ADVENTI: është koha të zgjohemi nga gjumi!

Nov 26 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela I e Ardhjes (A )

Leximi parë Is 2, 1-5

Lexim prej Librit të Isaisë profetë

Vegimi që pa Isaia, biri i Amosit, në lidhje me Judën e Jerusalemin.

Do të ndodhë në kohën e ardhshme: mali i Shtëpisë së Zotit do të vendoset mbi majën e maleve, e do të ngallitë përmbi kreshta dhe të gjithë popujt do të ngarendin tek ai.

Tek ai do të shkojnë shumë popuj e do të thonë:

“Ejani të ngjitemi në malin e Zotit, në Shtëpinë e Hyjit të Jakobit që të na i mësojë udhët e tij e të ecim shtigjeve të tij,” sepse nga Sioni do të dalë Ligji dhe nga Jerusalemi fjala e Zotit.

Ai do të jetë gjykatësi i popujve dhe do t’i gjykojë fiset e shumta, shpatat e veta do t’i kthejnë në plorë e heshtat në drapërinj.

Një popull nuk do të ngrejë shpatën kundër një populli tjetër dhe më s’do të ushtrohen për luftë.

Eja, o shtëpia e Jakobit, të ecim në dritën e Zotit!

Fjala e Zotit

 

Psalmi 122

Ref. Të shkojmë me gëzim në takim me Zotin.

———————————————————–

Seç u gëzova kur më thanë:

“Eja të shkojmë në Shtëpinë e Zotit!”

Ja, tashmë këmbët tona shkelën

në dyert e tua, o Jerusalem!

———————————————————–

O Jerusalem, qytet i ndërtuar me mjeshtëri,

thuaj se i tëri një cope e vetme je!

Atje ngjiten fiset, fiset e Zotit,

sipas rregullores në Izrael

për të kremtuar Emrin e Zotit.

———————————————————–

Atje janë selitë e gjykatores së drejtësisë,

selitë e shtëpisë së Davidit!

Lutuni për paqen e Izraelit:

“U priftë e mbara atyre që të duan ty!

Mbretëroftë paqja në muret e tua

dhe qetësia në pirgjet e tua!”

———————————————————–

Për dashuri ndaj vëllezërve e miqve të mi

do të them: “Paqja me ty”!

Për dashuri ndaj Shtëpisë së Zotit, Hyjit tonë,

do të lutem t’i kesh të gjitha të mirat!

———————————————————–

 

Leximi dytë  Rom 13, 11-14

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drjtuar Romakëve

Vëllezër, është koha të zgjoheni nga gjumi, sepse tani shpëtimin e kemi më afër se kur besuam. Nata ka shkuar në të sosur e dita është afruar. Prandaj, t’i flakim larg veprat e errësirës e të ngjeshemi me armët e dritës.  Të ecim me nder, porsi ditën, jo në gosti e zdërhallje, jo në fëlligështi e në shfreni, jo në grindje e në smirë.  Por, vishuni me Jezu Krishtin Zot e në kujdes për trupin, mos i kënaqni prirjet e ulta.

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Na e trego, o Zot, mëshirën tënde,

dhe na e jep shëlbimin tënd.

Aleluja

 

Ungjilli Mt 24, 37-44

Lexim i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: Si qe në ditët e Noehit ‑ ashtu do të jetë edhe Ardhja e Birit të njeriut, dhe, sikurse në ditën para përmbytjes, njerëzit hanin e pinin, merrnin gra e gratë burra deri atë ditë kur Noehi hyri në arkë,  e nuk ua preu mendja se do t’u ndodhte gjë derisa erdhi përmbytja e i fshiu: ashtu do të jetë edhe në Ardhjen e Birit të njeriut.

Atëherë, prej dy vetëve, që kanë për t’u gjetur në arë, njëri do të merret e tjetri do të lihet, prej dy grave që do të bluajnë në mokër, njëra do të merret e tjetra do të lihet.

Prandaj: rrini zgjuar, sepse nuk dini se në ç’ditë do të vijë Zotëria juaj!  E mos harroni: po ta dinte i zoti i shtëpisë se në ç’orë të natës i vjen vjedhësi, do të rrinte zgjuar e nuk do të lejonte t’i thyhej shtëpia.

Prandaj: rrini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju s’e pritni.”

Fjala e Zotit

 

POROSIA

Fisi afrikan, i quajtur Gala, shpeshherë këndonin një këngë që tittullohej: Ati ynë, na dërgo fjalën tënde! Kjo këngë e kishte këtë kuptim: Ata i luteshin Vekes, një qenie për ta mbinatyrore që ta dërgoj njeriun, i cili do t‘u printe në rrugën e vertetë, do të ndihmonte të varfëritë, do t‘i duante të nëpërkëmburit e të sëmurët, do t‘i vesh të zhveshurit do t‘i forcojë kundër armiqëve, do të sjell paqe dhe shpëtim.

Me këtë këngë dhe lutje nga Afrika mund të fillojmë edhe ne këtë kohë të shenjtë të Ardhjes.

Ati ynë na e dërgo Fjalën tënde, na e dërgo Birin tënd, të pritur me shekuj, sepse është e nevojshme prania e tij në jetën e çdo njërit prej nesh. Të vijë Ai për të sjell porosinë nga qielli, dashurinë që Hyji Atë ka për ne, për të sjell paqe dhe siguri, ashtu si e paralajmëruarn profetët.

Nga diela e sotme fillon koha e Ardhjes. Kjo kohë nuk është vetëm kujtim i asaj që kishte ndodhur dikur në Betlehem e në botën e atëhershme judaike, por gjithmonë përjetim i bashkimit të qiellit me tokën nëpërmes Jezu Krishtit.

Jezusi na prinë në rrugë të vërtetë, rrugë e paqes dhe dashurisë, rrugë që ne duke e dëgjuar porosinë e kësaj kohe të shenjtë, orëentohemi kah takimi ynë me Zotin, që po vjen.

Rrini zgjuar, thotë Jezusi në ungjillin e sotshëm.

Na thërret që mos të kotemi, por gjithmonë të jemi të përgatitur, të jemi syçel, të ecim në driten e Zotit, sikurse na porositë Shën Pali, mos të lejojmë të na robërojë e keqja dhe të mos mashtrohemi. Ndërsa Isaia profet, ashtu si u thotë judenjëve, në thotë edhe neve sot e përherë që të gëzohemi dhe të galdojmë në Zotin, i cili vjen dhe sjell paqen e vet. Ai na gjykon me drejtësi, prandaj ne duhet të ecim në Dritën e Zotit, që do të thotë të bëjmë vepra të mira e të jemi të ndriçuar nga Zoti.

Jezusi në Ungjill na tregon një realitet njerëzor. Njerëzit angazhohen, punojnë dhe janë së tepërmi në trysni të kohës. Kjo nuk është keq nëse në punë dhe angazhime nuk e harrojmë Zotin dhe kohën e cila ecë dhe nuk ndalet. Nuk lejojmë që koha të na shkel, por ecim të sigurt, jo duke u bazuar në fuqi tona, por në ndihmën e Zotit.

Rrini zgjuar – thotë Krishti! Çka do të thotë kjo për ne?

Të rrimë zgjuar do të thotë të jemi të kujdesshëm, sepse do të përgjigjemi para Zotit në saje të veprave që bëjmë.

Ne duhet pasur parasysh ardhjen e dyfishtë të Krishtit. Atëherë kur duhet të japim llogari për veprat dhe jeten tonë, në diten e gjyqit, por edhe tani, kur jetojmë në tokë që të na nxitë me praninë e Tij me jetën sakramentale, e cila na aftëson të jetojmë të paster në zemër e të denjë për jetë me Të.

Koha e Ardhjes, është kohë thirrje prej Zotit, të kthehemi kah Ai, të hyjmë në brendinë tonë, ta pastrojmë shpirtin tonë dhe t‘i bëjmë vënd Zotit në zemrat, në familje tona.

Ardhja është kohë përgatitje, kohë kur ne zdeshemi prej krenarisë, prej egoizmit, prej urrejtjes, prej mendimit të hakmarrjes, prej xhelozisë dhe vishemi në përvujtëri, me hirin që na e dhuron Zoti. Duam të jemi të zgjuar, të mendojmë se si Zoti na do duke e dërguar Birin e vet në botë, që sjell gëzimin shpirtëror, sjell paqen, sjell dashurinë, dëshiron të ngrohë zemrat që janë të ngrira, të acaruara, që janë të thyera, të pikëlluara. Në Krishtin ne gjëjmë forcë, gjëjmë ngushëllim, gjëjmë motiv për jetë.

Kohë e Ardhjes është e shenjtë, është shumë e veçantë për ne. Nuk guxojmë t‘i lejojmë vetit që mos të jemi të nxitur për ta njohur, për ta dashur, e për ta nderuar më shumë Zotin.

Sartre kur ishte i vogël kishte konstatuar se Zoti sheh gjithmonë, Zoti e sheh atë. Nga ajo kohë krijoi frikë dhe kurrë nuk e deshi Zotin, por kishte krijuar averison ndaj Tij. Prandaj edhe jeta e tij karakterizohet me një ekzistencializëm nihilist.

Jo, neve Zotit nuk i frikësohemi, sepse Ai na do dhe Ai përkujdeset për ne. Edhe pse mund të jemi mëkatar, Ai erdhi pikërisht për ata, erdhi që të bashkojë të treturit, të ndihmojë të gjithë ata që kanë nevojë. Të shëron plaget e zemrës dhe të shpirtit të njeriut.

Në këtë kojë të ardhjes, nëpër sheshe, fshatra e qytete, rrugë dhe oborre, kisha dhe shtepi bëhen ndriçime, që kanë një qëllim: në dritë të fesë dhe të besimit ta presim Krishtin.

Vëlla dhe motër e dashur, përjetoje këtë kohë të shenjtë, si kthim kah Zoti, rrëfehu, pastroje shpirtin tënd; ky është ndriçimi më i bukur që do të mund ta bësh. E jo vetëm, por kjo është gjëja më e mira të ndihesh i lumtur dhe të përjetosh Krishtlindjen si rilindje e jotja shpirtërore. Amen.

 

LUTJET E BESIMTARËVE

Vëllezër dhe motra, shpallja e fjalës së Zotit na fton që të jemi të përgatitur për ardhjen e Birit të Zotit. Duke filluar këtë kohë të hirit, t‘ia drejtojmë lutjet tona Hyjit Atë duke thënë së bashku:

O Zot, ki mëshirë!

  • Për Kishën, që është e  ftuar të jetë tharm në botë, bëj o Zot që të jetë në shërbim për t‘u ndihmuar të gjithë njerëzve të jetojnë në paqe në mes vete, të lutemi:
  • Për Papën, ipeshkëvijtë tanë, meshtarët, rregulltarë dhe rregulltare, diakonë dhe të gjithë ata që janë në shërbim të Kishës, që hiri i Zotit t‘u ndihmojë në punën e tyre për një ecje sa më të mirë me ë gjithë njerëzit në rrugën e shëlbimit, të lutemi:
  • Për të gjithë ata që janë të ngarkuar me kryqe të ndryshme, që ju ka sjell jeta, për të sëmuar, të varfër, të nëpërkëmbur, që të gjëjnë mbështetje në Zotin, të lutemi:
  • Për ne këtu të bashkuar në emër të Zotit, që të zgjuar në uratë ta presim Shëlbuesin e botës, Jezusin Mesi, të lutemi:
  • Për vëllezërit e motrat tona të vdekura, që të gëzojnë jetën e pasosur, të lutemi.

O Hyj, Zotërues i qiellit dhe i tokës, dëgjoj lutjet e bashkësisë sate këtu e pranishme,. Nëpërmes Shpirtit tënd të shenjtë na ndihmo të njohim çka është më e mira për ne dhe botën mbarë, duke pritur ardhjen e lavdishme të Birit tënd, Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili me ty jeton e mbretëron në shekujt e shekujve. Amen.

Përgatiti: Don Marjan Demaj

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »