Cilat ndryshime do të duhej t`i bëja që t`i përkas Zotit?

Dec 4 • Meditimi i ditës

4 dhjetor 2016 – E diela II e Ardhjes, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 11,1-10; Ps 72,1-2.7-8.12-13.17; Rim 15,4-9; Mt 3,1-12)

Prania e Hyjit

Në pikën e qetë të botës sime në lëvizje,
në thelbin e qenies sime,
pres ta dëgjoj dhe ta ndiej praninë e butë të Hyjit
I Cili më thërret ta hap zemrën dhe të lejoj të shkoj tek Ai.
A mund të shkoj në atë vend ku po më thërret Hyji?

 

Liria

O Zot, më ke krijuar që të jetoj në liri.
Shpesh herë me lehtësi e pranoj dhe e marrë këtë dhuratë.
Më frymëzo që të jetoj në lirinë që e ke parashikuar për mua,
me një zemër të pangarkuar dhe me një besim të plotë në ty.

 

Ndërgjegjësimi

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – lidhje me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto lidhje dhe falënderoj për jetën që përshkohet përmes tyre.
Disa prej këtyre lidhjeve janë shtrembëruar, disa janë rrënuar, disa ndërprerë:
Ndoshta për këtë arsye e ndjej veten të trishtuar, të zemëruar, të zhgënjyer.
Lus për hirin e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Mt 3,1-12

 

1 Në ato ditë u duk Gjon Pagëzuesi duke predikuar në shkretëtirën e Judesë 2 e thoshte: “Kthehuni se u afrua Mbretëria e qiellit!”

3 Dhe, njëmend, ky është ai për të cilin parafoli Isaia kur tha:

Zëri i atij që bërtet në shkretëtirë:

përgatitni udhën e Zotit,

rrafshoni shtigjet e tij!

4 Gjoni ishte i veshur me petk leshi deveje e rreth ijëve kishte një rrip lëkure; ushqehej me karkaleca e me mjaltë të egër. 5 Asohere vinte tek ai Jerusalemi, mbarë Judeja dhe e gjithë krahina e Jordanit. 6 E pasi ata i rrëfenin mëkatet e veta, ky i pagëzonte në lumin Jordan.

7 Kur pa se shumë farisenj e saducenj po i vinin në pagëzim, u tha: “Pjellë shlligash, kush ju mësoi t’i ikni zemërimit që po vjen? 8 Bëni, pra, vepra të denja kthimi! 9 As mos t’ju bjerë në mend të thoni në vete: ‘Kemi atë Abrahamin!’ sepse unë po ju them: Hyji mund t’i nxjerrë Abrahamit bij edhe prej këtyre gurëve! 10 Tashmë sëpata u vu në rrënjë të pemëve; çdo lëndë që nuk jep fryt të mirë, pritet e hidhet në zjarr.

11 Unë ju pagëzoj me ujë në shenjë kthimi, porse ai që po vjen pas meje, është më i fortë se unë e unë nuk jam i denjë as t’ia zbath sandalet: Ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin Shenjt e me zjarrr. 12 Ai e ka në dorën e vet terplotën e do ta pastrojë lëmin e vet; grurin e vet do ta mbledhë në grunar, kurse bykun do ta djegë në zjarr të pafikshëm.”

 

Ç´po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Gjoni ishte guximtar i madh. Këtu shohim një njeri nga shkretëtira që flet nga zemra, duke shpallur fjalën e Zotit që i është dhënë. A ka Gjoni një mesazh edhe për mua? Mbretëria e Hyjit është afër; cilat ndryshime do të duhej t`i bëja që t`i përkas Zotit? Do të lutem që mesazhi i tij të mos jetë i humbur për mua.
  • O Zot, kam shumë dobësi. Nuk e di si do t’iu dal zot atyre. Bëj që të paktën të jem tolerant/e karshi dobësive të të tjerëve.

 

Bashkëbisedimi

O Zot i dashur, qëndro pranë meje gjithmonë.

Ma jep një zemër që do të të besojë gjithmonë.

Faleminderit që më do.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »