, kur jemi të tunduar të nxjerrim në pah më së shumti drejtësinë që vjen vetëm nga normat, duhet besuar tek forca që rrjedh nga hiri i hyjnueshëm.

Ne rrëfyesit kemi përvojën e shumë kthimeve që shfaqen para syve tanë. Ta ndjejmë atëherë përgjegjësinë e gjesteve dhe fjalëve që mund të mbërrijnë drejt e në thellësi të zemrës së mëkatarit të penduar, në mënyrë që të zbulojë afërsinë dhe butësinë e Atit që fal. Të mos zhvlerësojmë këto çaste me sjellje që mund të kundërshtojnë përvojën e mëshirës që po lypet. Përkundrazi të jemi ndihmë që të ndriçohet hapësira e ndërgjegjes personale me dashurinë e pafund të Hyjit (khs. 1 Gjn 3,20).

Sakramenti i Pajtimit ka nevojë të gjejë përsëri vendin e tij qëndror në jetën e krishterë; për këtë arsye është e nevojshme të ketë meshtarë që vënë jetën e tyre në shërbim të “misionit të pajtimit” (2 Kor 5,18) në mënyrë të tillë që, ndërsa askujt që është sinqerisht i penduar nuk i pengohet hyrja në dashurinë e Atit që pret kthimin e tij, të gjithëve u jepet mundësia të sprovojnë fuqinë çliruese të faljes.

Një rast i volitshëm mund të jetë kremtimi i nismës 24 orë me Zotin në afërsi të së Dielës IV të kohës së Kreshmeve, gjë e cila tashmë ka gjetur një pranim të madh nëpër Dioqeza dhe që mbetet një thirrje baritore e fuqishme për të jetuar fuqimisht Saktramentin e Rrëfimit.

12. Për shkak të kësaj nevoje, në mënyrë që asnjë pengesë të mos vendoset ndërmjet kërkesës së pajtimit dhe faljes së Hyjit, i jap tash e mbrapa të gjithë meshtarëve, në sajë të shërbesës së tyre, lejen që të zgjidhin mëkatin e atyre që kanë bërë abort. Çka kisha lejuar në mënyrë të kufizuar gjatë periudhës së Jubileut[14]shtrihet tashmë në kohë, pavarësisht çdo gjëje të kundërt. Dua të ritheksoj me të gjitha fuqitë e mia që aborti është një mëkat i rëndë, sepse i jep fund një jete të pafajshme. Me po të njëjtën forcë megjithatë, mund dhe duhet të pohoj që nuk ekziston asnjë mëkat që mëshira e Hyjit nuk mund të mbërrijë e të shkatërrojë, kur gjen një zemër të penduar që kërkon të pajtohet me Atin. Çdo meshtar, për këtë arsye, të bëhet prijës, mbështetës dhe ngushëllues në shoqërimin e të penduarve në këtë rrugëtim të veçantë pajtimi.

Në Vitin e Jubileut, u kisha dhënë besimtarëve, që për shumë arësye frekuentojnë kishat e udhëhequra nga meshtarët e Vëllazërisë Piu X, të mund të përftonin në mënyrë të vlefshme dhe të lejueshme zgjidhjen sakramentore të mëkateve të tyre[15]. Për të mirën baritore të këtyre besimtarëve, dhe duke besuar  në vullnetin e mirë të meshtarëve të tyre, në mënyrë që të mund të arrihet, me ndihmën e Hyjit, bashkimi i plotë me Kishën Katolike, caktoj me vendimin tim personal të shtrij këtë leje përtej periudhës jubilare, deri në përcaktime të reja rreth kësaj çështjeje, që askujt te mos i mungojë kurrë shenja sakramentore e pajtimit nëpërmjet faljes së Kishës.

13. Mëshira ka edhe fytyrën e ngushëllimit. “Ngushëllojeni, ngushëllojeni popullin tim” (Is 40,1) janë fjalët prekëse që profti Isaia i shqipton ende sot e kësaj dite, që të shkojë te gjithë ata që vuajnë dhe kanë dhimbje një fjalë shprese. Të mos lejojmë të na e rrëmbejnë shpresën që vjen nga feja në Zotin e ngjallur. Është e vërtetë që shpesh gjendemi në sprova të vështira, por kurrë nuk duhet të mungojë siguria se Zoti na do. Mëshira e tij shprehet edhe me anë të afërsisë, dashurisë dhe mbështetjes që shumë vëllezër dhe motra mund të ofrojnë kur vijnë ditë trishtimi dhe pikëllimi. Të fshish lotët është një veprim konkret që copëton rrethin e vetmisë në të cilën shpesh mbyllemi.

Të gjithë kemi nevojë të gushëllohemi, sepse askush nuk ka imunitet nga vuajtja, nga dhimbja dhe nga moskuptimi. Sa shumë dhembje mund të krijojë një fjalë plot mllef, fryt i zilisë, i xhelozisë dhe i zemërimit! Sa vuajtje krijon një përvojë tradhëtie, dhune dhe braktisjeje; sa hidhtim përballë vdekjes së personave të dashur! E megjithkëtë kurrë Zoti nuk largohet kur përjetohen këto drama. Një fjalë e vetme që jep zemër, një përqafim që të ndihmon të ndjehesh i kuptuar, një përkëdhelje që të bën të perceptosh dashurinë, një lutje që lejon të jesh më i fortë … janë të gjitha shprehje të afërsisë së Hyjit nëpërmjet ngushëllimit të ofruar nga vëllezërit.

Nganjëherë edhe heshtja mund të jetë një ndihmë e madhe; sepse ndonjëherë nuk ka fjalë që i japin përgjigje pyetjeve të dikujt që vuan. Në mungesë të fjalëve mund të zërë vend dhembshuria e atyre që janë të pranishëm, që janë afër, që duan dhe shtrijnë dorën. Nuk është e vërtetë që heshtja është një akt dorëzimi, përkundrazi është një çast fuqie dhe dashurie. Edhe heshtja i përket gjuhës së ngushëllimit, sepse shndërrohet në një vepër konkrete bashkëndarje dhe pjesëmarrje në vuajtjen e vëllait.

14. Në një moment të veçantë si ky që po përjetojmë, ku ndërmjet shumë krizash, sheh edhe atë të familjes, është shumë e rëndësihme që të mbërrijë një fjalë ngushëllimi në familjet tona. Dhurata e martesës është një thirrje e madhe të cilës, me ndihmën Krishtit, i duhet përgjigjur me dashuri bujare, besnike dhe të durueshme. Bukuria e familjes qëndron e pandryshueshme, megjithë shumë terrinave dhe propozimeve alternative: “Gëzimi i dashurisë që jetohet nëpër familje është edhe hareja e Kishës”[16], shtegu i jetës që e çon një burrë apo një grua të takohen, të dashurohen dhe para Hyjit t’i premtojnë besnikëri njëri-tjetrit për gjithmonë, shpesh ndërpritet nga vuajtja, tradhëtia dhe vetmia. Gëzimi për dhuratën e fëmijëve nuk është e paprekshme nga shqetësimet e prindërve për rritjen dhe formimn e tyre, për një të ardhme të denjë për t’u jetuar  fuqimisht.

Hiri i Sakramentit të martesës, jo vetëm e fuqizon familjen, që të jetë vendi i privilegjuar në të cilin të përjetohet mëshira, por angazhon bashkësinë e krishterë dhe të gjithë veprimin baritor që të dalë në pah vlera e madhe dhe shembullore e familjes. Ky Vit jubilar, megjithatë nuk mund të humbasë nga sytë realitetin e koklavitur aktual të familjes. Përvoja e mëshirës na bën të aftë të hedhim shkimin drejt të gjitha vështirësive njerëzore, me sjelljen e dashurisë së Hyjit që nuk rresht kurrë së pranuari dhe së shoqëruari[17].

Nuk mund të harrojmë që çdonjeri mbart në vetvete pasurinë dhe peshën e historisë së tij personale, që e dallon nga çdonjeri tjetër. Jeta jonë, me gëzimet dhe dhembjet e saja, është diçka unike dhe e papërsëritshme, që rrjedh nën vështrimin e mëshirshëm të Hyjit. Kjo ka nevojë, mbi të gjitha nga ana e meshtarëve, për një shoshitje shpirtërore të vëmendshme, të thellë e largpamëse, në mënyrë që çdokush, pa përjashtuar askënd, në çfarëdolloj situatë të jetë duke jetuar, të mund të ndjehet konkretisht i pranuar prej Hyjit, të marrë pjesë aktivisht në jetën e bashkësisë dhe të jetë pjesë e atij Popullit të Hyjit që parreshtur ecën drejt plotësië së Mbretërisë së Hyjit, mbretëri drejtësie, dashurie, faljeje dhe mëshire.

15. Një rëndësi të veçantë ka çasti i vdekjes. Kisha e ka përjetuar gjithnjë këtë kalim dramatik nën dritën e ngjalljes së Jezu Krishtit, që ka hapur rrugën për sigurinë e jetës së ardhshme. Kemi një sprovë të madhe me të cilën duhet të përballemi, sidomos në kulturën bashkohore, që shpesh ka prirjen ta banalizojë vdekjen, derisa sa e kthen në një trillim apo e fsheh atë. Vdekja përkundrazi duhet përballuar dhe përgatitur si një kalim i dhimbshëm dhe i pashmangshëm, por i mbushur me kuptim: ai i aktit të fundit të dashurisë ndaj njerëzve që na lënë dhe ndaj Hyji drej të cili shkohet. Në të gjitha religjionet, çasti i vdekjes, ashtu sikurse edhe ai i lindjes, shoqërohet nga një prani religjoze. Ne përjetojmë përovojën e kremtimit të funeralit si një lutje plot me shpresë, për shpirtin e të vdekurit dhe për t’i dhënë ngushëllim atyre që vuajnë shkëputjen nga personi i dashur.

Jam i bindur që kemi nevojë në veprimin baritor të gjallëruar nga feja e gjallë të bëjmë të preket me dorë se sa shumë shenjat liturgjike dhe lutjet tona janë shprehi e mëshirës së Zotit. Është ai vetë që ofron fjalë shprese, në mënyrë që asgjë dhe askush të mos mund të ndahet kurrë nga dashuria e tij (khs. Rom 8,35). Bashkëndarja e këtij çasti, nga ana e meshtarit, është një shoqërim i rëndësishëm, sepse lejon të jetohet afërsia e bashkësisë së krishterë në momentin e brishtësisë, vetmisë, pasigurisë dhe lotëve.

16. Përfundon Jubileu dhe mbyllet Dera e Shenjtë. Por dera e mëshirës e zemrës tonë mbetet gjithnjë e hapur. Kemi mësuar që Hyji përkulet mbi ne (khs. Os 11,4), që edhe ne të mund t’i përngjajmë duke u përkulur mbi vëllezërit tanë. Nostalgjia e shumë njerëzve për t’u kthyer në shtëpinë e Atit, i cili pret ardhjen e tyre, yshtet edhe nga dëshmia e sinqertë dhe bujare e butësisë hyjnore. Dera e shenjtë, që kemi kaluar në këtë Vit jubilar, na ka vendosur në rrugën e dashurisë, të cilën jemi të thirrur ta përshkojmë çdo ditë me besnikëri dhe me gëzim. Është rruga e mëshirës që na lejon të takojmë shumë vëllezër e motra që na shtrijnë dorën, në mënyrë që dikush te mund ta marrë për të ecur së bashku.

Vullneti për të qenë pranë Krishtit kërkon që ne t’i bëhemi të afërt vëllezërve, sepse asgjë më shumë nuk i pëlqen Atit se sa një shenjë konkrete e mëshirës. Në vetë natyrën e saj mëshira bëhet e dukshme dhe e prekshme me anë të një veprimi konkret dhe dinamik. Një herë që është provuar në të vërtetën e saj, nuk ka më kthim mbrapa: rritet vazhdimisht dhe të ndryshon jetën. Është një krijim i ri i përnjimendtë që krijon një zemër të re, të aftë për të dashur në mënyrë të plotë dhe pastron sytë që të dallojnë nevojat më të fshehura. Sa të vërteta që janë fjalët me anë të të cilave Kisha lutet në përgimin e Pashkëve, pas leximit të tregimit të krijimit: “O Hyj, që në mënyrë të mrekullueshme na ke krijuar në shëmbëllimin tënd dhe në mënyrë më të mrekullueshme na ke përtërirë e shëlbuar”[18].

Mëshira përtërin dhe shëlbon, sepse është takimi i dy zemrave: ajo e Hyjit që shkon drejt asaj të njeriut. Kjo ngrohet dhe e para e shëron: zemra e gurit shndërrohet në zemër mishi (khs. Ez 36,26), e aftë të dojë, megjithë mëkatin e saj. Këtu perceptohet të qenurit përnjimend një “krijesë e re” (khs. Gal 6,15): jam i dashur, pra ekzistoj; jam i falur, pra rilind për një jetë të re; kam lindur “i mëshiruar”, pra bëhem edhe unë vegël e mëshirës.

17. Përgjatë Vitit të Shenjtë, veçanërisht në “të premtet e mëshirës”, kam mundur të prek me dorë se sa mirësi është e pranishme në botë. Shpesh nuk njihet, sepse bëhet çdo ditë në mënyrë të rezervuar dhe të heshtur. Edhe pse nuk dalin në lajme, ekzistojnë megjithatë shumë shenja konkrete mirësie dhe butësie që u drejtohen më të vegjëlve dhe më të pambrojturve, më të vetmuarve dhe më të braktisurve. Ekzistojnë me të vërtetë protagonistë të dashurisë që bëjnë të mos u mungojë solidariteti më të varfërve dhe më të palumturve. Të falenderojmë Hyjin për këto dhurata të çmueshme që na ftojnë të zbulojmë gëzimin që na jep afërsia me dobësinë e njerëzisë së plagosur. Me mirënjohje mendoj për shumë vullnetarë që çdo ditë japin nga koha e tyre për të shfaqur praninë dhe afërsinë e Hyjit me përkushtimin e tyre. Shërbimi i tyre është një vepër genuine mëshire, që ndihmon shumë perosna për t’iu afruar Kishës.

18. Është koha t’i lëmë vend fantazisë së mëshirës për t’u dhënë jetë shumë veprave të reja, fryte të hirit. Kisha ka nevojë të dëftojë sot ato “shenja të shumta të tjera”, që Jezusi ka kryer dhe që “nuk janë shkruar” (Gjn 20,30), me qëllim që të jenë shprehje dëshmuese e frutshmërisë së dashurisë së Krishtit dhe të bashkësisë që jeton prej Tij. Kanë kaluar më shumë se dy mijë vjet, e megjthatë veprat e mëshirës vazhdojnë të nxjerrin në dukje dashurinë e Hyjit.

Ende sot popullsi të tëra vuajnë urinë dhe etjen e sa shumë shqetësim ngjallin shëmbëllimet e fëmijëve që nuk kanë asgjë për të ngrënë. Masa njerëzish vazhdojnë të emigrojnë nga një vend në tjetrin, në kërkim të ushqimit, punës, shtëpisë dhe paqes. Sëmundja, në format e saja të ndryshme, është një motiv i vazhdueshëm vuajtjeje, që kërkon ndihmë, ngushëllim dhe mbështetje. Burgjet janë vende ku jo rrallëherë, përveç dënimit, shtohen edhe vështirësi shpesh të rënda, për shkak të kushteve çnjerëzore të jetës. Analfabetizmi është ende shumë i përhapur  dhe pengon shumë fëmijë të formohen e kështu rrezikohen nga forma të reja skllavërie. Kultura e individualizmit të skajshëm, sidomos në perëndim, sjell në bjerrjen e sensit të solidaritetit dhe të përgjegjësisë ndaj të tjerëve. Vetë Hyji mbetet sot një i panjour për shumkënd; kjo përbën varfërinë më të madhe dhe pengesën më të madhe për njohjen e dinjitetit të padhunueshëm të jetës njerëzore.

Me pak fjalë, veprat e mëshirës trupore dhe shpirtërore përbëjnë ende sot në ditët tona vërtetësinë e ndikimit të madh dhe pozitiv të mëshirës si një vlerë shoqërore. Në fakt ajo na nxit që të përveshim mëngët për t’i rikthyer dinjitetin miliona njerëzve që janë vëllezërit dhe motrat tona, të thirrur me ne për të ndërtuar një “qytet të besueshëm”[19].

19. Shumë shenja konkrete të mëshirës janë realizuar përgjatë këtij Viti të Shenjtë. Bashkësi, familje dhe individë besimtarë kanë rizbuluar gëzimin e bashkëndarjes dhe bukurinë e solidaritetit. E megjithatë nuk mjafton. Bota vazhdon të pjellë forma të reja varfërishë shpirtërore dhe materiale, të cilat kërcënojnë dinjitetin e personit. Për këtë arsye, Kisha duhet të rrijë gjithmonë syçelë dhe e gatshme, që të dallojë vepra të reja mëshire dhe ti vërë në jetë me bujari dhe entuziazëm.

Të vëmë pra çdo fuqi për t’i dhënë formë konkrete dashurisë dhe në të njëjtën kohë inteligjencë veprave të mëshirës. Kjo e fundit është një veprim përfshirës dhe për këtë arsye ka prirjen të zgjerohet si një njollë vaji dhe nuk njeh kufinjë. Në këtë kuptim jemi të thirrur t’i japim një fytyrë të re veprave të mëshirës që i njohim prej kohësh. Mëshira në fakt tejkalon; ajo shkon gjithmonë përtej, është pjellore. Është si tharmi që mbrun brumin (khs. Mt 13,33) dhe si një kokërr sinapi që bëhet pemë (khs. Lk 13,19).

Të mendojmë vetëm si shembull, veprën e mëshirës trupore të veshësh të zhveshurin (khs. Mt 25,36.38.43.44). Ajo na çon edhe një herë në fillim t’fillimit, në kopështin e Edentit, ku Adami dhe Eva zbuluan se ishin të zhveshur dhe, duke dëgjuar Zotin që afrohet, patën turp dhe u fshehën (khs. Zan 3,7-8). E dimë se Zoti i ndëshkoi; megjithatë Ai “i bëri njeriut dhe gruas së tij petka prej lëkure dhe i veshi” (Zan 3,21). Turpi tejkalohet dhe dinjiteti rikthehet.

Ta ngulim shikimin edhe mbi Jezusin në Golgotë. Biri i Hyjit mbi Kryq është lakuriq; veshja e tij është hedhur në short dhe është marrë prej ushtarëve (khs. Gjn 19,23-24); Ai nuk ka më asgjë. Mbi kryq na zbulohet, në një mënyrë të skajshme, bashkëndarja e Jezusit me ata që kanë humbur dinjitetin, sepse janë privuar nga çka është e nevojshme. Sikurse Kisha është e thirrur të jetë “veshja e Krishtit”[20] për të veshur Zotin e saj, kështu është e angazhuar edhe të jetë përkrah të zhveshurve të tokës, që ata të riftiojnë dinjitetin nga i cili janë zhveshur. “(Isha) i zhveshur dhe më veshët” (Mt 25,36), na detyron të mos i kthejmë kryet përballë formave të reja të varfërisë, mënjanimit që i pengojnë njerëzit të jetojnë me dinjitet.

Të mos kesh punë dhe të mos marrësh pagën e duhur; të mos kesh një shtëpi apo një tokë ku të jetosh; të diskriminohesh për shkak të fesë, racës, gjëndjes shoqërore…: këto e shumë të tjera janë gjëndje që kërcënojnë dinjitetin e personave, përballë të cilave veprimi i mëshirshëm i të krishterëve përgjigjet para së gjithash me vigjilencën dhe solidaritetin. Sa të shumta që janë sot ato situata në të cilat ne mund t’u rikthejmë dinjitetin personave dhe t’i lejojmë të jetojnë një jetë njerzore. Të mendojmë vetëm numrin e madh të fëmijëve që pësojnë lloje të ndryshme dhune e që u vjedhin atyre gëzimin e jetës. Fytyrat e tyre të trishtuara dhe të çorientuara janë të gdhendura në mendjen time; kërkojnë ndihmën tonë për t’u çliruar nga skllavëria e botës bashkëkohore. Këto fëmijë janë të rinjtë e së nesërmes; si po i përgatisim të jetojnë me dinjitet dhe përgjegjësi? Me çfarë shprese mund të përballojnë të tashmen dhe të ardhmen e tyre?

Trajta shoqërore e mëshirës kërkon të mos qëndrojmë të plogësht dhe të përzemë indiferencën dhe hipokrizinë, në mënyrë që planet dhe projektet të mos mbesin gërma të  vdekura. Shpirti Shenjt na ndihmoftë të jemi gjithmonë të gatshëm të japim në mënyrë konkrete dhe të painteres ndihmën tonë, që drejtësia dhe një jetë e dinjitetshme të mos mbeten vetëm fjalë të rastit, por të jenë një angazhim konkret që ka si qëllim të dëshmojë praninë e Mbretërisë së Hyjit.

20. Jemi të thirrur që të punojmë për rritjen e një kulturë mëshire, e themeluar mbi rizbulimin e takimit me të tjerët: një kulturë në të cilën askush të mos e shohë tjetrin me indiferencë e të mos kthejë kryet kur shikon vuajtjen e vëllezërve. Veprat e mëshirës janë “artizanale”: asnjëra prej tyre nuk është e njëjtë me tjetrën; duart tona mund t’u japin formë në mënyra të ndryshme, edhe pse i njëjtë është Zoti që i frymëzon dhe e unike është “lënda” nga e cila janë bërë, d.m.th. vetë mëshira, por secila përfton një formë të ndryshme.

Veprat e mëshirës në fakt prekin të gjithë jetën e një njeriu. Dhe për këtë arsye ne mund t’i japim jetë një revolucioni të vërtetë kulturor, duke u nisur nga thjeshtësia e gjesteve që dinë të mbërrijnë trupin dhe shpirtin, d.m.th. jetën e personave. Është një angazhim që bashkësia e krishterë mund ta bëjë të sajin, e vetëdijshme që Fjala e Zotit e thërret vazhdimisht të dalë nga indiferenca dhe nga individualizmi, në të cilën është e tunduar të mbyllet për të çuar përpara një ekzistencë të rehatshme dhe pa probleme. “Të varfërit do t’i keni gjithmonë me vete” (Gjn 12,8) u thotë Jezusi dishepujve të tij. Nuk ka alibi që mund të shfajësojë një mosanagzhim, kur ne e dimë se Ai është njejtësuar me secilin prej tyre.

Kultura e mëshirës fromohet me anë të lutjes së vazhdueshme, të hapjes me bindje ndaj veprimit të Shpirtit, në familjaritetin me jetën e shenjtërve dhe në afërsinë konkrete me të varfërit. Është një ftesë e ngutshme që të mos keqkuptojmë aty ku është e domosdoshme të angazhohemi. Tundimi për të bërë “teoritë e mëshirës” tejkalohet në atë masë në të cilën ajo bëhet një jetë e përditshme pjesëmarrjeje dhe bashkëndarjeje. Nga ana tjetër nuk duhet kurrë të harrojmë fjalët me anë të të cilave apostulli Pal, duke treguar takimin e tij me Pjetrin, Jakobin  dhe Gjonin, pas kthimit, vë në dukje një trajtë thelbësore të misionit të tij dhe të të gjithë jetës së krishterë: “Vetëm na porositën t’i kujtojmë të vobektit – gjë që jam kujdesur ta bëj në mënyrë të veçantë” (Gal 2,10). Nuk mund t’i harrojmë të varfërit: është një ftesë më shumë se kurrë aktuale që imponohet me krejt evidencën e saj ungjillore.

21. Përvoja e Jubileut gdhendtë në ne fjalët e apostullit Pjetër: “…ju që dikur ishit përjashtuar nga mëshira tani e fituat mëshirën” (1 Pjt 2,10). Të mos e mbajmë me xhelozi vetëm për veten tonë çfarë kemi marrë; të dimë ta ndajmë me vëllezërit që vuajnë, në mënyrë që të jenë të mbështetur nga fuqia e mëshirës së Atit. Bashkësitë tona të hapen dhe të mbërrijnë të gjithë ata që jetojnë në territorin e tyre në mënyrë që të gjithëve t’u shkojë përkëdhelja e Hyjit nëpërmjet dëshmisë së besimtarëve.

Kjo është koha e mëshirës. Çdo ditë e ecjes sonë është e shenjuar nga prania e Hyjit që udhëheq hapat tanë me fuqinë e hirit që Shpirti shtjen në zemër për t’i dhënë formë e për ta bërë të aftë të dashurojë. Është koha e mëshirës për të gjithë e për çdonjërin, në mënyrë që askush të mos mendojë se është i huaj për praninë e Hyjit dhe fuqinë e butësisë së tij. Është koha e mëshirës që të gjithë ata që janë të brishtë e të pambrojtur, të largët dhe të vetmuar të mund të provojnë praninë e vëllezërve dhe motrave që i mbështesin në nevojat e tyre. Është koha e mëshirës që të varfërit të ndjejnë mbi veten e tyre shikimin plot respekt por të vëmendshmë të atyre që, pasi kanë mundur indiferencën, zbulojnë thelbin e jetës. Është koha e mëshirës që çdo mëkatar të mos lodhet duke kërkuar faljen dhe të ndjejë dorën e Atit që gjithmonë mirëpret dhe përqafon.

Në dritën e “Jubileut të pesonave të përjashtuar nga shoqëria”, ndërsa në të gjitha katedralet dhe shenjtëroret e botës mbylleshin Dyert e Mëshirës, kam kuptuar që si një shenjë e mëtejshme e këtij viti të Mëshirës, duhet të kremtohet në të gjithë Kishën, me rastin e të dielës XXXIII gjatë Vitit, Dita Botërore e të varfërve. Do të jetë përgatitja më e denjë për të jetuar më pas të Kremten e Krishtit Mbret, i cili e ka njejtësuar veten e tij me të vegjëlit dhe të varfërit dhe do të na gjykojë rreth veprave të mëshirës (khs. Mt 25, 31-46). Do të jetë një Ditë që do të ndihmojë bashkësitë dhe çdo të pagëzuar të reflektojë rreth faktit se si varfëria qëndron në zemër të Ungjillit dhe rreth faktit që derisa Lazri qëndron para derës së shtëpisë sonë (khs. Lk 16,19-21) nuk do të mund të ketë as drejtësi e as paqe shoqërore. Kjo ditë Botërore do të përbëjë edhe një formë genuine të Ungjillizimit të ri (khs. Mt 11,5) me anë të së cilës të përtërihet fytyra e Kishës në veprën e saj të përhershme të kthimit baritor për të qenë një dëshmitare e mëshirës.

22. Mbi ne mbeten gjithnjë të drejtuar sytë e mëshirshëm të Shenjtes Nënës së Tënzot. Ajo është e para që hap rrugën dhe na shoqëron në dëshminë  e dashurisë. Nëna e Mëshirës i mbledh të gjithë nën mbrojtjen e mantelit të saj, sikurse shpeshherë arti ka dashur ta paraqesë. I besohemi ndihmës së saj amnore dhe ndjekim udhëzimin e saj të përhershëm për të shikuar Jezusin, fytyra shkëlqyese e mëshirës së Hyjit.

 

Dhënë në Romë, pranë Shën Pjetrit më 20 nëntor, E kremtja e Krishtit Mbret i Gjithësisë, në vitin e Zotit 2016, i katërti i Pontifikatit.

Françesku

(Përkthimi: redaksia e www.peregrinus.al)


[1] In  Joh 33,5

[2] Pastore di Erma, XLII, 1-4

[3] Khs. Porosia Apostolike, Evangelii  gaudium, 27.

[4] Meshari Romak, E diela III e Kreshmes.

[5] Po aty, Prefacioni i të dielave të Kohës gjatë Vitit VII.

[6] Po aty, Lutja eukaristike II.

[7] Po aty, Ritet e kungimit.

[8] Riti i pendesës, n.46.

[9] Sakramenti i Vajimit dhe kujdesi baritor i të sëmurëve, n.76.

[10] Khs. Koncili II Ekumenik I Vatikanit, Kusht. Sacrosantum concilium, 106.

[11] Po aty Kush. Dog. DeiVerbum, 2.

[12] Porosia Apostolike Evangeli igaudium, 142

[13] Khs. Benedikti XVI, Por. Ap. Postsin. Verbum Domini, 86-87.

[14] Khs. Letra e Atit të Shenjtë me anë të së cilës jepet indulgjenca e plotë me rastin e Jubileut të Jashtëzakonshëm të Mëshirës, 1shtator 2015.

[15] Khs. Po aty.

[16] Poros. Ap. postsin. Amoris Laetitia, 1.

[17] Khs. po aty, 291-300.

[18] Meshari Romak, Përgimi i Pashkëve, Lutja pas Leximit të Parë.

[19] Let. Qark. Lumen fidei, 50.

[20] Khs. Cipriani, Bashkimi i Kishës Katolike, 7.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »