I lumi ai që nuk e bjerr besimin në mua!

Dec 10 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela III e Ardhjes (A)

 

Leximi parë:  Is 35, 1-6. 8-10

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Le të gëzojnë vendet e shkreta e të papërshkueshme, le të galdojë shkretëtira e të lulëzojë si lili!

Le të bulëzojë e le të lulëzojë, le të gazmojë, në hare të shpërthejë!

Iu dhurua lavdia e Libanit, e Karmelit stolia dhe e Saronit!

Do ta shohin lavdinë e Zotit, shkëlqimin e Hyjit tonë!

Përtëritni në fuqinë e duarve të lodhura, fuqi jepuni gjunjëve të marrakotur!

Thuajuni atyre që i ka lëshuar zemra:

“Mbahuni! Frikë mos kini! Ja, Hyji juaj! Erdhi hakmarrja! Ia behu shpagimi i Hyjit!

Vetë do të vijë e do t’ju shëlbojë!”

Atëherë sytë do t’u çelen të verbërve, veshët e të shurdhërve do të dëgjojnë; atëherë i shqepti do të kërcejë si dreri gjuha e të pagojit do të shpërthejë në hare, se në shkretëtirë do të burojnë ujërat, përrenjtë do të rrjedhin nëpër shkretëtirë.

Do të ketë shteg e do të ketë udhë, do të quhet Udha e shenjtë: i papastërti nëpër të s’do të kalojë, për ta do të jetë udhë e drejtë, që të marrët të mos enden nëpër të.

Luanë në të nuk do të ketë, bishë grabitqare nëpër të s’do të kalojë as në të kurrë më s’do të gjendet, andej do të bien vetëm të çliruarit, do të kthehen të shpërblyerit prej Zotit. Do të hyjnë në Sion me britma gëzimi, do t’u qeshë fytyra me gëzim të përhershëm, do t’i shoqërojë gëzimi e hareja, do të zhduket trishtimi e dënesa.

Fjala e Zotit

 

Psalmi 146

Ref: Eja, o Zot, e na shpëto.

———————————————

Zoti e mban besnikërinë për amshim

u jep të drejtësn të nëpërkëmburve

u jep ushqim të uriturve

Zoti i çliron robërit.

———————————————

Zoti u jep dritën e syve të verbërve

Zoti i ndreq të kërrusurit

Zoti i do të drejtët

Zoti i mbron ardhacakët.

———————————————

U ndihmon bonjakëve e t vejave

ndërsa mëkatarëve ua pshtjellon udhët

Zoti do të mbretërojë për jetë

Hyji yt, o Sion, nga breznia në brezni.

———————————————

 

Leximi dytë: Jak 5, 7-10

Leximi prej Letrës së shën Jakobit apostull

Vëllezër, jini të durueshëm deri në ditën e Ardhjes së Zotit! Ja, edhe bujku e pret frytin e çmueshëm të tokës i durueshëm me të derisa ta kapë shiu i lashtë dhe i voni.  Jini të durueshëm edhe ju, forconi zemrat tuaja, sepse Ardhja e Zotit u afrua!

Mos u ankoni, vëllezër, njëri kundër tjetrit që të mos dënoheni! Qe: Gjykatësi qëndron para derës!  Merrni, o vëllezër, për shembull të vuajtjes dhe të duresës profetët që folën në Emër të Zotit.

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Shpirti i Zotit Hyj është mbi mua, sepse Zoti më shuguroi,

më dërgoi t‘u sjell të përvuajturve lajmin e gëzueshëm.

Aleluja!

 

Ungjilli: Mt 11, 2-11

Lexim i Ungjillit shenjtë sipas Mateut

Në atë kohë kur Gjoni dëgjoi në burg për veprat e Krishtit, dërgoi nxënësit e vet për ta pyetur:

“A je ti ‘Ai që do të vijë,’ apo duhet të presim një tjetër?”

Jezusi iu përgjigj: “Shkoni e tregojini Gjonit çka po dëgjoni e çka po shihni:  Të verbërit po shohin, të shqeptit po ecin, të gërbulurit po pastrohen, të shurdhërit po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen, të varfërve po u predikohet Ungjilli.  I lumi ai që nuk e bjerr besimin në mua!”

Kur shkuan ata Jezusi filloi t’i flasë turmës për Gjonin:

“Çka dolët të shihni në shkretëtirë? Kallamin që e luhat era?  Apo çka dolët të shihni? Njeriun që vishet me petka të bukura? Ja, ata që vishen me petka të bukura, ata banojnë në pallate mbretërore!  Po, pse atëherë dolët? Të shihni një profet? Po, po ju them: edhe më tepër se një profet,  sepse Gjoni është ai, për të cilin Shkrimi i shenjtë thotë: ‘Ja, unë po e dërgoj lajmëtarin tim para teje që ta bëjë gati udhën tënde para teje!’

Përnjëmend po ju them: nga ata që u lindën prej grash nuk u ngrit asnjë më i madh se Gjon Pagëzuesi, megjithatë, më i vogli në Mbretërinë e qiellit, është më i madh se ai. 

Fjala e Zotit

 

POROSIA

E veçanta e të dieles së tretë të Ardhjes është besimi dhe shpresa për atë që na thotë Zoti. Kjo i ngjanë përvojës së ecjes në ndonjë tokë të panjour a shkretëtirë, i shoqëruar me një mik të mirë, në të cilin beson fortë, pasi e di se ai do të ndihmojë në çdo moment të ecjes tënde.

Kjo figurë mbanë një koniçidencë edhe me popullin e Izraelit, i robëruar në Egjipt, që kishte çdo gjë përveç lirisë, ndërsa në shkretërirë e kishin lirinë, por nuk kishin gjërat elementare sikurse është buka dhe uji. Për këtë ankohen para Zotit dhe në Zotin. Ata kërkonin atë që nuk do të mund ta gjëjnë kurrë:  jetën pa flijim, lirinë pa Zot, që në realitet shndërrohet në robërinë më të keqe të mundshme.

Njeriu është i lirë dhe i sigurtë vetëm me Zotin.

Këtë ngushëllim të vërtetë e thotë sot Isai në leximin e parë: “Mbahuni! Frikë mos kini! Ja, Hyji juaj! Erdhi hakmarrja! Ia behu shpagimi i Hyjit! Vetë do të vijë e do t’ju shëlbojë!”

Leximi i dytë nga Shën Jakobit apostull mbanë porosinë jetësore, që njerëzit të janë të durueshëm për ardhjen Birit të Zotit.

Duresa është virtyt. Me duresë njeriu mund të fitojë shumë. Nëse humb duresën mund të humbas shumëçka, edhe jetën.

Prandaj, duhet ta mësojmë durimin e jemi të durueshëm në rrethana të ndryshme të jetës, sepse është për të mirën tonë.

Shën Jakobi i fton jerusalemasit të jenë të durueshëm për ardhjen e Zotërisë dhe të jenë të qetë e në bashkëpunim në mes vete, mos të ketë ndarje në mes të krishterëve. Kjo do të ishte shembulli dhe dëshmia më e bukur se një bashkësi është duke e pritur ardhjen e Zotit.

Ungjilli edhe sot na paraqet figurën e Shën Gjon Pagëzuesit. Porse sot ai nuk është në shkretëtirë, prej nga thërriste popullin për kthmi. Ai sot është në burg për shkak të veprës së tij të drejtë, predikimit të guximshëm, për shkak të virtyteve të larta që i promovonte, për shkak të karakterit të tij të fortë e të pathyeshëm.

Jezu Krishti e lartëson Gjonin si një person të veçantë në historinë e Shpëtimit, sepse vërtetë ai ishte i veçantë dhe do të mbetet gjithnjë i veçantë.

Shën Augustini dhe disa teologj thonë që Gjoni, sot në ungjill, nuk e ka pyetur Jezusin për vete nëse është Ai që duhet të vij, por këtë e ka bërë për nxënësit e vet, që ata ta dinë se Ai është.

Gjoni e merr një përgjigje shumë të bukur sot nga Ai që duhet të vijë, Mesia:

Të verbërit po shohin, të shqeptit po ecin, të gërbulurit po pastrohen, të shurdhërit po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen, të varfërve po u predikohet Ungjilli.“

Veprat e Jezusit janë dëshmi mesianike, prani e Shpëtimtarit të Njerëzimit.

Një ndër pyetjet e Gjonit ishte “A je ti ai që duhet të vij“? Është pyetje ekzistenciale. Gjenerata e gjeneratë vazhdojnë ta ngristin këtë pyetje. Derisa mos të pranojmë përgjigjen e Jezusit dhe veprat e tija, po e njëjta pyetje do të na gërryej ndërgjegjet tona sot e në të ardhmen.

A janë realizuar deshirat dhe ëndrrat e njerëzve deri me sot? A realizohen edhe sot, a do të realizohen në të ardhmen?

Vështirë është të përgjigjemi në këtë pyetje vetëm me një pikëshikim thjeshtë njerëzor, po nuk e patëm Zotin si garatues i realizimeve dhe dëshriave tona të mira.

Leximet e sotme na nxisin të njohim Jezusin, që tejkalon çdo figurë tjetër, sepse është shpallës i lajmit të të varfërve, të të nëpërkëmburve, është mjek i të sëmurëve, i të verbtëve, i atyre që vuajn, është ngushëllim për të pikëlluarit.

Dietrich Bonhoeffer, i cili u vra nga nazistet me 16 qershor të vitit 1944 thoshte: “Hyji në botë u bë i ligësht dhe i paaftë që vetëm ashtu të na ndihmojë neve. Jezusi nuk na mëson aq shumë me virtyte të fuqisë së vet, por me fuqi të ligështisë, u bë i varfër, u bë fëmijë, por që kështu e ngriti dinjitetin e njeriut që pati rënë poshtë me mëkatin e njerëzve të parë.”

Ndërsa një njeri që mjekohej nga Shenjtja Nëna Tereze tha: “Nuk di a ekziston apo jo Zoti, por duhet ta ketë fytyrën tënde (duke menduar për fytyren e Nënës Tereze).”

Në këtë mënyrë, që nga koha e Jezusit e deri me sot, Kisha shpallë dhe mëson, shëron dhe forcon njerëzit në nevojë.

Ne nuk duhet të jemi të shurdhër, që mos ta dëgjojmë zërin e Kishës që të kthehemi, nuk duhet të jemi të verbër që mos t‘ i shohim mrekullitë që bën Zoti. Mrekullli është çdo njeri në vetvete, por që nganjëherë harron se është shëmbëllim i Zotit, është i krijuar në përgjasimin e Zotit dhe duhet të jetoj në shenjtërinë e Tij, duke bërë mirë, duke jetuar në paqe, duke e dëshmuar Zotin me vepra të mira.

Kush është me Zotin është edhe i gëzaur. Ja pse leximet e sotme na thërrasin që të gëzohemi në Zotin, sepse Ai vjen nder ne të na sjell paqen prej qiellit, dashurinë e Hyjit dhe gëzimin që nuk përfundon askurrë.

 

LUTJET E BESIMTARËVE

Vëllezër dhe motra, t‘ i lutemi Hyjit Zotit të gjithpushtetshëm, i cili na thërret edhe neve të jemi shpallës të ardhjes së Birit të tij, Jezusit, duke thënë së bashku:

Qëndro me ne, o Zot!

  • Për Kishën tënde, që ja besove detyrën të mësoj për të vërteten, bëj që të jetë shenjë e vërtetë e Mbretërisë sate në mesin e njerëzve, të lutemi:
  • Për të gjithë ata që Jezusin e njohin si Shpëtimtar të botës, që ungjilli i tij t‘u shapllet të gjithë njerëzve, të lutemi:
  • Për të gjithë ata që janë në pushtet, që me ndërgjegje dhe kujdes të veprojnë për të mirën e të gjithëve, të lutemi:
  • Për të gjithë njerëzit e botës, që t‘ua hapesh sytë për të njohur shenjat e dashurisë dhe mirësisë sate, të lutemi:
  • Për ne që na ushqen me fjalën tënde, që sikurse Gjon Pagëzuesi të jemi lajmëtarë të përvujtë të ardhjes përfundimtare të Jezusit, të lutemi:
  • Për të dashurit tanë që kaluan nga kjo botë, që të gëzojnë paqen dhe jeten e pasosur, të lutemi:

Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, ti nëpër Birin tënd na shpalle Lajmin e gëzueshëm të shpëtimit për të të gjithë njerëzit. Na jep shpirtin e urtisë, që të mund të njohim fytyrën e vërtetë të Krishtit dhe me gatishmeri të shpallim këtë Lajm të gjithë njerërzve. Këtë po të lutemi nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »