Shën Nënë Tereza – Nobelistja shqiptare e Paqes

Dec 10 • Editorial

Nga Don Lush GJERGJI

 

Në ditën e sotme, më 10 dhjetor 1979,  në kryeqytetin e Norvegjisë, Oslo, ndodhi ngjarja që e gëzoi dhe nderoi mbarë botën shqiptare, por edhe të varfëritë ndër më të varfër, apo siç thoshte ajo “Çmimi Nobel për të Varfër” marrja e Shpërblimit Nobel për Paqe, që iu dhurua Bijës Shqiptare, Nënës së Botës, tash Shenjtëreshës së Jetës dhe të Dashurisë, Shën Nënës sonë Tereze.

Ishte atëherë një befasi dhe kënaqësi për të gjithë, sidomos për ne Shqiptarët, dhe mbeti një kujtim, dëshmi dhe trashëgimi e pavdekshme, porosi gjithënjerëzore.

Shumë njerëz atëherë, ndoshta edhe sot thonë: çka ka bërë Nëna Tereze për paqe në botë? Shumë, gjithçka, sepse e ka shkrirë jetën e saj në mesin e të varfërve ndër më të varfër të botës, për të gërbulur, për njerëz që ishin të braktisur, të shkelur dhe të shëmtuar, duke iu dhënë atyre dinjitetin  njerëzor nëpërmjet dashurisë në vepër.

Më kujtohen edhe sot tri shtyllat, apo edhe tri “përcaktimet” e Nënës Tereze për paqe nga “Katedra e Paqes” në Oslo:

Pa dashuri dhe flijim jeta s’ka kuptim”

Vetëm Dashuria do ta shpëtojë botën”

Veprat e dashurisë janë vepra të paqes”

 

Dhe vazhdoi kështu: “Në botën e sotme ka aq shumë vuajtje, urrejtje, mjerim dhe mu për këtë duhet të fillojmë në familjet tona, në uratë dhe në flijim… Dashuria lind në familje, sepse nuk ka rëndësi çka veprojmë ne, por me sa dashuri bëjmë diçka… Kur marrë në rrugë ndonjë të uritur, i jap një pjatë me oriz, një copë bukë dhe ai kënaqet. Ka larguar urinë. Por, ai i cili është i dëbuar, që ndihet i padëshiruar, i tmerruar, ai është flakur jashtë shoqërisë. Ky lloj varfërie është aq e rëndë, shumë e vështirë. Në perëndim motrat tona punojnë në mes të këtyre njerëzve… Jemi këtu për ta ndarë këtë mundim, për ta ndarë këtë vuajtje të njerëzve… Pra, ta takojmë gjithmonë njëri-tjetrin me buzëqeshje, sepse buzëqeshja është fillimi i dashurisë…”.

Lars Roar Langslet, Kryetari Komisionit Parlamentar për marrëdhënie me Kishë dhe për Shkollim, ndër të tjera pati dëshmuar: “Tërë bota e ka miratuar, kësaj here, vendimin e Institutit Nobel, Dhuratën e madhe të Nobelit për Paqe t’i jepet bamirëses së njerëzimit… mirënjohje e dashurisë, mirësisë së tërë njerëzimit, sepse të gjithë njihemi në të. Njerëzimi e vlerëson atë si NËNË, si e thërrasin të gjithë; shi me këtë me të vërtetë është vlerësuar njeriu, të drejtat dhe nevojat e tij… Kjo është fitorja e mirësisë dhe e dashurisë… Nëna Tereze është kulminacioni i punës vetëmohuese, i mirësisë dhe i dashurisë…”.

Kryetari i Komitetit të atëhershëm Nobel për Paqe, John Sannes-i, në aeroportin  Oslos kishte theksuar:“Këtu me të vërtetë nuk dimë se kush ka marrë Dhuratë: ne apo Nëna Tereze? Ne i falënderojmë asaj, që e ka pranuar këtë Shpërblim, dhe kështu e ka ngjitur edhe më tepër vlerën e kësaj mirënjohjeje të lartë...”

Nëna Tereze e pranoi këtë Shpërblim vetëm në emër të të varfërve, për t’i ndihmuar atyre, duke vërë në qendër të vëmendjes dy shtylla, shpesh të harruara dhe të ngatërruara, ZOTIN – DASHURI  dhe VËLLAN – NJERI.

Kështu ajo kishte dëshmuar bindshëm para mbarë botës se “Dashuria” do t’i shëronte të gjitha të ligat e botës, sepse do t’ia mundësonte njerëzimit tejkalimin e kufijve të kohës dhe të hapësirës, të etnisë dhe religjionit, të kastave dhe të ngjyrave, të gjinive dhe shtresave shoqërore, ekonomike, politike, kulturore, për krijimin e një bote më të mirë, më të drejtë, më njerëzore, ku do të ketë vend dhe mundësi për të gjithë, që domethënë kultura e jetës dhe qytetërimi dashurisë.

Mënyrë veprimi i Nënës Tereze është aq i thjeshtë, gjithnjë aktual, gati i “gjithëpushtetshëm”: “Punë të vogla me dashuri të madhe”.

Vetëm kështu mund të kuptohet disi “lapsi i Zotit”, i cili vazhdon të shkruajë ende në ndërgjegje dhe zemra të shumë njerëzve në çdo anë të botës.

Dhe në mbarim më lejon “të lundroj” në kujtime dhe kështu t’ju bëjë edhe juve pjesëmarrës të kësaj ngjarje dhe përjetimin tim të paharrueshëm. Ishte e diele, 8 dhjetori 1979. Në Oslo temperatura ishte gjithnjë minus. Së bashku më Imzot Nikë Prela (1918-1996) dolëm në pritje në aeroport. Nëna Tereze, e gëzuar, na tha: “Po më vjen shumë mirë që keni ardhur, si të kishte ardhur Nëna Loke imja e vdekur. Zoti iu pagoftë dhe iu ktheftë me të mira!”

Gjatë Konferencës për shtyp me më se 1200 gazetarë  të qendrave botërore të radio-televizioneve të ndryshme, për revistën tonë DRITA, si dhe në emër të të gjithë shqiptarëve, ndër të tjera e pyeta kështu: “A po na thoni, Nëna Tereze, shkurtimisht kush jeni Ju dhe lidhja e Juaj me popullin tonë shqiptar?”.

Ajo mu përgjigj së pari gojarisht, pastaj e shkroi dhe e lexoi këtë porosi shqip dhe anglisht : “Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem shqiptar. Shumë luti Zotin qi paqja e tij të vjen në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën. Lutuni për fukarat e mi, dhe për mua dhe për motrat e mija.

Unë lutem për juve.

M. Tereze Bojaxhiu, Oslo, 10/12/79

 

Në pyetjen time: “Çka domethënë së pari për Ju, për motrat Tuaja dhe për të varfritë Shpërblimi Nobel për Paqe?”

Nëna Tereze u përgjigj: “Për mua dhe motrat tona asgjë të posaçme, asgjë s’do të ndryshojë në Shoqërinë tonë. Kjo Dhuratë, si dhe të gjitha të tjerat, të cilat i ka fituar Kongregata jonë, janë vetëm për të varfëritë tanë… Kjo është si një kontribut i madh i paqes, sepse tekembramja sot bota e ka kuptuar se veprat e dashurisë janë më  të rëndësishmet për paqe… Pa dashuri nuk do të kemi kurrë paqe.”

Në Nënën Tereze populli shqiptar e gjeti vetveten dhe të vërtetën, bashkimin shpirtëror dhe kulturor, motivin bazë për bamirësi, për strategjinë paqësore jo-dhunore  “tereziane”, për falje, pajtim, bashkëpunim dhe bashkëjetesë me të gjithë, për ta mësuar dhe zbatuar artin e jetës, Dashurinë në veprim.

Ja, e tillë ishte Bija, Motra dhe Nëna e mbarë botës, Nobelistja  Shqiptare e Paqes – Shën Nëna jonë Tereze!

Shpërndaje

Comments are closed.

« »