20 – vjetori i Maternitetit “NËNA” në Prishtinë

Dec 10 • Kulturë, Opinion

Nga Don Lush GJERGJI

 

“Kudo që jeta është në rrezik, aty duhet të jemi ne” (Nëna Tereze)

“As të fikur, as të koritur” (parimi dhe betimi i SHHBK “Nëna Tereze)

Shën Nëna jonë Tereze kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë i mori nga dy burime dhe frymëzime: tradita jonë ilire, arbërore dhe shqiptare: “Bukë, krip dhe zemër” dhe “Shtëpia është e Zotit dhe mysafirit”, si dhe nga dashuria e krishterë: “Çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezer të mi më të vegjël, e bëtë për mua” (Mt 25, 40).

Ajo ishte gjithnjë në shërbim të jetës dhe në dhurim të dashurisë. Këtë u munduam ta bëjmë edhe ne, sidomos  gjatë diktuaturës serbo-sllave, me tri lëvizje të mëdha dhe providenciale: Pajtimi i gjaqeve, themelimi dhe veprimi i SHHBK “Nëna Tereze” dhe krijimi dhe funksionimi i sistemit paralel shkollor dhe dhëndetësor. Nëpërmjet shërbimeve shëndetësore, synuam dhe arritem ta mbrojmë jetën e qytetarëve tonë të kërcnuar dhe të rrezikuar, sidomos të nënës dhe fëmijës.

Një vend të shquar dhe të dalluar pati Qendra “Nëna”, ku mjekët dhe personeli shëndetësor, me punë dhe orvatje të jashtëzakonshme ishin natë e ditë në mbrojtje të jetës, nëpërmjet asistimeve në lindje të nënave dhe fëmijëve të tyre, kuptohet, me kushte minimale, por me përkushtim dhe dashuri optimale.

Sot përkujtojmë dhe falënderojmë të gjithë, mjekët tanë, të ndjerë dhe të gjallë, motrat medicinale, bashkëpunëtorët tanë vendor dhe ndërkombëtar, popullin, pronarin e objektit Shaban Svircën, sidomos nënat që patën besim  dhe guxim të jetë bartëse dhe dhuruese të jetës së re nëpërmjet lindjes së fëmijëve të tyre, pa asnjë siguri, por me shumë dashuri.  Mos të tretet kujtimi,  është qortimi nga e kaluara jonë, por edhe të ruhet dhe kultivohet  nderimi dhe falënderimi ndaj të gjithë atyre që dhanë kontributin e tyre të çmuar në këtë drejtim, si dhe të mësojmë nga e kaluara, historia. Ky festim dhe përkujtim ka edhe një aktualitet dhe porosi jetësore, që të jemi mbrojtës dhe dhurues të jetës, e cila edhe në rrethana të sotme kërcnohet, rrezikohet dhe sulmohet në dy segmente më të ndieshme, në fëmijëri dhe në pleqëri. Prandaj të vetëdijësohemi dhe përcaktohemi për jetë, mbi të gjitha të për kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë, për familjet tona, fëmijtë tanë, për brezin e ri, sipas parimit tonë të shenjtë: “Mjerë ajo shtëpi që s’ka pleq dhe fëmijë”, ose : “S’ka shtëpi pa pleq dhe pa fëmijë”.

Prishtinë, 9 dhjetor 2016 .

Fotografia: Adnan Ruhani

Shpërndaje

Comments are closed.

« »