Reflektim nga Historia e Marrëdhënieve dypalëshe Shqipëri – Vatikan

Dec 8 • Opinion

Nga Dr. Dom Nikë Ukgjini*

Populli shqiptar si pasardhës i Ilirëve pati fatin, si asnjë popull tjetër, të jetë i lidhur ngushtë me mësimet e krishtërimit nga koha e Shën Palit, kur përshkoi Ilirinë në vitin 66 dhe  emërimi i ipeshkvit të parë në Durrës në vitin 58 i Shën Caesarit.

Historia dëshmon se marrëdhëniet në mes popullit shqiptar dhe Selisë së Shenjtë, ka qenë e vazhdueshme, qoftë edhe në mënyrë virtuale gjatë pushtimeve osmane.

Gjatë mesjetës, marrëdhëniet e shqiptarëve me Selinë e Shenjtë u intensifikuan duke njohur kulmin e tyre në kohën e heroit, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Ai që shpallur Atlet i Krishtit dhe u hartua plani për kurorëzimin e tij në vitin 1464, nga papa Pio II.

Me rënien e trevave shqiptare nen Perandorinë osmane, për shkak të pushtimeve të egra, marrëdhëniet e drejtpërdrejta vërtet kanë qenë të ndërprera,  por,  populli në mënyrë indirekte ka vazhduar të jenë i lidhur ngushtë me Selinë shpirtërore, Romën. Këtë rol ndërlidhje, e kanë luajtur relatorët të ndryshëm të kryedioqezesë së Tivarit, si primat të Serbisë dhe përgjegjës për të gjitha trevat shqiptare si: Marin Bici, (1608-1624),  Pjeter Mazreku, (1628-1634),  Gjergj Bardhi (1635-1644), Andria (1671-1694) dhe Vinçenz Zmajevich, (1701-1712), Lazer Vlladanji (1749-1788), Karol Potten (1855 – 1886) etj. Me ç’rast, relatorët informonin Propaganda Fide-n, përkatësisht Selinë e Shenjtë, për situatën në terren,  ndërsa, nga Republika e Venedikut, në emër të Selisë së Shenjtë, bëheshin presione  politike dhe diplomatike ndaj Perandorisë Osmane.

Në këtë kuadër është e drejtë të rikujtojmë ngjarjen më të rëndësishme në marrëdhëniet shpirtërore e diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe shqiptarëve; ardhjen në krye të Selisë së Shenjtë, në Shën Pjetër, të Papa Klementit XI, – papa Françesk Albani, (1700-1721). Ai, kujdesin atëror të jashtëzakonshëm ndaj shqiptarëve të robëruar nga Perandoria Osmane, e tregoi duke thirrur Kuvendin e Arbrit në vitin 1703 në Mërqi të Lezhës, nëpërmjet të deleguarit të tij, kryeipeshkvit të Tivarit,  Imzot Vinçenc Zmajevich.

Me kontratën në Campo Fermio, në vitin 1797 dhe më pas në Vjenë në vitin 1815, në mes Selisë së Shenjtë dhe Austro-Hungarisë, Vjena kishte marrë përsipër mbrojtjen e interesave të Kishës katolike në Ballkan. Kjo kontratë për trevat shqiptare filloi duke u materializua në vitin 1836, më rastin e takimit të Benjanin Albertinit, në Vjenë me Franc Jozefin. Në kuadrin e këtij protektoratit të kultit, ndërlidhjet diplomatike, fetare e kulturore të ipeshkvijve të dioqezave shqiptare me Propaganda Fide, në Romë, zhvilloheshin nëpërmjet Nuncit Apostolik në Vjenë dhe Konsullatës Austriake në Shkodër. Gjatë protokultit Austro-Hungarez, shënohet një ringjallje e shqiptarëve, pa dallime besimi, në të gjitha fushatë e jetës.

Selia e Shenjtë luajti një rol të rëndësishëm diplomatik edhe me rastin e Konferencës së Londrës, me 1913, por dhe të Parisit, në vitin 1919, kur kërcënohej edhe matej copëtimi i trojeve shqiptare. Më këtë rast kryedelegati shqiptar, Imzot Luigj Bumçi dhe sekretari, Atë Gjergj Fishta, duke vizituar në dy raste, më 6 mars dhe më 28 dhjetor 1919, papa Benediktin e XV, u shpëtua Korça dhe Gjirokastra që do të aneksoheshin nga Greqia.

 

Reflektime diplomatike pas pavarësisë së shtetit shqiptar

Shqipëria, e cila në fillim të shek. XX po përpiqej të konsolidohej si shtet, pati një përkrahje të madhe dhe një nxitje në fushën diplomatike me ardhjen në fronin papnor të Papa Bendiktit XV. Papati, duke e kuptuar realitetin në Shqipëri, ndërmori hapa të nevojshëm për afrimin e dy shteteve, duke ngritur marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë në rangun e Delegatit Apostolik. Delegati i parë zyrtar i papatit pranë Shtetit Shqiptar ishte zgjedhur, më 12 dhjetor të vitit 1919, Ernesto Koci (Cozzi) (1920-1926), i cili duke punuar që në vitin 1904, si misionar në vendin tonë, shquhej si njohës i mirë i kulturës dhe politikës shqiptare. Më këtë veprim Selia e Shenjtë, cilësohej si vendi i parë që njohu shtetin e ri shqiptar. Koci, për t‘i përforcuar marrëdhëniet në mes dy shteteve, në vitin 1923, hartoi projekt konkordatin e ofruar Ahmet Zogut, i cili nga ky i fundit, nuk qe nënshkruar asnjë herë. Po i njëjtës linje politike qe dhe delegati pasues, Giovanni Della Pietra, (1927-1936), i cili prej shumë vitesh misionar në Shqipëri, shprehej se punoj  “tërësisht për Shqipërinë “ (totius  Albanie).

Si Della Pietra, po ashtu edhe pasuesi tij, Ildebrando Antoniutti (1936-1938), duke qenë diplomatë gjatë  pushtetit të mbretit Zog, krahas vullnetit të mirë nga Selia e Shenjtë, nuk arritën të gjejnë gjuhen e përbashkët me të, rreth shkollave katolike dhe nënshkrimit të konkordatit që do të thoshte një përparim në marrëdhëniet në mes dy palëve.

Leone Giovanni Nigris (1938-1945), misionar dhe diplomat i pasionuar. Veproi gjatë kohës së regjimeve totalitar fashist dhe atij totalitar stanilist, kur Ballkani digjej e piqej. Veprimtaria e tij në Shqipëri, për shkak të dinamizmit të ngjarjeve, ishte shumë e gjallë, por edhe e mundimshme. Gjatë pushtimit gjerman, thekson Nigris, “mbajta marrëdhënie të mira qoftë më qeveritë e ndryshme ashtu dhe më Këshillin e Lartë të Regjencës duke ndërhyrë atëherë kur interesat e veçanta e kërkonin”. Gjithashtu thekson se,  ka pasur kontakte normale dhe të vazhdueshme me çetat partizane, me kryeministrin dhe ministra të ndryshëm.Ai, luante politiken neutrale, vetëm e vetëm për të ruajtur jetë njerëzish. Në muajin  mars të vitit 1945, me urdhrin e Enver Hoxhës, u dëbua nga Shqipëria, duke ia mbyllur dyert Selisë Apostolike për 45 vite  me radhë, e cila aq shumë bëri për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Pas largimit të Nigris, rolin formal të Delegatit Apostolik e luajti Imzot Frano Gjini, ipeshkëv i Abacisë së Mirditës, deri në pushkatimin e tij në zall të Kirit në vitin 1948, krahas dhjetëra e dhjetëra klerikëve martirë të pushkatuar nga regjimi gjakatar.

Gjatë viteve të diktaturës komuniste e sidomos pas vitit 1967, edhe pse çdo gjë fetare, etike ishte rrënuar, rrëgjimi ateist nuk kishte arritur asnjëherë, në aspektin shpirtërorë, ta shkëpusë popullin katolik nga Selia Apostolike si vatër e rëndësishme e jetës së tyre fetare e kulturore.

 

Ringritja e marrëdhënieve diplomatike

Me ndryshimet e mëdha që ndodhen me rënien e Murit të Berlinit, kjo erë e demokracisë në vitin 1990, përfshiu edhe Shqipërinë. Si rezultat i këtij fillimi të demokratizmit qe dhe celebrimi i Meshës së parë me 4 nëntor 1990, në varrezat e Rrëmajt në Shkodër, nga Mandela i kishës Shqiptare, Dom Simon Jubani.

Shqipëria e gjendur nën presionin e diplomacisë perëndimore për përshpejtimin e demokratizimit të vendit, e detyroi udhëheqësin komunist Ramiz Alia, më 29 prill 1991, të dekretojë versionin e ri të Kushtetutës së përkohshme, ku neni 7, thoshte se: “Republika e Shqipërisë është shtet laik. Shteti respekton lirinë e besimit fetar dhe krijon kushte për ushtrimin e tij”.

Në vazhdën e hapjes ndaj shteteve perëndimore ku përfshihej dhe Selia e Shenjtë, delegacioni i parë zyrtar për në Shqipëri i dërguar nga papati, ishte me 20-23 mars në vitin 1991, i kryesuar nga  Imzot Claudio Celli. Ky delegacion, kishte si qëllim vëzhgimin e situatës nga afër të gjendjes së besimtarëve dhe krijimit të kushteve për rikthimin e marrëdhënieve diplomatike në mes dy vendeve, të braktisura që në vitin 1945.

Në kontekstin e përafrimit të kushteve për të bërë hapin final, me këtë qëllim më 5 korrik të vitit 1991, Kryeministri Ylli Bufi viziton Vatikanin, duke biseduar me Papa Gjon Palin II. Si rezultat i këtij takimi, ishte vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shtetit të Vatikanit, më 7 shtator 1991, duke  emëruar si ambasador (Nunci Apostolik), Imzot Ivan Dias. Më vonë pasuan, Imzot Giovanni Bulaitis (1997-2008) dhe Imzot Ramiro Moliner Ingles ( 2008-2016). Ndërsa,  ambasadori i parë i Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë në fund të vitit 1992, u emërua studiuesi Willy Kamsi. Më pas Pjeter Pepa, Jul Bushati, Zef Bushati, Rrok Logu dhe sot i ngarkuari më punë, poeti Visar Zhiti.

Ngjarjet, të cilat morën përmasa historike ishin: vizita e realizuar më 25 prill të vitit 1993, nga Papa Gjon Pali II në Shqipëri, me ç‘rast rikonstruktoi  hierarkinë e re në ketë vend dhe vizita mbresëlënëse në Shqipëri e Papa Françeskut, më 21 shtator të vitit 2014. Vizitat shërbyen si nxitje e mëtejshme e jetës shpirtërore dhe vëllazërore në mes tri komuniteteve,  por edhe të avancimit të marrëdhënieve të bashkëpunimit në fusha të ndryshme mes dy shteteve.

Pikë afrimi dhe vlerësim për vuajtje të Kishës në Shqipëri, të shkaktuara nga diktatura komuniste, ishte dhe zgjedhja më 30 tetor 1994, nga Papati, të Kardinalit të parë shqiptar pas rënies së rregjimit diktatorial në Shqipëri, Dom Mikel Koliqit. Po kështu vlerësohet dhe kardinali tjetër, më 9 tetor, 2016, Dom Ernest Simon Troshanit. Këto dy figura sa janë me peshë diplomatike, aq janë dhe honorike, për shkak të emërimit të tyre në moshë të thyer. (Sa për kujtesë, kardinalin e parë më nocion etnik shqiptare në vitin 1065, kemi Bonnnifatie Albanensis).

Shprehja e një vlerësimi të merituar për Kishën në Shqipëri është edhe shpallja të lumtur të 38 martirëve katolikë, më 5 nëntor 2016, në Shkodër.

Në fund, duke theksuar rolin që ka luajtur Kisha katolike në formimin e identitetit kombëtar, në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës, letërsisë, kulturës dhe bashkimit të kombit, në lidhje me marrëdhëniet në mes dy palëve, mendoj së sot ka akoma hapësirë për t’i avancuar ato.

(Ligjeratë nga Konferenca më rastin e 25 vjetorit të marrëdhënieve Shqipëri – Vatikan, Tiranë, 2 dhjetor 2016, e organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe Nunciatura Apostolike në Tiranë.)

*Profesor në Institutin Filozofik-Teologjik në Shkodër, Shqipëri

Comments are closed.

« »