Gjon Pagëzuesi: Zëri i kohës së Ardhjes që thërret në kthim

Dec 3 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela II e Ardhjes (A)

 

Leximi parë Is 11,1-10

Lexim prej Librit të Isais profet

Në atë ditë një pinjoll do të dalë nga trungu i Jeseut, një pip i zgjedhur do të piptojë nga rrënja e tij. Në të do të pushojë shpirti i Zotit, shpirti i urtisë e i dijes, shpirti i këshillave dhe i forcës, shpirti i kuptimit dhe i frikës së Zotit. Kënaqësia e tij do të jetë në frikën e Zotit.

S’do të gjykojë sipas pamjes së syve as s’do të vendosë sipas thashethemeve, por do t’i gjykojë me drejtësi skamnorët, do t’u japë gjyq të drejtë të përvuajturve të vendit, me thuprën e fjalëve të veta do ta godasë vendin e me frymën e gojës së vet do ta vrasë të paudhin.

Brezi i kryqit të tij do të jetë drejtësia, me besnikëri do t’i ngjeshë ijët.

Ujku do të banojë me qengjin, përbri kecit do të shtrihet leopardi, viçi e këlyshi i luanit bashkë do të kullotin, fëmija i vogël do t’i çojë e do t’i bjerë.

Lopa e arusha bashkë do të kullotin, këlyshët e tyre së bashku do të rrinë, luani kashtë do të hajë si kau.

Foshnja do të luajë mbi vrimën e shlligës, në strofullin e kapastrecit fëmija dorën do ta futë.

S’do të bëhet dëm as s’do të vritet kush në mbarë malin tim të shenjtë, sepse plot do të mbushet vendi me dijen e Zotit, porsi deti që mbushet me ujë.

Atë ditë rrënja e Jeseut do të ngallisë si flamur për kombe, vetë popujt atë do ta kërkojnë, selia e saj do të jetë e lavdishme.

Fjala e Zotit

 

Psalmi 72

Ref: Eja, o Zot, Mbret i drejtësisë dhe i paqes.

——————————————————–

O Hyj, jepja mbretit gyjqin tënd

dhe drejtësinë tënde birit të mbretit,

që ta gjykojë popullin me drejtësi

e skamnorëve të tu t‘u japë të drejtën.

——————————————————–

Në ditët e tij do të lulëzojë drejtësia

dhe paqe e madhe derisa të jetë Hëna.

Do të sundojë prej detit në det,

prej Lumit e deri në skajin e botës.

——————————————————–

Ai do a shpëtoj skamnorin që fshan,

të varfërin që nuk ka ndihmëtar.

Mëshirë do të ketë për të mjerin dhe të vobektin

dhe skamnorëve do t’ua shpëtojë jetën.

——————————————————–

Qoftë bekuar emri i tij në shekuj,

sa të jetë Dielli mos iu harroftë emri.

Nëpër të do të bekohentë gjitha fiset e dheut,

të gjithë paganët të lumtur do ta quajnë.

——————————————————–

 

Leximi dytë Rom 15,4-9

Lexim prej Letres së shën Palit apostull drejtuar Romakve

Vëllezër, gjithçka që dikur u shkrua, u shkrua për mësimin tonë, në mënyrë që, me anë të qëndresës e të ngushëllimit që vjen nga Shkrimi i shenjtë, të kemi shpresë.  E Hyji që jep qëndresën dhe ngushëllimin, bëftë që ju të jeni plotësisht në përkim me njëri-tjetrin siç dëshiron Jezu Krishti, në mënyrë që, një mendimi e një goje, ta lëvdoni Hyjin, Atin e Zotit tonë Jezu Krishtit.

Prandaj, pranojeni njëri‑tjetrin në shoqëri sikurse Krishti ju pranoi ju për lavdinë e Hyjit.  Pohoj se Krishti u shërbeu të rrethprerëve për arsye të besnikërisë së Hyjit, për t’i plotësuar premtimet e dhëna etërve  e që paganët ta lavdërojnë Hyjin për mëshirën e tij, siç thotë Shkrimi i shenjtë:

‘Prandaj do të të lavdëroj ndër paganë

dhe do t’i këndoj këngë Emrit tënd!’

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tija.

Çdo njeri ka për ta parë shpëtimin e Zotit.

Aleluja!

 

Ungjilli Mt 3,1-12

Lexim i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Në ato ditë u duk Gjon Pagëzuesi duke predikuar në shkretëtirën e Judesë  e thoshte: “Kthehuni se u afrua Mbretëria e qiellit!”

Dhe, njëmend, ky është ai për të cilin parafoli Isaia kur tha:

Zëri i atij që bërtet në shkretëtirë:

përgatitni udhën e Zotit,

rrafshoni shtigjet e tij!

Gjoni ishte i veshur me petk leshi deveje e rreth ijëve kishte një rrip lëkure; ushqehej me karkaleca e me mjaltë të egër.  Asohere vinte tek ai Jerusalemi, mbarë Judeja dhe e gjithë krahina e Jordanit.  E pasi ata i rrëfenin mëkatet e veta, ky i pagëzonte në lumin Jordan.

Kur pa se shumë farisenj e saducenj po i vinin në pagëzim, u tha: “Pjellë shlligash, kush ju mësoi t’i ikni zemërimit që po vjen?  Bëni, pra, vepra të denja kthimi!  As mos t’ju bjerë në mend të thoni në vete: ‘Kemi atë Abrahamin!’ sepse unë po ju them: Hyji mund t’i nxjerrë Abrahamit bij edhe prej këtyre gurëve!  Tashmë sëpata u vu në rrënjë të pemëve; çdo lëndë që nuk jep fryt të mirë, pritet e hidhet në zjarr.

Unë ju pagëzoj me ujë në shenjë kthimi, porse ai që po vjen pas meje, është më i fortë se unë e unë nuk jam i denjë as t’ia zbath sandalet: Ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin Shenjt e me zjarrr.  Ai e ka në dorën e vet terplotën e do ta pastrojë lëmin e vet; grurin e vet do ta mbledhë në grunar, kurse bykun do ta djegë në zjarr të pafikshëm.

Fjala e Zotit

 

POROSIA

Në leximin e parë dëgjojmë profetizimin e Isaisë që është shpallur 2700 vite më parë, në një kohë kur në shoqërinë e atëhershme kishte jo pak mëkate dhe padrejtësi, dhunë dhe keqëbërje. Por, profeti nuk dëshpërohet, përkundrazi ai e parasheh që një ditë do të vijnë kohëra të raja dhe një bote ndryshe, më fsinike. Me butësi dhe qëndrueshmëri, profetizohet dhe shpallet një botë e re, ku do të ketë më shumë drejtësi dhe paqe, ku do të ketë më shumë harmoni ndërnjerëzore, sepse do të lind Princi i paqes, Biri i Hyjit që sjell shpëtimin për të gjithë ata që besojnë. Kjo botë ilustrohet me figura e pinjollit që do të piptojë nga trungu i Jeseut, prej fisit të Davidit.

Për ne sot është e nevojshme t‘i lejojmë Zotit të veprojë në ne, që të arrihet kjo harmoni që e sjell pinjolli i Jeseut. Po që se e lejojmë veprimin e Zotit në jetët tona, ai do të ndërtojë një botë të re.

Ndersa leximi dytë Shën Pali ju drejtohet romakëve të krishterë që të kapërcehen ndasitë mes vëllezërve e të bashkohen në emër të Zotit: Për këtë shën Pali qorton dhe mëson duke ju shkruar: „Hyji që jep qëndresën dhe ngushëllimin, bëftë që ju të jeni plotësisht në përkim me njëri-tjetrin siç dëshiron Jezu Krishti, në mënyrë që, një mendimi e një goje, ta lëvdoni Hyjin, Atin e Zotit tonë, Jezu Krishtit.“

Është kjo një lutje për të gjithë të krisheterët, me qëllim që të jenë të bashkuar, sepse janë të zgjedhurit e Zotit dhe duhet të veprojnë të frymëzuar prej Shpirtit Shenjt. Janë një në Krishtin, janë gjymtyrë të tij, jan bijtë dhe bijat e Zotit, vëllezër dhe motra. Për këtë pra, në saje të pagëzimit që kanë pranuar duhet të jenë më të bashkuar.

Edhe sot ka shumë ndarje dhe përqarje. Jemi dëshmitarë të luftrave të shumta, vrasjeve, urrejtjes. Sot më shumë se kurrë ka nevojë për bashkim, bashkëpunim në mes njerëzve, pavarësisht ciles fe i takojnë, race, ngjyrë, kombësie, sepse të gjithë jemi krijesa të Zotit.

Me një bashkëpunim me të madh dhe nderim të ndersjellë, bota do ta ketë një pamje më të mirë.

Ungjilli i sotshëm ka për protagonist kryesor Gjon Pagëzuesin. Gjoni ishte pararendës i Krishti, bënte jetë në shkretëtirë. Shkretëtira është vënd i tërheqjes, ku më mirë mund ta takosh Zotin dhe të frymëzohesh për ecuri shpirtërore. Kështu kanë bërë shumë shenjtër dhe dijetarë. Edhe sot ka njerëz që jetojnë në vetmi, në shkretërirë sepse duan të jetojnë vetëm për Zotin, në lutje dhe agjërim. I tillë ishte Gjoni, njeri i lutjes dhe i pendesës.

Ai thërriste popullin për kthim për ta pritur Shpëtimtarin, duke i pagëzuar me ujë për faljen e mëkateve.

Krejt veprimi i Gjonit ishte i përqëndruar në një gjët të vetme e shumë të rëndësishme: kthimi i njeriut, ndërrimi i jetës, krijimi i një jete të re, përgatitur ardhjen e Mesisë.

Gjon Pagëzuesi është një Zë që thërret në kthim dhe përgatitje të drejtpërdrejt për pranimin e Mesisë, atë që profetet para tij e kishin paralajmëruar. Tani kishte ardhur koha e plotësimit të kësaj profecie.

Gjoni thërret, siç e lexojmë në ungjillin e sotëm, jo për drejtim dhe rregullim të një rrugë tokësore, por për të drejtuar rrugën shpirtërore, për ta përgatit zemrën.

Sot më së miri e përgatisim dhe e realizojmë kthimin tonë nëpërmes sakramentit të rrëfimit, i cili e pastron qenien tonë për bashkimin tonë me Krishtin eukaristik.

Zëri i Gjoni vazhdon tash e dymijë vite në Kishë dhe borohoret, kthehuni sepse u afrua Mbretëria e qiellit.

Mbretëria e qiellit është ngjatë dhe vetëm të fortet mund ta kenë në posedim. E ata të fortit janë ata që besojnë, ata që shpresojnë, ata që janë kthyer e pastuar nga mëkatet, që luten dhe mendojnë në zemra të veta për Hyjin Krijues, Shëlbues dhe Shenjtërues

Të besosh do të thotë të kuptosh dhe të jetosh në vetëdije të plotë që Hyji është i pranishëm, është në mesin tonë, jeton me ne, vepron gjithmonë pëmes jetëve tona – historisë sonë njerëzore.

Feja është një përmasë e brendshme që gjithnjë me nxitë në veprim, në realizim të dashurisë ndaj Hyjit dhe ndaj vëllait dhe motrës njeri.

Një fe të tillë e predikonte Gjoni, një besim të qartë dhe veprues tek të gjithë bashkohasit e vetë. Kishte shumë njerëz që shkonin për t‘ u pagëzuar sikurse na tregon Ungjilli, por edhe të tillë që mendonin në traditat e të parëve dhe nuk donin të ndryshonin, nuk i bindeshin Gjonit.

Në këtë të diele II të Ardhjes, ta paraqesim vetveten tonë para Zotit, si shenjë e kthimit tonë dhe dëshirës për të jetuar vetëm me Të, dhe se vetëm me Zotin mund ta arrijmë paqen e vërtetë, atë personale shpirtërore dhe atë botërore mes popujve. Është kjo Paqe e vërtetë, që na sjell Biri i Hyjit, Jezu Krishti; Ai na mbanë të bashkuar mes veti, sikurse na mëson Shën Pali sot në letrën drejtuar bashkësisë së krishterë në Romë. Bashkërishti dhe të pajtuar me njeri-tjetrin të ecin me gëzim në takim me Krishtin që po vjen. Amen

 

LUTJET E BESIMTARËVE

Vëllezër dhe motra, t‘ia drejtojmë lujet tona Hyjit, Atit tonë qiellor, për t’ia kërkuar ndihmën për ta bërë kthimin e sinqertë e të vërtetë. Të lutemi së bashku:

Dëgjoje, o Zot, lutjen tonë.

  • Dhuroja Kishës sate, o Zot, forcën që të ketë guximin e kthimit dhe të bashkimit me Ty dhe me të njeri-tjetrin, të lutemi:
  • Ndihmo të gjithë të krishterët që gjithmonë ta kundërshtojnë të keqen dhe mëkatin, e në këtë mënyrë të mund të jetojnë nën hirin tënd, të lutemi:
  • Frymëzoj të gjithë ata që janë përgjegjës në Kishë, ata që punojnë në detyra shtetrore, dhe që të jenë nxitës të të mirës së përbashkët në shoqëri dhe në familje, të lutemi:
  • Zgjo në zemrat e të gjithë besimtarëve dhe njerëzve vullnetmirë dëshirën për kthim kah Ti, të lutemi:
  • Neve këtu të bashkuar në Sofrën hyjnore, na ndihmo të dëgjojmë dhe zbatojmë thirrjen tënde të kthimit dhe të pendimit, të lutemi:
  • Të gjithë vdekurit tanë, pranojë dhe shpërblej me jetën e amshuar në Mbretërin tënde, të lutemi:

O Hyj, burimi i dritës dhe forca e atyre që besojnë në Ty, pranoj lutjet tona që të mund të arrijmë kthimin dhe pendimin e plotë, kështu që të përgatitemi sa më mirë për Ditëlindjen e Birit tënd, i cili me Ty dhe Shpirtin Shenjt jeton e mbretëron në shekujt e shekujve. Amen.

 

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »