A i nënvleftësoj përpjekjet e përvuajtura të të tjerëve?

Dec 9 • Meditimi i ditës

 9 dhjetor 2016 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 48,17-19; Ps 1,1-4.6; Mt 11,16-19)

 

Prania e Hyjit

Ndërsa je duke e filluar këtë tërheqje, pusho një moment të shkurtër për ta drejtuar vëmendjen tënde në brendësi.

Merr tri herë frymë thellë, relaksohu dhe njihe që je në praninë dashuruese të Zotit, i cili është me ty ndërsa po e fillon këtë udhëtim të zhvillimit dhe zbulimit.

 

Liria

Do ta lus Hyjin që të më ndihmojë
që të lirohem nga ankthet dhe brengat,
që t`i çelem gjatë kësaj kohe të lutjes,
në mënyrë që të mund ta dua dhe t`i shërbej edhe më shumë.

 

Ndërgjegjësimi

Në këtë moment, o Zot, po i drejtoj mendimet e mia kah Ti.

Do t`i lë mënjanë punët dhe preokupimet e mia.

Do të pushoj dhe rifreskohem në praninë tënde, o Zot.

 

Fjala

O Zot, je bërë njeri për të biseduar me mua;
ke ecur dhe punuar përmbi këtë tokë; ke pësuar të nxehtët dhe të ftohtët.
Koha që e ke kaluar mbi tokë ka qenë e mbushur me kujdesin për njerëz.
Ke shëruar të sëmurë, ke ringjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Mt 11, 16-19

 

16 Me kë ta krahasoj këtë brezni? U përngjet djaloshave që rrinë në sheshe e u thërrasin shokëve 17 e u thonë:

‘Ne u ramë për ju fyejve e ju nuk kërcyet;

bëmë gjëmë e ju nuk vajtuat!’

18 Erdhi Gjoni: ai s’ha as s’pi e thonë: ‘Është i djallosur! 19 Erdhi Biri i njeriut: ai ha e pi, e thonë: ‘Ja, grykësi e pijaneci! Miku i tagrambledhësve dhe i mëkatarëve!’ Por dija përligjet nga veprat e veta!”

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezusi i vëren ata që rrinë duarkryq dhe s`bëjnë asgjë, vetëm kritikojnë të tjerët. Gjoni iu duket i çuditshëm, ndërsa Jezusi (“shumë”) normal. A jam edhe unë cinik dhe kritik? A i nënvleftësoj përpjekjet e përvuajtura të të tjerëve ndërsa janë duke u përpjekur për të bërë atë më të mirën që munden?
  • A u jap veprave të mira dëshmi të denjë besimi në Jezusin? Vepra të tilla mund edhe të kushtojnë, por në fund të fundit do të provohen se kanë qenë vendime të mençur 

 

Bashkëbisedimi

Jezus, po më flet personalisht në tekstin e Shkrimit Shenjt.

Bëj që t`i përgjigjem thirrjes tënde të sotshme.

Më mëso ta dalloj dorën tënde në veprim në jetën time të përditshme.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »