Misericordia et misera, një manifest i mëshirës hyjnore

Nov 25 • Opinion

 

Nga Don Gjergj Meta

Tymnaja mediatike, që u ngrit menjehërë pas publikimit të Letrës apostolike Misericordia et misera të Papës Françesku, në përfundim të Vitit Jubilar të Mëshirës, nuk ka asgjë të përbashkët me përmbajtjen e vërtetë të tesktit. Naiviteti e cektësia aty – këtu përziheshin edhe me ndonjë dashakeqësi e yshtur, jo vetëm nga qarqe jashtë Kishës, por edhe brenda Kishës. Letra e Papës në fakt erdhi jo vetëm në përfundim të Vitit jubilar, por edhe gati-gati si një përkim jo fort i rastësishëm, me letrën që katër Kardinalë i kanë shkruar papa Françeskut disa ditë më parë. Nuk është qëllimi në këtë editorial të merremi me përmbajtjen e letrës së katër kardinajve. Ndoshta historia do të gjykojë më mirë se ne, por gjithsesi me një fjali të vetme mund të thuhet se ajo letër lë një shije të hidhur për anakronizmin e saj dhe shkëputjen totale nga realiteti në të cilin jetojmë.

Por le të kthehemi te Letra e Bergoglio-s. Një letër si ajo, me titullin Misericordia et misera, të bën të t’fërgëllojë zemra nga gëzimi e të gufojë prej notave të shpresës që shtrihen në çdo gërmë të kësaj letre si të ishte pentagrami i një simfonie gëzimi. Po! Sepse mëshira është një simfoni: është takimi i mëkatarit me Mëshirën, me Hyjin. Në çdo numër të kësaj letre ndjehet një përvojë e jetuar e mëshirës tek të tjerët, por edhe te vetë Papa, i cili nuk ngurron të zbresë edhe vetë në fushën e “betejës”. Nuk ka asgjë para Hyjit që nuk mund të falet. Ajo çka shkruan Papa nuk zvogëlon doktrinën, por rrit mëshirën dhe dashurinë e pamasë të Hyjit. E gjitha kjo nis nga një takim, është takimi në Ungjillin e Gjonit, në kapitullin e tetë, ndërmjet Jezusit dhe gruas kurorëshkelëse. Falja që i vjen asaj, dashuria që i tregohet në personin e Jezusit, përmbysja e një drejtësie dënuese në një drejtësi që fal, për të cilën vetëm Jezusi është i aftë, ndodh si pasojë e një takimi. Është pikërisht kjo gjë, ky takim që shërben si një cantus firmus për të kompozuar simfoninë e madhe të mëshirës së Hyjit, i cili shkon drejt mëkatarit për ta përqafuar atë me dashurinë e Atit të mëshirshëm.

E kush nga ne nuk e ndjen deri në fund dëshirën e një përqafmi, të një gushëllimi, pasi ka gabuar apo mëkatuar. Kush nga ne nuk ndjehet i lodhur e i raskapitur nga mëkati i tij? E ne meshtarët më shumë se kushdo për shkak se jemi vetë mëkatarë të falur, por edhe sepse çdo i penduar na kujton gjëndjen tonë personale (MM 10).

Leximi dhe përthellimi i këtij teksti mund të jetë për çdo meshtar, por jo vetëm, edhe për çdo bashkësi e dioqezë, një program i vërtetë se si mund të përzgjatet viti i Mëshirës përtej përfundimit të tij. Në fakt nuk kishte se si të mbyllej një Vit i mëshirës, ajo nuk është për një vit, por për amshim. Çdo pargraf është një përvojë jete dhe një mundësi për të takuar mëshirën e Hyjit, qoftë kur bëhet fjalë për përjetimin e liturgjisë dhe pjesëve të saj, qoftë kur bëhet fjalë për përjetimin e sakramenteve (Rrëfmi e Vajimi) e po ashtu kur bëhet fjalë për Leximin dhe meditimin e Fjalës së Hyjit në Lectio divina dhe në homelinë gjatë meshës e po ashtu në përvojën e shërbimit ndaj të varfërve.

Një rëndësi e veçantë në këtë letër i kushtohet sakramentit të Rrëfmit, sidomos dy mundësive të mëdha që kjo letër jep. Në fakt shtrihet te të gjithë meshtarët në kohë mundësia për të zgjidhur nga censura e çkishërimit dhe nga mëkati ata që kanë bërë abort. Nga pikëpamja juridiko-kanonike Papa ka dashur, sikurse thotë ai vetë “…që asnjë pengesë të mos vendoset ndërmjet kërkesës së pajtimit dhe faljes së Hyjit”. Nëse më pare, në bazë të së Drejtës Kanonike (kan 1398) nga mëkati abortit zgjidhnin vetëm ipeshkëvi dhe disa meshtarë me leje të veçantë, tani e mbrapa çdo meshtar mund të zgjidhë, kur sheh një person që i penduar rrëfehet. Një hap i rëndësishëm që pritej prej kohësh në fakt. Papa kishte dhënë shenja të tilla edhe më parë. Shenja e parë e ngjashme me këtë ka qenë heqja e vendimit të dyfishtë për çështjet e pavlefshmërisë së martesave në proceset e nulitetit. Është një situatë analoge, me anë të së cilës Papa, me veprimin e tij, u vjen në ndihmë atyre situatave të koklavituar që mund të mbeten pengje të një drejtësie legale.

Më duket me rëndësi që i gjithë ky proces reflektimi duhet të kjetë në qendër të vëmendjes dhe të nisë nga meditimi i Fjalës e cila “…bëhet intepretuese e kërkesave dhe shqetësimeve tona” (MM 6). Bashkësitë tona duhet të mblidhen rreth Fjalës se kështu do të jenë bashkësi të Faljes. Nga meditimi i Fjalës shkohet drejt përjetimit të Faljes.

“Kjo është koha e mëshirës. Çdo ditë e ecjes sonë është e shenjuar nga prania e Hyjit që udhëheq hapat tanë me fuqinë e hirit që Shpirti shtjen në zemër për t’i dhënë formë e për ta bërë të aftë të dashurojë. Eshtë koha e mëshirës për të gjithë e për çdonjërin, në mënyrë që askush të mos mendojë se është i huaj për praninë e Hyjit dhe fuqinë e butësisë së tij. Është koha e mëshirës që të gjithë ata që janë të brishtë e të pambrojtur, të largët dhe të vetmuar të mund të provojnë praninë e vëllezërve dhe motrave që i mbështesin në nevojat e tyre. Është koha e mëshirës që të varfërit të ndjejnë mbi veten e tyre shikimin plot respekt por të vëmendshmë të atyre që, pasi kanë mundur indiferencën, zbulojnë thelbin e jetës. Është koha e mëshirës që çdo mëkatar të mos lodhet duke kërkuar faljen dhe të ndjejë dorën e Atit që gjithmonë mirëpret dhe përqafon.” (MM 21).

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »