A i besoj përnjëmend Jezusit?

Dec 14 • Meditimi i ditës

14 dhjetor 2016 – E mërkure, Shën Gjoni i Kryqit, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 45,6b-8.18.21b-25; Ps 85,9ab-14; Lk 7,18b-23)

 

Prania e Hyjit

Zot i dashur, më ndihmo që të çelem krejtësisht para teje
sepse tani po i lë anash të gjitha brengat e mia.
Mbushi mendimet e mia me paqe, me dashurinë tënde.

 

Liria

Zoti e njeh lirinë time – për të ajo s`është e huaj.
Shpirti i Tij u jep frymën e jetës dëshirave të mia më intime,
butësisht duke më nxitur drejt gjithë asaj që është e mirë.
Kërkoj hirin t`i lejoj vetes të ndikohem nga Shpirti Shenjt.

 

Ndërgjegjësimi

Kur t`i kthehem detyrave të mia të përditshme,
Ma përkujto, o Zot,
Se gjithmonë je pranë meje.
Kurrë nuk duhet të dëshpërohem.

 

Fjala

Kaloje këtë kohë duke e përqendruar vetveten për të dëgjuar atë që Hyji mund të jetë duke të të thënë gjatë kësaj lutje, për të dëgjuar atë që gjallërohet në zemrën tënde. Mbylli sytë një moment. Ndërsa rri ulur me sy mbyllur, përdori këto ose fjalë të ngjashme: “Ja ku jam, o Zot. Ja ku jam.” Kur të jesh gati, hapi sytë dhe lexo, lutu.

 

Lk 7, 18-23

 

18 Për të gjitha këto e vunë në dijeni Gjonin nxënësin e tij. Gjoni i thirri dy prej nxënësve të vet 19 dhe i dërgoi te Zotëria për ta pyetur: “A je ti Ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?”

20 Këta, kur erdhën te Jezusi, i thanë:

“Gjon Pagëzuesi na dërgoi te ti që të të pyesim: ‘A je ti ai që duhet të vijë, apo duhet të presim një tjetër?’“

21 Pikërisht në atë çast Jezusi shëroi shumë njerëz prej sëmundjesh, prej dhimbjesh, prej shpirtrash të ndytë, edhe shumë të verbëve ua dhuroi dritën e syve. 22 Atëherë iu përgjigj:

“Shkoni e tregojini Gjonit çka patë e çka dëgjuat:

‘të verbërit po fitojnë dritën e syve’, të shqeptët po ecin drejt, të gërbulurit po pastrohen, të shurdhërit po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen e ‘skamnorëve u shpallet Ungjilli’. 23 I lumi ai që nuk do ta bjerrë besimin në mua!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm nga Shkrimi i Shenjtë:

 

  • Gjoni dhe nxënësit e tij pyetnin se a është Jezusi Mesia [Shpëtimtari] i premtuar. Jezusi u flet duke folur për veprat e mrekullueshme që i kishte bërë: shërimin, predikimin dhe ringjalljen nga të vdekurit. Të gjitha këto janë shenja se ai është Mesia, ai nëpër të cilin Hyji “e vizitoi” popullin e vet.

A më lëndon mësimi i Jezusit?

A besoj përnjëmend?

A dashuroj?

A jam edhe unë nxënës?

 

Bashkëbisedimi

Ç`po ndodh në mua kur lus?
A jam i ngushëlluar, i shqetësuar, apo indiferent?
E paramendoj Jezusin ndenjur në këmbë apo ulur afër meje
dhe ia tregoj të gjitha ato që ndjej.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma ke dhuruar gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »