Ndërgjegjja në formim dhe edukim të vazhdueshëm

Dec 14 • Opinion

 

Nga M. Franciska (Suzana) LEKAJ

Për ndërgjegjen dhe funksionin e saj është folur dhe diskutuar shumë. Një nga problemet aktuale me të cilin ajo ndeshet, është kriza në të cilën jeton sot. Mjerisht ajo sot shpesh përdoret vetëm si term për të justifikuar çdo lloj mbrapshtie duke u shprehur me: ndërgjegjja më thotë…, veproj sipas ndërgjegjes…, nuk më vret ndërgjegjja… etj.

 Por, cili është koncepti dhe funksioni i vërtetë i ndërgjegjes?

 Për natyrën, konceptin dhe funksionin e ndërgjegjes, filozofët kanë debatuar me qindra vjet. Sipas disa shkrimeve, Sokrati më shumë preferonte vdekjen sesa rrjedhën me të cilën do ta tradhtonte ndërgjegjen e tij duke bërë kompromis me të vërtetën. Pra këtu shihet qartë se çfarë rëndësie ka pasur dhe ka ndërgjegjja jo vetëm për filozofët, por për mbarë qeniet njerëzore.

Në psikologji studimi i ndërgjegjes e ka fillesën nga William James që e  përkufizon atë si: “… kapacitetin për të qenë i vetëdijshëm për përjetimet dhe njohuritë”. E sipas Wallace dhe Fisher, “…ndërgjegjja është përpunim i informacionit në nivele të ndryshme të vetëdijes. Për geshtaltistët: ndërgjegjësimi është aftësia njerëzore për kontakt me gjithë fushën perceptive me ekzistencën me atë që ndodh, me atë që njeriu ndjen dhe mendon dhe me atë që ndjejnë dhe mendojnë të tjerët”. Mirëpo, përveç kësaj W. James përshkruan edhe  tiparet më të rëndësishme të ndërgjegjes si: “Çdo mendim është pjesë e ndërgjegjes personale të një individi. Ndërgjegjja është gjithmonë në ndryshim. Ndërgjegjja është një proces i vazhdueshëm që nuk mund të ndahet në segmente. Ndërgjegjja përzgjedh nga mjedisi i saj ato për të cilat ajo është e vetëdijshme.” Kështu James e krahason ndërgjegjen me një lumë që rrjedh. Kjo do të thotë se ajo është gjithmonë aktive. Kurse Seneka dhe Ciceroni  flasin për ndërgjegjen si zë i brendshëm  që akuzon dhe mbron sjelljen tonë në lidhje me cilësitë etike të saj.

Dokumenti  i Koncilit II të Vatikanit, Gadium Et Spes (Gëzimi dhe Shpresa), i referohet ndërgjegjes duke thënë: “Ndërgjegjja është thelbi më sekret dhe shenjtërorja e njeriut ku ai është  vetëm me Hyjin, zëri i të cilit jeton në brendësinë e tij”. Kështu ajo e kryen një detyrë në brendësinë tonë. Është dëshmitare për atë që bëjmë apo që kemi bërë. Gjykon veprimet tona, na miraton kur ajo që po bëjmë është e mirë dhe na dënon kur kemi vepruar apo veprojmë keq. Është pedagoge e jona, siç e quan Origjeni, na ndihmon ta zbulojmë dhe na tregon rrugën e veprimit të mirë.

Në lidhje me këtë na flet edhe Shkrimi Shenjt, tek letrat e shën Palit, ku thotë: “Nuk rrej, dëshmitare e kam ndërgjegjen time…” (Rom 9, 1) “Duhet të nënshtrohemi jo për shkak të frikës së ndëshkimit, por për arsye të ndërgjegjes…” (Rom 13, 5) “Dëshmia e ndërgjegjes sonë se sjellja jonë në botë sidomos kundrejt jush ka qenë me shenjtëri dhe çiltërsi…”(2 Kor 1, 12) “Vërtet ndërgjegjja ime nuk më padit për asgjë..”.(1 Kor 4)” Ruaje fenë dhe ndërgjegjen e mirë… “(1 Kor 19) “Ndërgjegjja jonë varet nga e vërteta dhe e vërteta e shndërron ndërgjegjen tonë dhe e bën të vërtetë, të shndritshme…” (Rom 2,14-15). Pali VI thoshte: “Ndërgjegjja në vetvete nuk është arbitër i  vlerës morale të veprimeve që ajo sugjeron. Është interpretuese e një norme të brendshme dhe të lartë. Është e shndritur nga intuita e disa parimeve normative e bashkëlindur me arsyen njerëzore; nuk është burim i së mirës dhe i së keqes, është lajmi, dëgjimi i një zëri që quhet zëri i ndërgjegjes.” Kurse Shën Tomë Akuini e shpreh funksionin e ndërgjegjes duke thënë: “Ndërgjegjja (arsyeja) e njeriut është ajo e të qenurit një rregull i rregulluar”.

 Këtu lexojmë disa mendime nga njerëz të shquar që flasin për funksionin dhe rëndësinë  e ndërgjegjes, e ne që i lexojmë na ndihmojnë për të kuptuar rëndësinë e saj në jetën e përditshme edhe pse ajo çdo ditë e më shumë po ndeshet me vështirësi e kriza të ndryshme.

Edukimi i ndërgjegjes

Edukimi i ndërgjegjes kërkohet bëhet në mënyrë të vazhdueshme sepse një ndërgjegje e formuar, e edukuar mirë është e drejtë dhe e vërtetë. Kështu ajo formulon gjykimet duke ndjekur arsyen në përputhje me të mirën e vërtetë e të dashur. Edukimi i ndërgjegjes është i domosdoshëm për qeniet njerëzore sepse çdo ditë e më shumë janë të ekspozuara ndaj ndikimeve negative dhe të tunduara nga mëkati e nga shumë gjëra të tjera që u ofrohen dhe u kërkohen  që ta pëlqejnë gjykimin e tyre e të refuzojnë mësimin e drejtë e me shumë vlera. Për këtë  edukimi i ndërgjegjes është një detyrë e përditshme që fillon në fëmijëri e që vazhdon për tërë jetën që do të thotë nuk ka kohë të caktuar e nuk ka moshë që e kufizon. Një edukim i mirë i ndërgjegjes të mëson virtytin, të ruan apo të shëron nga frika, egoizmi, krenaria, fyerja, fajësia e nga shumë gjëra të tjera. Gjithashtu edukimi dhe formimi i saj garanton lirinë dhe lind paqen e zemrës.

Të gjithë kemi një këshillues të brendshëm që quhet ndërgjegje, që na këshillon dhe na thotë se cilat janë zgjedhjet e drejta për t’u bërë e që na fton të zgjedhim të mirën, urtësinë e të vërtetën. Por shpesh ndodh që refuzojmë ta dëgjojmë këtë këshillues apo edhe ta injorojmë. Gjithashtu shpesh mendohet se ndërgjegjja flet me një zë të lartë dhe se mesazhi i saj është i pastër dhe i qartë e duke pritur një zë të tillë rrezikohet të mos  dëgjohet  asgjë. Mirëpo, kur zëri i ndërgjegjes është i dobët, atëherë ai është i paqartë dhe secili duhet të mësojë se si t’i dëgjojë dhe t’i kuptojë komunikimet e saj në mënyrë që të veprojë në pajtim me të.

Por të mësosh t’i kuptosh komunikimet e ndërgjegjes, sot është jashtëzakonisht e vështirë. Sepse për ta dëgjuar zërin e ndërgjegjes kërkohet të jemi të aftë të dëgjojmë vetveten. Shoqëria sot e ka shumë të vështirë që ta bëjë këtë gjë, për shkak se dëgjon çdo zë, gjithçka dhe gjithkënd, por jo vetveten. Të dëgjuarit e vetes është e vështirë pasi kërkon një aftësi që është e rrallë te njeriu modern që të jetë vetëm me vetveten. E për këtë duket se njeriu modern ka krijuar një fobi të të qenurit me veten. Pëlqen shoqërinë më banale, aktivitetet e pakuptimta në mënyrë që të mos jetë vetëm. Njeriu modern çdo ditë e më shumë duket se ka frikë të ballafaqohet me vetveten. Kështu ik nga kjo mundësi dhe nuk lejon ta dëgjojë vetveten e vazhdon ta injorojë ndërgjegjen.

Është e vështirë të dëgjojmë zërin sepse ai nuk flet në mënyrë të drejtpërdrejtë, por në mënyrë të tërthorët dhe shpeshherë njeriu nuk  është i vetëdijshëm se ai zë është ndërgjegjja që flet. Njeriu ka përgjegjësi ndaj vetes për përparimin apo humbjen e jetës së tij. Vetëm nëse e kupton zërin e ndërgjegjes, mund t’i kthehet vetvetes.

Ndërgjegjja e rregullon sjelljen në mënyrë më efektive sesa frika nga autoritetet e jashtme. Edhe sikur njeriu mund të ikë prej tyre, ai nuk mund të ikë nga vetvetja, pra nga ndërgjegjja e tij. Ajo është reagimi i tërë personalitetit tonë në funksionimin apo mosfunksionimin tonë të drejtë. Ndërgjegjja është reagimi ynë ndaj vetvetes. Ajo është zëri i “unit” tonë të vërtetë, i cili na thërret t’i kthehemi vetvetes dhe të jetojmë në mënyrë të plotë e harmonike, do të thotë të bëhemi ajo që potencialisht jemi. B. Schuller thoshte: “Ndërgjegjja nuk mund të gënjehet mbi të mirën e të keqen. Ajo çfarë ajo urdhëron është gjithmonë e mira morale që nuk falimenton.”

Qëllimi i ndërgjegjes është produktiviteti dhe lumturia, meqenëse lumturia është shoqëruese e domosdoshme e jetës produktive. Sa më në mënyrë produktive të jetojë njeriu, aq më e fuqishme do të jetë ndërgjegjja e tij dhe do të përparojë më shumë. Personi që jeton në mënyrë produktive  kurrsesi nuk zhvlerësohet, përkundrazi cilësitë psikike dhe emocionale që zhvillon ai gjatë procesit të jetës produktive rriten edhe më tutje, sado që energjia fizike dobësohet. Erich Fromm thotë: “Ndërgjegjja ekziston vetëm atëherë, kur njeriu e ndjen veten njeri e jo gjë apo mall.”

Ndërgjegjja ka karakter jo konformist. Ajo duhet të jetë në gjendje të thotë “jo” kur të gjithë të tjerët thonë “po”. Por, për të thënë këtë “jo” ajo duhet të jetë e sigurt në drejtësinë e gjykimit mbi të cilën bazohet. Ajo e vlerëson funksionin tonë si qenie njerëzore, është njohja e brendshme, njohja e suksesit gjithashtu edhe e  mossuksesit në artin e jetës.

 Edhe pse  thuhet se ndërgjegjja është njohje, ajo prapëseprapë është diçka më shumë se njohje e thjeshtë në sferën e të menduarit abstrakt. Ajo ka një aftësi afektive ngase është reagim i tërë personalitetit tonë dhe nuk është reagim i frymës sonë. Pa ekzistencën e ndërgjegjes, gjinia njerëzore kaherë do të futej në rrugën e saj të rrezikshme.

Erich From thotë: “Nuk ka deklaratë më krenare të cilën mund ta bëjë njeriu kur thotë: do të veproj në harmoni me ndërgjegjen time.” Kurse Papa Gjon Pali II, që sot është shenjt thoshte: “Nuk është e mjaftueshme t’i thuhet njeriut ndiqe gjithmonë ndërgjegjen tënde. Është e nevojshme të shtohet menjëherë dhe gjithmonë: Pyete veten nëse ndërgjegjja jote thotë të vërtetën apo pavërtetësinë dhe mundohu në mënyrë të palodhur të njohësh të vërtetën.”

 

REFERENCA:

Miguel Angel Fuentes, Të vërtetat e vjedhura, (2015) Tiranë

Fromm Erich, Njeriu për vete, (2003), Tiranë

Terry F. Pettijohn, Psikologjia (1996), Tiranë

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »