Kush ka thanë se duhet me u rrëfy te prifti. Unë rrëfehem drejtpërdrejt me Zotin!?

Nov 29 • Këndvështrime

Kush ka thënë se duhet të shkosh të rrëfehesh te një prift, që është një njeri sikur unë, mëkatar sikur unë, e ndoshta edhe më shumë se unë? Ku shkruan? Nuk mund të takohem drejtpërdrejtë me Hyjin, pa ndërmjetës?

Ka të atillë që mendojnë se rrëfimi është një vend i pushtetit dhe dominimit të Kishës mbi të penduarit. Në shumicën e rasteve, disa mendojnë se prifti gjënë kënaqësi duke spiunuar në thellësi të ndërgjegjës. Me pak fjalë, rrëfimi do të ishte një shpikje e priftërinjve. Kush arsyeton në këtë mënyrë, ai dëfton një padituri të thellë për Krishtin dhe për Ungjillin.

T’i rikthehemi pyetjes së fillimit: Kush ka thënë, ku është e shkruar, se për të fituar faljen e mëkateve, të bëra mbas pagëzimit, duhet të shkoj të prifti? 

Përgjigjja është shumë e thjeshtë dhe e vetme: këtë e ka thënë Jezu Krishti në Ungjillin e Gjonit (20,19-23).

Komenti i shkurtër i tekstit:

Gjoni 20, 19 – “Në mbrëmjen e po asaj dite ‑ të parën ditë të javës ‑ ndërsa dyert e shtëpisë, ku banonin nxënësit, ishin të mbyllura prej frikës së judenjve, erdhi Jezusi, zuri vend mes tyre dhe u tha: “Paqja me ju!”              

Gjoni 20, 20Si u tha kështu, u tregoi duart dhe kraharorin. Nxënësit u gëzuan, kur e panë Zotërinë.

Gjoni 20, 21 – Pastaj u tha prapë: “Paqja me ju! Siç më dërgoi mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju.”

Gjoni 20, 22 – Si foli kështu, hukati mbi ta dhe u tha: “Merrni Shpirtin Shenjt!

Gjoni 20, 23Atyre që jua falni mëkatet, u falen, e atyre që nuk jua falni, nuk u falen.”

Jemi në kohën e Ardhjes, përgatitjes sonë për Kohën e Krishtlindjes: Rrëfimi është sakrament i takimit me Jezusin Zot. Me Jezusin është vërtetë e mundshme të nisim një jetë të re, plotë gëzim e motivim për të ndërtuar jetën tonë si njeri i falur.

Jezusi u thoshte atyre: “Paqja me ju”: Rrëfimi është sakramenti i paqes: nuk është fryt i përpjekjeve tona, por i pajtimit që Jezusi e dhuron në takim me ne.

Nxënësit u gëzuan kur e panë Zotërinë”: Rrëfimi është sakrament i gëzimit, që lind nga takimi ynë me Krishtin e Ringjalluar.

Gëzimi është mbi të gjitha i Hyjit: “Unë po ju them: në qiell do të ketë po kështu më shumë gëzim për një mëkatar që pendohet e kthehet se për nëntëdhjetenëntë të drejtë, që s’kanë nevojë të kthehen” (Luka 15, 7).

“Pranojeni Shpirtin Shenjt . . . kujt të ja falni mëkatet . . .”: Rrëfimi është sakrament për faljen e mëkateve në saje të Shpirtit Shenjt, që është “Zot dhe jetëdhënës”. (khs. Besojma).

 

Cili është sakramenti i parë për faljen e mëkateve?

Sakaremnti i parë për faljen e mëkateve është Pagëzimi. Kështu themi në Besojmen: Dëshmoj një pagëzim të vetëm për faljen e mëkateve. Në ujin e Pagëzimi, vdes njeriu i vjetër – ai që jeton sipas mëkatit – dhe lind njeriu i ri, ai që jeton sipas Ungjillit.

Pjetri në ditën e Rrëshajve tha: “Kthehuni dhe secili prej jush le të pagëzohet në emër të Jezu Krishtit që t’ju falen mëkatet “ (Vap 2, 38).

 

Por, nëse një i krishterë mëkaton mbas Pagëzimit?

Kemi sakramentin e Rrëfimit, të cilin e ka themeluar Krishti vetë, që nuk është një rit i shpikur nga prifti. Rrëfimi është si një pagëzim i dytë: është një zhytje në mëshirën e Zotit. Një njeri edhe mund të jetojë pa u rrëfyer… nëse pas pagëzimit nuk ka bërë mëkate të rënda, pasiqë Pagëzimi ka shlyer të gjitha mëkatet.

Sikurse Ati e ka dërguar në botë Krishtin që të kryej veprën e pajtimit (që të riparoj dëmin e mëkatit) … kështu Krishti i ka dërguar apostujt dhe pasardhësit e tyre, që janë ipeshkvijtë e bashkëpunëtoret e ipeshkvijve, që janë priftrinjtë, që ta vazhdojnë në çdo kohë e në çdo vend të njëjtën vepër: të pajtojnë njerëzimin me Zotin.

 

A jam i sigurtë se në Sakramentin e Rrëfimit mëkatet e mia janë falur?

Nëse unë sinqerisht jam penduar për mëkatet e mia e shkoj te prifti (i ri apo i moshuar, i sëmur apo i shëndosh, i shenjtë apo mëkatar, i qytetit apo i fshatit) … i rrëfej mëkatet dhe prifti i shqipton fjalët e zgjidhjes si dhe përmbush veprimet e duhura për sakrament (duar mbi kokë dhe shenjën e kryqit)… është shumë e sigurtë se në atë çast mëkatet janë falur si dhe jam pajtuar me Hyjin, me Kishën dhe me botën.

E përsërisë – është e sigurtë – se mëkatet e mia janë falur e unë jam pajtuar me Hyjin.

“Praktikimi i këtij sakramenti, lidhur me kremtimin dhe me formën, ka njohur një proces të gjatë të zhvillimit, siç pohojnë sakramentarët më të hershëm, veprat e koncilit dhe sinodet ipeshkvore, predikimet e etërve si dhe mësimet e mësuesve të Kishës. Por, sa i përket substancës/thelbit të sakramentit, në vetëdijën e Kishës gjithmonë ka qenë e palëvizur dhe e pandryshuar siguria se, për vullnet të Krishtit, falja është ofruar të gjithëve përmes zgjidhjes sakramentale, e dhuruar nga shërbyesi i pajtimit. Kjo siguri është ripohuar fuqishëm nga Koncili i Trentos si dhe nga Koncili II i Vatikanit: «Ata që kremtojnë sakarmentin e pendesës, marrin prej mëshirës së Hyjit faljen e fyerjeve që i kanë bërë atij; në të njëjtën kohë ripajtohen me Kishën, së cilës i kanë krijuar një plagë me mëkatin e tyre, dhe e cila bashkëpunon për kthimin e tyre me dashuri, shembull dhe lutje» (Lumen Gentium, 11). Si një fakt jetësor për vlerën dhe qëllimin e pendimit duhet thënë se shëlbuesi ynë Jezu Krishti e themeloi sakramentin e pendimit, në mënyrë që besimtarët të rënë në mëkat mbas pagëzimit të marrin hirin dhe të pajtohen me Hyjin” (Gjon Pali II,  Nxitja apostolike “Pajtimi dhe pendimi” , n. 30).

Këtë siguri të qartë askush tjetër s’mund të më japë, e as unë nuk mund të ja japë vetvetes. Kemi të bëjmë me një siguri të fesë: “Vetëm feja mund të me siguroj se në atë moment çdo mëkat është falur dhe shlyer përmes ndërhyrjes së mistershme të Jezusit” (khs. Gjon Pali II, Nxitja apostolike “Pajtimi dhe pendimi”, 31, III).

 

Ti ose beson ose nuk beson. Katolikët besojnë.

Ata që presupozojnë se rrëfehen drejtpërdrejt me Zotin, pa ndërmjetësimin kishtar që e ka dashur Krishti, dmth. pa priftin, pa dëgjuar qartësisht me veshë fjalët e faljes, pa e parë dhe dëgjuar me qartësi gjestet e meshtarit … bien në një iluzion absurd.

Është shumë e thjeshtë: nëse unë rrëfehem me vetën time, unë i them Zotit atë çka me kalon nëpër kokë në ato çaste, krejt sipas tekeve të mia. Çfarë ngjanë, së pari filloj të vesh petkun e mëkatarit e pastaj e zhvesh dhe e vëjë mbi supet e mia mantelin e Zotit. Është një mashtrim që ja bëjmë vetvetes: sepse gënjeshtrat më të mëdha ia themi vetes sonë. Pretendimet më të mëdha dhe të marrëzishme janë ato që i bëjmë dhe i disponojmë në thellësinë e ndërgjegjes sonë.

Në këtë pikë është mirë që t’i referohemi katekezës së Papa Gjon Palit II, mbështetur në Nxitjen apostolike “Pajtimi dhe pendimi” (1984, nr. 31):

“Bindja e parë për një të krishterë është që sakramenti i pendimit është udha zyrtare për të fituar faljen dhe shlyerjen e mëkateve të rënda, të kryera pas pagëzimit. Është e qartë se Shpëtimtari dhe veprimi i tij shëlbimprurës nuk janë aq të lidhura me një shenjë sakramentale, që të mos mund në asnjë kohë e sektor të historisë së shpëtimit të veprohet jashtë dhe përtej sakramenteve. Por në shkollën e fesë ne mësojmë që i njëjti Shpëtimtar ka dashur dhe  urdhëruar që të përvuajturit dhe të çmueshmit sakramente të fesë të jenë zakonisht mjete efektive, përmes të cilëve kalon dhe vepron fuqia e Tij shëlbuese. Prandaj do të ishe e pakuptimtë, mbase mendjemadhësi, të shmangim në mënyrë arbitrare nga mjetet e hirit e të shpëtimit që Zoti ka urdhëruar, në rast specifik, pretendojnë të marrim  faljen duke e mohuar sakramentin, të themeluar nga Krishti pikërisht për faljen”.

Ta bëjmë një përmbledhje. Kemi thenë se:

  1. Sakramentin e Rrrëfimit e ka themeluar Jezu Krishti.
  2. Jezusi u ka besuar apostujve e pasardhësve të tyre misionin e pajtimit, që ai e ka marrë prej Atit: shlyerjen e mëkateve;
  3. Është shumë e qartë – një qartësi e fesë – kur unë jam i/e penduar për mëkatet e mia e shkoj te meshtari e me zgjidh nga mëkatet … është shumë e qartë se unë jam falur dhe pajtuar.
  4. Rrëfimi sakramental është mënyra zyrtare për të marrë faljen e mëkateve të rënda të kryera pas pagëzimit.
  5. Cili është dallimi mes mëkatit të rendë (vdekjeprurës) dhe mëkatit të lehtë?

Edhe pse nuk është gjithmonë e “lehtë, në konkretësi të situatës, të veprohet në përvijimet e kufirit… Kisha  e ka një mësim të vetin dhe ajo ripohon në elementet e saj themelore”.

  • Shën Gjoni apostull, në letrën e tij të parë (5, 16) flet për një mëkat që na shpie në vdekje, në krahasim me një mëkati që nuk çon në vdekje. Natyrisht, këtu koncepti i vdekjes është ai shpirtëror.
  • Sipas doktrinës (mësim) së Kishës, mëkati i rendë apo i vdekshëm është “ai që ka për objekt një materie të rëndë që kryhet me vetëdije të plotë e më vullnet të lirë.”
  • Mëkati i vdekshëm: “disa mëkate, në bazë të materies së tyre, në thelb janë të rënda e sjellin vdekjen. Ekzistojnë vepra që në vetvete, pavarësisht nga rrethanat, janë gjithmonë të paligjshme për shkak të objektit të tyre. Këto veprime, kur kryhen me vetëdije të plotë dhe liri, janë gjithmonë akte të renda”.

“Me gjithë traditën e Kishës, ne e quajmë mëkat të rendë (mortar) atë akt, për të cilin një njeri, me liri dhe vetëdije, e refuzon Zotin, ligjin e tij, besëlidhjen e dashurisë së Hyjit të cilin na dhuron, dukë pëlqyer që t’i drejtohet vetvetes, ndonjë realiteti të krijuar dhe të përkohëshëm, apo diçkaje tjetër që është në kundërshtim me vullnetin hyjnor («converso ad creaturam»). Një vepër që mund të ndodh në mënyrë të drejtpërdrejt dhe formale, sikur janë mëkatet e idhujtarisë, apostazia, ateizmi; apo në mënyrë barasvlefshme, si në të gjitha padëgjesat ndaj urdhërimeve të Zotit që kanë materie të rëndë. Njeriu e ndjenë që kjo padëgjesë ndaj Zotit e shkurton lidhjen me parimin e tij ekzistencial: është një mëkat vdekjeprurës, pra një mëkat që e ofendon shumë rendë Hyjin dhe kalon për të qenë kundër vet njeriut me një forcë të errët dhe të fuqishme shkatërrimi.”( Papa Gjon Pali II, Nxitja apostolike” Pajtimi dhe pendimi” 1984, n.17).

 

Unë i rrëfej gjithmonë të njëjtat mëkate. Ja vlen të vazhdojë të shkojë e të rrëfehem?

Përvoja na mëson që fryti i ndyshimit dhe shpëtimit që vjen nga fjalet e zgjidhjes që i thotë prifti në Rrëfim, nuk është gjithmonë i pashëm dhe verifikueshëm. Shumë të krishterë, për shumë kohë, kanë gjetur një ndjenjë lehtësimi dhe paqeje, por e kanë përshtypjen që s’kanë arritë të bëjnë asnjë hap përpara në betejë me mëkatet e tyre. Çdo herë rrëfejnë mëkatet e njëjta. Prandaj edhe bëjnë pyetjen nëse ja vlenë barra qiranë, që rrëfimin ta konsiderojm si një ilaç i aftë që e shëron mëkatin e jo vetëm një qetësues i aftë që ta rahatojë herë pas herë ndërgjegjën.

Kështu, shumë prej tyre e braktisin betejën me mëkatin. Çështja është shumë serioze. Nëse fjalët e zgjidhjes së vërtetë jepin faljen, që në fakt nuk është vetëm një falje por një ndryshim i vërtetë, pse atëherë mbesim gjithmonë të njëjtit? Pse ai që rrëfehet nuk është (ose nuk duket) gjithmonë më i mirë se ai që nuk rrëfehet?

Përgjigjemi se hiri i faljes nuk mund t’i bëjë dhunë lirisë tonë. Hiri nuk mund të bëjë ndryshimin e tij të fitores, përveçse në masën në të cilën ne i çelemi veprimit të tij çlirues. Pastaj janë raste në të cilën rrëfimi i kryer fizikisht, nuk shoqërohet me një pendim të sinqertë shpirtëror. Në raste tjera ekziston ndjenja e sikletit për mëkate, por penitenti nuk dëshiron të dal nga robëria e vet. Shumë herë shfaqim sinqerisht ndjenjën e pendimit, por ndihemi të pafuqishëm para sundimit të mëkatit që gjendet në ne, ndihemi të pafuqishëm nga një sëmundje të cilin rrëfimi duket i paaftë që ta shërojë.

 

Rrëfimi është shenjë e betejës.

Rrëfimi shërben mbi të gjitha për të siguruar se lufta jonë ndaj mëkatit është shumë serioze e jo iluzore, e pikërisht për këtë rëniet tona janë më pak fajtore ose jo fajtore. Ajo është shenjë që ne shpirtërisht jemi të gjallë, që luftojmë, që nuk jemi të dorëzuar në skllavërinë e mëkatit. Kjo në të vërtetë është fitorja jonë. Nëse luftojmë, në një mënyrë ne jemi fitues. Në qoftë se ne vazhdojmë të angazhohemi në këtë drejtim, kjo është sepse dashuria e Hyjit vazhdon të veproj në ne edhe përmes hirit të sakramentit. Përtej të gjitha humbjeve të mia, edhe të atyre që më poshtrojnë, Hyji më mbanë gjithmonë në mënyrë të sigurt në duart e veta, sepse është Ati im. Hiri vepron në falje.

Hiri që na fal duke na ndryshuar, nuk vepron në shtresat më sipërfaqësore të personalitetit tonë (në nivelet e instinktit, të shprehive, të kujtesës, të emocioneve…); kjo është asyeja pse nuk mund ta dëgjojmë, nuk mund ta verifikojmë praninë dhe veprimet në mënyrë eksperimentale. Ajo vepron në thellësinë e lirisë tonë, ku jemi vetëm para Hyjit dhe ku i marrim vendimet ekzistenciale të jetës tonë. Duke u nisur nga ky nivel i thellë i lirisë, që hiri prek dhe ndikon, tërthorazi ndikon edhe në të gjitha shtresat tjera më sipërfaqësore të psikikës. Mbi këto shtresa sipërfaqësore, liria jonë ushtron një zotërim të pjesëshëm. Kështu që zgjedhjet e veçanta si dhe sjelljet e jashtme të personit nuk lindin vetëm nga qëllimi që vjen nga thellitë e lirisë sonë, por edhe nga shumë pengesa (shprehi, instinkte …) që ajo u nënshtrohet. Prandaj, duhet të jetë e qartë se personi është vërtetë përgjegjës vetëm për atë që e dëshiron me liri të plotë. Për këtë arsye, jo të gjitha sjelljet objektivisht imorale të një personi janë gjithmonë edhe faje subjektive. Jo gjithmonë ajo që është materialisht e mëkatshme është mëkat në vetvete në kuptimin e përgjithshëm dhe të plotë, jo gjithmonë është një jo e vërtetë ndaj lirisë së Hyjit; ajo është vetëm një shenjë që lufta kundër mëkatit, me sinqertitet dhe gatishmëri, ende nuk ka korrur suksesin e saj. Pothuajse kurrë nuk do të kemi një fitore të plotë në ketë jetë: thuhet se veset tona do të pushojnë së ekzistuari tri ditë mbas vdekjes sonë. Porse jo për këtë rrëfimi ka qenë i kotë.

 “Ka dhuruar Shpirtin Shenjt për faljen e mëkateve…” (falja si përmasë e Rrëshajve)

Çasti i faljes është një rrëshajë e re. Është Shpirti i Ringjalljes që e shkatërron mëkatin dhe ridhuron jetën në Zotin. Në fillim na krijoj fryma e Zotit (Zan 2, 7),  tani na rikrijon fryma (Shpirti) e të Ringjallurit (Gjn 20, 22). Kështu Kisha lutet: “Le të zbrez mbi ne, o Zot, Shpirti Shenjt e t’i përgatisë zemrat tona për të kremtuar denjësissht misteret e shenjta, sepse ai është falja e të gjitha mëkateve.” (E shtuna VII e Pashkëve).

Cilat janë elementet kryesore për të bërë një rrëfim të mirë? Janë katër:

  1. Rrëmimi i ndërgjegjes që na çon në pendim;
  2. Rrëfimi i mëkateve;
  3. Falja sakramentale;
  4. Kryerja e pendesës.

Ki guxim. Mos ia lejo vetvetes një jetë pa rrëfim.

Të uroj të bësh një rrëfim të mirë e të fitosh gëzimin e pajtimit dhe të faljes.

(Burimi: http://www.lalucedimaria.it/se-credi-in-dio-ma-non-credi-ai-preti-leggi-questo-articolo)

Përktheu nga italishtja: Motër Amanda Shkoza

Shpërndaje

Comments are closed.

« »