Jetë jonë e çmueshme dhe brishtë

Nov 27 • Meditimi i ditës

27 nëntor 2016 – E diela 1-rë e Ardhjes, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 2,1-5; Ps 122,1-2.4-9; Rom 13,11-14a; Mt 24,37-44)

 

Prania e Hyjit

“Ndaluni e shihni se unë jam Hyji.” (Ps 46,11) Qetësohu dhe njihe Zotin.

O Zot, fjalët e tua na çojnë në qetësinë dhe madhështinë e Pranisë sate.

 

Liria

O Zot, më ke krijuar që të jetoj në liri.

Shpesh herë kollaj e pranoj dhe e marrë këtë dhuratë.

Më frymëzo që të jetoj në lirinë që e ke parashikuar për mua,

me një zemër të pangarkuar dhe me një besim të plotë në ty.

 

Ndërgjegjësimi

Të jesh i vetëdijshëm për diçka do të thotë këtë edhe ta vëresh.

O Zot, më ndihmo që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e se ma ke dhuruar jetën;

Faleminderit për këtë dhuratë të jetës.

Më mëso se si të koncentrohem dhe të jem i/e qetë dhe të kënaqem në sendet që i ke krijuar për mua.

Ta vërej bukurinë që më rrethon,

mrekullitë e majave të maleve, qetësinë e liqenit, thyeshmërinë e gjethes së lules…

Gjithmonë duhet të jem i/e vetëdijshëm se të gjitha këto vijnë prej teje.

 

Fjala

Hyji i flet çdonjërit prej nesh personalisht. Duhet të përgjoj në mënyrë që të dëgjoj çfarë dëshiron të më thotë. Do ta lexoj tekstin disa herë, pastaj do të dëgjoj…

Mt 24, 37-44 37 Dhe, si qe në ditët e Noehit ‑ ashtu do të jetë edhe Ardhja e Birit të njeriut, 38 dhe, sikurse në ditën para përmbytjes, njerëzit hanin e pinin, merrnin gra e gratë burra deri atë ditë kur Noehi hyri në arkë, 39 e nuk ua preu mendja se do t’u ndodhte gjë derisa erdhi përmbytja e i fshiu: ashtu do të jetë edhe në Ardhjen e Birit të njeriut.

40 Atëherë, prej dy vetëve, që kanë për t’u gjetur në arë, njëri do të merret e tjetri do të lihet,

41 prej dy grave që do të bluajnë në mokër, njëra do të merret e tjetra do të lihet.

42 Prandaj: rrini zgjuar, sepse nuk dini se në ç’ditë do të vijë Zotëria juaj! 43 E mos harroni: po ta dinte i zoti i shtëpisë se në ç’orë të natës i vjen vjedhësi, do të rrinte zgjuar e nuk do të lejonte t’i thyhej shtëpia.

44 Prandaj: rrini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju s’e pritni.”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Këtu hasim në imazhe, skena të rënda: përmbytje, marrje, vjedhje. Janë këto ngjarje të jetës ndryshuese nga të cilat njeriu frikësohet. Ne e kemi vetëm një jetë, dhe ajo është e çmueshme dhe e brishtë. Vazhdimisht duhet të jemi në një linjë me Jezusin, të gatshëm për çdo gjë që vjen në rrugën tonë, dhe jo të ecim përgjumshëm në jetë.
  • O Zot, bëj që ta vërej praninë tënde të përditshme në jetën time. Ti në të vërtetë vjen vazhdimisht, na dhuron vetveten vazhdimisht. Bëj që të jem gjithmonë gati në qoftë se më thirr – që i/e gatshëm të mund të dal para teje. Më ndihmo që të jem besnik/e në punët dhe detyrimet e mia të përditshme, që mos të të humbas në rutinën e ditës.

 

Bashkëbisedimi

Ç` ndodh në mua kur lus?

A jam i/e ngushëlluar, i/e shqetësuar, apo indiferent/e?

E paramendoj Jezusin se si është duke qëndruar apo është ulur pranë meje

dhe ia paraqes të gjitha çfarë ndjej.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të lutjes mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim,

ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »