Botohet në shqip “Imitimi i Krishtit” – një  libër klasik i krishterë

Dec 3 • Recension

 

Dy fjalë për përkthimin shqip

Përveç Biblës, libri “Imitimi i Krishtit” deri më tani ka pasur botime nga më të shumtat edhe në origjinalin latin, edhe në më shumë se njëqind përkthime në gjuhë të ndryshme të botës. Për ata që nuk e njohin ende këtë libër, po them disa fjalë:

Sot, përgjithësisht, është e njohur që autori i veprës quhet Toma Hammerken (1380 – 1471) nga Kempeni i Gjermanisë, prandaj edhe njihet si “Kempeni”. Në vitin 1399, ai hyri në kuvendin augustinian në Zwolle. Këtu, më vonë, u bë mësues i rishtarëve (novicëve) dhe epror. Shkroi shumë vepra historiko-didaktike dhe vepra asketike. Më e njohura është, gjithsesi, “Imitimi i Krishtit”, e përbërë nga katër vepra të mëvetësishme, për të parën herë të botuara në vitin 1471. Ka pasur shumë mospajtime në lidhje me autorësinë e veprës. Por, lidhur me këtë çështje, shkruan edhe libri: “Mos pyet kush e ka thënë këtë, por ki kujdes çfarë thotë.” (I,5)

Në gjuhën shqipe, librin “Imitimi i Krishtit”, duket ta ketë përkthyer i pari P. Tommaso Marcozzi da Rapino, misionar në Shkodër, të cilin e titulloi me “T’pergiaamit e Jezu Krishtit” dhe e botoi në Romë në vitin 1881. Edhe pse kam pasur dijeni për këtë përkthim të vjetër, nuk e pata fatin ta kisha në dorë kur ia nisa përkthimit shqip. Përshtypja e madhe që la ky libër në jetën time shpirtërore, në noviciatin jezuit gjatë dy viteve rresht (1996-1998), në Split të Kroacisë, nxiti një dëshirë aq të madhe në mua, saqë duhej t’iu tregoja shqiptarëve sa më shpejt për këtë visar të çmuar. Struktura e librit i detyrohet kryesisht shkrimeve dhe mistikëve mesjetarë. Idetë dhe shprehjet e saj janë një mozaik nga Bibla dhe Etërit e Kishës së hershme. 

Jam i vetëdijshëm se gjuha shqipe, me siguri, ka mënyra mjaft të pasura dhe të bukura për t’i shprehur fjalët e këtij libri. Dëshira ime është që në të ardhmen të realizohet një përkthim i tillë për të mirën e popullit tonë shqiptar, kështu që ky përkthim le të jetë një hap nga ajo e mirë e madhe e së ardhmes. 

Libri origjinal është i shkruar në latinisht dhe në rend të parë për rregulltarë, por që nga fillimi e kanë miratuar njerëz me profesione të ndryshme në botë, të cilët e kanë kuptuar se pozitivisht mund të veprojë vetëm ai njeri, që, në jetën e tij personale, e ka gjetur qendrën e fortë, takimin me Zotin, me dashuri dhe në shpirtin vetëmohues. 

Kur u botua libri, në shekullin e 15-të, në Evropë po përhapej lëvizja e quajtur “Devotio moderna – Devocioni (i ri) bashkëkohor”. Ky devocion i kushtonte rëndësi leximit dhe meditimit të Shkrimit të Shenjtë dhe, duke kundërshtuar qasjen vetëm intelektuale ndaj fjalës së Zotit dhe të vërtetave të fesë, theksonte jetën e brendshme shpirtërore, integrimin personal dhe përvojën personale.
Ky libër mëson lexuesin që të mbajë qëndrim real ndaj çdo gjëje të krijuar, duke e nxitur njëkohësisht të formohet me virtyte, për të qenë më i angazhuar në bashkëjetesë me të afërmit dhe më i drejtuar me shikim drejt jetës së pasosur. Është e vërtetë që libri shpreh mentalitetin e kohës së vet, madje se është shkruar për kohën e vet, mirëpo me psikologjinë e tij të thellë dhe me përvojën frymëzuese përmbush njeriun e çdo kohe.

Kohën tonë e përshkon një kapitje apo lodhje nga probleme të shumta. Njerëzit sot, më shumë se kurrë, kërkojnë një dorë të fortë që t’i ringjallë. Në një gjendje të tillë, ithtarë të shumtë të ideologjive të ndryshme ofrojnë rrugë të lehtë të lumturisë, shpëtimit. E pra, dallimi kryesor ndërmjet jetës shpirtërore të krishterë që ofron ky libër dhe disa sistemeve lindore (zen, joga dhe të tjera) qëndron në faktin se njeriu nuk ekziston i vetmuar para kozmosit të shkretë dhe të vetëm, por në dashuri me Zotin, Atin dhe Mikun.

Disa e kundërshtojnë duke thënë se në këtë vepër nuk ka bukuri të admirimit mistik. Vërtet, nuk flitet për vizione dhe karizma të tjera mbinatyrore, por flitet me gjuhën e njeriut të thjeshtë. Për këtë arsye është një vepër që miratohet prej shumëkujt, sepse ka bukuri të thellë, një thjeshtësi që të frymëzon.

Kjo vepër mund të lexohet ndryshe edhe si një kryevepër e letërsisë botërore, por drejt do ta kuptojë vetëm ai njeri që i përgjigjet thirrjes dhe i shkon kësaj rruge.

Nga Përkthyesi Atë Shtjefën Dodes SJ

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »